BIBER 05
Karriget e rrënuara të shtëpisë së bashkësisë lokale nuk janë rrënuar nga diskutimet. Kryetari i bashkësisë lokale, një burrë zeshkan në të gjashtëdhjetat, fshinte me fundin e këmishës së tij katrore djersët nga balli.
– Prej këtyre feferonave – tha, duke treguar me gisht drejt pjatës para vetes. – Nuk mundem për shkak të lukthit…
BIBER 05
Që nga fëmijëria e hershme, pothuajse çdo pushim veror e kaloja te gjyshja ime, vejusha Cijeta, në fshatin G. poshtë Ostrogut. Viteve të fundit vija gjithnjë e më rrallë dhe vetëm kalimthi. Prindërit nuk më çonin më në “panaire verore për ajër te pastër”, por unë vija kur më lindte dëshira. Apo kur planet bregdetare verore bienin ndesh me mundësitë në dispozicion, dhe ngushëlloja veten se nja një a dy muaj te Cvijeta dhe shoqëria e njohur e fshatit nga fëmijëria ishin alternativë e pranueshme karshi Beogradit përcëllitës dhe të boshatisur.
BIBER 05
Mami gjithmonё thotё qё nuk e ndien nevojёn pёr shёtitje, pushime luksoze ose darka tё shtrenjta. Pёr tё ёshtё e rёndёsishme vetёm koha tё cilёn e kalon me familjen – ku-ja e si-ja nuk kanё rёndёsi. Jo pёr tё. Kёshtu, lindi tradita jonё – çdo ditё, kur jemi tё gjithё nё shtёpi, cilido prej nesh bёrtet “Kush don kafe, kush çaj?” dhe sigurohet qё nё çdo qoshe tё Prishtinёs, e le mё tё dhomave, ka jehuar kjo pyetje.
BIBER 05
Më nëntëmbëdhjetë tetor të vitit dy mijë e dhjetë varrosëm gjyshen. E varrosëm në fshat, në shtetin ku u lind dhe e kaloi pjesën më të madhe të jetës. Babi dhe fëmijët e tjerë të gjyshes vendosën ta çonin në vend amanetin e saj dhe thanë se nuk do ta çanin kokën me faktin se në atë katund ishin dy kisha dhe se në këtë tonën tash e sa vite prifti s’ka kujt t’i vijë. Nuk u pengonte që varrezat tona ishin të lëna pas dore ku kishte mbirë bari i egër. Ishin të lumtur që rreth tyre nuk kishte mina. E thirrën priftin të vinte dhe ta varroste gjyshen dhe paguan gjithçka. Aq ia kishin borxh gjyshes.
BIBER 05
Varrezat gjithmonë gjinden në vendet nga ku pamja është më e mirë. Thuajse të vdekurve u plas se ku janë. Ata gjithsesi janë në gropë. Ndoshta kjo është për shkak të të gjallëve, që ta kenë më lehtë, që horizonti i bukur t’ua zbukurojë mendimet. Mbase për këtë mami shpesh rri ashtu e groposur dhe shikon në largësi, drejt lumit që gjarpëron mes kodrash. Natyra këtu është vërtet e hatashme. Aq e hatashme saqë mund të harrosh lehtë arsyen pse jemi këtu.
BIBER 05
Unë jam hapësira mes fjalësh, heshtja mes notash, boshllëku mes muresh… E padukshme, e fshehur, e ngurosur. Unë jam qilim gjethesh të vjetra pylli që shushurijnë nën çizmen e ushtarit e cila sa vjen e afrohet. Ai është shamata, sharja dhe shkëmbi. Dora gjigante me rrudha dheu. Vikama e luftës në afërsi.
BIBER 05
“Merr de, merr pak”, këput copën dhe ia afron te fytyra e e kërrusur.
E kapi para qymezit. Ia këputi qafën, duke shfrytëzuar ligjin e më të fortit. E shpuploi me lëvizje të shkathëta rutinore, dhe e hodhi në tenxhere të cilën e mbylli me kapak. Uji tashmë po vlonte kur i pa nga dritarja, të shkujdesur si kalamaj që po luajnë luftërash.
E mbase kjo është veç lojë.
BIBER 05
I pamë ne që nga larg. Ishin Kera, i vëllai Bracos, Mali dhe unë. Taman u ndalëm në pyll para livadhit për t’u marrë vesh se ku do ta bënim rojën.
Dy prej tyre shkonin drejt katundit tonë. Disi të shtrembër. Sikur po mbaheshin për dore.
Kera dhe unë shikojmë njëri-tjetrin. Kështu haptas këndejpari mund të lëvizin vetëm tanët. Por, ku mund ta dish!
BIBER 05
U ndalëm te dera hyrëse e banesës sonë. I shikova të tria fytyrat.
“E mora çelësin tim të banesës”, më tha me një buzëqeshje të butë. “Po qe se nuk jeni në shtëpi kur do të vij”, e mbylli, ndërsa buzëqeshja u ngjit në hijet tona nga drita e dobët e hënës dhe e gëlltiti zërin e tij me gaz. Hyri si në strofull në fytin tim, si një zinxhir joelastik. Gëlltita dhe i ktheva të gjitha kujtimet derisa ia puthja fytyrën dhe e thithja nxehtësinë dhe erën e tij.
BIBER 05
Për çdo fundjavë, merremi vesh të shkojmë në vilë, edhe pse shumë rrallë shkojmë bash atje. Dimrit, mbase, kur kandilë prej akulli kapen fort për çatitë e pojatave nëpër të cilat kalojmë. Vilën e kishte ndërtuar i shoqi i saj. Kjo është faktikisht shtëpizë që përbëhet nga një hapësirë dhe një tarracë e drunjtë të po asaj madhësie. Në të majtë të derës së hyrjes qëndron kamini i mahnitshëm i bërë nga guralecë shumëngjyrësh, por ne asnjëherë nuk kemi ndezur zjarr në të.
BIBER 05
Gishtat ta fërkojnë kapakun e kokës aq fort sa gati të dhemb. Pastaj, rri gjatë nën ujin e ftohtë. Ndërsa shkon këmbëzbathur drejt kuzhinës, në shputa të ngjiten qimet e maces. Shurupi i shtogut ka rrjedhur në frigorifer. Do ta pastrosh, por pasi ta pish kafen. Hedh qumësht, sheqer, e ndez kompjuterin. I lexon emailët, lajmet, statuset e Facebookut. Të shkon mendja te deti dhe xhirollogaria. Në Zagreb temperatura ka shënuar 32 gradë. Mendon të shkosh në pazar, por heq dorë.
BIBER 05
Thuajse lidhja jonë ndërkombëtare nuk është mundim në vetvete, por tash ai dëshiron që ajo të jetë edhe e hapur. Thuhet open relationship. Me fjalë të tjera, unë duhet të shikoj anash ndërsa ai bën dashuri me tjetërkënd – më të ri, apo më pak të bardhë. Holandezëve u pëlqejnë gratë dhe burrat ekzotikë. Nuk dua të hesht e të besoj se tërheqja vjen nga kompleksi i fuqisë i cili tradicionalisht lehtë gjen rrugën e vet deri te shtrati martesor, nga ndjenja e superioritetit dhe fuqisë financiare të racës evropiane.
BIBER 05
Qëndrojmë mbi një lartësi e cila na jep një pamje të mahnitshme të kodrave përreth dhe luginës që ato e rrethojnë.
“Ai atje është Trebeviqi”, tregon mami me dorë drejt njërit nga malet. Faqet i kemi të rrumbullakëta e të kuqe nga ajri i freskët, duart e futura brenda mëngëve të xhaketave të mëdha. Livadhet rreth nesh janë ende me baltë, nën hijet e pemëve bora bën përpjekjet e fundit për të mbrojtur territorin e vet, derisa luleboret dhe orkidetë nxjerrin kryet plot guxim dhe kumtojnë atë që ne e nuhasim në ajër. Pranverën.
BIBER 05
Babai nga dyqani solli ca kuti kartoni ku shkruante “Biskota çaji” ose “Vaj luledielli”. Na tha t’i mbushnim me gjërat më të nevojshme, sepse nuk do të ketë më shumë vend në bagazh. Me t’i lëshuar kutitë në verandë, u mbështet për murin e shtëpisë dhe ia nguli sytë oborrit. Pastaj dalëngadalë e çonte shikimin përgjatë kores së arrës, drejt kurorës së saj dhe reve plot flluska të qiellit pranveror. Në fund e uli shikimin dhe e la të lundronte pa kontroll drejt fushës në largësi. Kur u lodha së ndjekuri shikimin e tij, kalova te vështrimi i qershisë së xha Lujës, të mbuluar me tufa lulesh aromatike, të gatshme të shndërrohen në fruta të lëngshme e të ëmbla…
BIBER 05
Mami im nuk thotë fjalë të pahijshme. Atë ditë e lëshoi dëgjuesen e telefonit fiks me rumbullaken me numra dhe tha: Të qifsha jetën, krisi lufta!
BIBER 05
Me të gdhirë, kur mbi shtëpinë e gjyshes qielli ende ishte vjollcë nga freskia e natës e dielli andej diku mbrapa, në anën tjetër të Gërmeçit, tashmë e lajmëronte ardhjen e ditës, lajmëtari im Graho nga maja e kurorës së mollës, mu nga dega të cilën e shoh nga shtrati im, e lajmëronte ditën e re me kakarisjen e tij shpotitëse dhe kumbuese, e për mua të ashpër e të padurueshme. Kjo ishte shenja jonë e fshehtë – për mua që të zgjohem nga shtrati dhe të ulem në stolin e drunjtë të dritares së dhomës sime, e për Grahun që, duke më parë mua, të kakarisë edhe një herë, tash hareshëm, dhe duke shushuritur me krahë në fluturim të zbresë nga dega drejt e në prehrin tim, krejt i shpupurishur. Aty qetësohej dhe paksa çlodhej.
BIBER 05
Kalova edhe një herë, pikë për pikë.
1. EKV – Dum dum, kasetë
2. Alan Fordi, Marti Misterija, Dilan Dog, Zagor – nga një numër
3. Walkmani dhe një palë baterish rezervë të cilat i mbaja fshehur për tre muaj në pritje të mundësisë së këtij çasti
4. Deodoranti me erë dhe i lyer nën sqetullat me djersë
5. Fëmijët e Mesnatës së Rushdit të cilin nuk arrita ta kthej në bibliotekë para se të digjej.
“Kjo është e gjitha?”, më pyet lokja.
BIBER 05
Vera mendon se i ishte dukur ashtu, kohëve të fundit drita dhe zërat po luajnë me të, sidomos kur hyn nga dielli i këtillë përcëllues në shtëpinë e errësuar. Përgjatë territ të papritur shkëlqejnë kuadrot e mbetura të shkrepura në periudhën e shkurtër të mëngjesit vetëm kur merr guximin të dalë, para sulmit të vapës verore. Që kur është vetëm, secila pamje i përzihet me ndonjë që dikur moti e ka parë, thuajse para vetes shtyen thesin në të cilin vërshojnë imazhet e thurura të së shkuarës, dhe sa njëra sa tjetra dalin jashtë dhe i kërcejnë para syve. I dorëzohet kësaj lajthitjeje, që kur ka mbetur vetëm, ditët gjithsesi i ka krejt të pakuptimta e të zbrazëta. Në mëngjes përgatit kafen, në tavolinë e vë xhezven dhe filxhanët. Vera e di se Mirosllavi më nuk është, por në atë ritual mëngjesor thuajse kjo nuk është e vërtetë, thuajse e sheh para vetes në atë heshtje të pazgjuar…
BIBER 05
Dhjetor. Një e martë e mbuluar me borë. Qëndroja në udhëkryq te Tregu i Qytetit, e mbështjellë me një shall të thurur, duke e pritur kolegun. Vrimat e hundës më mbusheshin me erë të petullave të skuqura, ndërsa fishkëllima e zorrëve shtohej. I godisja këmbët e mpira njërën me tjetrën për t’i ngrohur. Trupi i ftohur ma nxehte padurimin. E dija se edhe në Golfin e vjetër është ftohtë, por, së paku, nuk do të qëndroj në trotuarin e ngrirë.
Më në fund, vetura me ngjyrë të kaltër të errët u ndal para meje. U përkula për ta parë fytyrën e njohur të kolegut Fatmir, i cili vetëm ma tundi dorën për të hyrë brenda.
BIBER 05
Ishte nata e tretë e bombardimeve dhe tashmë kishim mësuar shtratin ku dhe me kë do të shtriheshim në bodrumin e errët të spitalit. Sapo dëgjuam fishkëllimën e thekshme të sirenës së pasdites që lajmëronte rrezikun e bombardimit të qytetit, dolëm nga dhomat ku qemë vendosur dhe zbritëm shkallët në radhë të gjatë, të njëtrajtshme e të heshtur të grave shtatzëna, i cili kur vështrohej nga kati më i lartë ngjante me trupin e përdredhur të një zvarraniku të majmë e të plogësht. Ecnim si somnambulë duke ndjekur njëra-tjetrën me sytë përdhe në hapin e radhës dhe mendjen te shtëpitë tona ku kishim lënë familjet dhe përditshëritë me rropatjet e bezditë e zakonshme që tani ngjanin aq të ëmbla e të dashura duke na joshur shpresën për t’iu kthyer sa më parë të ishte e mundur.