Vasilije Peroviq

 

Që nga fëmijëria e hershme, pothuajse çdo pushim veror e kaloja te gjyshja ime, vejusha Cijeta, në fshatin G. poshtë Ostrogut. Viteve të fundit vija gjithnjë e më rrallë dhe vetëm kalimthi. Prindërit nuk më çonin më në “panaire verore për ajër te pastër”, por unë vija kur më lindte dëshira. Apo kur planet bregdetare verore bienin ndesh me mundësitë në dispozicion, dhe ngushëlloja veten se nja një a dy muaj te Cvijeta dhe shoqëria e njohur e fshatit nga fëmijëria ishin alternativë e pranueshme karshi Beogradit përcëllitës dhe të boshatisur.

Zgjedhja e aktiviteteve verore në fshat ishte e kufizuar në larje në Zetë, vjelje frutash, lexim apo “soditje të lopëve” siç e quante Cvijeta ruajtjen e bagëtive nga mesdita deri te këmbana e parë e manastirit të Ostrogut. Në mbrëmje mund të koteshe në natën e ngrohtë kadifeje rreth tavolinës së madhe të vjetër poshtë dudit. Aty e kaloja natën duke dëgjuar muzikë nga tranzistori i vogël dhe duke ndjekur me shikim gjësendet që mbushin qiellin mbi fshat.

Sikur çdo adhurues tjetër i pop-rockut të brezit të fundit hipi rregullisht dëgjoja Radio Luksemburgun, duke pritur me padurim orën njëmbëdhjetë të mbrëmjes dhe fillimin e programit Tony Prince Show.

Atë 1971-shin, Cvijeta tashmë ishte plogështuar duke iu afruar të shtatëdhjetave, dhe xhaxhi Marko me familje dy vjet më parë e kishte marrë përsipër shumicën e punëve rreth shtëpisë. Ajo kështu e lirë mbrëmjeve shpesh ulej pranë meje, dhe kështu bashkë dëgjonim muzikë, dhe e shkurtonim natën.

Disa ditë më pas mori guximin dhe më pyeti nëse në orën tetë do të mund ta “kurdisja” tranzistorin në Radio Titograd pasi kishte dëgjuar se në atë kohë ata “lëshonin këngë”. Kështu krijuam rutinën tonë të heshtur e të këndshme që në orën tetë të dëgjonim “këngë”, e pastaj rok dhe pop në Luksemburg.

Në vend të gjakftohtësisë së zakonshme ndaj muzikës në 208, me kalimin e kohës së pari me turp e pastaj me shumë më shumë kujdes nisi të dëgjonte blues rock. Pështypje të fuqishme dhe sigurisht tronditëse i linte muzika e albumit post-mortem Pearl nga Janis Joplin, i cili atë verë i mbërrinte të gjitha majat e listave. Çdo mbrëmje, me durim e priste ardhjen e këngës Cry, cry baby. Rrinte pa lëvizur duke përpirë gjëmat e zërit të mbytur të Janisit, duke ia ngulur sytë tranzistorit thuajse donte ta çlironte e ta shkulte atë këngë nga radioja. Disa mbrëmje më vonë më pyeti se kush e këndonte dhe ç’këngë ishte ajo. Për këngën i thashë se fliste për një dashuri të pafat të gruas të cilën e kishte braktisur i dashuri i saj, i cili pastaj nuk ka e ka gjetur fatin atje ku e ka kërkuar. Dhe për thirrjen e saj të pashpresë t’i kthehet që bashkë ta vajtojnë trishtimin e tij. Dhe se këngëtarja ishte Janis Joplin. Gruaja e cila jetoi nxitimthi dhe vdiq e re. Sepse nuk kishte më për çka të jetonte.

Duke kafshuar buzën me nervozë, Cvijeta qetas dhe bindshëm konstatoi: “Asaj i dhembte jeta. Nuk e ndreqi duke vdekur. Unë e di këtë, vitet më kanë mësuar.

Edhe mua më ka dhembur… dikur”.

Nga rrëfimet e të tjerëve kisha dëgjuar për këtë “dikur”. Por, për vdekjen tragjike të gjyshit Stojan kurrë nuk e kisha dëgjuar rrëfimin nga Cvijeta. Edhe pse isha i vetëdijshëm për barrën e temës që po e hapja, m’u desh ta pyesja për këtë: “Kurrë nuk më ke treguar si ka vdekur gjyshi”.

“A nuk të ka treguar babai?”

“Vetëm më ka thënë se ka pasur ndezje të mushkërive dhe se ka vdekur më 1944… Ishte luftë dhe atëbotë vdisej përditë. Dhe se nuk pati shpëtim. Kaq di unë. Dhe di gjithashtu se ndezja e mushkërive mund të shërohet. A nuk ka mundur t’i ndihmojë ndonjë mjek dhe a ka pasur mjekë këtu edhe para luftës?”

Ra në mendime, duke shfletuar kujtimet. Nisi ngadalë, me fjalë të cilat e mbërrinin njëra-tjetrën:

“Stojani im, gjyshi yt, ka vdekur këtu në shtëpinë e vjetër rreth Kërshëndellave të vitit 1944. Shkoi në qytet, në pazar, të shesë pak duhan, djathë e raki dhe të sjellë kripë, gaz dhe miell. Ishte ftohtë, frynte nji veri i poshtër, dhe solli acar e borë. Kur po kthehej për në shtëpi, te Sushica te Ura e Axhisë, e zatetën tre çetnikë të dehur të Bajës, nga fshati M. te qyteti. E rrahën dajak dhe e hodhën në lumë.

I thanë sepse djalin, babain tënd Millanin, e kishte bandit komunist. Edhe i thanë se ishte me fat që nuk e kishin mbytur në vend. Po e pastronin terrenin nga bandat, thoshin… por për Kërshëndella, qe, po e qërasin me jetë! Kishte ardhur koha që një fukara të sillej si zot. Të të vrasë e të të qerasë me jetë!

Millani im në vitin 1942, kur u bë partizan, ishte më pak se njëzet vjeç… Më mirë atje se me këto bisha që nënat e tyre, në vend të qumështit të gjirit, i kishin ushqyer me vrer!”

 

U ndal për një çast për ta mbledhur vetën dhe për t’u qetësuar. Nga radioja i ndihmonte Janis Joplin.

“Atë natë, për tri orë nëpër acar po vinte në shtëpi në tesha të lagura. Në mëngjes e kapën ethet dhe temperatura. U kujdesa me të me teta Stanën siç dija. Nuk kishim kurrfarë ilaçi, nuk kishim kurrgjë, darkat i arnonim duke i kapërcyer drekat… ishte luftë. E çka kam pasur unë në dorë, nga pleqtë na kishte mbetur vetëm kjo çati dhe këto katër dhi, dhe kështu kemi mbetur varfanjakë me trashëgim!

Na u gjind komshikja Joka dhe na solli disa barishte të saj për çaj. Nuk i ndihmonin.

Pas tetë ditësh nuk mundi të merrte frymë, as të ngritej nga krevati. E as temperatura nuk po i ulej. Teta Stana ia lidhte gjethe hithash. Ato vetëm sa i hapën plagë të gjalla. U mundua i shkreti dhe vdiq shpejt… e ndoshta kështu ishte më mirë. U mundua më pak. Edhe ne bashkë me të.

Pas luftës më thanë se ka vdekur nga ndezja e madhe e mushkërive. E unë mendoj, nga këto bisha.

As sot e kësaj dite nuk po e kuptoj pse i Lumi Zot po lejon ta shohësh njeriun se si mundohet, e nuk të lë që disi ta nxjerrësh nga ato mundime?”, psherëtiu thellë dhe me mëngën e bluzës i fshiu sytë e lagur.

“A ke mundur ta thirrësh ndonjë mjek nga qyteti? Të mos shkojë si qeni në rrush?”

Ma hodhi një shikim të tmerrshëm, me dhëmbë të shtrënguar heshti nja dy sekonda, dhe pastaj ma hodhi breshërinë:

“Me sabah kam shkuar unë në qytet. Doktori italian kishte ikë me ushtrinë, gjermanët nuk më lëshonin përtej rampës, ne për ta ishim kurrgjë, krimba. E kam kërku doktorin tonë, sllovenin plak i cili shërbente aty në qytet që nga Mbretëria. Më thanë se partizanët ose çetnikët e kishin pushkatuar si armik të popullit. Eh, unë mendoj se nuk e kishin pushkatuar si armik, por sepse njeriu nuk ka dashtë me qenë bishë sikur ata. Doli se krejt ata, përveç italianëve dhe gjermanëve, kishin luftuar për popull. Duke e pushkatuar e duke e hedhur në korije!

E çka është populli? Kur të gjithë mendojnë njësoj, heshtin e dëgjojnë? Kështu na qenka populli? Të gjithë njerëzit nuk mund të mendojnë njësoj! Apo janë këta që tërë ditën e lume mbi kodër ia hedhin këngës për trimat, fitoret dhe betejat?

Për carët e mbretërit, për Obliqët e Brankoviqët, patjetër…

Por, t’i mbushin brekët para xhandarit, ofiqarit a priftit! Ia hedhin këngëve që ua kërkojnë serdarët e priftët. Sepse janë bisha që u besojnë, e ata me pak mend e pa zemër, nga frika.

Nga ajo frikë edhe të vrasin! Nuk e kuptoj pse frikësohen kur s’kanë asnjë gjë, as s’kanë çka të humbin. Dhe qysh nuk u vjen marre prej njerëzve… Njerëz pa yndyrë…”

U ndal, e skuqur në fytyrë, duke marrë frymë rëndë. Isha dëshmitar i shpërthimit të kujtimeve të grumbulluara të cilat Cvijeta i shkëpuste dhe i shkulte nga vetja. Mori frymë thellë dhe vazhdoi:

“Me fëmijët e kam bërë gati Stojanin për varrim në varrezat tona. Më ndihmoi Joka dhe komshijtë e tjerë. Kisha frikë si do t’ia bëja vetë… Mendja më shkonte gjithandej ato ditë, Dhe si mund t’i kryeja të gjitha ato shpejt e lehtë. E këta të tre më kishin mbërthyer si qengj, duke më ngushëlluar e duke më thënë se krejt do të jetë mirë. E kishin ndier se veç unë u kisha mbetur për t’i rritë e për t’i ngushëllu. Kështu u desh të ishte. Dhe ja, kështu edhe ka qenë…

Shkova në Ostrog te prifti ynë për t’i kërku ceremoni për Stojanin. Ai, duke fshehur sytë, më tha se kisha nuk do të lutej për babain e banditit komunist. Nuk mund të besoja se po ma vrisnin për të dytën herë! Pastaj i thashë priftit krejt këto që tash po t’i them ty… Dhe kurrë më nuk kam hyrë në kishë pas kësaj”.

Cvijeta ngadalë bëri një qark me gishtin tregues në qiellin plot yje dhe tha:

“E vogël është kisha jote, or prift, për këtë Zot kaq të madh!”

Shikova drejt këmbanës së ndriçuar të Ostrogut në shpatin mbi ne, dhe pastaj mbi qiellin plot yje të mbështetura për malet përreth. Sërish shikova, dhe vërtet… Manastiri ishte shumë, shumë më i vogël se Zoti.

Nuk tha më asgjë atë natë, e pafuqishme përballë vërshimit të lotëve të paderdhur që nga viti 1944.

Apo mbase të ndonjë viti tjetër, që veç ajo e di…

 

Beograd, pranverë 2021

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Vasilije Peroviq

Vasilije Peroviq ka lindur në vitin 1951 në Riga (Letoni) nga nëna ukrainase dhe babai malazez. Gjatë studimeve ka punuar në klubin e famshëm studentor të Beogradit KST dhe në gazetën Student si dizajner grafik, karikaturist, skenarist dhe skenograf. Pas një karriere profesionale si menaxher projekti, në vitin 1997 në Kiev themeloi LFG-në, studion e dizajnit të enterierit dhe dizajnit grafik, ku realizoi 52 projekte të suksesshme gjatë 20 viteve... Në vitin 2021 nisi të shkruante, dhe "Razmera boga" është një nga tregimet nga omnibusi i pabotuar i tregimeve të shkurtra LOO për gjyshen e tij Cvijeta. Jeton dhe punon në Beograd.

Kontakt: perovic.vasilije@gmail.com

 

 

ažurirano: 06/03/23

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.