Sërgjan Mileviq

 

Mami im nuk thotë fjalë të pahijshme. Atë ditë e lëshoi dëgjuesen e telefonit fiks me rumbullaken me numra dhe tha: Të qifsha jetën, krisi lufta!

Më pëlqente që në telefonin e hirtë me rumbullaken me numra ta rrotulloja nëntëshin, pesëshin, të dëgjoja saktë kohën dhe pastaj ta ndeqja orën mbi tryezari.

Pesë e pesë. Kllompat e mamit kërcasin nëpër korridor për te Nona dhe sateliti i saj. Të tanët vetëm rrejnë. Vrapoj në korridor dhe bërtas: Shiko çka po më bën peshku! T’i marrtë të ligat, gumëzhin korridori, më gumëzhin koka. Nuk e di saktë se çka është lufta, por duhet të jetë e tmerrshme pasi nëna shan kështu.

Në tavolinë poshtë orës që tregon pak më shumë se pesë e pesë gjyshja ka gatuar shtrudllën me mak. Të dielave gjithmonë gatuan në heshtje, sa çel e mbyll sytë. Brumi është punë e lehtë, s’ka receta, duhet t’i ndiesh. Kshu, kshu, kshu, a e sheh, kur është kshu, atëherë është mirë. Shikoja me trishtim duart e brumosura të gjyshes kur mami ma shau peshkun, edhe pse e dija se nuk e kishte përnjëmend. Por, tha: Të qiftë! kur nisi lufta, e mami im nuk thotë fjalë të pahijshme.

Nona nga kati i dytë më do si gjyshja, e ne e kemi veç komshike. Mami thotë se kjo është sepse ajo s’e ka askënd, gjyshja thotë se zonja Nona krejt jetën e ka mbajtë kokën përpjetë sepse ka mbetë vetëm. Të gjithë e duan për shkak të atij sateliti, e unë e dua edhe pa të. Gjyshi e ka gjyshen, gjyshja e ka gjyshin, mami më ka mua, e unë s’e kam kurrkënd. Njëjtë si zonja Nona, po unë s’e çoj kokën përpjetë. Kur i kërkoj mamit të ma lindë një vëlla a motër, ajo fillon të qajë. Nuk më pëlqen kur trishtohet, dhe pastaj i them që bën edhe ndonjë kafshë shtëpiake. Gjyshi mendon se kafshët janë për ahër, më mirë ta heq atë marrëzi nga koka. Mami më thotë se jam i vogël. Nuk është lehtë të kujdesesh për një qenie të gjallë. Të mëdhenjtë gjithkund shohin brenga. Kafshën shtëpiake duhet dashur, e jo të të brengosë. Vetëm emrin ia thotë, por jooooo, kush është këtu më i madh, e thashë dhe nuk do ta përsëris… Ky muhabet mori fund.

E pastaj Nonës nga i dyti i shkoi mendja të ma blinte një peshk me qëndrim të përkohshëm tek ajo, në të dytin. Unë qava se peshku nuk është kafshë shtëpiake e vërtetë, e Nona nuk më bindi se Klara është veç e imja. Më dukej e dyshimtë që ia kishte vënë një emër të tillë, edhe pse Klara tingëllonte më hijerëndë se Zorica ime, mirë, e di. U pajtova ta kemi peshkun Klara me qëndrim të përkohshëm te Nona nga i dyti. Do të ma sjellë sa të lëshojë pe gjyshi. Pastaj qava nga gëzimi, e gjyshja tha: Qaj, qaj, do të pshurresh më pak, por nuk është mirë të jesh qurran.

 

Edhe pse nuk e dija ç’po bëhej me peshkun, e vizitoja përditë. I këndoja, i premtoja se së shpejti do të jemi bashkë, do të jetojë në një akuarim të madh me pallat prej guri dhe me shumë bimë dekorative, e jo në një kavanoz për ajvar. Ora duhet të durojë. Thonë se të gjithë duhet të durojmë.

E pyeta gjyshen, ndërsa piqej shtrudlla me mak, pse njerëzit luftojnë. I forti s’të pyet.

E ç’do të thotë kjo, gjyshe? Ajo që e dëgjove. Por, unë nuk e kuptova atë që e dëgjova. Nuk e kuptoj as unë, por kështu është.

Në gjashtë e tridhjetë e gjashtë Nonës nuk ia çova shtrudllën e nxehtë, sepse nuk ishte në banesë, por në autoambulancë. Atëherë mësova se thuhet infarkt dhe jo infrakt. Derisa hipa ajo e shkreta ishte shtembëruar, hiqma kokën nëse del e gjallë, thoshte mami im, e cila kurrë nuk përdor fjalë të pahijshme. Përveç kur është luftë.

Javën tjetër, shumë kohë para orës pesë e pesë, fëmijët në park bërtasin: Po luajmë luftash? E si luhet ajo lojë? Së pari të vras unë ty, pastaj më vret ti mua. Nuk më luhet.

E shikoj qesen me shtrudllën e nxehtë për Nonën time nga i dyti. Mendoj se si hanë të vdekurit. Të ëmbëlsohet pak shpirti, thotë gjyshja. M’i bëj të fala Klarës, e di se është me ty, i pëshpëris varrit të Nonës sepse mami ma ka ndaluar të qaj për peshkun në kavanoz në vlugun e luftës. Banesa e kyçur. Askush nuk guxon të hyjë, kupto. Nuk dua të kuptoj. Lufta është marrëzi. Nonës sigurisht i ka dhembur zemra nga trishtimi për popullin e gjorë. Kështu thoshte ajo. Mua më dhemb zemra sepse jam djalosh pa peshk.

Mami im nuk thotë fjalë të pahijshme deri në çastin kur e kaplon frika. Këto ditë, mami shan shumë.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Sërgjan Mileviq

Sërgjan Mileviq (1985) është filolog i diplomuar i letërsisë së përgjithshme dhe teorisë së letërsisë dhe magjistër i menaxhimit kulturor. Është i angazhuar në projekte në fushën e të drejtave të njeriut dhe pajtimit. Tregimet e tij janë vlerësuar në konkurset rajonale në Zagreb, Banja Llukë, Beograd, Nish... Tregimi "Ja, dželat" është vlerësuar me çmimin e dytë në Festivalin Evropian të Tregimit të Shkurtër 2017. Në projektin Write the Change ishte mentor i shkrimit kreativ për të rinjtë nga rajoni. Përmbledhjen e parë me tregime "Svima nam je prvi put" e boton në vitin 2019. Jeton dhe punon në Beograd.

 

 

ažurirano: 24/02/23

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.