Andrea Hribar Livada

 

Unë jam hapësira mes fjalësh, heshtja mes notash, boshllëku mes muresh… E padukshme, e fshehur, e ngurosur. Unë jam qilim gjethesh të vjetra pylli që shushurijnë nën çizmen e ushtarit e cila sa vjen e afrohet. Ai është shamata, sharja dhe shkëmbi. Dora gjigante me rrudha dheu. Vikama e luftës në afërsi. Ai është gjithçka që nuk jam unë, unë jam gjithçka që nuk është ai. Duart i ka të forta e të vrazhda, të ashpra e të errëta në fytyrën time thatanike të bardhë, lëkura e dukshme skuqet sa s’ka… Rrobat e mia janë të bardha e të shqyera, rrobat e tij të forta, të trasha e jeshile. Sytë i ka të cekët e të verdhë, të zemëruar, të mitë janë të qelqtë e të thellë. Dhimbja është imja, jo e tij. Psherëtimat janë të tijat, dënesa është e imja. Frymën e ka të ngjeshur e të rëndë, të padurueshme. Unë jam pa frymë. Kukulla pranë meje është e thyer, pushka e tij është e paprekur. Sytë i shkojnë mbi gjinjtë e mi. Në shikimin tim është një re që kalon mbi kokën e tij, zogu në fluturim, pemët e pyllit që dridhen butësisht. Në mendjen time nuk ka asgjë.

 

*

Është verë. Ndihet era e tokës së djegur. Djersët m’i përshkojnë gjinjtë e fryrë. Barkun e kam të rrumbullakët e të fortë si bostani i pjekur. Kam frikë se do të shpërthejë nëse e shtrëngoj më fort. Pranë zemrës sime rrah edhe një tjetër.

Me duart me flluska nëna ime gatuan bukën. Mizat zuzare i fluturojnë para syve të trishtë. Ajo nuk i dallon. Lulet mbi dërrasën e dritares janë vyshkur. Buzët e nënës lëvizin në lutjen e saj të qetë, të pandërprerë. Për barkun tim të fryrë nuk flitet.

Babai është krejt kohën në fushë. Kurrë nuk është me ne. Më nuk shkon as në kishë as në kafene. Shikimin e ka ulur nën vetullat e shpupurishura. I kërrusur, i turpëruar, me supet e varura. Nuk e di a më do më.

Nuk lutem më. Zoti u fsheh nga unë. Ose unë nga ai. Më nuk shkojmë në kishë. Nuk e di a është kjo punë dëshire apo nuk guxojmë të shkojmë më.

Shtëpia ime më është bërë e huaj. Nuk e kam më vatër. Iki nga ajo. Por kurrë më në pyll. Në pyll jetojnë bishat. Shkoj vetëm deri te shtëpia e fundit e katundit. Aty ulem mbi një gur, poshtë shenjës me emrin e shkarravitur të katundit tim. Shikoj poshtë rrugës. Kërkoj të ardhmen time. Por, nuk po e gjej dot. Mendoj se ma kanë rrëmbyer. Ose e kam lënë të shkojë, s’e di. E do të doja ta dija. Ose jo. Guri është i fortë poshtë prapanicës sime thatanike, e barku në të cilin është jeta më ngjitet për kofshët lakuriqe. Parehatshëm mu sikur ndjenjat e mia të parehatshme.

Natën është më së keqi. Ëndrrat janë reale dhe të dhimbshme. Dhe bën shumë nxehtë. Vera po zgjat tejet shumë. Edhe netët po zgjasin tejet shumë. Jam gjallë tejet shumë. Mbase nuk e kam vendin në këtë botë. Mbase kam humbur rrugën nga ndonjë planet tjetër. Nuk e di ku e kam vendin. Asgjë më nuk më duket e njohur. Të gjithat m’i ka vjedhur. Fundosem dhe bie. Ndoshta deri në mëngjes do të zhdukem.

Në mëngjes jam ende aty. Ende është nxehtë. Ende e kam barkun tejet të madh. Ende jam e dëbuar në shtëpinë time. Ndoshta ka ardhur koha të marr rrugën, të kaloj pranë shenjës së shkarravitur dhe të nisem në kërkim të së ardhmes.

Çdo gjë që kam mund të futet në çantën e kaltër. Nëna ma jep copën e letrës me emrin dhe adresën e tezes nga qyteti i madh. Babai në dorë ma fut një grusht parash të ndrydhura. Nëna ma vizaton kryqin në ballë, e babai pas meje e mbyll derën qetësisht.

 

*

Dhe kalon një vit, kalojnë dy vite. Trishtimi brenda meje vazhdon të jetë i madh, e turpi assesi të kalojë. Por…

Vogëlushja ime është e tejdukshme dhe e bardhë, engjëll pa krahë. Qenia e saj që vallëzon këmbëzbathur. Ajo mendon për djellin e për kafshët, i do njerëzit dhe lulet, flet me pemët dhe lumin.

Vogëlushja ime e ka vetëm mamin. Babi i saj është qenie mitike e luftës, ndryshore matematikore. Vogëlushja ime ka lindur nga pylli, retë dhe pemët, nga zogu në fluturim.

Ajo është falje e çdo mëkati, ngushëllim i çdo loti. Ajo ka lindur që unë të jetoj.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Andrea Hribar Livada

Andrea Hribar Livada ka lindur në vitin 1976 në Zagreb. Shkrimet e saj të para janë botuar në revistën Kana të botuar nga Kršćanske sadašnjosti, ku ajo ka bashkëpunuar edhe si redaktore e rubrikës për të rinj. Poezitë dhe tregimet e saj për fëmijë janë botuar në revistat për fëmijë Radost dhe Zvrk. Në redaksinë e revistës Zvrk ka punuar në vitin 1997 deri në vitin 1998, dhe po atë vit është botuar librin me ilustrime Dar svetoga Nikole nga Teovizija. Ishte themeluese dhe kryeredaktore e revistës për vajza Luna, e cila doli nga viti 2009 deri në vitin 2010, dhe i revistës për shtatzënat dhe prindërit, Mamino sunce, e cila botohet që nga viti 2004 e deri sot e kësaj dite.

Kontakt: andrea@optimamedia.hr

 

 

ažurirano: 02/03/23

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.