Senad Jusiq

 

 

Duke i shkuar pas asaj se guri më i rëndë peshon në vend të vetin, edhe Dado sa herë që kthehej vinte në qytetin e lindjes. Shëtitja nëpër rrugët e njohura kurrë nuk i bëhej e mërzitshme, shikonte vitrinat si fëmijë i dikurshëm, vështronte me kurreshtje lokalet e vjetra dhe të reja, ulej në bankë dhe përcillte kalimtarët. Krejt fytyrat e reja, thjesht habitet kur has në ndonjë surrat të njohur. Shkonte në dy lokale ku ndihej i sigurt; nuk është se tjetërkund pati ndonjë shqetësim. Te Saja hynin të rrallët që ktheheshin, te Zoka miqtë e vjetër të pangarkuar me atë që kishte ndodhur – ata as e fillonin as e mbaronin këtë muhabet.

– Çka ka në Skandinavi? – pyet mërzitshëm Saja.

– Krejt pos diellit.

– Do të nxehë edhe atje lart. Familja mirë? – pyet Saja, dhe pastaj hesht; i kujtohet.

– Po, ata që janë gjallë, mirë janë. Isha sot në varreza.

– Ç’u bë kështu, Dado shoq, një e keqe e madhe na kaploi. Qe, babai dhe vëllai yt, alla rahmetelje, kujt i kanë bërë ata keq… Mirë që mbete ti…

– Hesht, seç më kap kur ndryshon koha, krejt kockat më dhembin. Ma mbyti beharin brenda. Gjashtë muaj kalova në kamp… lërë bre, s’po flasim për këtë…

Rrufit kafen dhe shikon qytetin e lindjes. Dëshiron të harrojë, sa herë që vjen në vete i thotë vetes se nuk do të kthehet më, e vitin që vjen ia beh sërish. Shtëpinë nuk e ka shitur.

I ikte pjesës ku nga kafenetë dëgjohej repertori çobanesk, s’largohej fort nga qendra dhe shtigjet e njohura. Një herë takoi një roje, e njohu menjëherë, e ai nuk e njohu, dhe disa hapa tutje u kthye dhe në çudi e shikoi pas: herën e fundit e kishte parë të lidhur, dhe pas njëzet vjetësh po çuditej dhe po e pyeste se si ishte zgjidhur.

Kësaj radhe në takim po i vinte Majori, nga e njëjta anë e rrugës. Ishte vonë të ndërronte kahjen, takimin e kishte të pashmangshëm. U pre krejt. E Majori ia zgjati dorën, thuajse për herë të fundit ishin parë mbrëmë në ndeshje, dhe ashtu si rastësisht e përshëndeti:

– Tungjatë, komshi. – Ç’kemi, qysh je?

E ky mbeti si i ngrirë, duke mos ditur ç’të thotë. Qe, e kërkove djallin, shëtitës, edhe kjo duhej të ndodhte dikur. Së pari ndjeu një sulm të butë paniku, pastaj paniku i çeli rrugë frikës dhe trupi iu shtang sikur po priste goditje; frika e kaploi nga ajo fytyrë dhe ai zë ogurzi, i pandryshuar. Duhej kohë ta merrte veten.

– Hiç, asgjë, u nisa për te Zoka – ia ktheu, më ngathët s’ka ku shkonte, thuajse ata të dy takoheshin çdo ditë rrugës për te Zoka. Nuk dinte ç’të thoshte tjetër.

– Po lëre ore Zokën, po shkojmë tek unë ta çojmë nga një – ia ktheu zëri i cili nuk duron kundërshti, i sigurt dhe i bindur në vete. – Tek ajo aty, është imja.

Tregon me gisht kafenenë pak të fshehur nga rruga. E dinte Dado se ishte e tij, e kishte shmangur në perimetër të gjerë. Kësaj radhe u ishte dhënë mendimeve dhe… e pati. U nis pa kundërshtuar, si atëherë. Nuk dinte as si kishte hyrë as si ishte ulur – ndiqte urdhrat. Krejt si nëpër mjegull. Dhe nëpër tronditje. Pohonte për të gjitha pyetjet: se donte viljamovkë, se bënte nxehtë, dhe se muzika ishte tejet e zhurmshme. I shtangur, ishte objekt dhe jo subjekt.

– Si po shkon jeta? Ti je lart? – pyet Majori.

Ai murmuriti diçka. Nuk kishte fuqi ta shikonte në sy. Nga frika, turpi apo nga turpërimi i atëhershëm? Dëgjonte dhe përshkonte me sy kafeterinë, pa ndalur shumë shikimin as në murin me fotografinë e Majorit në uniformë. Kishte aty edhe tre myshterinj. Shmangte kontaktin me sy. Ndërsa tendosja po pushonte, ai po bëhej i vetëdijshëm për çastin dhe situatën në të cilën u gjend.

– S’ka punë, nga kjo s’mund të jetohet. Mezi fitoj për qira. Por fytyra megjithatë u ka mbetur, më kanë emëruar drejtor të Ujësjellësit. Kam bërë burg unë për secilin prej tyre, tash po e lajnë ndërgjegjen. Tetë vjet kam ngrënë burg – thotë Majori i pezmatuar, dhe e afron gotën te goja. E zbraz gotën poshtë fytit dhe ndalet për një çast dhe ofshan:

– S’ka dert, unë ua kam falur përndjekësve të mi. Të falësh është e krishterë.

Porosit edhe nga një. Do, qysh s’do, ti me dy këmbë ke ardhë. Edhe ato i pinë shpejt, Majori sipas zakonit, Dado me drojë. Tek e treta Dado kundërshtoi lehtas, argumenti se edhe Zoti tri herë të ndihmon nuk kundërshtohet.

– Kohë e çuditshme, rinia krejt u prish. Më vjen i biri një ditë nga shkolla i ngrysur, mbase ndonjë çapkën e kishte ngacmuar, dhe unë duhet ta zgjidh këtë. Tash ai është në ato vite, shkollë e mesme, atyre u duhet vëmendje, nëse ke fëmijë e di se si është. Nuk bën të jesh agresiv. Fëmijët kërkojnë dashuri.

Edhe ata tre myshterinj largohen, dhe këta të dy mbesin vetëm. Dado rrinte i shtangur si guri, dëgjonte dhe fare nuk mendonte. Ia kishte ndaluar vetes të mendonte. E kishte ndezur edhe pse tjetra po i digjej në tavëll. As Majori nuk e fikte.

– Në shtëpi nuk jeton kurrkush?

– Kurrkush. Babai nuk doli gjallë nga kampi, as ai as vëllai. Ishte në shkollë të mesme, si biri yt tash.

E habiti veten se si po fliste kështu, drejtpërdrejt dhe provokueshëm. Fytyra e Majorit mbeti pa ndonjë shprehje. Shtrëngoi pak dhëmbët. Si krejt luftëtarët e njëmendtë, të provuar, edhe ai gjithmonë ka qenë i zemëruar me dikë dhe diçka.

– Kohë e tillë ishte. E poshtër. Unë vetëm ndoqa urdhrat – tha preras.

Edhe ai heshti për herë të parë. Në heshtje pinin raki. Kambana nga larg kumboi plogësht për të treguar gjysmë ore.

– Po, për besë, komshi, unë ua kam falur të gjithëve – përsëriti, shikoi diku larg dhe me një zë melankolik, të zbutur nga rakia, ngushëllueshëm ia vuri Dados dorën në supe dhe i tha:

– Eh, komshi, ç’na bënë kështu?

Dado nuk dinte ç’të bënte me veten. Nuk dinte as qysh doli, as sa ishte ora, as ku po shkonte. Si i shituar, duke marrë frymë thellë, kthehet mbrapa te Saja. I mbesin edhe cigaret, rrugës në kiosk blen të tjera, e shitësi e shikon me mirënjohje sepse nuk pyeti asgjë, vetëm i dha para dhe kërkoi Drinën. Hyri në kafene i zbehtë si shiriti që dikur e mbante rreth krahut.

– Mos ke pa ndonjë fantazmë?

– Fantazmë jo, por komandantin e kampit.

– Atë kriminel? I dhanë trembëdhjetë, i bëri tetë, të qifsha edhe Hagën, edhe Gjykatën e Hagës.

Heshtin. Fytyrën ia përshkon një hije e errët. Mendimet i ka te një kohë tjetër, të errët, të paqenë. Dado është i shtangur, trupi i vdekur, pa shqisa, si karrigia në të cilën rrinte ulur. Ndien drithërima në kraharor. Mjegull. Nëpër mjegull imazhe. Sheh. Diku shumë larg rrjedh uji, mbi të ura, qentë lehin në shelg, uji shushurit. Sheh vëllain: qesh dhe përqafon nënën.

– Thotë se na ka falur – ngadalë thotë Dado.

E kraharori seç e shtrëngon gjithnjë e më shumë.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Senad Jusiq

Senad Jusiq lindi më 1967 në Bugojno ku ende jeton dhe punon. Me profesion është elektroteknik. Pjesëmarrja aktive në luftë ka ndikuar në punën e tij prej shkrimtari dhe ka publikuar librin antiluftë të prozës së dokumentuar “Posljednji napad prve čete”. Shkruan edhe kolumne në portale rajonale. Së fundmi ka dalë edhe libri i tij i dytë, përmbledhja e tregimeve satirike “Smrt općinskog vječnika”.
Kontakt: gornjikopcic@gmail.com

 

 

ažurirano: 22/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.