Alma Tabak

 

 

Ndërsa me nxitim ecte nëpër pyll, poshtë çizmeve i shushurinin gjethet. Nganjëherë kërciste ndonjë guralec, dhe kjo ia ndërpriste rrjedhën e mendimeve. Frymëmarrja pas çdo hapi i bëhej më e zëshme, dhe kështu u fokusua në frymën e saj. Dhimbja shpotitëse në këmbën e djathtë ishte irrituese, por ajo e shpërfillte duke përfytyruar shtëpinë në të cilin do të duhej të ishte qe gjysmë ore.

Me shikim kaloi nëpër trungje që qëndronin qetas nga të dyja anët e shtegut të ngushtë. Vjeshta i kishte ngjyrosur kurorat në nuanca bojë ari dhe të kuqe. Vetëm gjethet poshtë këmbëve të saj tashmë kalonin në të hirtë. E donte atë pyll dhe atë shteg të cilin e kalonte sa herë që vinte koha të takohej me Zoranin. Rëndom ajo mbërrinte para tij, por kësaj radhe ishte vonuar dhe druante se nuk do ta takonte, se ai do të kthehej duke menduar se ajo nuk do të shfaqej. Andaj shpejtoi hapin.

Pas nja dhjetë minutash përpara saj u shfaq shtëpiza e drunjtë. Edhe pse dita qe e ftohtë, ndjeu se bluzën poshtë xhemperit e kishte qull nga djersët. Preku me gisht qafën poshtë kapuçit. Edhe ai ishte djersitur. Edhe ca hapa deri te gardhi i drunjtë…

Hapi portën hap e krah, hyri në kopsht dhe e mbylli pas vetes. Para se të hapte derën e shtëpisë, u kthye për të parë se mos e kishte përcjellë kush. Kështu bënte gjithmonë, ani pse e dinte se s’ka kush ta përcillte.

Nga brendësia e shtëpisë fryu erë e ngrohtë. Zjarri në kamin tashmë ishte ndezur. U zbath mu në hyrje, që dyshemenë e drunjtë të mos e ndyente me baltën e këpucëve dhe të sillte brenda gjethe. Pastaj hoqi palltën, mori frymë thellë dhe nxori frymë zëshëm para se ta hidhte palltën në divanin përpara kaminit.

“U brengosa për ty”, tha burri duke buzëqeshur ndërsa e shikonte nga pragu i dhomës në të cilën hyhej në të majtë të kaminit. “Më fal!”, tha duke marrë frymë shpejt. “Nuk mbërriva më herët. M’u desh të bëja diçka para se të nisem”.

Më pas u ul në divan, duke e shtyrë anash palltën. Merrte frymë thellë që të qetësonte sa më shpejt zhurmën e qenies së vet që i kumbonte në vesh. Ai nuk mund të tregonte nëse ajo ishte e tendosur. Dukej e relaksuar, por edhe e shqetësuar, për shkak të nxitimit. Ende i mbështetur me kokë për kornizën e derës, e pyeti: “Je për çaj?” Vetëm bëri me kokë, pa kthyer sytë nga zjarri në kamin. E kënaqte ngrohtësia, por i pengonte që ishte e djersitur. Ngriti flokët dhe i kapi në maje, për ta tharë sa më shpejt qafën. E dëgjoi teksa ecte në dhomën fqinje dhe hapte dollapa me filxhanë për çaj. Përvoli mëngët dhe i afroi pëllëmbët te flakët, duke u kënaqur me ngrohtësinë prapa xhamit.

Ndërsa po afrohej me filxhanë në duar, ajo nuk po e largonte shikimin nga zjarri. I lëshoi filxhanët mbi tavolinë përpara saj dhe mori palltën dhe e vari për varëse në derën e hyrjes. U ndie paksa fëmijërore dhe e turpëruar që këtë nuk e bëri vetë, por nuk tha asgjë. Nga aroma kuptoi se kishte përgatitur çaj kaçeje.

“A ka sheqer”, pyeti. “Po. E di se nuk të pëlqen kaçja me sheqer”, qeshi Zorani dhe u ul ca centimetra më larg. “Të kam munguar”, e pyeti duke qeshur me djallëzi.

Ajo vetëm e shikoi, ia ktheu buzëqeshjen dhe mori filxhanin me çaj. “Dhe?” vazhdoi ai thuajse nuk priste përgjigje të pyetjes së tij, “Ka ndonjë të re? Si i kemi fëmijët?” Piu një gëllënjkë dhe u përgjigj: “Po, mirë janë. E di si shkon kjo punë – taman kalon një bela, vjen tjetra”. Pas fjalës së fundit qeshi, piu edhe një gllënjkë dhe vazhdoi: “Sreqko ka filluar shkollën, e Sarën e ka rrokë puberteti. Ç’të të them?”, “E ti? Qysh je ti?” – pyeti ai. “Po unë jam si ngaherë”, tha duke vazhduar t’i ikë shikimit të tij.

“Vështirë është, por ç’t’i bësh”. Pas gllënjkës së radhës vazhdoi të flasë, duke mos ia hequr sytë filxhanit dhe përmbajtjes së tij. “Më duket se të dytë po mësohen me krejt këtë situatë, edhe pse, natyrisht, u mungon. E kur shkojnë për fundjavë te gjyshi dhe gjyshja, pastroj shtëpinë, bëj planin se ç’duhet bërë për javën që vjen dhe kaq. Nga java në javë. Nga muaji në muaj”.

“Sa ka që nuk jemi parë?” – pyeti me zë të qetë. “Një vit”, ia ktheu duke vazhduar të mos e shikojë. Ndërsa ai as u përgjigj as komentoi, u kthye drejt tij dhe e shikoi në fytyrë. Nuk ke ndryshuar as edhe një sekondë”, tha dhe buzëqeshi. Pastaj me majet e gishtave të dorës së majtë ia preku faqen derisa në dorën e djathtë ende mbante filxhanin. Ai rrinte me shprehje serioze të fytyrës dhe vetëm e vështronte. Kishte ca sy që gjithmonë dukeshin krejt të zi, edhe pse dikur diku kishte lexuar se ngjyra e zezë e syve fare nuk ekziston. Flokët i kishte gjithashtu të zinj, gjithmonë disi të shprishur, por i rrinin mirë. Urrente rregullsinë te meshkujt.

Kishte vetulla të zeza të spikatura dhe vija të bukura simetrike të fytyrës. Buzët i dukeshin disi të vogla për një mashkull të gjatë sa ai, por ishin të plota. Kur qeshte, i hapeshin në një buzëqeshje të gjerë dhe zbulonin dhëmbë të radhitur bukur dhe të bardhë. Buzëqeshja e tij edhe çastet më të errëta dinte t’i mbushte me prehje të rehatshme.

Kur shkoi, iu përmbys bota. Herën e parë e takoi një vit pasi ishte larguar – në atë shtëpizë prej druri të cilën e kishte trashëguar nga gjyshi Sinani, vetmitari i cili më shumë kohë kalonte në pyll se me gruan dhe fëmijët. Askush nuk ishte aq i interesuar për atë shtëpizë pas vdekjes së tij. As fëmijët, as gruaja, Po ti pyesje ata, më me qejf do t’ia vënin flakën, meqë shtëpizën e donte më shumë se ata dhe meqë më shumë kohë kaloi duke e ndrequr atë sesa me ta. Babai i saj këtë e kishte përsëritur mijëra herë. Pas këmbënguljes së saj, shtëpiza pas vdekjes së gjyshit i takoi pikërisht asaj. Dhe askush nuk bëri fjalë. Po të kishte ujë në afërsi apo t’i ishte dukur interesante kujtdo, dikush do të kishte bërë fjalë për të. Kështu, shtëpizën pa shumë fjalë ia dhanë trashëgimtares së denjë të gjyshit; edhe atë edhe gjyshin familja i konsideronin vetmitarë. Fakti se u martua për Zoranin vetëm sa e forcoi këtë bindje. Ishte disi e natyrshme që shtëpiza t’i takonte asaj.

Shtëpizën ia kishte treguar gjyshi në një nga rastet e rralla kur vinte në vete që ditën ta kalonte me familjen. Atë ditë të gjithë nipërit i çoi në pyll. Ajo, ndryshe nga kushërinjtë e saj, shtëpizën e përjetoi si një kështjellë të fshehtë ku do të mund të ruante ëndrrat e saj dhe të pushonte nga bota.

Kur erdhi lufta dhe aq shumë shtëpi u dogjën e u rrënuan, shtëpiza e gjyshit për çudi mbeti e paprekur. O askujt më nuk i dukej interesante, o thjesht pati këtë fat të çmendur. Kur vdiq gjyshi, mu para përfundimit të luftës, ajo priti rastin që krejt çka kishte trashëguar të shkëmbente për atë shtëpizë. Ai rast iu dha dy vjet pas luftës. Dhe askush nuk bëri fjalë.

Pas gllënjkës së fundit la filxhanin mbi tavolinë dhe u mbështet për qoshin e divanit. Asnjëri nuk fliste. Ndjeu se ishte afruar pakëz, dhe mbështeti kokën në supet e tij. Duke mos ndërruar pozitën e trupit, me pëllëmbën e djathtë ai ia preku flokët dhe ia largoi nga fytyra një tufë që kishte dalë nga flokët e lidhur. “Pashë që solle shumë libra”, tha. “Po. Disi më së shumti më pëlqen të lexoj këtu. Në shtëpi s’po ia dal. E këtu edhe mund të shkruaj”, u përgjigj. Pastaj drejtoi trupin dhe e shikoi: “E pse po vjen vetëm për përvjetor?” Ai buzëqeshi dhe rrudhi supet: “Nuk e bëj me qëllim. Thjesht është kështu”, u përgjigj. “Mendova t’u tregoj për ty”, tha, “por vërtet nuk di si ta bëj këtë. Nuk e di a duhet ta bëj”. “Mendoj se jo”, u përgjigj, “lëri të jetojnë siç janë mësuar. Do të jenë mirë, besomë!”.

Pastaj e përqafoi, e ajo mbylli sytë. Kishte nevojë ta prekte, t’i shqyente rrobat edhe nga vetja edhe nga ai, por nuk mori guxim. Gjithsesi, mjaftonte që ishte aty. Thuajse druante se pas kësaj nuk do të shfaqej kurrë më. E as ai kurrë nuk mori guxim ta bënte këtë hap. Kurrë më pas atij largimi.

Nga dritarja kurorat e pemëve dukeshin gjithnjë e më pak. Nata nisi të binte. Para tyre ishte një natë e tërë. Për bisedë. Për përqafime. Për prehjen që e ndiente saherë që thjesht rrinte pranë saj. E përqafoi me duar dhe shikoi nga dritarja, duke kërkuar me shikim pllakën e bardhë përkujtimore pranë hyrjes në kopsht. Shihej gjithnjë e më pak. Në mëngjes do të largojë gjethet e thata dhe mbeturinat nga guri. Dhe përsëri do ta pranojë faktin se Zoranin e mori geleri i cili e qëlloi në qafë.

“Po e mbush edhe pak çajin”, tha, e lëshoi nga përqafimi dhe i çoi filxhanët në dhomën ngjitur. Ajo, si e mësuar, largoi shikimin. Nuk mund ta shihte plagën në qafë e cila nuk ndryshonte ndër vite dhe nga e cila vazhdonte të kullonte gjak.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Alma Tabak

Alma Tabak (1983) lindi në Duvno (Tomislavgrad i sotëm). Është diplomuar për gjermanistikë në vitin 2009 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Sarajevës, ndërsa në vitin 2018 mori titullin Master i Gjuhës dhe i Letërsisë Gjermane - Dega e Letërisisë. Në kuadër të projektit të studimit publikoi gjithsej 21 poezi në koleksione dygjuhëshe me poezi dhe prozë (2005/2006 dhe 2007). Kohë pas kohe përkthen nga gjermanishtja në BHS dhe anasjelltas që nga viti 2013. Shkruan SEO tekste në gjermanisht. Ky është tregimi i saj i parë që do të botohet si dhe puna e saj e parë e shpërblyer.
Kontakt: almat@outlook.de

 

 

ažurirano: 28/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.