Mariana Çanak

 

 

Shikoj nga lart se si ma shqelmojnë kokën e këputur. Dehen, shqelmojnë, gjuajnë në ajër. Më dhimbsen zogjtë më shumë se vetja. Mua këtu gjë s’më mungon, as ajo kokë që e mbaja e që më udhëhiqte. Atje nga shkoj, mundem edhe i pakokë. Por, nuk do të nisem ende, po pres të mbarojnë me mua poshtë, dhe të nisem i qetë. Nuk di edhe sa do të zgjasë. Plaka kur dëgjoi, gjëma iu ngri në fyt. Plaku duarbosh nisi të më kërkonte, donte të më bënte bashkë dhe të shënonte vendin ku vdiqa. Endet nëpër pyll, e unë nga lart e çoj në gjurmë të gabuara, vetëm të mos hasë në këta pijanecë të mbrapshtë. Le t’ia ngjesin kokën time ndonjë fatkeqi tjetër, le të mi këpusin këmbët dhe t’ia japin atij që i duhen, më s’më bëhet vonë, veç dua një fije qetësie, por të mos jetë ajo e varrit. Të qifsha tokën! Sa më shumë që e mbrojmë, aq më shumë na përpin. Vëllaçkoja ende nuk dëgjoi për mua, trishtimi i tij ka për të më shkatërruar. E si të dëgjojë kur nuk del nga tanku, kalon nëpër ato shtëpi thuajse janë nga kartoni. Nga kalon ai edhe fantazmat poshtë pragjeve ikin. Është drejt fundit krejt kjo, por nuk do të mbarojë mirë. Nga lart jam largpamës edhe pa sy. Po shoh se si plakës nga kurrizi po i mbin një krah korbi, u mbështoll krejt në pupla të zeza, as lëviz dot. Plakut sytë i janë shuar dhe jeton gjatë ashtu i vdekur. Vëllaçkoja u qetësua, ka shtëpinë larg shtëpisë. Gruan e ka me barrë për herë të dytë dhe mirë po mbahet, mbase do të jetë mashkull. Nëse ia vënë emrin tim, kurrë prehje nuk kam për të gjetur!

 

*

Kalojmë natën buzë një moçali. Me pëllëmbë fshij ballin, gjakut i vjen era dhe pikon në tokë. Nuk jam plagosur, nata është e errët nga gjaku i mushkonjave. Se përse e ruajmë këtë moçal, kush nuk e di. Më shfaqet vëllaçkoja natë pas nate. I buzëqeshur, i pastër, si nga bota tjetër, hap krahët dhe afrohet, gati t’ia thotë këngës. – Dane! – pëshpëris nëpër terr. – A je ti? Danko! Me t’iu drejtuar, avullohet. Pastaj koka sërish i mbin nga hiçi, gati të përplasemi. – A ke duhan? – e pyes, e ai kap xhepin, nxjerr kutinë, dhe futet brenda si avull, e kutia nuk prishet. Herën e dytë u ul pranë meje, më prek në ballë, sikur po shikonte në jam i vërtetë. Marr hov ta shtyj, por dora vetëm më kalon nëpër të, e ai sërish bëhet bashkë thuajse asgjë nuk ndodhi. Plas nga e qeshura. – Si janë pleqtë? – e pyes. – Di gjë? Ai pohon me kokë sikur di gjithçka, por nuk bën zë. Nganjëherë nuk e di në i shfaqem unë atij apo ai mua, e prapë shoh se këto mushkonja të mallkuara atë nuk e prekin.

 

*

Është nxehtë, e nëna më vesh një xhemper të madh leshi. Djersitem me të, leshi më nxeh dhe më gërvish. As që bëj zë, e nëna ngrit dorën të më heshtë. Që kur jam këtu, mezi flasim, dëgjoj vetëm duart e saj. Mbase mendon se me heshtje na kursen fuqinë, se do të bëhemi të padukshëm nëse zhytemi në heshtje, se do ta ruajmë kokën. Dhe jo vetëm kokën. Nëna dëshiron të më ruajë të tërën. Dje këputi kombinezonin e saj, dhe leckën ma lidhi rreth gjinjve cullakë. E lidhi me krejt fuqinë, sikur po e shtrydhte jetën nga unë. Do të më shtrydhë në ndonjë shishe a pëllëmbë, dhe do të më pijë deri në pikën e fundit, dhe pastaj do të më ruajë me trupin e saj siç më kishte ruajtur dikur. Kështu ia shpjegoja këtë vetes dhe mbyllja me forcë sytë që prej tyre të mos ikë asnjë pikë. Poshtë xhemperit të gjerë jam murosur në kombinezonin e nënës. Më dhemb, më mpihet trupi, e mbaj thuajse nuk është imi, kam për t’ia hequr lëkurën vetes sa shumë e kruaj kokën dhe qafën. Jam mbushur puçrra, sa e heq njërën, më del tjetra, sikur po mbjell mbi mua yjësi kutërbuese. Nëna më qetëson, frika i shfaqet në sy kur ma sheh fytyrën e ngrysur. Rreth nesh ka gra të tjera, asnjëra plakë, por asnjërën nuk mund ta mendoj të re, përveç nënës sime. Shqyejmë kombinezonë dhe i fusim poshtë këmbëmi kur jemi me gjak. Të vegjëlve më së lehti u ngjiten morrat, e ne morrave u kapemi si thesarit, ua bëjmë shtëpi trupin tonë. Kujdesemi të mos i shikojmë rojet në sy, e do të qetësoheshim sikur në sytë e tyre të dallonim neveri. Presim shkëmbimin: kokë për kokë, numër për numër. Nganjëherë natën ëndërroj sikur jam jashtë, në breg të ndonjë liqeni me diell, dhe nga gjumi zgjohem posa shoh peshq që janë grumbulluar të m’i shohin puçrrat në kokën e rruar.

 

*

Mbërrita, këtu më priste krejt suita. Bëjnë gosti, pinë raki, gëzohen që më shohin. Thonë: – Sa shpejt mbaroi! Më mirë të mos kishe shkuar fare për kaq pak! Pastaj ia plasin së qeshurës dhe gjithçka jehon dhe kumbon, e paktet dhe besat thyhen si xhami, veç unë ec nëpër qelq: a kam jetuar apo vdekur kot? Poshtë m’i kanë bërë bashkë dhe radhitur kockat, kanë ngulitur kryqin, kanë gdhendur emrin. Ndezin qiriun të ma ndriçojë rrugën dhe qajnë e vajtojnë, më rrëmbejnë me ato zëra, trishtimin e tyre e mbaj si bukagi. Kukasin derisa digjet qiriu. Pastaj prapë shkoj nëpër terr, mendoj se dikush do të më dalë përpara. I pari më del gjyshi, mezi e mbaj mend, e tash jemi njohur sa hap e mbyll sytë. – Nga qenke nisë kaq herët? – më thotë krejt i ngrysur, e qesh poshtë mustaqeve. – Hajde, në shtëpi! – urdhëron, e unë mendoj se po më kthen prapa, e ai më tërheq nga vetja. Atëherë më ranë ato bukagi nga lotët e ngrirë, më pushton lehtësia, të mitë më nuk përpëliten poshtë. Me gjyshin u shfaqën të tjerët, kishin përgatitur pritje, më dhanë zemër për udhëtimin e gjatë. Më pyesin përse po shfarosemi atje poshtë, edhe sa do të vijnë pas meje, a po vdesin edhe më të rinjtë se unë, sa tokë kemi mbuluar me gjak, ku po mendojmë të kthehemi, çka do të hamë kur toka të nisë të vjellë kocka të kalbura. Nuk di ç’t’u them. – Shumë po vdisni, e pak po vini – më thotë gjyshi, dhe ndez çibukun, nxjerr një qark tymi dhe më lë të shoh nëpër të sikur nëpër dylbi. Frika m’i rrotullon kockat! Shoh të vdekur që nuk dinë se janë të vdekur, disa qëndrojnë në rrënoja të ngulur sikur gozhda, të tjerët ende marshojnë, joshen nga aroma e gjakut, bredhin, trazojnë të gjallët, rënkojnë mbi trupat e tyre të copëtuar sikur ujqër të egër. – Çudi që ia paske dalë të kalosh – më thotë gjyshi. – Mbase je betuar se do të na kthehesh para martesës. Nxjerr edhe një tym, e përpara më shfaqen ketrat krahëzeza me koka grash. Sillen rreth e rrotull si furi, piskatin, u hidhen grave të gjalla mbi kërthiza, ua thithin barkun, dha pastaj pështyjnë gjakun nga mitrat e tyre. Gjyshi mërmërit diçka për vitet që vijnë, për grurin e përgjakur dhe për fëmijët që ecin bythëpraptas. Më kaploi plogështia. Po të mund të humbej koka e njëjtë dy herë, do ta kisha dhënë me gjithë qejf, vetëm të mos shoh e të mos dëgjoj më asgjë. – S’ke ku shkon! – ma kthen gjyshi, dhe të dytë kollitemi nga tymi. – E të tanët? – pyes. – A janë mirë të tanët? Di aq sa unë – tha plaku.

 

*

Më është trashur gruaja, as punon as lëviz nga shtëpia. Unë jam gjithandej, në shtëpi më së paku. Kamionin e kam shtëpi. Mbush një litër raki kumbulle, një tjetër litër rezervë, dhe shkoj ku të më çojnë. E di çdo cep të këtij vendi të rrudhur, e në shtëpi kurrë s’jam. Të gjithë më duan sa jam në rrugë, gruaja më së shumti. Më nuk më pyet se ku po shkoj, ku do të buaj, kur do të kthehem. As gjërat për rrugë më nuk m’i bën gati. – Ujë ka në atë bidon? – pyeste dikur. – E çka tjetër – them, dhe derdhem mbi sytë e saj me atë ujë. – Mos ke edhe ti etje? Dikur bënte kryqin, tani vetëm bën me dorë, s’e harxhon fenë në mua. Vajzat më janë rritur, as ato s’mërziten më për mua, vetëm kur mbesin pa para, e mbesin aq sa të vazhdojnë të jemi bashkë. Me të madhen kishim telashe. Ishte tërhequr në vete, dhe vetëm shikonte në një pikë thuajse kishte harruar të flasë. Taman zumë hapin, atë e regjistruam në gjimnaz, prisnim fëmijën e dytë, dukej se gjithçka sërish mund të ishte prapë mirë, e asaj gjë s’i bënte përshtypje. Rron në guaskën e saj dhe kultivon errësirë. Kam parë ç’nuk kam parë dhe asgjë nuk më dërrmoi sa kur e pashë se si me një brisk po shkruante ca numra mbi lëkurën e saj. Më erdhi ta qaj për së gjalli! – Për hir të vogëlushes më trego, jo për mua – njëqind herë e lusja të shoqen. – Ç’keni përjetuar atje?Si gjithkush tjetër. Lëre atë punë. Koha do ta marrë me vete. Kurrë s’më tregoi. – Ta çojmë te psikologu?Nuk më është çmendur fëmija! – Ç’po sakatoset ashtu? – Do të ndalet! U ndal disi. Krejt gjimnazin nga terri nuk doli, mëngët e gjata deri te gjuri edhe në të nxehtët më të madh. Tash ka disa lule rreth telave me gjemba të vizatuara rreth atyre varrave nga brisku. Nuk është aq e ngrysur si përpara. E vogla është mrekulli, Dana ima edhe djallin do ta kishte futë në shishe, syri s’i bën tërr.

 

*

Kur na zunë rob, ishim vetëm nëna dhe unë. Kur na shkëmbyen, mbase na shkëmbyen më shumë se që mund ta numëronin. Tri kokat tona për dy të tyret. Dy tonat dhe një e askujt, mund të ishte edhe e tyre. Një natë rojtari e shqelmoi nënën me çizme. – Çohu! Nuk ia pashë sytë, por po i shoh përditë, shkëlqejnë si yje mëngjesi. Nëna thotë se e kishin marrë në pyetje. Herën tjetër të punonte. E marr me mend ç’mund të bëjnë gratë e robëruara. Sigurisht nuk mbledhin pambuk, nuk e di nëse hapin varre apo u lajnë këmbët rojeve. Nëna për këtë nuk flet. Kur dolëm, kombinezonin e kishte të tërë, tjetër gjë nuk di. Në shtëpinë e re ia krisëm vajit. Së pari vetëm, pastaj kur babai erdhi me të tijtë, dhe pastaj sërish kur gjyshja kukati për xhaxhain. Dana është ndryshe, nuk qau as kur lindi, e frymë mori menjëherë. Nëna u plak për një natë, e babai me gjylen e topit do ta mbyste mushkonjën vetëm të gjente rakinë. Mua më qetësonte të numëroja dhe të regjistroja koka. Timen vetëm një herë e pata rruar. Kur atëbotë nuk vdiqa nga të ftoftët, nuk do të vdes nga asgjë tjetër. Tash është mirë, koha është si uji. Të bart.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

  Mariana Çanak

Mariana Çanak (1982, Subotica) shkruan prozë. Ka mbaruar fakultetin filozofik në Novi Sad. Fituese e dyfishtë e Çmimit Letrar Laza K. Lazarević për tregimin më të mirë të pabotuar në gjuhën serbe. Është shpërblyer në konkurset rajonale Spasimo putopis, Write Queer, Ulaznica, Portalibris. Është pjesë e përmbledhjeve dhe revistave në vend dhe në rajon. Ka botuar librin me prozë "Ulični prodavci ulica" (2002) dhe përmbledhjen me tregime "Pramatere" (2019). Jeton në Novi Žednik dhe Novi Sad.
Kontakt: marijana.canak@gmail.com

 

 

ažurirano: 01/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.