Lana Bunjevac

 

Teta Nada ishte shoqja më e ngushtë e gjyshes. Jetonte jo larg nesh, në njërin nga dy rrokaqiejt me tulla të kuqe në rrugën paralele me tonën. Ata ishin të ashq. rrokaqiejt ushtarakë, të ndërtuar në vitin 1974, 20 vjet të plota pas ndërtimit të kuartit tonë, por nga këndvështrimi im ato kanë qenë aty përherë. I ndan tarraca e cila sot është e lënë pas dore dhe plot barishte, por dikur i shërbente qëllimit të vet dhe ishte vendtubim i kalamajve dhe banorëve. Kalamajtë aty luanin futboll, e gjyshet rrinin nëpër banka. Për ne, kamalajtë, rruga në të cilin ishin rrokaqiejt gjithmonë ishte rrugë “armiqësore” dhe kështu erdhi deri te ndarje e heshtur e territorit – ata nuk guxojnë te bankat tona, ne nuk guxojnë në terracën e tyre. Nga ana e pesma e tarracës ishte stacioni policor, në oborrin e të cilit dikur ishte njëfarë peme e vjetër e pjeshkës në formë hardhie, dhe në çaste trimërie megjithatë vendosnim të nxitonim drejt tarracës, të mblidhnim pjeshkë të papjekura, t’i hanim derisa na kapte barku, dhe pastaj me bërthama t’i qëllonim policët përtej gardhit.

Në rrokaqiellin e majtë jetonte edhe teta Nada. I shoqi i saj ishte ushtarak në pension, kishin një djalë i cili ishte në klasë me mamin tim, dhe kështu gjyshja dhe teta Nada u njohën përmes fëmijëve të tyre. Pas një kohe u bënë mikeshat më të ngushta, u shoqëruan edhe familjet dhe të gjithë bashkë shkonin në piknikë në Opatija. Teta Nada shpesh ndalej te ne dhe e mbaj mend që gjithmonë qeshte me zë të lartë dhe çdo gjë e përsëriste dy herë – gjyshen time e quante plaka, plaka, mua më thoshte mace, mace, dhe gjithmonë thoshte se do të rrinte veç pesë minuta, veç pesë minuta, të cilat pothuajse gjithmonë shndërroheshin në një orë. Sikurse gjyshja ime, as teta Nada nuk ishte e shkolluar, ishte amvise, por ishte këmbëngulëse dhe e kujdesshme, u arsimua vetë dhe si grua e rritur e përfundoi shkollën ekonomike me korrespondencë.

Nada dhe i shoqi i saj ishin nga Banija, nga një fshat te Glina, ku kishin shtëpinë dhe ku e kalonin çdo çast të lirë. Teta Nada kishte theks të mrekullueshëm të asaj zone, të cilin nuk e kisha dëgjuar tash e sa vjet deri në çastin kur në TV nisën të shfaqnin reportazhe nga zonat e goditura nga tërmeti. Gjithmonë i silllnin gjyshes pemë dhe perime nga fshati, sepse kishte aq shumë saqë ata vetë nuk mund t’i hanin, por edhe gjyshja e kaloi një verë të tërë me ta. Edhe unë duhej të shkoja me të sepse atë vit nuk shkuam në bregdet, por unë me neveri e rrefuzova, sepse kur je 12-13 vjeç nuk është fort lezet ta kalosh verën me gjyshen dhe me ca plaka në fshat (tash më vjen keq).

Një vit më vonë, teta Nadën dhe të shoqin e saj në fshat i gjeti lufta. Në fillim askush nuk ishte i vetëdijshëm për situatën, siç flitej atëbotë, dhe shpresonin se së shpejti do të ktheheshin në Zagreb, por kjo nuk ndodhi, dhe kështu me rroba vere mbetën të ngujuar në fshat deri në vjeshtë, pa telefon dhe pa mundësi për ta lajmëruar dikë. Përjetuan gjithçka në atë periudhë, këtë e kuptuam më vonë, por arritën disi të iknin nga fshati dhe nëpër disa pyje e kaçube mbërritën deri në Bosnje, ku i strehoi një familje myslimane dhe u ndihmoi të arrinin deri në Beograd ku jetonte vëllai i të shoqit të Nadës. Shpresonin se nga Beogradi do të mund të ktheheshin më lehtë në Zagreb.

 

Në ndërkohë, në Zagreb nisi gjuetia në njerëz të cilën jetonin në banesa ushtarake, dhe kështu edhe banesën e teta Nadës në rrokaqiell e zuri dikush nga radhët e Ushtrisë së Kroacisë. Kur gjyshja ime thirri njëherë për të parë se kush ishte në banesë, u lajmërua një zë i panjohur burri dhe ia shau nënën çetnike. Gjyshja u frikësua dhe nuk thirri më. I biri i Nadës nuk arriti të merrte asnjë gjë nga banesa e vet, as veshmbathjet, as dokumentet, asgjë, dhe kështu e mori të dashurën e tij shumëvjeçare, i cila dha dorëheqje në muzeun ku kishte punuar dhe, si sot për nesër, shkoi me të në Holandë. Kurrë nuk u kthyen më dhe shumë kohë para se një gjë të tillë ta bënte zyrtarisht edhe shteti kroat, i shkëputën përgjithmonë të gjitha lidhjet me republikat dhe krahinat e ish-Jugosllavisë.

I këputur nga brengat, bashkëshorti i teta Nadës vdiq pak kohë pas kësaj, pësoi infarkt, dhe kështu teta Nada mbeti vetëm në Beograd me familjen e tij e cila nuk e donte fort, dhe në momente të rralla kur i jepej rasti, i qante gjyshes në telefon dhe i thoshte se mezi priste të kthehej. Por, nuk kishte ku të kthehej, sepse burri i panjohur nga HV-ja ende ishte në banesën e tyre, e ndoshta vazhdon të jetë aty edhe sot e kësaj dite.

Pasi mbaroi lufta, teta Nada arriti të vinte në Zagreb, ta rregullonte pensionin dhe për ato dy javë qëndroi te gjyshja dhe gjyshi im. Sytë i ishin zbehur, nuk qeshte më, nuk thoshte plaka, plaka dhe qante saherë që gjyshja ime dhe komshiket i jepnin ndonjë paketë me rroba e çarçafë, sepse teta Nada më nuk kishte absolutisht asgjë të vetën. Atëherë e autorizoi gjyshen time për t’ia marrë pensionin, e ajo vinte kohë pas kohe nga Beogradi për ta marrë atë. Disa vite më pas, vdiq edhe ajo, e para dy vitesh edhe gjyshja ime. Në adresën e gjyshes vazhdonin të vinin raportet e gjendjes së llogarisë së teta Nadës në bankë dhe megjithëse tash e disa herë kam shkuar të intervenoj për të mos na dërguar më raporte, Banka e Zagrebit nuk ndalej:

 

 – Autorizimin mund ta heqë vetëm personi i cili e ka autorizuar personin tjetër.

– Por ky person ka vdekur, ne vetëm duam që ju të mos na i dërgoni këto raporte sepse po na shqetësojnë.

– Na vjen keq, këtë mund ta bëjë vetëm personi në emrin e të cilit janë raportet.

– Por ajo është gjyshja ime, e ajo ka vdekur.

– Atëherë personi që e ka autorizuar atë.

 

Dhe kështu rreth e qark.

Saherë që vjen zarfi i ri më kujtohet teta Nada teksa më thërret nga dera, mace, mace, dy herë, patjetër.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Lana Bunjevac

Lana Bunjevac është gazetare e pavarur nga Zagrebi, ndërsa për një kohë të gjatë ka qenë gazetare në Jutarnji list dhe Globus, si dhe gazetare dhe lektore e portalit muzikor Muzika.hr. Ka diplomuar për Sociologji në Fakultetin e Filozofisë, dhe Gazetari në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb, ndërsa ka magjistruar në Sociologji dhe Antropologji Sociale në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest. Është anëtare e Shoqatës Kroate të Kritikëve të Filmit. Ka botuar një kapitull në librin "Svijet jazza - Od Adorna do Johna Zorna". Shkruan përditë, edhe kur nuk publikon.

 

 

ažurirano: 15/02/23

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.