Besa Morina

 

 

Dëgjon hapa në tarracë, pastaj përplasjen e derës së hyrjes. Merisha vazhdon ta shtrëngojë në dorën e djathtë mbretëreshën e bardhë të shahut të gdhendur me dru abanozi, në të majtën shaminë e kuqe të mëndafshtë të cilën e ka nxjerrë nga kutia e shahut bashkë me figurat e shtruara mbi të pak më parë, edhe kur në dhomën e mysafirëve hyjnë, duke përkulur kryet nën qëndismën e mirëseardhjes mbi derë, tre ushtarë trupgjatë; dy të parët me maska të zeza nga të cilat u shihen vetëm sytë e përskuqur dhe me pushkë të ndera, i treti pa maskë dhe me revole në brez. Të maskuarit menjëherë i vihen punës për të kthyer përmbys gjithçka në dhomë, duke lëshuar edhe britma të pakuptueshme në gjuhën e tyre, si të jenë duke kërkuar një armik të përbetuar. Dhoma që u ka bërë konak qindra miqve përgjatë viteve Merishës i duket tepër e vogël për tërë atë egërsi dhe, për të mos i parë librat, lulet dhe vogëlsirat e mbarsura me kujtime që po bëhen copë-copë në qilimin e kuq tashmë të baltosur, ajo i kthen sytë kah mysafiri i tretë që ka mbetur në derë. Ai ia ka ngulur sytë shamisë së kuqe dhe duket i përhumbur në kujtime.

Merisha bën një lëvizje të beftë; i vjen ta fshehë shaminë; ta mbrojë të paktën atë nga përdhosja; atë copë mëndafshi që e vjehrra e ndjerë dikur e shtronte para vetes sa herë i vinin përballë një fëmijë, ndonjëherë edhe ndonjë të rritur, për ta çliruar nga vargonjtë e ndonjë frike të pashpjegueshme. I përmendur nga ajo lëvizje, mysafiri e shikon Merishën në sy, pastaj u thotë diçka vartësve të tij; ata sakaq nisin të qeshin me të madhe, duke rrahur duart e duke bërë herë pas here me gisht kah Merisha. Duke ngritur zërin mbi të çjerrat e tyre grithëse, mysafiri i kërkon Merishës, në një shqipe të rrjedhshme, që të luajnë kundër njëri-tjetrit derisa loja të përfundojë me mat; nëse fiton ajo, ata do të largohen nga shtëpia dhe s’do të kthehen deri në mbrëmje; nëse fiton ai, epo, do të vritej pa e zgjatur shumë nga dy vartësit e tij.

Merisha fshin fytyrën me shaminë e kuqe; siç e kishte fshirë edhe atëherë kur e vjehrra ia kishte prerë asaj vetë ankthin që e kishte pushtuar pas lindjes së fëmijës së parë e që s’e linte të vinte gjumë në sy; frikën se do të binte pre e njerëzve të pandershëm. Shamia ka aromën e jetës së shenjtë që nuk shuhet kurrë, aromërat e djemve dhe vajzave, nipave dhe mbesave, miqve dhe dashamirëve: Shamia ka aromën e të birit të shtrenjtë; dhe derisa e lan fytyrën me atë aromë, e sheh qartë të birin, të ri e plot mirësi, siç kishte qenë atë ditë të fundit kur e nisi këtë lojë shahu (Merishës nuk i kujtohet më me kë kishte qenë duke luajtuar) dhe kur e la në gjysmë për të dalë në takim me të dashurën, takim nga i cili s’u kthye i gjallë. Mendon me vete, cilido që të jetë rezultati i lojës, ajo do të fitojë gjithsesi: në mbettë gjallë, i biri do të çlirohet nga gjendja pezull mes mundësive të pafundme në të cilën e ka mbajtur ajo me këtë lojë të papërfunduar për shumë mote; në vdektë, do të bashkohet me të.

Duke e vënë shaminë në tavolinë, Merisha i pohon me kokë mysafirit se e pranon bastin. Mysafiri tërheq kolltukun e gjelbër përballë Merishës, nxjerr kutinë e cigareve të dredhura, ndez një për vete, ia ofron edhe asaj një, po ajo s’e merr. Nën shikimet tallëse të dy të maskuarve që ulen në kanapenë përballë, ndezin cigare, ia drejtojnë pushkët dhe duke qeshur djallëzisht bëhen gati ta shohin humbjen e një plake të paditur e të prapambetur, ajo i afron figurat. I vjen në mendje babai i saj që thoshte se vetëm në fund të jetës bëhen të qarta të gjitha veprimet e njeriut. I kujtohet si, me të marrë lajmin për vdekjen tragjike të të birit, kishte mbajtur frymën drejt e te shahu i lënë i hapur në tavolinën në dhomën e mysafirëve dhe me një qartësi të pashpjegueshme i kishte ngulitur në zemër shpërndarjen e figurave dhe pozicionet e secilës, pastaj i kishte mbledhur dhe kutinë e kishte futur në strajcën e zezë dhe e kishte fshehur pas librave të të birit. Nis t’i vendosë nëpër pozicionet e tyre, siç ka bërë qindra herë gjatë këtyre njëzet vjetëve; ai formacion beteje, i bërë në kohë paqeje e në ditë me diell, i duket po aq i qëlluar edhe për kohë luftë e dimër me acar. I kalojnë vrikthi përpara syve mijëra kombinimet që ka zhvilluar në mendje gjatë këtyre njëzet vjetëve duke shikuar figurat e kapërthyera në betejë për luftë a vdekje, herë duke ia çuar fitoren të bardhëve, herë të zinjve, ani pse gjithnjë anonte pak kah të bardhët, meqë me to kishte qenë duke luajtur i biri atë ditë të largët. Megjithatë, asnjëherë s’e kishte çuar lojën deri në fund, duke mos dashur t’i japë vërtet fund jetës së të birit duke e lënë pa mundësi të hapura. Aq shumë ishte lidhur për atë lojë, sa e dinte në zemër që kur të vinte çasti i duhur, ashtu siç vjen gjithmonë, ajo lojë do të përfundohej në mënyrën e duhur në kohën e duhur. I bëhet që zemra e saj është fusha ku do të ndeshen e mira dhe e keqja dhe qetësia e rëndë që është shtruar gjithandej ia shton solemnitetin kësaj beteje të fundit, rezultatin e së cilës sikur po e pret mbarë universi.

Të parën e pozicionon mbretëreshën e bardhë që po e mban në dorë, duke e vendosur në fushën e6, pastaj vazhdon me tetë figurat e tjera të bardha që ende janë në lojë: mbretin në b1, kalin në c6, topat në h1 dhe h8, katër ushtarët në a3, b2, d5 dhe f2. Pastaj vazhdon me figurat e zeza: katër ushtarët i vendos në a5, c3, d6 dhe f5, torrat në b8 dhe f7, kalin në e7, oficerin në g7, mbretin në f8 dhe në fund mbretëreshën e zezë në b6. 29 lëvizje ka bërë secili lojtar deri më tash. Merisha dhe mysafiri ia ngulin sytë lojës për një kohë të gjatë; ushtarët i ndezin cigaret njërën pas tjetrës; qilimi mbushet me hi; nga larg dëgjohet rrapëllima e mjeteve motorike që po i afrohen lagjes; një erë e ftohtë rrapëllon tjegullave dhe parmakëve; Merisha mbështillet më mirë me sargi; ia bën me shenjë kundërshtarit ta bëjë lëvizjen e radhës; ai e çon oficerin e zi nga g7 në h8, e merr torrën e bardhë që ia ka bërë mbretit të tij shah; ushtarët brohorasin me gëzim; të etur për gjak. Merisha vazhdon ta shikojë fushën, ndërsa e tërë jeta e saj i parakalon para syve të mendjes. Me dorën që i dridhet e lëviz torrën e bardhë nga h1 në h8, duke iu hakmarrë oficerit të zi; dy torrat e rënë në betejë i vendos bashkë me të rënët e tjerë në shaminë e kuqe. Mysafiri e ndez prapë cigaren, duke e shikuar herë fushën, herë Merishën.

“Pse më duken të njohur këta sy?” “Kush është ky njeri?,” vret mendjen ajo. “Po më bëjnë sytë a është duke buzëqeshur?” Për ta mbrojtur mbretin që i është sulmuar sërish, ai pas një copë here e lëviz kalin nga e7 dhe e vë mes mbretit të vet e torrës së zi në g8. “Si luhet kështu me jetën e njeriut?”, ngushtohet Merisha në zemër. “Si hyhet kështu në shtëpinë e tjetrit pa thirrur te dera, pa pritur të të ftojnë brenda, pa hequr këpucët? Më mirë të vdesësh se të rrosh pa nder!” Fryma luftarake i ngritet nga thellësitë e shpirtit; e kap mbretëreshën e vendosur të luftojë deri në fund; e sulmon sërish mbretin, duke e çuar mbretëreshën në h6. Ushtarët mezi i mban vendi, njëri prej tyre çohet del prej dhomës, dëgjohet nga dhomat e tjera rrapëllima e gjërave që thyhen.

Mysafiri e godet tavolinë me grusht, figurat dridhen si prej tërmeti; shan diçka në gjuhën e vet; e hedh torrën e zi para mbretëreshës së bardhë në g7; pastaj frymon i lehtësuar. Ushtari që ka mbetur në dhomë nxjerr një brisk nga xhepi dhe nis të gdhendë në mur një shqiponjë të përçudtë. Merisha e kthen mbretëreshën në d6, duke e nxjerrë prej loje ushtarin e zi që gjendej aty. I gjendur prapë nën sulm, mbreti i zi zvarritet ngadalë në f7; mbretëresha i vete sakaq pas në e6. Merishës po i dridhen duart, bashkë me to po dridhet edhe shtëpia, po zgjerohen plasaritjet në muret e jashtme, parmakët po përplasen njëri pas tjetrit, zërat e hijeve të miqve mezi po përmbahen të mos flasin. Mysafiri e zgjat dorën, e merr shaminë e kuqe, i nxjerr figurat prej saj, i lë mbi tavolinë si pa e pasur mendjen, pastaj e shtrin me duar shaminë para vetes në tavolinë, mes tij e fushës së shahut, bash ashtu si e shtronte dikur e vjehrra e Merishës; ajo e mban frymën; mbreti i zi kthehet në f8. Ushtari e lë gdhendjen; edhe tjetri kthehet nga gjahu shkatërrues; mysafiri çohet në këmbë; Merisha është e bindur që ata do ta vrasin edhe po fitoi ajo, por nuk ka më rëndësi; torrën e bardhë e çon nga h8 në g8, duke e asgjësuar kalin e zi.

Qetësi në dhomë; qetësi në zemrën e Merishës; qetësi jashtë. Ushtarët nuk e kapin menjëherë çfarë ka ndodhur; kur eprori i tyre e shtrin mbretin në fushë, duke e pranuar humbjen, njëri prej tyre e godet fushën e shahut me pushkë; figurat shpërndahen nëpër hirin e cigareve mbi qilimin e kuq. Eprori u thotë diçka në gjuhë të tyre dhe niset i pari drejt derës. Kur bën të dalë, kthehet edhe një herë te tavolina, e merr shaminë e kuqe dhe, duke i hedhur një sy Merishës, e fut në xhep.

Një rreze dielli hyn nga dritarja dhe ndalet në kolltokun ku kishte ndenjur ulur mysafiri i panjohur.

 

  Besa Morina

Besa Morina (1986) ka studiuar psikologjinë dhe gjuhën angleze. Punon si përkthyese. Ka të botuar një ditar lufte (2001) të shkruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, i përkthyer edhe në rumanishte (2008). Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Jeton në Prishtinë.
Kontakti: morinabesaa@gmail.com

 

 

ažurirano: 13/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.