Jovana Matevska Atanasova

 

 

Nga shporta me vezë jetonim një familje pesëanëtarëshe, shtatë ditë. Më parë, kur fjala ‘falimentim’ filloi të bëhej një term kapital dhe prona shtetërore kaloi në atë private, këtë shportë e harxhoja për më pak se një orë, duke e goditur ndërtesën nga e cila nxirrja bukën e gojës. Por, para se të fillojë tranzicioni dhe vaktet e pasura me proteina, me të cilat ne, punëtorët e dëmtuar, e gostitëm fasadën e fabrikës – ishin rafalet.

I mësoja fëmijët të mos kenë frikë nga predhat, sepse sado ligësi që të fshihet e pafshirë në mendjen e njeriut, natyra është më e fuqishme sesa hakmarrja, e ndërsyer për ta shlyer atë që i është marrë në mënyrë të padrejtë. Gjithsesi se nuk përdorja kaq përkufizime të gjera dhe surealiste për t’u shpjeguar trurëve të vegjël, të prirë nga frika si një lokomotivë parësore e fëmijëve.

“Shpendi më i shpejtë në botë dhe, njëkohësisht, edhe më i madhi, në gjuhën indiane i njohur edhe si Sqepi i Hekurt, përsëri e ka tepruar duke ngrënë fasule. Fuuuu, iuu fuf”, e dëgjoj fluturimin mbi kokë e bombarduesve dhe, në ritëm me rrëfimin, në sfond e lëshoj taktometrin dhe numëroj. “…e ka stërmbushur barkun dhe bum!”, jehon sinkronizimi im i saktë me bombën. I zbavis vogëlushët të cilët tekstualisht u shtrinë së qeshuri, përderisa nga fryma e dobët e qiririt dhe hijes së saj në mur, me gishtat dhe binjakët e tyre bëj figura. Ndërsa muri dridhet dhe llaçi është duke u ronitur, hapet vrima pranë derës e cila u shfaq pas tërmetit. Snezhana më shikon me atë shprehje fitimtare femërore të së gjithëdijshmes, me shekuj e ngatërruar me shtrigërinë. E gënjeva se e riparova, në fakt shpejt e shpejt e arnova, për të pasur kohë ta shikoj rehat ndeshjen e “Zvezdës” dhe “Partizanit”. Ishte një derbi legjendar dhe nuk ekzistonte asnjë vrimë që do të më bënte ta humbas. Së paku kështu mendoja atëherë.

Edhe drekët tona u bënë pornofasulike. Kot së koti. Të zbrazura si klizma. Përditshmërinë e kemi si një solstic vjetor. Dielli lind dhe perëndon në të njëjtën kohë. Zogjtë shtegtarë nuk fluturojnë në jug. Edhe kandrrat ndërtojnë strofulla. Midis tymit dhe predhave dhe breshërisë së mitralozëve jetohet qetë. Me kokë të ftohtë dhe një armë edhe më të ftohtë nën jastëk. Rritet edhe vjollca, mbin nëpër llogore, i gëzon sytë e snajperistëve. Po përshtatemi edhe ne të shikojmë në errësirë. Njeriu përfiton kapacitet kur është i zënë në rrugë qorre. Rezistenca dhe ekuacionet e tjera fizike tashmë nuk janë vetëm njësi matëse, sepse e gjejnë destinacionin kur s’ka rrymë elektrike.

Snezhanën e kapin dhimbjet e lindjes. Përderisa aeroplanët i hapin barqet, hapet edhe barku i saj. Njëri lind jetë, tjetri vdekje. Nën dritë, falë agregatit i cili e mban spitalin në jetë, e njoftoj çiftin e ri të syve. Dhe, për herë të pestë u dashurova. Për herë të katërt bëhem baba.

Nuk e dinim se Snezhana është shtatzënë. Në kohën e luftës vetëm na mbeti falas, të na ngrejë pak nga balta. Dhe, ja, në kushte ndryshe, në kushte të tjera, ishim gëzuar për këtë pasardhës, të rolit tonë hyjnor, të bëhemi krijues të një qenie të virgjër, të pastërtisë. Por, larg vërejtjeve të mia sarkastike, lufta e gjeti mënyrën për të na shpërblyer. Shpaguhej…

Krenaria ime e leckosur shtrihet mbi tryezë dhe shikohet në tenxheren me gjethe të brejtura dhe sarmë me gjethe rrushi e mbushur me oriz. Orizi është drekë e detyrueshme në periudhën e luftës. Edhe vlera e tij bëhet marramendëse. Nuk ia dal t’i ushqej. Fytyrat e tyre të dhimbshme dhe zhurma e barqeve më dhemb më shumë sesa bilanci i viktimave. Skrupullat janë të shtrenjta në luftë. Ndihem i zbrazur, sikur i kam vrarë. Vdes me çdo kafshatë që pa pasur gjë e kapërdijnë, i zë gjumi duke menduar për ushqim, për t’i mbajtur të ngirë. Unë dhe Snezhana jemi të lëvarur. Lëvaremi si një lëkurë e rrjepur në një skelet për studimin e anatomisë. Anja, më e vogla, është edhe më e ndjeshmja. E lë shishen me ujë orizi të zier. Unë e mbështes kokën mbi duar, thua do të bjerë nga brengat e rënda si plumb, të cilat më parë i lexoja vetëm në shtypin e verdhë. Sot kishin kërcyer nga makina e shtypit dhe kanë ndryshuar emrin në përditshmërinë time, tonën.

“Ja, me babin, për Ivanin”, e lë, dhe mua zemra e copëtuar më pëlset si një gështenjë Sarajeve ose shegë Vallandove. Gjakosem nën kanatieren e bardhë me erë lagështie, djerse dhe ajri me barut. Më rrëshqasin fëmijëria dhe rinia në një burim dhe atje rrinë pezull, birojnë, derisa të përplasen me një gejzer. Ose me një predhë të harruar.

Periudha e tranzicionit m’i lidhi pëllëmbët. Më parë ato dridheshin, të munduara, të varura në trup, si dy degë të paushqyera; lufta i rraskapiti, i mësoi vetëm në mbrojtje të ngrihen për ta mbuluar kokën apo të shërbejnë si një qark për t’i shtrënguar fëmijët në një përqafim, derisa i japin supet për të qenë strehë e tyre nga vërshimi i bombardimeve. Dhe, kulmi pikonte, lëshonte ujë, i pasigurt për kokërat e vogla dhe mbijetesën e tyre.

“Është vrarë Persi. E drejta është servirur, së paku për Stoilkoviqat”, flet Zhelkoja, më i madhi, për arsimtarin nga gjimnazi, i paditur për lidhje me një të mitur, nxënëse e tij.

“Pëssst!”, e qorton Snezhana për gjuhën e pistë dhe mendimet e liga. “Mos fol keq për të vdekurit!”, duke i bërë me shenjë me sy, duke shikuar Anjën dhe Markon. Ata, memecë dhe sugjestivë, e shikojnë mësuesin e tyre dhe një pyetje buron nga buzët e Markos.

“Ç’janë këta ‘të vdekur’? Njerëzit nga qielli? Gjyshja dhe gjyshi? Edhe Silvia? Edhe Halidi? Edhe macja Osna?”, numëron me gishtat e vegjël. “A janë të ngurta retë? Tema vdekje është shkatërruese. Më së shumti na godet. Ajo është bomba ime.

 

**

Shëtitja m’i zgjon shqisat. Pranvera nuk ka erë të njëjtë. Dhe, nuk e di se a do ta kthejë erën e akacieve dhe blirit të lulëzuarpas këtij viti ’99 . Uniformat ushtarake e vërshojnë qytetin. Sloganet mbijnë në çdo poster në qytet. Drejtohem nga fabrika, ku dikur kaloja po aq kohë i zgjuar sa edhe në shtëpi. Në xhepin e setrës së leckosur, të zbardhur, e prekja tërkuzën e leshtë në xhep, e matja qëllimin, rimendoja me çdo hap të bërë përpara, peshoja edhe pasojat edhe humbjet edhe përfitimet. A ka njeri më të arsyeshëm sesa ai që me vetëdijen lufton, nuk lejon që qelizat e argjendtosura të trurit të tij të oksidojnë, kur i përballur me mossuksesin e pashmangshëm e planifikon shkatërrimin e vet? Hapëroja nëpër rrugë me një identitet të zbehur, i paaftë për ta kultivuar lulen e brymës e cila i lulëzonte sa herë që e hapte pëllëmbën, që pas shumë viteve pakujdesi e pushton fasadën dhe e mbulon me rrënjët e egra dhe gonxhet e dëmtuara. Unë isha një bimë që rritej në kohë të gabuar.

T’i lë pa kulm mbi kokë derisa “shpërthejnë bombat përreth dhe pa përrallat për Sqepin e Hekurt dhe fasulen? Snezhana i dëgjonte, do të mundë postum t’ua rirrëfejë. Por, a janë të njëjtë rrëfimi dhe rirrëfimi. Rrëfimi apo dëshmia e gjallë? A kanë fuqi të njëjtë te dëgjuesi me sagën origjinale?

Arrij te qoshja, mensa e dikurshme. Është e fsheshur mes dy këndeve. Për psherëtimën e fundit, kjo më duhet. Qetësi. Teneqeja e përdorur si strehë është gërryer dhe thyer. Njëri shkop i hekurt që e ka mbajtur është i dalë pak jashtë, si i porositur për ta lëkundur trupin tim me lartësi modeste. Afrohem te sokaku qorr. Grafitet nuk janë të pazakonshme që kur u mbyll fabrika. Shërbejnë si pllaka për vizatime të autorëve të padiplomuar të aforizmave.

I fërkoj sytë. Jam duke halucinuar? Snezhana kishte gjetur mënyrën të më dalë përpara në mendimet private? “Mos fol keq për të vdekurit!”. Lind një mbishkrim me ngjyrë të kuqe, duket sikur është shkruar kohë më parë. Është i freskët. Muri ka plasaritur pa e qëruar.

Më del para syve Snezhana. Do të heshtin të gjithë? Nga frika dhe turpi për të thënë diçka të keqe për mua? A do të bëhem i shenjtë pas vdekjes? Do të më kanonizojnë në bisedat e tyre? Unë, njeriu që bëri mëkat para varfërisë, i gjetur në shtegun e luftës, të pafuqisë për ta shpëtuar familjen e vet nga mjerimi, ta nxjerr si thëllëza të vegjlit e vet matanë rrugës?

Trupin e kam në ngërç, i kundërvihet mendimit. Të gjitha qelizat në mënyrë mekanike punojnë për të më penguar ta zgjas litarin. Dhe ai vepron nën pajtimin e tyre, kundërpeshë e padëgjueshme. Këputet. Nuk jam i aftë as jetën t’ia marr vetes. Gjithçka punon kundër meje.

Dëgjoj ushtimën e motorit të aeroplanit, po afrohet. Veshët më janë bërë të ndjeshëm ndaj zhurmës më shkatërruese për dëgjimin e njeriut. Mund ta dëgjoj edhe kërcitjen e kabinës së pilotit dhe çelikut se si nxehet para se të lëshohet në tokë. I dëgjoj edhe britmat, sharjet e njerëzve, qarjen e foshnjave, përmbysjen e betonit, kujtimet e thërrmuara, godinat e dhëna nga stërgjyshërit, fillimet e barrës të cilën fizika bashkëkohore bërthamore e shfytyron.

Është e pavetëdijshme. Një çast i mjaftueshëm para se vendimi im të bëhet përfundimtar. Erdha me qëllimin që t’ia marr jetën vetes, e tashmë pranë meje e shoh Persin mëkatar, i prirë nga mendjemprehtësia e virgjër, se si ma zgjat dorën dhe në mënyrë tinëzake qesh për mirëseardhje. Të zezat e prishin ambientin, grafiti thurrmohet në copa zhavorri të papërpunuar, e ndiej se si edhe trupi e ndjek aksionin e natyrës jo të gjallë. Ç’jam në fakt unë? Një material i ndërtuar me dy mbushje të kundërta? Në kokë edhe për pak kohë sillet Snezhana dhe pasardhësit tanë, ndërsa nga copëtimi kullon pika e fundit e gjakut, e cila bashkohet me ngjyrën e kuqe të grafitit. Më shkon mendja te kulmi i cili pikon dhe buzët e Snezhanës, se si të shtrënguara i kafshojnë fjalët për të mbetur brenda, pas përmbylljes së luftës. Nuk do të thotë fjalë të këqija për mua. Jo tani, kur jam i vdekur.

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

 

  Jovana Matevska Atanasova

Jovana Matevska Atanasova, shkrimtare dhe tregimtare maqedonase, e lindur më 16.06.1991 në Manastir. Me profesion është psikologe e diplomuar. Në vitin 2015 e publikon romanin e saj të parë, të titulluar "Тамбовските снегови". Në vitin 2016, romani "Писмата во библиотеката" publikohet në formë digjitale. Në vitet 2015 dhe 2016, tregimet e saj janë pjesë e fituesve të konkursit për tregim të shkurtër “Nova Makedonija”. Në vitin 2020 e fiton çmimin për tregim më të mirë “Zhivko Çingo”. Në fazë publikimi është përmbledhja e saj me tregime „Гладоморје“ - психопатологијата на едно општество.
Facebook: jovana.matevska

 

 

ažurirano: 21/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.