Nikolla Petroviq

 

 

Babi thotë se natën kotelet futen nëpër mure të barakës sepse ikin nga acari.

Motra dhe unë i dëgjojmë teksa gërryejnë e piskatin e shtyhen njëra mbi tjetrën, dhe pastaj shumë qetas ngrihemi nga krevati për të mos e zgjuar askënd dhe i mbështesim pëllëmbët për muri për t’u dhënë ngrohtësinë tonë nëpër dërrasa. Dhe pastaj qëndrojmë ashtu derisa lodhemi dhe derisa kotelet nuk qetësohen dhe i merr gjumi, e edhe ne shtrihemi në krevat, por nganjëherë kotelet nuk mund të rehatohen dhe e zgjojnë gjyshen, e gjyshja së pari murmurit diçka dhe pastaj qan, pastaj mami ngrihet dhe i fërkon sytë, e babi kërcen nga krevati dhe vesh pantallonat pa i hapur mirë sytë.

E motra dhe unë shtiremi kinse flemë e unë marr frymë thellë kinse jam në gjumë, e motra m’i prek shputat me shputat e saj të ngrira të më detyrojë të bërtas, dhe pastaj mami ngrihet të na qetësojë dhe na thotë të flemë, e babi shikon shpejt se ku jemi, dhe shikon përreth vetes sepse mendon se ka ndodhur diçka, dhe bëhet kinse është i hidhëruar dhe na kërcënon me gisht, por i vjen mirë që nuk ka ndodhur gjë.

 

Mami thotë se kotelet sigurisht i ushqen dikush nga barakat dhe se nuk do të gjejmë qetësi pa i mbyllur babi të gjitha vrimat, e babi thotë se nuk mund t’ua mbyllë kalimin dhe t’i lë jashtë të ngordhin nga të ftohtët. E mami thotë: meshkujt dinë vetëm të rrahin, e kur duhet ndihmuar rreth shtëpisë, nuk dinë gjë. Dhe shton: po nuk do të ngordhin macet, do të fusin kokën diku, nuk janë të marra.

E babi thotë se kjo është shtëpia e tyre – ne jemi vendosur tek ato, dhe tani nuk do t’i detyrojmë të shkojnë tjetërkund. Dhe thotë: mjaft me këtë. Mjaft.

Pastaj edhe mami edhe babi heshtin pak, dhe i thonë motrës dhe mua se kohërat janë të vështira dhe nuk bën të grindemi, e ne nuk dimë përse na thonë kështu sepse ne kurrë nuk grindemi.

Pastaj mami na çon jashtë t’i ndihmojmë babit të gjejë ndonjë dërrasë rreth barakave për t’i mbyllur ato vrima ku futen kotelet, por motra dhe unë vetëm shëtisim nëpër oborr ku nuk na sheh mami, sepse nuk përpiqet as babi, pse të përpiqemi ne.

Por pastaj vrapon Sava, komshiu nga pjesa tjetër e barakës e cila është buzë rrugës së madhe dhe pastaj merr pak frymë se është i trashë, dhe pastaj thotë se gjyshja përsëri ka hyrë në njëfarë autobusi dhe është larguar. Dhe pastaj babi e kërkon gjyshen nëpër Beograd tërë ditën, sepse Sava kurrë nuk e sheh numrin e autobusit ku ka hyrë ajo sepse është i trashë dhe qorr dhe mbase për këtë nuk ka grua. E mami thotë të mos bëjmë shumë zë sepse dëgjohet gjithçka, dhe se Sava është njeri i mirë dhe ka grua, por gruaja ka mbetur ta ruajë shtëpinë atje, sepse asaj s’i bëjnë gjë, se ajo është nga andej. E ne bëhemi kinse e kemi të qartë dhe nuk bëjmë më pyetje, sepse kur bëjmë shumë pyetje mami trishtohet dhe shpik gjëra dhe hutohet – sepse as ajo s’e ka të qartë.

Babi gjithmonë e gjen gjyshen para se të bjerë muzgu, sepse gjyshja është e ngadaltë dhe vetëm me autobus mund të shkojë larg, por jo aq larg sa të mbërrijë atje në shtëpinë e vjetër për ku është nisur, sepse të gjithë autobusët të çojnë vetëm në Beograd, e shtëpia e saj nuk është në Beograd.

E babi i njeh autobusët sepse edhe ai nget një autobus të tillë, vetëm se nuk kalon këndejpari. Por, një herë kur mami pati ditëlindjen erdhi me autobus përpara barakës, në një rrugicë krejt të ngushtë, t’i sillte lule dhe mami qeshi dhe qau. Dhe ne menduam se qau nga lumturia sepse dikur njerëzit ishin shumë të lumtur, për shembull në televizor kur diçka është shumë e bukur, por gjyshja tha se qau sepse po e shihte për herë të parë si shofer e ai kishte qenë zotëri, gazetar në kostum.

Por, babi thotë se atje ishte gazetar në një gazetë të vogël ku mund të shkruante bukur, e këtu nuk ka gazeta të vogla, vetëm të mëdha si Politika dhe vetëm ka mundur t’i ndihmojë në dhomën e kaldajës një mikut të tij nga ushtria. Por, edhe kjo ishte e mirë sepse sillte qymyr për barakën tonë që ne ta kemi ngrohtë, dhe që ta kenë ngrohtë kotelet nëpër mure. Vetëm i vinte keq që nëna thotë se kishte duar të njoma e tani nuk i ka kurrqysh.

Pastaj komshiu Sava i gjeti punë të ngiste autobus për para kesh, sepse motra duhej të fillonte shkollën dhe i duhej për shkollë, e kjo nuk bëhet nëse nuk ke para kesh.

Unë nuk doja që motra të fillonte shkollën e të më linte mua vetëm, e unë ende nuk mund të shkoja në shkollë sepse unë isha speciale. Por motra tha se kjo do të jetë mirë dhe se çdo ditë do të më tregojë gjithçka dhe se kështu do të jetë sikur edhe unë po shkoj në shkollë, por ditën e parë u kthye e trishtuar dhe qau dhe nuk më tregoi asgjë. Pastaj i tha mamit dhe babit se fëmijët nga ndërtesat e kishin ngacmuar dhe se mësuesja i tha se duhej të fliste sikur fëmijët nga ndërtesat dhe pastaj nuk do ta ngacmojnë, dhe pastaj babi u hidhërua shumë dhe mami e mbajti për duarsh dhe e puthi në kokë dhe pastaj nuk ishte aq i hidhëruar.

E pastaj erdhi mësuesja të kërkonte falje dhe solli dy kavanozë me reçel (një të bukur, një të shëmtuar) dhe tha se donte të ndihmonte dhe se gjithçka do të shkonte mirë me motrën, sa të kalojë pak koha.

Por motra nuk donte të shkonte më në shkollë, dhe qante përsëri, e babi ia lidhte lidhëset dhe i thoshte se në shkollë duhej të shkonte sepse në jetë mund të na marrin gjithçka, por nuk mund të na marrin atë që kemi në kokë. Prandaj, duhet sa më shumë t’i mbushim kokat me dijen e kësaj bote dhe krejt këto mund t’i bartim me vete ngado që shkojmë.

E gjyshja tha se vëllait të saj Ilisë ushtarët i kishin bërë diçka me kokën, por nuk dëgjova gjithçka sepse babi m’i mbylli veshët me dorë, e mami filloi t’i bërtasë gjyshes, e motra më tha se pastaj pa pushim, kur kotelet qetësoheshin në mure, ëndërronte se si vëllai i gjyshes Ilija bredh mes barakave, lëviz krahët dhe kërkon kokën e tij në të cilën është krejt dija e kësaj bote.

 

Gjyshja e ka lindur babin, vetëm se duket që babi ka harruar, dhe mami ia kujton këtë, dhe i vjen keq. E pastaj edhe mamit i vjen keq dhe e përkund gjyshen në krevat derisa e merr gjumi kur gjyshja i ka ditët e rënda.

E ato ditë janë të mira për mua dhe motrën sepse mami pastaj na lë të shkojmë rreth ndërtesave dhe t’i mbledhim gjyshes kumbulla të egra poshtë pemëve dhe pastaj gjyshja i zien në tenxhere të mëdha që i mbanim poshtë këmbëve kur udhëtuam në një kolonë të madhe sepse nuk kishin vend tjetërkund, e gjyshja nuk donte t’i linte. Ajo që zien gjyshja kutërbon shumë dhe quhet brlja të cilën gjyshja e pi për ilaç dhe pastaj ditët i bëhen pak më të mira dhe qesh dhe pastaj na jep para kesh kur postieri i sjell ca qindarka, për të blerë sheqerka, e ne u blejmë koteleve sallam kur ka në dyqanin tonë.

E babi kur na sheh thotë se mami ka për të na mbytur, e ne i themi se e dimë që ai u jep sallam koteleve kur nuk shikon mami, e ai na bën me sy dhe është i lumtur. E ai pothuajse gjithmonë është i lumtur, përveç kur erdhën ca njerëz kryesorë të na thonë se këtu duhet të ndërtohen ndërtesa të reja dhe se nuk mund të jetojmë më këtu dhe pastaj nuk ishte i lumtur – ishte ashtu si atëherë kur e paketonim veturën për të shkuar në aventurë, e nuk ishte ajo aventurë, por kemi ardhur në këto baraka të cilat nuk janë aq të këqija për shkak të koteleve e nuk mund të qëndrojmë më këtu.

Pastaj babi e pyeti atë mik nga ushtria, por edhe ai nuk ka vend vetëm t’i rrinim njëri-tjetrit mbi kokë, e që më duket qesharake edhe mua edhe motrës – që të gjithë t’i ulemi njëri-tjetrit mbi kokë lart, thuajse miku i babit nga ushtria jeton në ndonjë kullë. Por mamit kjo nuk i dukej qesharake dhe bëri fytyrë të çuditshme që nuk ishte as e trishtë as e zemëruar, por thuajse nuk ishte mami, por ndonjë vajzë e vogël.

 

Pastaj ndodhi ajo me babin, kur po e ndreqte autobusin dhe autobusi i ra mbi kokë dhe nga ajo doli krejt dija e kësaj bote të cilën e bartte me vete dhe më nuk dinte asgjë, vetëm rrinte shtrirë në krevat.

E mami pastaj ishte gjithmonë e trishtë dhe unë pastaj e përqafoj rreth belit aq sa mund të kap dhe i them se gjithçka do të jetë mirë, sepse kështu thoshte gjithmonë babi derisa nuk harroi të flasë, e ajo më vë pëllëmbën mbi kokë, por nuk më puth, e ajo pëllëmbë nuk është e gjallë, nuk lëviz, vetëm rri atje mbi kokën time si e vdekur.

 

Komshiu Sava thotë se babi kishte aksident në punë dhe për shkak të kësaj të gjithë tok mund të jetojmë në ndërtesë dhe se mami mund të fshijë autobusët për para kesh dhe që pastaj edhe ne do të jemi fëmijë nga ndërtesa. Dhe mami u hidhërua me gjyshen sepse tha: pa ngrysur njëri nuk gdhihet tjetri e që në fakt do të thotë se mami paska faj dhe mami pastaj nuk e përkundi gjyshen për ta marrë gjumi, e gjyshja prapë hyri në njëfarë autobusi dhe tash nuk kishte kush ta kërkonte dhe unë më nuk e kam parë.

Por kjo ishte më pas, e më parë kotelet u rritën e u bënë mace dhe erdhën njerëz me makina të mëdha t’i rrënojnë barakat dhe unë doja t’i merrja macet në ndërtesë, e xha Sava tha se ato nuk bën të jetojnë ashtu, dhe se ato kafshë që jetojnë në ndërtesa nuk janë më mace e nëse unë i dua këto mace nuk bën t’i zhvendos.

E unë nuk e di në i dua po nuk i dua, dhe a do të pushojnë vërtet të jenë mace nëse i marr, vetëm më kujtohet se dikur ishte bukur kur ishin krejt, krejt të vogla dhe futeshin nëpër muret e barakës dhe i dëgjonim ndërsa gërryenin dhe piskatnin dhe shtyheshin me njëra-tjetrën derisa qetësoheshin, e tash është shumë qetë brenda dhe nuk më merr gjumi, dhe nganjëherë ngrihem ngadalë dhe i mbështes pëllëmbët për muri, por e di se aty nuk ka asgjë dhe nuk ndihem mirë, e motra më thotë se kjo është derisa të mësohem, dhe të shkoj te batania e saj, por nuk m’i fut shputat e ftohta si dikur, por e merr gjumi menjëherë sepse është e lodhur nga shkolla, e unë i them vetes se jam rritur, se gjithçka do të bëhet mirë dhe se edhe unë si motra një ditë do të mësohem të fle në qetësi thuajse kurrë asgjë nuk ka ndodhur.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

  Nikolla Petroviq

Nikolla Petroviq lindi në Beograd më 1978. Prozën dhe esetë kritike i boton në revista, përmbledhje dhe në portale letrare. Është fitues i çmimit të Festivalit të Poezisë dhe Librit të Beogradit Trgni se! Poezija! 2019, për përmbledhjen me tregime "Papir brzo gori" (Treći trg, 2019).
www.goodreads.com/author/show/4844539.Nikola_Petrovic

 

 

ažurirano: 28/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.