Senad Jusiq

 

Vërbasi këtu bën një kthesë të butë dhe, diçka që nuk i ka hije atij, degëzohet në tri rrjedha duke prodhuar kështu ujdhesa të vogla, e pak më poshtë ata tre shiritë të dredhur përsëri bashkohen dhe bëhen një. Ushton, ka baticë. Bregu nga kjo anë është i pjerrët, me shelgje e shkurre. Tutje shtrihet rrafshina, rrafshina është problem, nëpër terr rruga e pafundme në brendinë e saj zhduket, assesi ta mbërrijmë.

Më e vogla duhet të urinojë. Bash tash. Nga frika, sigurisht.

– Duro edhe pak se mbërritëm. Kaq – i drejtohem nënës – unë nuk mundem më. Nga të dyja anët janë çet… ushtarët serbë, punkti nja dyqind metra tutje. Shkoni rrugës, vetëm rrugës. Mos zbrisni nga asfalti, gjithçka përreth është e minuar.

Qëndrojnë të kërrusur. Frikë. Frikë. Frikë. I ka humbur Irenës ai nazellëku, nuk qahet për çdo imtësirë, pse kjo, pse ajo… Heshtje. Diku në largësi kumbon pushka. Pavetëdijshëm u ngjiten supeve të mia.

– A mundesh edhe pak me ne – përgjëron nëna – veç edhe pak?

Edhe kështu kam shkuar më shumë se që është dashur. Toka e askujt. Shtëpitë sa vijnë e rrallohen, e fusha gjithnjë e më e gjerë. Shtëpitë e boshatisura, moti të djegura, vrimat si zgavrat në kafkë. Dëshmitarë të shkatërrimit. E kaluam edhe timen. Mbetet vetëm fusha. Pamjet përgjëruese – edhe pak. Shumë shpejt edhe mua ka për të më plasur. Hapi më i kujdesshëm, më i tendosur, pushka e zhbllokuar; ato marrin frymë me gojë, ta fshehin edhe atë tingull tradhtar. Kur e ndiej se janë ndalur, se duan të ndalen, kthehem, shkurt, dhe shpejtoj hapin, e ato më ndjekin, harrojnë lodhjen dhe ngurrimin. Zgjatje e vogël, zonë e ndërmjetme, aty askush nuk vjen. Ndalemi, rruga e pashkelur ikën me natën. Sado që i hapim sytë dhe me shikim e çajmë errësirën, gjë nuk dallohet. Janë ulur çuç. Janë në prag të panikut, unë këtë s’e kisha paraparë. Flas me pëshpëritje.

– S’keni pse frikësoheni, shkoni rrugës drejt dhe pas pesëdhjetë metrash bërtitni me zë të lartë: Heeeej, civilë jemi, gra… kështu diçka…

Nëna mendohet. Për një çast luhatet, hedh një shikim të shpejtë në drejtim të qytetit, kthen sytë tek ato të dy, pastaj prapë në rrugë prapa nesh. A do të heqë dorë? Ngrihet me kujdes. Nxjerr paratë për të cilat jemi marrë vesh. Ma shtrëngon dorën. Dridhet.

– Të faleminderit si Zotit – flet me pëshpërimë gati pa zë – nëse takohemi ndonjëherë…

– Takohemi, vetëm shkoni rrugës. Vetëm rrugës, mos u largoni nga rruga…

Asgjë nuk të afron si frika dhe fatkeqësia. Përqafohemi si të ishim familje e ngushtë, sinqerisht dhe afërsisht, për lamtumirë, pa asnjë fjalë. Jabanxhi të djeshëm. Qetësi. E mbytur dhe e sikletshme, me shushurimën kërcënuese të ujit.

Siç vjen papritmas, ashtu edhe zhduket ndjenja e afërsisë. Atë e shtyp një mendim shtypës, i cili i paralizon, mendimi për atë hap të fundit që duhet ta bëjnë.

– Nuk ka as njëqind metra deri te punkti i tyre – pëshpëris. – Shkoni për pesëdhjetë dhe pastaj bërtitni, çkado, do t’i dallojnë zërat femërore. Kurrsesi mos dilni nga rruga. Veç me guxim, nuk jeni të parët që po i çoj, besomëni.

Ngurrojnë. Do të heqin dorë. Nuk duan. Nisen me hapa të pasigurtë, me ndalesa. Kthehen të përhumbura, dhe kur më shohin, vazhdojnë më me vendosmëri; i ndjek me shikim deri kur siluetat e paqarta zhduken në errësirë. Pres. Në vend se të kthehem nxitimthi mbrapa, pres. Ç’m’u desh kjo? Të frikësohem për tri gra të mjera të cilat i kam njohur para tri ditësh. Për një mizerie.

Veç mos u largoni nga asfalti. Veç drejt, rrugës. Veç asfaltit. Po e ndezi një dhe po kthehem. Mirë është, duhet të kenë vënë kontakt, megjithëse është e çuditshme që nuk u dëgjuan thirrjet. Mirë është.

– Bru-boom – jehon nëpër natë.

Kjo është minë! Të dhjefsha fatin. Dhe fatkeqësinë. Të dhjefsha mendtë e gruas. Budallaqe të marra. Njëqind herë ua kam përsëritur të mos zbresin nga rruga. Njëqind herë! A ka ndonjë gjë që më del mua mirë?

Fillojnë të shtënat, breshëri të tëra. Dum-dum-dumdum-tuum. BAM!? Jehon lugina, kumbimi në rrathë koncentrikë përplaset nga njëra anë te tjetra. Fishkëllejnë mbi kokë. Mendojnë se ka depërtuar ndonjë grup diversant.

Bregu i pjerrët ofron strehë. Poshtë është një kazan natyror me vorbulla të rrezikshme, babai kurrë nuk na linte të laheshim aty. Kurrë. Për shkak të motrës.

 

*

Ishte trembëdhjetë vjeç kur u mbyt. Mu në këtë vend. E përpiu vorbulla. Fusha atëbotë ishte e mbuluar me tenda ushtarësh gjermanë. Wehrmacht. E nxori gjermani bjond; askush nga vendasit nuk kishte shkathtësi as guxim të zhytej në kazanin natyror të cilin Vërbasi e bënte në atë pjesë, dhe të kërkonte në dy-tri metra thellësi. Gjyshi e pranoi trupin, e mori në prehër dhe kështu pa u ndalur e pa thënë asnjë fjalë e çoi në një përpjetëze jo të vogël deri te shtëpia mbi shpat. Këtë gjithmonë e tregonin pleqtë: qetësinë e tij, fytyrën e gurtë, reagimin stoik. Reagimin e nanës kurrë askush nuk e zuri në gojë.

 

*

– Prapë po rrëkëllen.

– E ty ç’të hyn në punë?

– Jo hiç, thjesht… Dëgjo… e sheh atë grua në tavolinën e fundit… mos kaq ashiqare… po, ajo e thinjura… të kujtohet?

Kurrë parë s’e kam. Veç pak. Më duket se e njoh… po jo.

– Më mirë të na qerasësh edhe nga një sesa të shikosh plaka.

– Eh, aty qëndron problemi – fillon me siklet. – Banonte në hyrjen e motrës sime, ishte dje për kafe. Biseduan tri orë. I kishte vdekë vëllai dhe kishte ardhë në varrim. Dhe t’i ndreqë letrat rreth banesës së vet. Martesë e përzier. Tash është në Kanadë. Doli, tha, vitin e fundit, njëfarë ushtari e nxori përtej vijës për para, atë dhe vajzat. Vajza më e madhe, Irena, e pësoi. Shkeli minën…

Në kokën e trazuar mendimet thuren ngadalë, të pathëna. Përnjëherë i zgjuar, i shqetësuar dhe i paaftë për të menduar, ia drejtova një shikim të dyshimtë, pyetës. A mos është ajo? Të mos kish’ thënë Miki as që e kisha… Rri pa lëvizur, me shikim të shtangur. Si ka mundësi të ketë ndryshuar kaq shumë për… katër vjet. Fytyra e rrudhur, e zbehtë. Mund të vëja bast se ishte zeshkane. Tash është krejt e thinjur po nejse, është kokëlartë, e pranishme amshueshmërisht. Në krejt paraqitjen e saj ka diçka kundërshtuese dhe tronditëse. Sytë e zinj shkëlqimi të akullt të fiksojnë, me lot, por pa asnjë lëvizje kapakësh. Dhe nëpër lot, shikimi i ashpër.

Gjërat nëpër tavolinë, gotat dhe shpuzoret e marra, bëhen vazo antike, u ngul sytë dhe përdridhem nën shikimin e saj shpotitës. Miki pëshpërit diçka në vete, kundërshton, thotë të mos kthehem, se po qan qëkur më ka parë, ta pij e të shkojmë.

As që e kam vënë re kur më është afruar, përnjëherë m’u shfaq mbi kokë. Edhe pse sytë i kishte të lagur, foli papritshmërisht ashpër dhe preraz, me zë të lartë:

– Po e shoh se po kënaqesh… thashë të të përshëndes.

 

E shikoj me druajtje. Të gjitha të tjerat i ka shtypur ndjenja se diçka e rëndë më është futë në jetë, diçka që më frikëson tash e një kohë, dhe tashti ka për të ma larguar atë pak prehje që ma jep doza ditore e ngushëllimit të lëngshëm. Rri pa lëvizur dhe pa bërë zë, e shikoj dhe as një fjalë nuk mund ta gjej edhe pse dua fort dhe përpiqem të them diçka, të arsyetohem.

– Ngushëllimet e mia për vëllain – thashë në qetësinë e sikletshme që mbretëroi, pothuajse në krejt lokalin. Vetëm këtë, me huti dhe përhumbje, arrita t’ia thosha.

Sytë iu bënë terr, thuajse është zgjuar nga dhimbja e madhe dhe thjesht u pa se si brenda saj rrjedh ajo fuqi femërore, e papërpunuar, e shtypur. E vogël dhe e shkurtër, tash më shikonte nga lart, me plot vendosmëri sulmuese.

– Nuk po qaj unë për vëllain, o katil.

Aq trishtim dhe urrejtje në një fjalë të vetme. Katil!? Me plot atë hidhërim të palëkundur, përkulet dhe i afrohet tavolinës, duke u përpjekur ta mbysë atë mpirje të dhimbshme rreth buzëve, por pa sukses. Nofulla e poshtme i dridhet. E di atë ndjenjë. Ajo trashëgimi e errët dhe e kobshme kurrë s’ka për ta lënë të qetësohet, ka për ta shtrënguar edhe në çaste prehjeje, nëse do të ketë të tilla. Druhem, veç të mos ulet. E palëvizshme dhe memece, ngul sytë akuzueshëm; ia ktheva me një shikim bashkëkryesi dhe ula kokën.

– Katil – përsëriti mbyturazi.

Tashti tërbimi më kaplon mua, një përzierje e trazuar hidhërimi dhe padrejtësie. Hidhërohesha me veten, me të, me krejt botën, me krejt atë neveri që nga unë po e bënte një poshtërsirë dhe një profiter. Hapa gojën t’i përgjigjem, asaj, Mikit, Dadës, Irmës, çarshisë, të gjithëve, të gjithëve, më erdhi të ulërij, të shpjegoj më në fund, të bërtas, të qaj, por rri i shtangur dhe memec, kokëulur. Dhe shtrëngoj gotën në dorë. Ndërsa hesht pa e ngritur kokën, edhe ajo pakëz largohet.

Duke më parë ashtu, të ndrydhur dhe pa reagimin të cilin po e priste me padurim, nga fytyra iu largua pavërejtshëm ajo hije e errët ndërsa trupi i vogël e humbi atë qëndrim dyluftues. Sa i mjerë e i ndyrë qenkam bërë që edhe asaj gruaje të pafat t’i dhimbsem. Ajo shikon diku lart, unë në dysheme, presim të ndodhë diçka, por asgjë nuk po ndodh, heshtim dhe ajo heshtje është e përjetshme. Mbesin vetëm mendimet e një ngjarjeje, të rëndë e të errët, para së cilës gjithçka ishte ndryshe, të gjithë ne ishim ndryshe. Kthehen pa e thënë asnjë fjalë.

Para se të largohet, ma hedh edhe një shikim, të gjatë, të rreptë e të dhimbshëm; përsëri ula kokën.

 

*

Shkuarja e përbashkët në varreza. Gjysmërrethi memec në pjesën ku gjithmonë varrosen anëtarët e famlijes; mezari më i freskët i gjyshit e provokon mollën e egër rrënjësh të thella. Pas gjysmë shekulli, nana mbeti vetëm. E përballoi mirë. Ajo dhe mami të mbuluara me shami, burrat në kostume solemne. Është qetë. Ngadalë shfaqet dënesa e heshtur. Gjyshja po qante.

– Hej, hej, mos qaj – e ngushëllon mami.

Dënesa sa vjen e shtohet, duke u kthyer në vaj të zëshëm.

– Po mos qaj, qe Zoti ju ka dhënë të jetoni mirë. Kurrë nuk keni pasur probleme, as edhe një grindje.

Plaka vazhdonte të qante. Poshtë fytyrës së rrudhur derdhen lotët. Ngadalë u përkul dhe me dorën që i dridhej e preku një nishan më të vogël pranë atij të gjyshit, shumë më të vjetër, mbi pesëdhjetë vjet.

– Unë po qaj për Xhemilen time.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Senad Jusiq

Senad Jusiq është artist joformal. Ka lindur, punon dhe jeton në Bugojno. Me profesion është teknik elektrik, i angazhuar shoqërisht me inercion, kultivon idenë e lirisë, së vërtetës dhe rebelimit. Prozaist dhe poet, provon veten edhe në muzikë. Ka botuar dy libra, prozën dokumentare "Posljednji napad Prve čete" dhe përmbledhjen satirike "Smrt općinskog vijećnika i druge jezive priče". Shkruan kolona dhe komente në portale, reciton nëpër tavolina. Disa nga tregimet dhe poezitë janë përfshirë në përmbledhje rajonale.

Kontakt: gornjikopcic@gmail.com

 

 

ažurirano: 16/02/23

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.