Petra Rapaiq

 

 

Qëndroj te gjysmëmuri te stacioni i autobusëve dhe pres vëllain. Nuk e kam bash vëlla, nëse bën t’i besohet gjyshes sime. Me gjasë daja përziu diçka me njëfarë kurve kroate e cila ia la te pragu kopilin. Gjyshja aty bëri ç’bëri, kryesisht për shkak të fëmijës, duke thënë se s’ishte i tij.

Nëna ime, fatmirësisht, u martua dhe u largua nga shtëpia e prindërve para se të fillonin skenat. Para se të fillonte lufta. Por, ekzistojnë kufij deri ku mund ta fajësoj luftën për ndasitë familjare. Lufta ka kohë që ka mbaruar dhe ne kemi faj që nuk jemi gjetur deri sot. Po të kisha para siç nuk kisha… e po mirë, të mos gënjehemi, nuk do të kisha shkuar ta takoja vëllain. Pikësëpari, kurrë nuk jemi takuar as si të vegjël. Nuk jemi dëgjuar me telefon, as s’jemi shkruar. Pastaj, as nuk është i gjakut tim, dhe pse të mundohem e të udhëtoj në Kroaci për ta parë? Edhe kështu isha mirë.

Deri në çastin kur thirri Edvardi dhe tha se donte të na takonte. Nuk e di përse, pas njëzet vitesh shpërfilleje të ëmbël, as që e dija nga e kishte marrë numrin e telefonit. Por, ja, këtu jam. Po pres.

Përpara, sa herë që flisnim për Edvardin, muhabeti niste me turpin të cilin daja e solli në shtëpi. Familje e madhe serbe, e ai merr kroaten, madje shtatzënë. Gjyshja të tranohet. E si do të quhet fëmija? Jelen[1] thotë vëllai i mamit, kur – hop, gjyshi pëson sulm në zemër. E po, gruaja deshi që fëmija të quhej ashtu, e gjyshi nuk mund të përballonte që trashëgimtari të quhej sipas një kafshe.

Pyes veten ç’do të kishte bërë gjyshi dhe se herë do të rrotullohej në varr sikur ta dinte se trashëgimtarin e ka kroat? Sepse gjyshja në fund mori atë që deshi, i biri iu nda dhe iku jashtë vendit, në vlugun e luftës, derisa pas tij gjuanin dhe ulërinin se ishte çetnik, dhe fëmija iu la nënës ta edukonte. Daja, natyrisht, nuk u lajmërua më kurrë. Edhe një marre e madhe.

Këto rrëfime i di përmendsh, thuajse i kam thithur me qumështin e nënës. Nuk kishte ditë që gjyshja të mos llomotiste për këtë. Se si nëna dhe daja ishin të afërt, deri në çastin kur e takoi kurvën. Se si gjyshes më nuk donte t’i ndihmonte. Se si mori atë që mundi dhe shkoi për një të ardhme më të mirë. Se si gjyshja dhe gjyshi iknin nga lufta, e ai as t’u ndihmonte as të pyeste si ishin. Për Edvardin, i cili për habi kompromisi, mori emër normal, por perëndimor, nuk mërziteshim fort. Gjyshja thoshte se nuk ishte i yni, e nëna se askush nga familja jonë nuk ishte katolik, as kur Maria Tereza i pagëzonte serbët përgjatë kufirit për një thes gruri. Deri në thirrjen telefonike, Edvardi nuk ekzistonte. Ishte çudi abstrakte me të cilën gruaja e pështirë e kishte robëruar burrin e mirë dhe e kishte kthyer kundër familjes. Dhe siç ndodh rëndom, nuk kishte asgjë tonën – me pamje ia kishte këputur kryet nënës.

Nuk e di si do ta njoh kur të dalë nga autobusi. Besoj se do të kërkoj ndonjë të përhumbur, thatanik, të shëmtuar, me hundë të madhe e sy të errët. Do të flasë kroatisht ose, edhe më mirë, anglisht, si të gjithë kroatët kur vijnë te ne dhe tuten të flasin.

Shikoj autobusët teksa kalojnë, njerëzit që dalin dhe përqafohen me ata që i presin. Një djalë nuk e pret askush, as ai nuk e pret shoferin t’ia nxjerrë valixhen. Ka vënë kapelë, çizme motoristi, çantë në krahë dhe tungjatjeta. Tipi im, ashtu sikur unë. E përcjell me shikim derisa humbet në turmë.

Mua më duhet autobusi me targa kroate, jo ky beogradas. Marrëveshja ishte të mos e presim, thoshte do të marrë taksi. Por, e di si ndihem unë pas udhëtimit të gjatë, më vjen të vjell edhe nga vetë aroma e gazrave, dhe gjëja e fundit që dua është të ulem në një veturë tjetër. Mbase edhe ai ndihet ashtu. Po ashtu, nga tendosja nuk kam mundur të rri në shtëpi, as që më shkonte mendja të shkoja në fakultet në ligjërata.

Më në fund autobusi që pres, Zagreb – Novi Sad. Ngrihem, zgjatem, bëj hapin të mbërrij me kohë të shoh njerëzit teksa dalin. Ta shoh para se të më shohë ai mua.

Ca plaka me qindra valixhe. Një familje. Ca të rinj, ata udhëtojnë bashkë. Të tjerët për Suboticë. Madje, futem në autobus të shoh mos e kishte marrë gjumi, shoferi më pyet çfarë kërkoj, e unë nuk di ç’të them. Ta pyes mos di gjë për Edvardin, nuk mundem, sepse nuk e di si duket ai.

Kthehem deri te gjysmëmuri, shoh orën, dhe nuk di ç’të bëj tutje. Nuk isha i gatshëm për këtë. Mbase i kishte dalë ndonjë gjë. Në shtëpi do të më presë nëna pa vullnet, do të thotë se Edvardi është gënjeshtar si nëna e tij dhe se nuk duhej t’i kishim besuar. Madje, edhe gjyshen e kishim dërguar te motra e saj, të mos pengojë, duke ditur sa i pëlqen të grindet. Nuk i treguam se po vinte. Eh, ç’t’i bësh, do t’u japim pushim shpirtrave tanë pa helmin e gjyshes nja dy ditë.

“Tung!”.

Ngre sytë nga telefoni. Çizme motoristi, xhinse, duks, flokë kaçurrelë. Ai djalosh që më kishte rënë në sy qëndron para meje, buzëqesh për tia parë treshet e gjata. Mua për shkak të atyre dhëmbëve më ngucnin se isha vampir.

“Qao” i përgjigjem. T’i thosha menjëherë Edvard, më vinte keq që nuk erdhi me autobusin e pritur.

“Unë jam Edvardi”, prezentohet.

“Milloshi. Të të ndihmoj me valixhen?” Pyetje e kotë, sepse nuk ka ç’të ndihmohet. Disi truri nuk më punon, dhe nxjerr fjali për të cilat kisha besuar se më bënin gjakftohtë.

“Jo, jo, s’ka asgjë për të ”.

Shtrëngimi i duarve kthehet në përqafim. Kemi gjatësi të njëjtë.

“Shkojmë me taksi?”, bëj edhe një pyetje të kotë.

“A është larg?”

“Pesëmbëdhjetë minuta në këmbë”.

“Super, shkojmë në këmbë”, më thotë djali i dajës. “Më mundoi autobusi”.

E pyes pse nuk kishte ardhur me autobus nga Zagrebi, thotë se që dje ishte në Beograd, me punë. Nuk e pyes pse nuk ma kishte thënë këtë, as ai s’më pyet pse nuk e kisha lënë të gjindej vetë me taksi nëpër Novi Sad. Duket se ai donte të më shihte mua para se unë ta shihja atë. Përpiqem të kujtoj ç’isha duke bërë dhe si dukesha para se ta humbja në turmë.

Nisim muhabetin për çizmet, duket se kemi numër të njëjtë. Ma tregon bluzën e gjelbër që e kishte blerë në Beograd dhe e kishte veshur menjëherë, e unë i them se e kam të njëjtën në dollap. Derisa mbërrijmë te ndërtesa ia plotësojmë fjalitë njëri-tjetrit.

E pastaj më vjen një ide se si ta befasoj nënën.

“Nisu ti i pari”, i them. “Ma jep atë çantë”.

Përvidhemi në banesë, të dytë të tendosur, ai mbase për shkak të takimit me hallën të cilën po e takon për herë të parë në jetë, e unë që nëna të mos nxjerrë nga goja ndonjë helm para se ta shohë.

Ajo del nga kuzhina dhe menjëherë shpërthen:

“Po ku ishe deri tash, shiko sa është ora, ky sapo s’ka ardhur. Dil në tarracë dhe shih mos po vjen ndonjë taksi. A ke blerë kafjall? Dhe ç’u paske bërë flokëve?”

Flokët e Edvardit janë me ngjyrë të njëjtë si të miat, veç pak më të shkurtër.

“Zoti na ndihmoftë, a je ti normal, ke shkuar të qethesh në këtë kohë?”

“Kush ka shkuar të qethet”, vendos ta mëshiroj dhe dal nga korridori ku kinse po zbathesha.

Nëna, natyrisht, gojëhapur. Ne dy qeshim si të marrë. Ajo na shan dhe me lot përqafon Edvardin. E shtyn të ulet e të hajë kafjall, thotë kemi blerë djathë për të, unë nuk e ha. Nuk e ha as Edvardi, nuk i pëlqen asgjë nga qumështi. Nëna e pyet nëse dëshiron kafe, Edvardi thotë se preferon çajin. Gruaja, ç’të bëjë, pa koment nxjerr çajin tim të preferuar dhe na e bën gati.

Flasim për fëmijërinë, se si gjyshja e ruante e ai fshihej pas gjyshit sa herë që gjyshja çartej. Tregon se në shkollë nuk arriti të merrte nota të mira sepse kishte mbiemër serb, dhe nuk u mundua të regjistronte fakultetin. I tregoj se rrihesha në shkollë sepse më ngucnin për shkak të mënyrës se si flisja (ku e dija unë ç’ishte ijekavica, flisja siç flisnim në shtëpi).

Flasim, por seç heshtim kur u afrohemi temave të ndjeshme – grindjeve të gjyshes me dajën, largimit të dajës, vdekjes së gjyshit, shtëpisë e cila mbeti e shkretë në rrethinën e Zagrebit. Vetëm një herë nëna pyeti se a po i lajmërohej, së paku të birit. Edvardi i thotë “plaku”, por pa emocione. Thotë se nganjëherë dëgjohen me email dhe se nuk e ka ndjesinë se e ka baba. E pyet për nënën, thotë se vdiq dy vjet më parë. Prapë heshtim.

Më vonë ne të dy dalim në qytet. Nuk na zihet vendi vend, shkojmë ngado që na shkon mendja.

Më duket se njihemi tërë jetën. Unë, introverti i pashpresë, përpara tij ndihem i relaksuar dhe i lumtur. Është e habitshme se si nganjëherë njerëzit as që janë të vetëdijshëm se diçka u mungon në jetë deri në çastin kur ajo afrohet dhe vjen në vendin e vet, dhe shpirti nis të marrë frymë.

“Eh, të të pyes”, Edvardi përnjëherë bëhet serioz. “Kush nga ju i ka sytë e gjelbër?’

“Të gjithë”, them i habitur, dhe më duket ngapak qesharake që ka pritur të na mbulojë terri për të ma bërë këtë pyetje. “Si gjyshi”.

E shoh se në një çast është rritur mjaftueshëm për të pyetur përse sytë e tij janë të gjelbër, e të prindërve bojëkafe. Mbase edhe ka dëgjuar nga gjyshja atë që kurrë asnjë fëmijë nuk duhet të dëgjojë – se nuk është i biri i babait të tij. Nuk e kishte askënd nga familja për ta krahasuar veten. Lufta na kishte shtyrë në anë të ndryshme, e më vonë gjyshja bëri ç’bëri të mbetej kështu.

Buzëqesh. E kam të qartë përse kishte vendosur përnjëherë të na takonte: që njëherë e mirë të shihte ku e kishte vendin. Nga vjen. E ku shkon, ku shkojmë të gjithë, këtë e vendosim vetë.

Të nesërmen kthehet, e pret puna në Zagreb. Qan si shiu dhe më jep para, thotë sepse jam student, atij i duhet vetëm për biletë. Unë qesh dhe i them se gjithçka është në rregull. Pastaj i bëj me dorë ndërsa autobusi largohet. Nuk lëviz nga peroni derisa të largohet plotësisht.

Në rrugë më mbërthen heshtja dhe më nuk mund të përmbahem. Kapem për krahësh, shtrëngoj fort muskujt, por lotët janë më të fortë se dhimbja.

Në atë çast bash fort e urrej gjyshen.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

[1] (Dren, sh. përk.)

 

  Petra Rapaiq

Petra Rapaiq. U rrit në Mal të Zi, jeton në Novi Sad. E ka pasion fjalën e shkruar. Është redaktore përgjegjëse e blogut Fantasy by Sofia. Deri më tani ka botuar një roman humoristik "Univerzum u nevolji" së bashku me Nesha Popoviqin. Një version elektronik i romanit të saj të parë, "Poslednji vilenjački princ", po sillet diku në internet. Deri më tani, kam botuar disa tregime në Marsonik, Pandakon, Verticals Literary dhe Përmbledhjen Refestikon rreth Ilirëve të lashtë.
Facebook: epskafantastika4, https://epicfantasyweb.wordpress.com

 

 

ažurirano: 28/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.