Diellza Haxhimehmeti

 

 

Në këtë natë të pamëshirë, i humbur jam nën vetminë e territ! Endacak i braktisur, i përvëluar zjarr… i tërbuar ashtu sikurse shiu i kësaj nate.

Marrë frymë, i mbledh forcat e përplasem në realitet, siç përplaset ajo vetëtimë e shkrepur në maje të malit!

Një dashnor i ndarë nga dashuria, një kufi i prerë me shpatë, e në anën tjetër të saj derdhen lotët e një vashe.

Në këtë natë të heshtur, e humbur është edhe ajo, nën vetminë e fatit! E braktisur, e djegur hi… e me britmë që i del nga pikëllimi siç dëgjohen bubullimat e kësaj nate!

Të dy nën të njëjtin shi, derdhim lotë, që edhe nëse sonte ne s’takohemi, së paku lotët tanë le të bëhen bashkë.

Të dy mbi një tokë… të ndarë në Kolosh. Urrehemi e duhemi, çajmë mall e nuk shihemi, të lidhura i kemi edhe këmbët.

Bie në gjumë, po gjumë në sy s’kam! I dënuar të luftoj në jetë, së pari me armë në dorë, e së dyti në maratonën e dashurisë.

Shkruaj poezi për të, dhe i varros nën dhe… Ajo nuk është si të tjerat. Asaj në sy i qeshin kristalet, asaj nga fytyra i ndriçojnë rrezet e diellit, e nga zemra i rrjedh pafajësia…

Por ajo është bijë serbe… bijë e atyre me të cilët luftuan baballarët tanë deri më sot!

Ta quaj dashuri e egër… dashuri që vret… degë e paarritshme. Në vendin që dje është larë nën gjak, fati na ndau për të mos u dashur më kurrë.

E unë aq dua ta harroj, e po aq dua ta dashuroj edhe më shumë.

Shihemi më rrallë se hëna e plotë. Asaj gjithmonë i shkëlqejnë sytë më shumë se vetë hëna. Më shtrëngon dorën plot frikë e më pyet: „E çka nëse na shohin? Kush do të japë llogari?“

Dhe unë e di që ka shumë të drejtë, po për ta qetësuar zemrën e saj, i them që nata s’ka dëshmitarë… askush s’jep llogari… askush s’ka parë gjë…

Çdo njeri është dashuruar se paku një herë, apo do të dashurohet. Ma përshkruaj dhembjen, kur ti çdo moment e ndjen mungesën e saj, duheni aq sa yjet shtrihen mbi galaktikë, por së bashku s’do t’ju lënë kurrë!

Kthehem kokëulur dhe ulem mbi litar. Në dritare, im atë ma sheh lotin dhe pa dashur i rrjedh edhe atij. Por ai nuk e di se çfarë kam unë. Ulem në sofër e buka nuk më hahet, nëna ime ma ndjen vuajtjen dhe largohet në dhomë të derdhë lot edhe ajo. Në shtëpinë e djegur s’ka shumë kohë që jemi kthyer, punoj ditën për ta riparuar dhe për t’i harruar brengat. E mbrëmja më bëhet makth, si me dashje më kujton ngrohtësinë e saj dhe sulem si një ujk maleve të ulërij dhe të nxjerr mllefin.

Ç’është kjo botë! Të gjithë jemi të mallkuar. Unë e di sa vuajta, kur para syve m’u vranë shokët një nga një. Kush do të më jap përgjigje se sa vuaj tani, ndoshta edhe më shumë. Pse u dashurova? Kur thonë që dashuria është bekim, po unë bekim ende s’pashë.

A thua pse jetoj, kur e di që s’do ta kem dhe prapë ta shtyj çdo ditë plot shpresë… Në anën tjetër me bren kujt i takon, kur asaj ia urrej të atin, e atij ia dua të bijën!

O Zot, ç’po ndodh me mua, as nuk dua të fal as nuk dua të harroj. Sa dua të jem pranë saj, aq dua të jem larg tyre. E në këtë eklips që ra mbi të gjithë ne, askush ende s’është ngritur që ta mbajë pishtarin.

Numëroj çdo natë dhe e gdhend në zemër. Ende pyes veten: a thua edhe sa? Dhe sa herë dua t’i tregoj babait tim, ende pa nisur fjalët, përbihem dhe nuk më dalin më.

Ime motër ka kohë që është sëmurë, askush nga fshati nuk e shëroi. Ka kohë që rri e shtrirë ose qëndron në dritare për të parë si të tjerët ecin kur atë ende se mbajnë këmbët. Në qytet kush e di se sa do të kushtojë operimi, e ne ende s’kemi asgjë, prandaj nuk i ndihmojmë dot.

Një plakë dëgjoi për të dhe si papritur erdhi e trokiti në derë.

„Largohu që këtu, ç’kërkon? Ik.. Po të pa im shoq vaj halli për ty“, bërtiti nëna e cila ende se kishte marrë veten nga pasojat e luftës.

„Hipokrati“, ia ktheu butësisht ajo…

Por e kapluar nga frika, nëna e gjorë s’e kuptonte. E lashë atë që e pata në dorë dhe vrapova që ta ftoj brenda. Nuk e di a dashuria më kishte mbyllur sytë e urrejtjes, apo butësia e saj për të falur.

Betimi i hipokratit, e shtyu të vinte që ta shëronte motrën time. Prindërit e mi të shtangur e shihnin e sikur mendja e tyre bluante pa pushim. Pas gjithçkaje është e ditur që dhembja dhe kujtimet nuk fshihen lehtë. Edhe pse koha, thonë, shëron plagët, ajo s’mund t’i pastrojë zemrat tona për të harruar gjithçka!

Mirëpo, me sa duket ajo grua që në pamje i ishin thinjur edhe flokët e dukej shumë e dobët, në realitet ishte më e fortë se të gjithë ne.

Erdhi disa herë për ta parë si po shkonte, a kishte bërë më mirë, dhe në momentin që ime motër u ngrit në këmbët e veta, ajo nuk erdhi më.

Por sikur ajo ishte pishtar… Edhe pse familja ime e dinte ç’kishim vuajtur, filluan t’i shihnin vlerat e njerëzve, e jo prejardhjen…

Nën rrezet e hënës edhe sot më reflektohet fytyra jote, në oborr zjarri i ndezur,  kurse unë i vendosur që t’i them.

„Babë, e dua! Dhe s’dua tjetër pos saj!“ Dhe reagimi që prisja nuk ishte fare i tillë.

Një ofshamë e thellë u dëgjua… dhe pas pak minutash më tha:

„Dëgjo biri im, mos ki frikë nga askush, sepse askush nuk është më i fuqishëm se Zoti. Njeriu i ditur e dëgjon një fjalë dhe i kupton dy. S’ke nevojë të thuash më asgjë. E ke lejen time ta sjellësh atë vajzë këtu. Edhe pse plaga në zemër nuk do të shërohet, ndoshta ky do të jetë hap që nipat e mi të rriten në dashuri të plotë e pa urrejtje.“

I ati i saj nuk u pajtua disa muaj, por pasi edhe ajo nguli këmbë, fëmia të lëndon e të dhimbset me shumë se fjalët që t’i thotë gjithë bota.

E për ne le të flasin, e le të na shajë nëse do tërë bota. Por derisa ne të rrojmë në dashuri, e nën një çati të jetojmë bashkë, e të mos na ndajë më as malli as urrejtja, ne do të jemi shembull për ata që kanë mend ta kuptojnë virtytin e faljes.

Po, kam vuajtur, dhe këtë nuk do ta harroj dot. Por pajtimi e falja janë më të fuqishme se sa vuajtja… Sot ne të dy nën një pikë shiu, ku lagen gjethet e vjeshtës, sollëm në jetë një krijesë të re si fryt i dashurisë. Një krijesë që s’do të dijë të urrejë asnjë nga ne, prandaj le të flasë emri i tij…

Mirëseerdhe në jetë Pajtim!

 

 

  Diellza Haxhimehmeti

Diellza Haxhimehmeti u lind më 1997 në Mitrovicë. Studion në Universitetin shtetëror të Mitrovicës, departamenti inxhinierik, si dhe menaxhmet në një kolegj në Prishtinë. Ka botuar shkrime në disa revista dhe konkurse.

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.