Nemanja Raiçeviq

 

Rozi përsëri ka mbetur pa punë. „Personeli në toalet kurrsesi nuk bën të qeshë me zë“, kishte thënë pronari i kafenesë. Sidomos jo kur kombi lufton për famë. Kishte ngritur vetullat dhe po i numëronte arsyet përse nuk do të ishte e mundur të merrte kurrfarë pagese. „Të gjithë ne kemi probleme“, i kishte thënë Rozi me shumë mirëkuptim dhe lëvizje duarsh. Menaxheri i cili me shumë zell shkruante ditare „për gjeneratat e ardhshme“ e pyeti nëse donte një sheqerkë. „Falemnderit“, tha Rozi dhe me krenari bëri një lëvizje e cila mund të dukej si përqafim. Me hapa të një gaforreje u largua dhe pastaj me njëfarë marshi si të miut e detyroi ta merrte krejt qesen. Butësia e shpirtit, thjeshtësia e bujarisë, krejt kjo kurrë nuk zhduket nga askush, së paku jo në tërësi, mendonte plot krenari. Po niste tregimi për ditarin e tij.

Rozi i mori sheqerkat e reklamave të cilat i kishte parë në televizion. Ja, ëndrrat po realizohen! Sa do ta këndellin pas birrës, dhe në fakt as që do të jetë e uritur sot. Gjithçka po shkonte në drejtimin e duhur. Sapo kishte nisur mëngjesi. Por, së pari duhet gjetur birrën. Por, a nuk dukeshin mirë sheqerkat në mbështjellësin e tyre shkëlqyes? Në fund, gjithmonë mund të provoj me ushtarët, tha me zë të lartë dhe me vetëbesim doli nga zyra së cilës i vinte era fletore të botës së jashtme.

„Nevojitet kujdesi ditor në shtëpi“, shkruante në një shpallje në murin e vetëm që kishte mbetur nga shtëpia. Në mes të kornizave të shkapërderdhura të dritareve gjendej një automonbil lodër. Nuk kishte kohë, si njëfarë vakti, të mendonte në hollësi për gjithçka, e shoqëruar me një pije. Shkrimi i shpalljes iu duk Rozit disi dinjitoz. E futi lodrën në xhep. Ishte e këndshme ta prekje, të provoje ta shihje fytyrën në pasqyrë dhe me gjithë këtë ta dëgjoje shushurimën e sheqerkave. Tani s’ka dyshim se gjithçka do të jetë mirë. Një ditë, mendoi, një ditë në jetën time do të jetë dita që do të më sjellë fat.

Derën ia hapi një grua e cila po provonte të vinte grim. Mbante veshur një pallto të gjerë. Palltoja i kujtoi Rozit diçka të mirë, muzikën, një ditë para se të vinte.

„Unë jam për ndihmë“, tha Rozi. Gruaja e vështronte me hollësi dhe me dorë kalonte nëpër njolla të yndyrshme të palltos. „Limon“, tha Rozi. „Gjithçka do të ishte mirë sikur të mund të gjenim pak limon. Me limon unë bëja çudira. Lipsej shkathtësi me limon. Keni të drejtë, tha gruaja. Gjithçka do të ishte mirë sikur të kishim limon. Limon“, vazhdonte Rozi, „gjithçka do të ishte si është më mirë me limon“. Gruaja lëvizi anash dhe e la të hynte.

Donte që më në fund të niste të jetonte në bodrum dhe kishte nevojë për ndihmë për t’i bartur orenditë dhe qilimat. „Vetëm atje tash ndihem e bukur“, tha gruaja. „Bombat nuk më frikësojnë sa më frikëson vdekja në shtratin tim. Është e habitshme që kurrë nuk kam menduar se do të jem njëra prej atyre që futen në bodrum. Kur filloi lufta, tankeve u hidhja lule. Flisja për ndryshimin shpëtimtar të vullnetit të kombit. Kurrë nuk më ka shkuar mendja që bodrumi mund të duhet“.

„O, mos u brengosni“, tha Rozi. Fliste qartë dhe si personalitet i rëndësishëm. „Edhe unë në mëngjes kam menduar se kam brenga. Por gjërat ndryshojnë, gjërat ndodhin! Sheqerka, lodra, bodrum, e gjithë kjo është jetë. Limoni na mungon, e vërtetë. Por birra a nuk i heq njollat?“

Kur mbaruan, gruaja i tha vrazhdë se nuk kishte para. Ia tregonte Rozit kuletën ku me ngathtësi ishin të fshehura paratë. „Tash nuk mund t’i jap askujt asgjë“, tha gruaja si e përgjumur. „Birrë“, tha Rozi shumë qetë. „A keni për birrë? Një birrë për një ndihmë.“ Gruaja e shikonte dhe Rozi mund t’i dallonte vetullat e saj të egra dhe mustaqet e shkurtra. „Po ma kujtoni gjyshen“, tha Rozi. „Para luftës dhe para birrës, gjyshja kishte shtëpinë në rrugën e Rrafshit të Trazuar. Besoj se do ta kërkoj këto ditë“, tha Rozi dhe ia nguli sytë murit si dikush që di çfarë të bëjë.

„Prisni“, i tha gruaja. „E vërteta është se nuk më ka shkuar mendja se dikush do të vijë. Kush nuk është i vetmuar sot? Edhe më pak më shkonte mendja ta paguaja dikë. Por secili do të duhej ta rregullonte vetë varrin e tij. E ju i keni ndihmuar një të huaji“. Rozi pohonte me kokë duke u pajtuar plotësisht. Në „Mazhestik“ sigurisht do të ketë ushtarë! „Më prisni këtu!“, e ndërpreu gruaja dhe hipi në katin e dytë, derisa palltoja i zvarritej mbrapa, si të ishte ndonjë mbretëreshë. Kur u kthye, kishte të veshur një fustan.

„Këtë fustan“, tha gruaja përsëri me krenari, „e kam veshur për herë të fundit para luftës, në ballon e provimit të maturës të gjeneratës sime të fundit të nxënësve. Atëbotë u flisja për ekzistencën autentike“.

„Është i zi“, tha Rozi si dikush që merret vesh në fustanë. Futë i zi. Shihte forma eterike dhe rrathë të ndërprerë, lozonjarë me ngjyrë të zezë. „Merreni“, tha gruaja. „Është fustan nga mëndafshi malberi. Merreni tash. Mua më duhet të shkoj. Kush nuk është i vetmuar sot dhe kush vazhdimisht i qep të gjitha ato uniforma?“

„Natën e mirë“, tha Rozi dhe doli jashtë. Gjërat përsëri filluan të dukeshin mirë. Ja, a nuk kishte atje rrënoja ku mund të visheshe para birrës?

„Mirëmbrëma“, jehoi zëri nga errësira. „A është e lirë?“, pyeti Rozi dhe me shpejtësi e veshi pjesën tjetër të fustanit mbi rroba të cilat i kishte në trup. „Po bëhem gati të nisem. Kam disa obligime të rëndësishme.“

„Mos kini frikë, e nderuar“, tha zëri. „Po të doja t’u bëja keq njerëzve, do të isha në luftë“.

„Fustanin e fitova“, tha Rozi duke kërkuar falje. Nga errësira u shfaq një burrë i moshuar me një gjysmëcilindër në kokë dhe me një shishe në dorë.

„Kjo ka qenë shtëpia ime“, tha ai me krenari derisa pinte nga shishja. „Unë momentalisht nuk kam shtëpi“, tha Rozi me modesti dhe bëri një hap drejt burrit. „Kurrë nuk më ka shkuar mendja se bash shtëpinë time do ta shkatërrojnë, por këtë askush nuk e kujton“, tha burri duke shikuar me kujdes vendin ku dikur ishte tavani.

„Tani të paktën mund t’i shihni yjet“, tha Rozi duke shikuar ndërmjet qiellit dhe shishes. Burri nisi të qeshte me shqetësim, por me ngazëllim. „Kur ju pashë teksa po hynit, mendova se si mund t’ju vrisja“, tha me butësi. „Pastaj mendova – hopa, afërsia e mëndafshit përsëri në shtëpinë time!” „Unë vetëm u ndala që të vishem“, tha Rozi dhe u përkul në errësirë. Burri hoqi gjysmëcilindrin dhe ia ktheu përshëndetjen. „Të vjetrën e lëmë pas, të renë e përvetësojmë“, tha mendueshëm dhe pastaj me hidhërim bërtiti: „Kurrë mbrapa, përpara gjithmonë! Më dukeni si një zonjë e cila nuk i thotë jo gotës tek-tuk, më falni nëse gaboj… Por, më ndihmoni, ju lutem. A e kanë përfunduar jetën Hendli dhe Bahu të verbër apo të palëvizshëm?“

Potraži me u predrgađu“, nisi të këndonte Rozi me plot ndjenja dhe me hapin si nga holli i ballos iu afrua gotës. Burri përpara saj ngriti të dy duart lart, sikur po lozte, sikur po luftonte, sikur të ishte pemë me degë.

Pinë dhe, siç tha burri me gjysmëcilindër, koha i priste derisa orët kalonin. Kur e flaku shishen e zbrazët drejt qiellit, Rozi u nis tutje.

Vera ishte edhe një gjë e mirë e kësaj dite. Gjithçka deri tash shkonte sipas planit dhe Rozi vendosi ta hante sheqerkën. Ndjeu relaksim, gëzim në kujtim të televizionit, siguri në sukses. Në „Mazhestik“ kishte ushtarë dhe ajo kishte fustan. Kësaj radhe askush as që guxoi ta largonte jashtë. Rozi u ngazëllye kur pa birrë. Me shumë mirësjellje e pyeti ushtarin se në cilin front ishte.

„Të paktën të isha në front“, tha ushtari-fëmijë në një uniformë të stërmadhe. Rozi e dëgjonte me shumë vëmendje dhe e ndreqte dekoltenë. „Të paktën të isha në front“, përsëriti i riu-djaloshi. „Na duhet vetëm edhe një brez i këtillë i rinisë sonë dhe do ta ndryshojmë botën“, cicërroi Rozi në pritje. Ushtari-fëmijë e shikoi i përgjumur. „Rroftë Presidenti“, iu përgjigj me zë të lartë dhe derisa e ngriti dorën në shenjë përshëndetjeje mënga i ra në sy.  „Kush i qep këto unifroma të mutit?“, pyeti dhe porositi dy birra. Rozi tani po shihte shumë gjëra: shkëlqimin e gotave dhe copëza të thyera fëmijërie, ngjyrën e butë të karameles së kuqe, faktin se gjithçka do të vazhdojë edhe pas rendit të fundit të drurëve. Paqartësive u ka ardhur fundi dhe jeta e plotë është gati të nisë! „Birra është e mirë“, tha Rozi e ditur, „birra ka plot vitamina. Birrën, pavarësisht të gjitha telasheve dhe në çfarëdo rrethanash, mund ta prodhojmë gjithmonë!“ „Kush jeni ju?“, e pyeti ushtari-fëmijë. „O, askush me rëndësi“, tha Rozi. „Pashë dritën dhe u ktheva. Edhe tri birra dhe mund të merremi vesh për gjithçka. Gojore apo çkadoqoftë. Me mua merresh vesh lehtë. Unë jam gjithmonë për marrëveshje. Di vende të sigurta. Rrënoja ka gjithandej. E fitorja do t’i takojë së drejtës për liri! Për tri birra, vetëm për tri birra të mëdha.“

„Unë kam para“, tha me krenari ushtari-fëmijë. „Në rregull. Dakord. Në rrobat e tyre të cilat mbesin pas gati gjithmonë ka para. Ky është fronti im. Kjo është puna ime. Na thanë se duhet të jemi krenarë për këtë. Puna është më e rëndësishme dhe më e zorshme para agimit përfundimtar dhe ai soj duhet zhdukur që fëmijët e mi të jetojnë. Thanë se mund t’i merrnim paratë e imëta. Imtësira, kështu i quajmë. Marrim imtësira, luajmë bixhoz, blejmë çokollata dhe i marrim kurvat në pije. Ne nuk ankohemi. Punojmë për ju! Na thanë të mos i tregonim askujt për këtë. As mamit as babit, thanë. Thuajse do t’i tregoja mamit tim për imtësira! Megjithatë, unë po flas rreth e rrotull. Dikush do të më lajmërojë dhe do të jem i qetë. Imtësira është fshehtësi dhe ajo është jeta ime. Ajo është e vetmja gjë për të cilën nuk jam i dëgjueshëm dhe le të më japë njëherë dikush medaljen e mutit që jam ushtar i mirë! Vetëm këtë e kanë dhjerë. Nuk është njeriu ajo që duhet të jetë.“

„Edhe unë kam punuar në hyrje të toaletit“, tha Rozi me dëshirë për birrë dhe për një të kaluar të paqartë. Ushtari-fëmijë e shikoi dhe porositi katër birra të mëdha. Rozi ndjeu dëshirën të këndojë dhe të vallëzojë, por vetëm u ra shuplakave. Krejt bota! Krejt bota në dy shishe të mëdha dhe krejt vëmendja e botës në një fëmijë. Rozi ia ofron ushtarit-fëmijë një sheqerkë. „Janë të televizionit“, klithi plot sakrificë. „Nuk më duhet asgjë nga ju“, tha vrazhdë ushtari-fëmijë. „Edhe ju po dukeni sikur të jeni në telashe. Por a mund të më mbani pak për dore?“ „Shkojmë pastaj te rrënojat“, tha Rozi duke i dhënë zemër dhe e mori për dore. Kur dritat e „Mazhestikut“ u fikën, si qirinjtë e banesës me qira, ushtari-fëmijë po flinte me qesen me sheqerka në xhepin e uniformës, ndërsa Rozi vazhdoi tutje.

Tash gjithçka është në vendin e vet; tash gjithçka do të nisë nga fillimi, mendonte. Ka edhe fustan. Është edhe ajo pemë të cilën e kishte parë: e braktisur, e sakatosur, por e degëzuar. Nuk mërzitet që ishte rrëzuar më parë. Rozi ndjeu afërsi me krijimin dhe asgjësimin; prirjen për t’iu kthyer dëshirës dhe humbjes së të gjitha gjërave. Njerëz nëpër toalete, era e letrës, të qeshura poshtë tavaneve të cilat fshehin mistere dhe vdekje të qiellit; nuk ka përjashtim nga rregulli. Hoqi fustanin dhe nisi të bënte nyjen duke kënduar melodinë nga seriali i fëmijërisë së saj. Si është e mundur që edhe një grua e fuqishme dhe e pasur si Aleksis Kolbi nuk ka dashur njëherë të pushonte sadopak? Diçka me shpejtësi po i bashkëngjitej melodisë. Bomba ra në rrugën pranë dhe gjithçka u shkund. Ishte gati e këndshme. Rozi po këndonte dhe po bëhej gati. Pastaj dëgjoi diçka që më nuk po vinte nga qielli. Ishte e parrezikshme, kërkuese, këmbëngulëse dhe e zëshme dhe ishte e pamundur të mos niseshe drejt errësirës. Rozi u ndal, e puthi pemën nën të cilin po qëndronte (duke i premtuar se do të kthehej së shpejti) dhe u nis duke e ndjekur tingullin. Ai vinte nga një grumbull mbeturinash. Një kukull prej plastike, çuditërisht e ruajtur dhe e buzëqeshur, lëshonte melodinë e vrazhdë dhe të ndërprerë të imitimit të vajit të fëmijës.

E futi lodrën-veturë në dorën e kukullës dhe i mbështolli me fustan. Nyja e mëndafshtë u zhduk; Rozi vazhdonte tutje. I mbante në duar dhe për herë të parë pas aq shumë vitesh u frikësua kur nisën sirenat dhe qielli u bë më i shndritshëm se agimi.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Nemanja Raiçeviq

u lind më 1976 në Novi Sad. Ka botuar tri përmbledhje me tregime: Priče (Shpërblimi i parë, Matica Srpska, 2002), Nije kasno smejati se (Prometej, 2009) i Na proputovanju (Shpërblimi i parë Priča, i Shoqatës Letrare Serbe, 2014). Tregimet e tij janë përkthyer në anglisht, hungarisht dhe rumanisht. Ato janë botuar edhe në antologji si: Antidepresiv, Mirjana Bobić-Mojsilović (2011), Plejlista sa početka veka, Ivan Antić dhe Slavoljub Marković (2012), Prostor za mokrog psa, Kulturni centar Grad (2012), Pucanja – izbor iz mlade srpske proze, Vladimir Vukomanović za Službeni glasnik (2012).
https://en.wikipedia.org/wiki/Nemanja_Raičević

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.