Gordana Stojanoska

 

 

Nata afrohej fshehurazi me hapa të ngadalta. Muzgu veror ndodhte të shtrihej deri në amshim, para se ta lëshojë erën e freskët ta flladisë ballin e tij. Qëndronte ulur në pragun e shtëpisë, duke e mbajtur llullën e dëllinjtë në dorë dhe priste. E dinte se me errësirën e parë do të ndriçojnë shtatë xixëllonjat e rrugës, të cilat e ndiqnin rrugën e vetme e cila çonte drejt qendrës së fshatit. Njëra prej tyre do të vezullojë vazhdimisht si një fëmijë i përgjumur. Njëra do të shkel syrin kohë pas kohe dhe do të hamendet a të shuhet përfundimisht. Por, të tjerat, heroikisht do ta shpartallojnë errësirën.

Shtatë xixëllonja rruge. Dhe, vetëm një dritë shtëpie… Dhe, vetëm një shpirt i gjallë në atë shtëpi. Një ndriçim i begatshëm, mbretëror, për një njeri…

Me lëvizje të ngadalta filloi ta mbushë llullën. E shtypte duhanin aromatik dhe shushurimës, duke u përpjekur të blejë ndonjë minutë plotësuese, ta bëjë kohën të rrjedhë më shpejt. Pastaj, duke iu dridhur duart, e nxori shkrepsën nga xhepi i sipërm i këmishës, e cila dikur ishte e bardhë, ndërsa tani kishte një ngjyrë të përhimët të dyshimtë. Xixa shpërtheu nga maja e barotit, por ai e la fijen e shkrepsës të digjej derisa erdhi te gishtat e tij. Me gjysmë vetëdije e lëshoi kur filloi ta digjte. Në fytyrë e kishte të shkruar një ndjeshmëri të thellë, e cila ia zbuti vijat e thekura të rrudhave të ballit dhe butësisht ia lakoi skajet e gojës. Për shkak të kësaj ndjeshmërie, e cila gjithmonë shfaqej në çastet kur ishte thelluar në mendime, e quanin Filozofi. Në ato çaste e zbukuronte një aurë jashtëkohore e një njeriu i cili ia kishte dalë të hidhte shikimin në greminat e thella të dijes dhe nga ky shikim e kishte marrë vulën e urtësisë, por edhe të çmendurisë. Mbase, e quajnë Filozofi për shkak se fliste shumë, por kurrë s’kishte thënë ndonjë marrëzi.

Muajt e fundit vetëm heshtte. Jo për shkak se e kishte thënë atë që kishte për ta thënë. Jo për shkak se u shuan fjalët e tij. Nuk kishte më kujt t’i thoshte gjë. Ishte i dënuar me heshtje. I vetëm… Ai, fshati i shkretë, zogjtë joshtegtarë dhe shtatë xixëllonjat e rrugës…

Nxori edhe një fije shkrepëse nga kutia. E gërvishti për kutie dhe në hundë, në mënyrë të vrullshme, i hyri tymi i barotit. E urrente atë erë, qoftë edhe e këtillë, e shpërthyer në molekula të vogla, të cilat mezi i mbushin flegrat e hundës. E urrente sepse kujtimet nuk mund të shpërthenin në molekula. Ata qëndronin si një monolit graniti – një përmendore e përhimtë, e frikshme, e palëvizshme, në kokën e tij – dhe, dilnin pandërprerë. Me një erë djegëse tymi.

Këtë herë e ndezi llullën dhe e thithi thellë shtëllungën aromatike të përhimë. Nxori frymë dhe e drejtoi shikimin nga qielli, i cili hamendej mes kaltërsisë dhe errësirës së padepërtueshme. Kjo ishte koha kur ktheheshin fantazmat. Hijet. Përbindëshat.

Së pari erdhën aeroplanët vëzhgues. Fluturonin ulët dhe ngadalë. Regjistronin. Ishin të vegjël dhe me hundë të mprehta – si sqepa të zogjve grabitqarë. Pastaj erdhën bombarduesit. Ata ishin të mëdhenj dhe të rëndë, me barkun e zi, shtatzënë, përplot vdekje. E derdhnin atë vdekje pa kursyer. E kishin në sasi të skajshme – të hedhin shumë dhe përsëri t’u mbetet. Të kthehen nesër përsëri. Në fshatin i cili ishte i pafat të ndërtohet te trekëndëshi. Në atë kohë kur trekëndëshi nuk shënonte kufi mes tri shteteve… Pastaj erdhën këmbësorët.

Jo, më saktë, së pari erdhën kufijtë. Edhe pse ishin vetëm një vijë e kuqe e vizatuar, e tërhequr me një dorë të lirë, me një furçë të thjeshtë bojaxhiu me ngjyrë vaji, njerëzit i përjetonin si hendekë të thellë. Si diçka për të cilën, për ta kapërcyer, të duhet një përpjekje e tmerrshme, mbinjerëzore. Menjëherë pas kufijve erdhi dyshimi, pastaj zemërimi, pastaj urrejtja… Njerëzit në fillim shihnin njëri-tjetrin me mosbesim, pastaj filluan të polemizonin për gjëra të parëndësishme deri atëherë, pastaj pushuan së foluri njëri me tjetrin dhe filluan t’ia kthenin kokën njëri-tjetrit, të mos dëshironin të takonin shikimet. Dhe, pastaj i kryqëzuan shikimet. Ishin përplot gjak, tërbim dhe vdekje…

Thithi edhe një shtëllungë tymi nga llulla.  Era e hidhur i shkoi thellë në mushkëri, diku prapa zemrës.

Eh, po. Këmbësorët… I therën të gjithë të cilët nuk kishin ikur dhe vodhën gjithçka që s’kishin shkatërruar aeroplanët. Uniforma të ndryshme, por ndjenjë e njëjtë nën to. Nevojë e njëjtë. Të asgjësohet gjithçka që nuk është e njëjtë. Këtë gjë e bënë për një ditë, në të cilën, me një rastësi të habitshme, ai kishte shkuar për drunj në pyll. Për fat apo fatkeqësisht – ende s’kishte vendosur. Kur u kthye, e priste qetësia gjithëpërfshirëse. Dhe, një erë bakri e gjakut të derdhur… Si i çmendur vraponte nga dera në derë, duke kërkuar së paku një frymë të gjallë. Kot… Gjithandej e priste muri i heshtur i vdekjes…

Drejtoi kokën dhe shikoi dritën më të afërt të rrugës. Thua se edhe ajo ishte një dëshmitare e cila nuk di se si të ballafaqohet me atë që e pa.

I tërhoqi zvarrë deri te gropa të cilën e gërmoi gjatë asaj nate të mjerë. Gërmonte dhe qante. Tërë atë natë të mjerë. Pandërprerë. Ishin shumë jetë që duheshin qarë, ndërsa ai i vetëm, vetëm dy sy. Agimi e skuqi lindjen kur e hodhi lopatën e fundit me dhe, por vazhdonte të ketë lot. Plagën në shpirt ende e kishte të freskët, ende të përgjakur. Vrulli i ri nga sytë e tij nisi në çastin kur gjithçka filloi të zgjohet. Lopët pëllitnin, qengjit blegërinin, pulat kakarisnin, gjelat këndonin… gjithçka, përveç njerëzve. Dhe, derisa i hapte stallat dhe kotecet, për t’i lëshuar kafshët për herë të fundit, qante. Ky sikur ishte akti i çnjerëzimit të njerëzimit.

E shkundi llullën përtokë dhe i thelluar në mendime shikonte se si shuheshin gacat e përhapura. Ngadalë u drejtua dhe hyri në garazhin e vogël. E ngriti pllakën gëlqerore gjysmë të gdhendur dhe e ledhatoi me gishtat e plasaritur. Pastaj, e mbështeti në gjunjë, e mori daltën dhe me një durim të një shenjtori, filloi ta rrafshojë dhe ta gdhend. Prapa shpinës së tij, të drejtuara pranë murit qëndronin edhe tetë pllaka të tilla. Dalta nën gishtat e tij i qëndiste germat: Kristofer, Damjan, Mustafa

I mbetën edhe disa. Kjo ishte përkulja e tij e fundit përballë gropës. Homazhi i tij i fundit përpara viktimave të cilat e përjetësonin amshimin e tyre në të. Së bashku. Dhe, ai s’kishte ndërmend të pushonte derisa të gjendeshin të gjithë emrat në pllaka. Petar, Sanela, Shime…

Jashtë, një nga një, filluan të ndizen dritat e rrugës. Drita e ëmbël e verdhë e forcoi shkretimin e sokakut.

Gishtat vazhdonin misionin e dhimbshëm. I bashkonin të gjithë në vdekjen e tyre drithëruese dhe absurde. Të jenë së bashku, siç kanë qenë gjithmonë. Para se t’i veshin uniformat. Foshnjat Sara, Ana, Mirsadi…

Këtë ua kishte borxh.

Më në fund u ndez edhe drita e vetme në shtëpinë e vetme të gjallë në fshat. Gropa e heshtur i priste pllakat të cilat përsëri do t’i bashkonin banorët e saj…

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

  Gordana Stojanoska

Gordana Stojanoska lindi më 14.05.1969 në Manastir. Është doktore e shkencave sociologjike dhe punon si profesoreshë e asocuar në Fakultetin Pedagogjik, Universiteti „Sh. Kliment Ohridski“ – Manastir. Është autore e librave me poezi: "Fjalë për fjalë", si bashkautore me Zllatko Zhoglevin dhe Daniela Andonovska-Trajkovskën, dhe "Poema mbi margjinat", si bashkautore me Daniela Andonovska-Trajkovskën. Është fituese e çmimeve Nosside XXVII, 2011, Itali, dhe Vlladimir Kostov 2014 dhe është laureate e çmimit Grigor Përliçev, për poemë më të mirë për vitin 2017, Qendra e Kulturës „Grigor Përliçev“ – Ohër.
Kontakti: gorde969@hotmail.com

 

 

ažurirano: 04/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.