Marjeta Gjoka

 

Portat pas luftës, janë portat që tregojnë më ashpër ferrin ku as nuk hyhet nëpërmjet tyre dhe as nuk dilet. Aty në pragun e tyre qëndrojnë të vrarët dhe që përshkohën nga hija e të vdekurve të gjallë që i qajnë pa zë.

 Trishtimi është i thellë, shpresa e vakët dhe e ardhmja e largët.

Nuk duhet thënë se në luftë ka të drejtë, sepse ajo që kryen drejtësinë e menduar, është fatale për jetën dhe prodhon vetëm skëterrë dhe viktima.

 Lufta është e padrejtë për njerëzit e lirë dhe e merituar për njerëzit zemërngurtë…lëndimet ata i bëjnë me të njerëzishëm dhe meditojnë më shumë.

 

Këto janë disa nga fjalët që pati shkruar mikja ime Matilda.

Zemra m’u drodh duke qenë se ajo ishte shumë e re edhe fjalët e saj peshonin rëndë, dhimbje.

Sytë Matilda i ka tepër të shndritshëm dhe ka ditur që nëpërmjet tyre të tregojë rrezatimet e shpirtit të saj artistik, por gojën e rrumbullakët e mbante të kyçur, si të ishte e drunjtë.

Më është dashur disa herë ta pyes edhe ta mbaj ngushtë, afër lëkurës dhe zemrës sime që ajo të ndjejë ngrohtësinë njerëzore, sepse besimi i qe vyshkur ashtu si ndjenjat e saj.

Asaj nga lufta nuk i mbeti më asgjë për të marrë me vete. Kosova qe shndërruar në një gërmadhë njerëzish me fytyrë kthyer nga dielli dhe varrimi ishte ceremonia e vetme që mbushte orët e njerëzve.

Koha pas luftës, e than shpirtin njerëzor dhe nuk njomet më as nga lotët.

Matilda kishte humbur dy motrat dhe prindërit e vet…ishte e rreckosur dhe me flokët e zinj ngjante si shpend në atë cepin e dhomës, qëndronte pa fjalë. Larat e zjarrit i ndriçonin sytë e saj të bukur si dhe i ngrohnin disi gjunjët e lënduar.

Kaluan disa ditë dhe Matilda ishte bërë tashmë pjesë e jetës sonë, e jetës sime dhe çdo minutë që kaloja në praninë e saj më jepte më shumë dije, gëzim për jetën dhe forcë. Ajo për mua ishte si simbol i qëndresës ndaj dhimbjes. Çdo darkë bija në gjumë me mendimin se si do t’ia bëja që ajo të hapej më shumë me mua. Fakti që ajo ishte shumë më e re se unë do e çlironte disi dhe do të kërkonte një mbështetje shpirtërore më të thellë.

Kaluan dy javë dhe ajo vazhdonte të ishte pjesë e imja, e familjes sime.

Një pasdite kur u ktheva nga puna e pashë atë pranë një qershie që ne e kishim në oborr, flokët ia merrte era dhe sytë i mbante të mbyllur. lotët i rridhnin mbi faqe dhe gjoksin e drejtonte nga qielli, nga Përendia. Mesa duket ajo u çlirua vetëm nëpërmjet Zotit dhe jo nëpërmjet meje dhe për këtë u ndjeva disi xheloz.

Për mua qe e rëndësishme paqja e saj.

I afrohem dhe e përshëndes.

I them: „Matilda, nuk kam arritur të të them më parë, por dua të shpreh gëzimin tim që ti je bërë pjesë e familjes sime dhe dije që ne të duam shumë dhe të premtoj që unë do të gjendem gjithnjë pranë teje në çdo gjë.

Por unë kam nevojë të di më shumë gjëra për ty, rreth brengave që ke, ndjenjave dhe lotët e tu dua t’i shoh, madje t’i fshij.

Ti mund të flasësh me mua sepse unë jam këtu për ty.“

Kaq fjalë mjaftuan dhe Matilda shpërtheu në të qara dhe më përqafoi me shtrëngim.

„Unë e humbur jam“, më tha, „por që këto ditë më kujtohet një mik me lëkurë armiku.

Ai është një shok imi, që quhet Aleksandër. Ndoshta ai është i vetmi që mbaj në kujtime këto kohë.

Besoj që nga emri e kupton që ai është serb, por ishte fqinji dhe shoku im më i mirë. Shpirti im u rrit nëpërmjet shpirtit të tij, ai më ka dhënë një botëkuptim të madh, frymëzim për jetën dhe bashkë me të kishim shumë plane.

Ai është një pasionant i çmendur pas filmit dhe fotografisë dhe unë qeshë aktorja dhe modelja e tij.

Me një kamerë të vogël kemi regjistruar shumë video, arratisje gjatë natës, kemi filmuar përendime dielli, agime, shëtitje me biçikletë.

Ai kishte një këndvështrim të veçantë të gjërave…çdo gjë e bënte më të bukur.

Unë me atë dëshmojmë një paqe të përjetshme, sepse ne kishim dashuri të madhe për njëri tjetrin.

Në një dashuri të tillë duhet të jetojë njerëzimi dhe nuk i duhet anjë kufi të vendosë ose të kapërcejë për jetën.

Por mos u çudit kur të them që në fillim nuk qe kështu.

Familja ime më largoi nga ai, kur ata u vendosën pranë nesh. Ata ma ndaluan që unë ti shihja edhe me sy madje… për t’u folur jo se jo.

Unë nuk e kuptoja dot veten se si më kishte kapur një antipati për familjen e tij kur as që i njihja dhe kjo qe absurde.

Një ditë teksa po kthehesha nga shkolla, diku nga mesi i vitit të dytë të gjimnazit, pata një debat me njërën nga shoqet e mia. Dalina quhet. Aleksandri ishte disa metra përpara nesh dhe po ecte ngadalë. Kur ne u afruam paralel me të, Dalina më shtyu drejt tij duke më thënë që unë do të martohesha me një tip si ai, një ngordhalaq serb.

O Zot, mendime të tilla prapanike e varfërojnë njeriun më shumë se jetesa në kasollë kashte.

Ajo përplasje me Aleksandrin qe fillimi i miqësisë sime me të.

Fillimi i një bote të re për mua, që burimin e pati te ai. Kur u rrëzova mbi të ai më ngriti duke më buzëqeshur…sytë i shndrisnin si yje të vegjël dhe unë u mallëngjeva.

Ndoshta qe dashuri me shikim të parë, apo qe entuziazmi i fillimit të një kapitulli të ri në jetën time, nuk e di.

Ilir, unë mendoj vetëm për të.

Ai është familja ime, stoli i këmbëve të mia dhe më ka marrë malli për të.

Unë e di se me këtë dhimbje që kam vetëm ai mund të ma japë një shpresë.

Në fakt dua ta kem përballë si një serb që është dhe dua ta urrej, ta godas, pastaj ta puth, ta fal për krimet e pakryera dhe të qaj mbi supet e tij.

Ai do të më zgjasë dorën si atë ditën e parë, por ndoshta shkëlqimi do t’i këtë ikur nga sytë.

Kjo dhimbje që ka pjellë në tokën time, ka infektuar, prekur shpirtin e gjithësecilit. Na është mohuar liria jonë, na është vjedhur paqja dhe harmonia.

Jetojmë me frikë, më shumë ndaj njeriut dhe jo aq shumë ndaj vdekjes.

Ilir, të lutem më ndihmo ta gjej.

Ai është një artist, piktor, muzikant, poet dhe pasionat i jetës.

Është shumë lehtë të gjendet. Dikush do të këtë dëgjuar për të.“

 

Pasi më tha këto fjalë unë u këputa nga gjunjët dhe hyra në dhomën time.

Nuk u ndjeva keq për faktin që ishte e sigurtë që ajo dashuronte një tjetër dhe unë nuk kisha thuajse asnjë mundësi që t’i bija në sy, por më dhembi shumë shpirti kur pashë nevojën e saj për të gjetur një copë nga jeta sa për të gjetur identitetin e humbur, sepse pikërisht kjo qe humbja saj e dytë më e madhe.

Nuk kishte me asnjë të familjes dhe bashkë me ta kishte humbur edhe indentiteti i saj.

Ajo ishte thjeshtë Matilda me flokë të zinj dhe që kalonte ditët pa dëshirë në shtëpinë e një vëllai shqiptar.

Mendja dhe shpirti i saj, kushedi ku bridhnin në imagjinatë me Aleksandrin e saj artist.

U bëra xheloz dhe doja ta mbaja Matilden vetëm për veten time, por sa më shumë e shihja, më shumë e kuptoja që ajo ishte e dikujt tjetër.

Më kujtohet si sot, kur një darkë të bukur derisa frynte një erë e lehtë, Matilda trokiti në dhomën time.

Ajo u fut brenda dhe menjëherë u ul në karrigen e shkrivanisë sime dhe më pyeti për ca letra të shkruara që unë kisha bërë.

Me pyeti a mos ishin ndonjë reportazh që do ta botoja në gazeten Dita, si një reporter i largët.

A mos kisha bërë një shkrim mbi plagët e luftës serbo-kosovare?

Ajo nisi edhe qau, me lot që i rridhnin si krua kristal.

„Me mungon familja ime, shtëpia ime, muret, biçikleta, videot me Aleksandrin dhe kordelet e kuqe të shoqeve të mia.

Më ka marrë malli për aromën e jetës, lirinë e fjalëve, bardhësinë e lëkurës dhe shkëlqimin e syve të Aleksandrit.

E di, Ilir ? Unë dhe ai kishim një plan fantastik.

Do të bënim një projekt me video rreth jetesës sonë, rrugëtimeve dhe bisedave tona të thjeshta.

Ne në atë projekt nuk ishim as serbë dhe as kosovarë, por dy të huaj shumë të afërt.

Ai një artist dhe unë frymëzimi i tij.“

 

Në atë moment u mblodha, trupi m’u rrënqeth.

Ajo ishte një mjeshtre e fjalëve të bukura dhe ndjeva një fitore të brendshme dhe u ngazëlleva.

Pikërisht ajo qe Matilda tha, u bë plani im i punës.

Vendosa që ta tregoja jetën e saj, atë të Aleksandrit në gazetën time me shpresën që ky artikull të mund të përkthehej edhe në gjuhe të huaja dhe mesazhi i këtyre dy të rinjëve të depërtonte edhe jashtë „kufijve të gjakut“.

Ajo u ngrit nga shkrivania dhe u largua pa marrë asnjë përgjigje.

Unë atë natë shkrova gjithçka që ajo më kishte thënë, dhe mendova që të nesërmen do ta zgjeroja shkrimin më shumë duke folur me Matildën.

Ende pa rënë ende rrezet e para të diellit, nëna ime trokiti në derë nja tri herë.

M’u duk nëna tepër e trembur dhe mendja ime vallëzoi nëpër frika.

E pyeta se ç’kishte ngjarë dhe ajo më tha që Matilda nuk ishte në dhomë.

„Mesa duket “, tha nëna, „ajo do jetë larguar.“

Mua në ato çaste m’u plogështua shpirti dhe desha t’ia mbathja edhe unë.

U mërzita dhe i thashë nënës: „Kushedi ndoshta është larguar përpak, por ajo do të kthehet.“

Pamja në sytë e nënës që e keqe, sikur ajo i kishte dhënë lamtumirën.

Ndoshta edhe nëna ime si unë, kishte menduar që ajo ishte vajza e duhur për mua.

Por ikja e saj, dëshmoi që unë do e burgosja më shumë shpirtin e saj të lirë dhe të freskët si njeri kur të prekë në shëtitje me biçikleta.

Shkova në dhomën e saj, pashë përreth me shpresën se mos kishte lënë ndonjë shënim për mua. Ngrita lart dyshekun e saj, me pas çarçafët, por letra ra nga nënkresa e saj.

Shkruante „për Ilirin“ dhe zemra m’u çlirua… te paktën kishte menduar pak për mua.

Pa e lexuar letren, erdhi në oborr një femijë i fqinjit tim dhe më tha që Matildën e kishin parë të ecte vetëm rrugës drejt pyllit.

Në atë moment pata shumë frikë, sepse e kuptova që ajo nuk do të kthehej më kurrë.

Matilda ishte arratisur dhe që nga ai agim nuk u pa më. Ne e kërkuam atë shumë gjatë, por asgjë nuk qe në favorin tonë.

Ajo me la veç gjurmët e saj dhe letrën.

U mendova disa herë që ta botoja disi historinë e jetës së saj, por nuk qe e mundur.

Nuk pata asnjëherë guxim ta bëja sepse dashuria ime për të kishte vdekur bashkë me ikjen e saj dhe për mua ishte një plagë që nuk do të shërohej kurrë përveçse me praninë e saj.

Letrën e saj unë e ruaj si një thesar të çmuar sepse ajo kështu ishte, një gur i çmuar, një dritë që ndriçonte mirësi.

Kaloi shumë kohë e gjatë dhe kisha gjithnjë një dëshirë që më shoqëronte.

Kam një kuriozitet të madh të njoh atë Aleksandrin e madh të jetës se saj, kështu do të di ndonjë gjë më shumë.

Të kuptoj më shumë rreth pasionit që ajo kishte dhe ngaqë gjithnjë më thoshte se ai ishte pikërisht burimi i energjisë.

Unë si gazetar që jam kam plot kolegë e miq të njohur që mund të me ndihmojnë për këtë, por kam frikë se do të me thonë që po merrem me një fantazmë të së shkuarës dhe për këtë jam ndalur.

(Tërë kjo ishte një bisedë me një mik timin të fëmijërisë që jetën e kalon në rrugëtime të shpeshta Tiranë-Paris).

Ai më tha që ndoshta po ta kisha botuar historinë, kushedi dikush do të më kishte ndihmuar me ndonjë informacion rreth Matildës…ndoshta e kisha gjetur atë.

Jam penduar në fakt që nuk e gjeta atëherë guximin që ta shkruaja biografinë e saj.

Një ditë prej ditësh mora një telefonatë të çuditshme nga miku im i Parisit ku më njoftoi që së shpejti në muzeun e Artit Modern në Paris do të mbahej një ekspozitë e një artisti serb me emrin Aleksandër.

Disi me shqiptoi edhe mbiemrin por nuk ia mbajta mend.

Menjëherë mendova se mos ishte Aleksandri i Matildës dhe kjo ishte një shenjë e fatit për mua.

Me tha që ekspozita do të hapej të marten në orën 11 të paradites.

Ndjeva të më përshkonte një ndjesi e ftohtë.

Ndoshta ky ishte fillimi i një historie tjetër në jetën time dhe takimi me Aleksandrin do të ngjallte të unë edhe njëherë admirimi për Matildën.

M’u deshën pak orë që të bëhesha gati, preva biletën për në Paris, por e pata të vështirë që të bindja shefin tim të punës që të merrja leje.

Por thjesht i thashë: unë do të kthehem me një histori të mrekullueshme dhe ky artikull do jetë një magjepsje e vërtetë e lexuesve.

Atë të hënë u zgjova shumë herët, a thua me kishin kapur ethet, dridhesha, putha gruan time dhe e mora çantën e vogël me rroba.

Sigurisht edhe laptopin tim besnik dhe u nisa.

Pasi avioni u nis, fillova të shqetësohesha.

Po sikur ai artist të mos ishte Aleksandri?

Si do t’ia bëja ?

Kush do të me ndihmonte në këtë histori ?

Aty e kuptova që unë marrosjen e kam në gjak, sepse gjithmonë pasi entuziazmohem shumë, mendoj për shqetësimet reale pasi kam vepruar.

Ndërkohë gjatë gjithë atyre orëve udhëtim në ajër shqetësohesha për gjithçka.

Unë do ta takoja Aleksandrin me doemos, por gjithnjë kisha ankthin nëse ai do të pranonte të fliste për Matilden, ndoshta nuk do të donte të hapte kujtime të tilla.

Kaluan orë duke rrok mendimet dhe më në fund zbrita në Sharl de Gol.

Ne pritje kishte ardhur miku im gjysmë parisien tashmë me një buzëqeshje të madhe.

Unë mbeta disi si i shtangur dhe dersia po afroheshim i thashë: „Nuk e di nëse kam bërë mirë?“

S’ka gje më tha, gjithsesi këtu do të të shoqëroj unë dhe do t’i mësosh disa vese tipike franceze, por s’do t’i përvetësosh.

Duke qeshur me tha: „Sa keq që je martuar!“

Unë në fakt doja të mësoja më shumë rreth ekspozitës së Aleksandrit artist dhe nuk po me rrihej vendi vendit, askund.

Me kishte kapluar një ankth i vërtetë dhe në çdo çast doja t’i jepja fund.

Shoku im me çoi me makinën e tij deri në shtëpi, me futi brenda dhe më rehatoi.

„Së pari do të bësh dush, do të qetësohesh pastaj do të flasim“, më tha.

Sa nisa ta kundërshtoja, ai me pa me një sy qortues si të ishte gruaja ime dhe qesha.

Një dush i ngrohtë dhe një çaj do të me bënte mirë mendova me veten dhe kështu bëra.

Kur dola në sallon, miku kishte shënuar në një letër të vogël ku më lajmëronte se kishte shkuar të merrte disa birra.

Një shqiptari nuk i bëhet muhabet pa birrë.

Direkt hapa laptopin tim duke lexuar disa shënime kështu koha do të me kalonte më shpejt.

Trokiti dera dhe ai hyri në shtëpi dhe në dorë mbante një qese me birra dhe me gatime të gatshme.

Shtruam tavolinën si dy miq të vjetër. Nganjëherë ai nuk me dukej ai që unë e njihja, por më ngjante me një francez për nga sjellja e tij, i përgatitur deri në detaje.

Por ky mendim u përmbys kur fill pasi u rehatuam filluam të flisnim si dy njerëz të përmalluar për të shkuarën e përbashkët.

Mua me kishte kapur një ankth për të… për takimin me Aleksandrin dhe për brengat e mia të lidhura me Matildën.

Ndërsa shoku im dukej mjaft i qetë dhe mori atë natyrën e dehur me sytë e picërruar nga malli dhe mbështeste kokën në dorën e tij të majtë.

 

„Ekspozita e atij artistit do të zhvillohej në muzeun modern të arteve“, këtu në Paris-me tha.

Unë duke qenë se kam shkuar shumë pak herë edhe nuk mbaj mend as nga ku hyhet e ku dilet në Paris, kërkova nga miku im që të më ndihmonte edhe këtë herë.

Do të më shoqëronte ai në ekspozitë edhe që do të ishte afër meje në zhgënjimin tim të radhës.

U ulem të flinim. Unë i kërkova të flija aty në divanin e sallonit sepse shihej jashtë dukshëm qielli i pastër bashkë me hënën dhe duke qenë se me kishin zënë ethet do të qetësohesha disi me pamjen.

Andej nga ora 3 e mëngjesit me doli gjumi përsëri pas një ëndrre të çuditshme me gruan time dhe pas kësaj me zuri meraku për të.

Nuk është mirë të nisesh aventura vetëm dhe bashkëshorten ta lësh në shtëpi sepse do të të brejë shqetësimi gjithë kohës.

Nga lodhja kisha fjetur përsëri. Dëgjoj një zë të largët që më thoshte që isha bërë disi vonë.

U ngrita me të shpejtë dhe me erdhi ndërmend ekspozita e Aleksandrit.

U bëra gati menjëherë edhe u nisëm për te muzeu.

Me përpara miku me ftoi për një kafe në Avenue du Président Wilson dhe ishte kafeja me e mirë që kisha pirë kohët e fundit sepse me qetësoi disi.

Pastaj një copë rrugë e bëmë në këmbë tamam si ata dashamirësit e artit që bëjnë edhe kilometra për të parë një shfaqje apo një koncert.

Kur ngjitem shkallët e muzeut u shpërqendrova disi nga disa gra të bukura me flokë të verdhë gjer në shpatulla. Ishin mbledhur së bashku edhe gëzoheshin me njëra-tjetrën.

Dukeshin që larg ato sllave të bukura… dhe m’u kujtua Matilda ime, por flokët e saj ishin sterrë e zezë.

Me kishte marrë malli për të. Hymë brenda muzeut dhe e ndjeva praninë e Matildes për një çast.

Ndjeva sikur më buzëqeshi…por për çudi diku në mur atje larg pashë foton e një vajze të bukur mbi biçiklete. Flokët ia merrte era dhe ia kishin mbuluar fytyrën.

U afrova menjëherë, por nuk e dalloja dot nëse ishte Matilda apo jo.

Ekspozita ishte e gjitha me foto dhe piktura bardhë e zi, ku shfaqeshin pjesë të ndryshme të trupit dhe të fytyrës, ku ajo çka donin të dëshmonin ishte shpresa.

Fotot ishin të një vajze, e kthyer me shpinë dhe që ecte nëpër rrugica të ndryshme.

Ajo kishte flokë të zinj të dendur dhe trupin e kishte të hollë dhe të drejtë.

Që ajo ishte Matilda nuk kisha më asnjë dyshim, pasi në një pikturë njoha sytë e saj të mëdhenj.

Ajo ishte Matida jonë, e imja dhe më shumë e tij.

Ai kishte nxjerrë edhe foto të cilat i kishin realizuar në rininë e tyre së bashku.

Diku diku dukej edhe dora e tij, që i kapte gishtërinjtë.

U ndjeva xheloz nga kjo histori e bukur dhe doja të isha unë protagonist i saj dhe jo Aleksandri.

Zemra m’u drodh disa herë, kur mendoja sytë e saj të mëdhenj që nuk arrita t’i puthja dot asnjëherë.

Ky takim me të kaluarën, me gjurmët e saj me hapi një brengë të pashërueshme.

Me sa duket Matilden e kam dashuruar gjithmonë dhe mungesa e saj i kishte hedhur një mbulesë harrese dashurie e cila në atë ekspozitë u shfaq edhe njëherë si ateherë.

Por me lëndonte sepse nuk u gëzova dot kurrë me të dhe me kishte zënë një mall i pashueshëm.

Kaloi një gjysëm ore duke parë Matilden nëpër foto dhe piktura dhe më në fund erdhi momenti i duhur për të takuar Aleksandrin.

Artistin që u kishte dhënë formë ndjenjave dhe botës se Matildës si edhe i dha etje më shumë mallit tim të hershëm.

Ai bisedonte me disa artistë të tjerë kolegë.

Dukeshin që ishin të tillë sepse veshjen dhe flokët i kishin thuajse të ngjashëm, ishin të veshur me ngjyra si edhe flokët i mbanin të gjatë.

Pyes një grua aty se cili nga ata ishte Aleksandri, autori i ekspozitës dhe ajo me bëri me shenjë nga ai.

Po pikërisht siç e mendova edhe unë, Aleksandri ishte ai me i gjati, që duart i mbante gjithnjë pas shpine.

Ishte një tipik serb, i gjatë, i bardhë në fytyrë dhe flokët e verdhë i kishte të hedhur lart.

Afrohem drejt tij dhe ai me hodhi një vështrim a thua më njihte, i përshëndeta të gjithë me atë anglishten time me theks britanik (më është dashur shumë kohë që ta përvetësoj disi).

Aleksandri m’u drejtua dhe më pyeti: „Të pëlqeu ekspozita?“

Unë në fakt mbeta disi i shtangur, mendova mos ai më njihte.

„Mjaft interesante“ i thashë.

„Vajza ka sytë me të bukur që kam parë ndonjëherë edhe e ndjeva disi edhe unë dhimbjen dhe shpresën e saj.“

Ai qeshi edhe tha të njëjtën gjë edhe ai.

„Edhe për mua janë sytë me të bukur që pata parë ndonjëherë.“

Me sa duket dashuria për Matildën na afroi e na bëri miq menjëherë.

Duke biseduar u larguam disi në qoshen e sallës dhe unë iu prezantova atij.

„Aleksandër ajo që me ka sjellë mua këtu sot është Matilda, vajza që të ka frymëzuar ty për ekspozitën tënde.“

Ai u skuq disi në fytyrë, kushedi se si ndihej në ato momente, kushedi se çfare i erdhi ndërmend.

„Po pikërisht Matilda“, i them. „Atë e njoha pas luftës sepse pas eksodit ajo u mirëprit në familjen time duke qenë se nuk i kishte mbetur më asgjë dhe askush ku të shkonte.“

Aleksandri me pyeti: „Matilden time? Kosovaren time?“

Sytë iu mbushën me lot dhe kuptova që ai ishte një burrë i ndjeshëm.

„Unë e kam mbajtur në shtëpinë time dy javë dhe me hyri shpejt në zemër.

Fjalët e saj të veçanta me tregonin për botën e madhe që kishte dhe që kombinoheshin aq bukur me pamjen e saj. Ajo kishte një nur të veçantë kur fliste, por me mua foli aq rrallë.

Unë ateherë isha një gazetar i thjeshtë në Shqipëri dhe raportoja rreth ngjarjeve të zonës së veriut dhe doja që të bëja një biografi për jetën e saj.

Ai me ftoi që këtë bisedë të rëndësishme ta bënim në një kafe të njohur të zonës ku të kishim qetësine e duhur për biseda të tilla.“

Aleksandri ishte ai artisti tipik që merr në qafe zemrën e cilësdo vajze sepse kishte një prezence të fortë edhe një ëmbëlsi në të folur.

Disi po me zbulohej arsyeja se pse Matilda e donte aq shumë Aleksandrin.

Ai u nda nga të njohurit e vet dhe me ftoi që të dilnim jashtë.

Gjithashtu u përshëndeta edhe unë me mikun tim, duke i pohuar se si ishte Aleksandri.

Ne shkuam një një kafene aty afër muzeut.

Kamarieri erdhi menjëherë dhe e mirëpriti Aleksandrin duke e uruar edhe për ekspozitën.

Njerëzit aty e vështronin më shumë dashuri, aty e kuptova se ai ishte shumë i njohur dhe i dashur për ta.

U ulëm të qetë në tavolinë dhe na mbizotëroi një qetësi për pak çaste.

Me sa dukej të dy ngurronim që ta nisnim bisedën i pari.

Meqë unë nuk jam artist, nxitoj më shumë për të kapur kohën edhe i them:

„Pra, ju jeni Aleksandri i famshëm i Matildës dhe ai më konfirmoi duke tundur kokën.

„Unë me atë jam rritur edhe e keqja na ndau“, më tha.

„Ajo siç e pe edhe në ekspozitë, ka qenë dhe vazhdon të jetë frymëzimi im më i madh i jetës.

Mbi të gjitha për dashurinë që patëm për njëri-tjetrin.

Ateherë kur të gjithe ishin kundër nesh sepse unë isha një ortodoks serb ndërsa ajo një vajzë myslimane e Kosovës.

Nuk e di a të pati thënë Matilda, por familjet tona urreheshin pa asnjë shkak, ndoshta për arsye të ndryshimeve.

Ndoshta sepse ndryshimet na afruan mua dhe Matilden më shumë dhe na bënë të binim në dashuri me njëri-tjetrin.

Ata ishin fqinj, por nuk hynë asnjëherë në shtëpinë e njëri-tjetrit, ngaqë mbanin në supe inate të vjetra dhe nuk pajtoheshin me dashurinë dhe miqesine tonë si dy të rinj.

Lufta pastaj mori çdo gjë, inatin, mospajtimin, shtëpinë, lagjen, dashuritë dhe inatet u dogjën, humbën, humbem dhe unë humba atë.

Te shtrenjtën time.“

„Po Aleksandër. Matilda me ka folur për ty dhe tashmë e kuptoj fare mirë shkëlqimin e syve që kishte kur fliste për ty sepse është i ngjashëm me këtë tëndin tani.

Ajo të adhuronte dhe me gjithë trishtimin për humbjet e mëdha të kërkonte sepse ti i kujtoje se kush ajo ishte.

E ke takuar me atë? Di se çfare ndodhi me të?

Sepse unë pavarësisht se e kërkova ca kohë, nuk mora asnjë informacion.

Disa më thanë që ishte kthyer në Kosovë.

Di ndonjë gjë për këtë?“

„Jo, Ilir“, më tha. „Për fat të keq u bë kohë që nuk mora më asnjë lajm për të.

Ne u takuam me vonë sepse të dy rastësisht u patëm kthyer në vendlindje që të merrnin nga rrënojat atë çfarë ishte e jona dhe që të takoheshim me njerëzit tanë.

U takova me Matilden dhe u çmalla me të për pak sepse mua me duhej të largohesha, ngaqë të afërmit e mi ishin larguar dhe kishin ardhur këtu në Francë dhe që këmbëngulnin që unë të rifilloja jetën këtu.

Disa herë e luta Matildën që të vinte me mua, por qe e kotë.

Me tha që ajo do të më kërkonte vetë një ditë, pasi të ishte shuar në zemrën e saj zjarri i inatit.

Unë u largova, shkova disa herë në Kosove për ta takuar, sepse unë kisha filluar diçka me Matilden që s’mundej kurrsesi të lihej përgjysmë sepse shpirti im ishte i lidhur ngushtë me shpirtin e saj.

Unë e vazhdova jetën time, artin tim ndërsa ëndrrat që kisha me të i lashë përgjysmë.

Nuk pata me dëshirë t’i vazhdoja. Ajo jetoi për ca kohë në Zvicer, tani vonë kam dëgjuar që jeton këtu në Francë në një provincë të largët.

Në fakt prandaj e kam bërë këtë ekspozitë, me shpresën që ajo do të vijë dhe do të takohesha me të.

Por erdhe ti, një tjetër dëshmitar që dëshmon për aftësine e lindur të Matildës për të magjepsur njerëzit me shpirtin dhe fjalët e saj.

Ajo me mungon shumë, por nuk e di pse është larguar nga unë, nuk e di se përse ka futur mes meje dhe asaj një hendek të ftohtë plot me inat.

Unë e di që asaj nuk i mbeti më askush, por unë e doja mbi gjithçka.

Unë ika, por ajo me la vetëm dhe njëlloj vazhdoj të mendoj edhe sot.

Ne fakt kjo histori e bukur ka plot veçanti.

Pas asaj me duket se me ka humbur aftësia për të dashuruar.

Do të më falësh Ilir, që unë po flas aq hapur për ndjenjat e mia për të, por nuk do ta bëja kurrsesi nëse ti nuk do e njihje sadopak atë.

Asnjë mashkull nuk do të shkonte pas aq shumë kohësh, në kërkim të një vajze, nëse nuk eka dashur atë, pra Ilir edhe ti e ke dashuruar atë.“

Qesha në fakt sepse kjo ishte një pyetje që ia kisha bërë vetes disa herë.

Unë në fakt e doja Matildën, por nuk e kisha humbur aftësinë e të dashuruarit, sepse unë e dashuroj gruan time, por edhe Matildën gjithashtu sepse më ka magjepsur për përgjithmonë.

Ky takim aq i rastesishëm mes dy burrave që dashurojnë të njëjten grua qe i bukur, por që asnjeri nuk e ka të veten sepse ajo është e tillë.

Si ajri që të japë jetë, por nuk e zë dot në grusht… ndërfutet nëpër gishtërinj.

„Aleksandër, kur Matilda iku nga shtëpia ime me pati lënë një letër të veçantë ku me drejtohej mua.

Por, po atë ditë unë gjeta një ditar të filluar gjatë ditëve të para të luftës, ku ajo shpalos të gjitha mendimet e veta më të thella, frikat dhe dëshirat. Në të, ty të përmend disa herë.

Prandaj mendoj që duhet të ta dorëzoj.

Gjithsesi po të lajmeroj që unë kur të kthehem do të botoj biografinë e jetës se saj dhe je i ftuar ta lexosh. Do të ta dërgoj përmes postës elektronike.

Gjithashtu je i mirëpritur të vish në shtëpine time sa herë të duash të vish në Shqipëri.

Po të dorëzoj ditarin e saj sepse mendoj që meriton ta mbash ti.

Kushedi ndoshta do të duhet t’ia dorëzosh Matildes një ditë.

Unë në fakt erdha që të plotësoja historinë time, por nuk e fsheh faktin që doja të dija më shumë për të.“

Ditarin ia lashë mbi tavolinë dhe teksa po largohesha nga kafeneja e shoh atë që kishte hapur menjëherë ditarin e saj.
Unë u largova nga ai me një mbresë të veçantë për të.

Kjo histori na bëri miq të mirë.

Ditari ishte një shkrim shumë i bukur plot me ndjenja herë të trishtuara herë shpresëplota, herë të gëzueshme kur përmendej Aleksandri.

Edhe në fillim të tij shkruante : unë dhe artisti im jemi dëshmitar të një pajtimi pas një lufte të egër.

Unë dhe ai jemi simbol i një dashurie dhe paqeje mes njerëzve të ndryshëm por që gjuha e ndjenjave na ka bërë të ngjashëm.

Unë me atë flasim gjuhën e puthjeve dhe sa shumë na shijojnë kur jemi disi të inatosur dhe e prishim gojën me fjalë të këqija secili në gjuhën e vet, duke harruar fare që ne e njohim atë gjuhë, sepse përveç të dashur jemi edhe fqinj.

Pastaj në faqen e dytë shkruante:

Sot është ditë e martë dhe ndjej një mërzitje të madhe, pasi po dëgjoj gjëmime dhe ndjej frikë.
Jam e shtrirë në shtratin tim dhe nuk më merr gjumi sepse mendoj për të se çka mund të ndodhë dhe përveç frikës së natyrshme në këto situata.

 Ndjej të kem frikë edhe për të ardhmen time, për familjen si dhe për regjisorin tim ende jo të famshëm.

…sot është e merkurë dhe po ndjehe më keq se dje. U tremba rrugës teksa po vija në shtëpi dhe kam lënduar të dy gjunjët. Nuk mund të ec mirë sepse kam dhembje.

Kjo dreq kohë e zymtë më mori energjinë dhe fillova t’i ngjaj kësaj natyre.

Nuk kam asgjë për të bërë sepse me kanë thënë të mos dal më nga shtëpia.

Ndjej të më shtohet gjithnjë më shumë frika dhe malli për të dashurin tim.

Sikur ta shihja sonte vetëm për pak sa të më japte një puthje të pastër që të mos e mbaj më mendjen te lajmërimet e ditës dhe gjëmimet.

…sot është e enjte dhe ende nuk u jap zgjidhje ndjenjave të mia.

Kam frikë për të ardhmen, kam frikë se këto ditë diçka do të ndodhë dhe nuk do të kem më asgjë për të dashur edhe për të urryer.

…e premte

U bë kohë pa e parë Aleksandrin. Nuk e di se çfare është bërë me të. Po më merr malli gjithnjë e më shumë për të dhe nuk di si t’ia bëj. Kë të pyes sepse rrugët janë boshatisur dhe unë kam mbetur në katin e dytë të shtëpise duke parë gjithçka nga larg.

Aleksandër, unë të dua dhe ndjej të më mungosh shumë.

…Portat pas luftës, janë portat që tregojnë me ashpër ferrin ku as nuk hyhet nëpërmjet tyre dhe as nuk dilet. Aty në pragun e tyre qëndrojnë të vrarët dhe që përshkohën nga hija e të vdekurve të gjallë që i qajnë pa zë.

Trishtimi është i thellë, shpresa e vakët dhe e ardhmja e largët.

Nuk duhet thënë se në luftë ka të drejtë, sepse ajo që kryen drejtësinë e menduar, është fatale për jetën dhe prodhon vetëm skëtërre dhe viktima.

Lufta është e padrejte për njerëzit e lirë dhe e merituar për njerëzit zemërngurtë…lëndimet i bëjnë ata me njerëzor dhe meditojnë më shumë.

Ndodhi ajo që parandjeja.

Sot gjendem brenda mureve të një familjeje shqiptare dhe kam humbur gjithçka.

Me ka pushtuar një trishtim i thellë për humbjet e mëdha.

Me ka marrë malli për familjen time.

Unë nuk e di se pse jam këtu, pse jam ende gjallë. Për cfarë?

Unë tashmë kam harruar aromën e ëmbël të jetës.

Nuk kam parë më asgjë që më dëshmon jetën.

Dal në oborrin e kësaj shtëpie ku po qëndroj dhe rri nën hijen e një qershie.

Sa e padrejtë kjo luftë.

Unë, një vajzë e re plot diell shpresash dhe energjie e gjej veten në një labirinth të tmerrshëm ndjenjash konfuze ku nuk dalloj ndryshimin mes jetës e vdekjes.

Poshtë asaj qershie ndjej një freski të lehte dhe më kujtohen disi shëtitjet me biçikletë.

Shëtitjet me Aleksin.

Aleksandër, vallë ku je?

Je shndërruar edhe ti në pluhur si familja ime?

Kushdo që me flet tani për jetën, ju them se përpjekja është e kotë.

Unë e di se çfare është njëra dhe çfare është tjetra… gjithmonë varet se cilën do të jetosh.

Të jetosh jetën si e gjallë apo si e vdekur ?

Në fillim e jetoja si e gjallë ndërsa tani me kanë detyruar të jetoj si e vdekur.

Derisa një ditë të mësoj edhe ta ndryshoj shpresoj të mos jetë vonë.

Gjithsesi unë jam dëshmi e vërtetë për pasojat e luftës.

Është më e keqe se vdekja janë ndjenjat që të lindin pas përjetimit të saj.

Së pari ndjen një frikë të madhe për të ardhmen, se dyti fillon të urresh atë që të ka bërë keq, së treti mundohesh të gjesh shpresën për të jetuar, së katërti do të gjesh motivin për të falur atë që të fali atë botë të shëmtuar varreze dhe se pesti pas pajtimit, fillon të ndjesh dashamirësi për të.

Tani për tani unë ndjej të parën, një frikë të tmerrshme për jetën pasi edhe ajri po me rëndon.

 

…Sot është e martë

Iliri…

Iliri është djali i shtëpisë ku po qëndroj dhe po shoh në sytë e tij që dhemshuria ndaj meje po shndërrohet në ndjenjë dhe unë e kam kuptuar këtë. Kjo është një shenjë e mirë për mua që tregon që jam bërë me e vëmendshme ndaj jetës.

Ai më kujton Aleksandrin sepse ka filluar të më shohë si ai, por unë nuk dua ta lëndoj sepse zemra ime në këto kohë nuk është në gjendje të falë dashuri sepse është e lënduar dhe mbi të gjitha aty banon Alekandri.

Ah Aleks sa më ka marrë malli për ty, për buzët e tua, për sytë për aromën e trupit tënd si edhe për kohën që kalonim së bashku.

Kjo luftë e mallkuar më ka lënë vetëm, dhe ndjehem jo më si Matilda, por ai te Ana Franku.

Me kujtohen vetëm tmerret që më kanë parë sytë dhe kjo ka bërë që të harroj se kush jam.

Nuk dua t’ia di më.

Nëse do të më jepej për një moment një pushtet, ai do të ishte fshirja e memories kolektive në historine botërore, ku të mos ekzistonin dëshmi për luftërat e mëdha.

Kështu nuk do ta kisha përjetuar këtë fund ferri në këtë jetë.

Por mesa duket kjo është brenda njeriut dhe nuk mund të luftohet lehtë.

Është njëlloj si frika, si një tip instikti.

Dhe për paqen zgjedhin shumë pak vete ose me mirë le të them që vetëm drejtuesit nuk e bëjnë sepse pushteti e errëson arsyen e njeriut.

O Zot me mungon jeta, lotët që të më rrjedhin nëpër faqe sepse tashmë më janë tharë.

Me mungon motivi, por unë do ta gjej.

Do të largohem që këtu.

 

Kjo ishte e shkruar në ditarin e Matildës. Tani kuptohet arsyeja se pse jam i magjepsur nga ajo. Sepse goja e saj e bukur nuk ishte veç për të puthur si gojë e shumë femrave, por për të folur fjalë jetë dhe paqeje.

Unë e botova historinë e saj në gazetë, por nuk bëri bujë siç mendova. Ndoshta ngaqë unë isha më tepër i emocionuar edhe e përjetoja atë, por të tjerët për shkak të faktorit kohë ishin disi me të tërhequr.

Aleksandrit ia kam dërguar në email, shkrimin. Ai më ktheu përgjigje, duke m’u falënderuar dhe shkruante po ashtu që ditarin e kishte dorëzuar.

Unë kam dy ditë që mendoj rreth kësaj.

Ata të dytë janë takuar?

Apo ai donte që unë të mos e hapja me atë temë?

Apo mos Matilda e kishte gjetur atë?

Dhe në fakt mendoj që Matilda e ka gjetur atë të parin, sepse femrat nuk i harrojnë dashuritë e veta… aq me tepër një dashuri të tillë.

Dhe që ky është një fund apo një vazhdim i bukur, nuk e di.

 

 

 

  Marjeta Gjoka

lindi më 8 shtator të vitit 1993, në Rrëshen të Mirditës. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, në Rrëshen kurse studimet e larta i kreu në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në degën e gjuhës frënge dhe angleze, në Universitetin e Tiranës. Me shkrime u mor që në fëmijëri duke marrë pjesë edhe në konkurse të vogla. Gjithnjë e tërhequr pas shkrimtarëve të mëdhenj botërorë, kryesisht ata francezë, u përpoq që të sillte një frymë të re të letërsisë për shqiptarët pa lënë mënjanë origjinalitetin dhe të bukurat e folklorit.
Kontakt: marjetagjoka1@gmail.com

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.