Srgjan Gagiq

 

„Zbrit nga televizori oj lopë e gjallë!“ i ulërin babai ekranit të rrafshtë e pa ndjenja, nga i cili zgërdhihen gjithmonë fytyrat e njëjta të cilave s’u bëhet fort vonë për nervat e babait tim, hardhucës së madhe ngjyrë bari që zdërgjahet mbi pelushin e divanit të huazuar dhe u sulet me gjuhë armiqve virtualë, merr frymë me zor dhe përpëlitet me duar e këmbë. Në mes të ballit i del damari i madh që pulson, syri i tij i tretë që sheh gjithçka dhe e ndien me shpirt, përpëlitet e kërcen si krimbi i uritur nën mbulesën nga seborea, dhe shan e i kërcënon këta që s’po e dëgjojnë dhe që ashtu-kështu nuk u frikësohen sharjeve dhe kërcënimeve.

Pastaj përsëritet gjithçka: gjyshi partizan, ai komunist, e ne hallka më e dobët e trungut të denjë familjar i cili me ne do të kalbet përgjithmonë; ne jemi molla të kalbura në pjatë të cilat përreth vetes shpërndajnë epideminë e pashmangshme të shkatërrimit, vdekja përfundimtare që vonohet tash e disa dekada. Gjatë regjistrimit të popullsisë ka këmbëngulur që në rubrikën e përkatësisë kombëtare të shkruajë: jugosllav krenar me origjinë kroate me banim të përhershëm në Serbi. Zyrtari i regjistrimit ka provuar t’ia shpjegojë rregullat e lojës, por me t’u ballafaquar me mllefin e babait tim hoqi dorë nga ai synim dhe me iniciativë të tij e nga ligësia shkroi shkurt: serb.

„Shihe këtë që tërë ditën e kthen prapanicën në televizion! E ti, ç’dreqin je?!“ Ashtu zvarrë në divan, derisa përpëlitet me duar dhe kërcënon me gishtin tregues me gunga, të kujton hardhucën e kthyer në shpinë për të cilën në thelb – nuk ka shpëtim.

„E ti, çka je? Eh bir, mut me lule. Fund.“

 

**

Kujtimet përherë janë aty pranë. Dje m’u kujtuan roletat e rënda prej druri në dritaret e Stelës, të cilat nuk i doja. Ato sillnin terr në dhomë edhe gjatë verës, e drita në vija të holla e priste dhomën në të cilën mund të dalloheshin qartë vetëm grimcat e pluhurit që ngadalë qarkullojnë pezull në ajër… sikur membrana, njëra pas tjetrës, ngriteshin dhe lëshoheshin përpara syve të mi; fëmijët ulërijnë nga karrocat, prindërit shëtisin pa nxitim dhe e pyesin veten ç’lloj bishe paskan lindur, macat e shtëpisë pa kurreshtje lëvizin poshtë e lart mureve, e unë herë i shoh herë s’i shoh dhe për mua të gjithë ata janë më shumë imazhe se sa të gjallë. Pamjen ma pret roleta fantazmë, e nga dielli para syrit flaken shkëndijat si xixëllonja. Në ballkon, në katin e parafundit të ndërtesës, unë jam trup i huaj të cilin toka me dhunë përpiqet ta vjellë nga të çarat e të kaluarit.

Si të tjerët, u detyrua të shkonte edhe Stela e bashkë me të edhe Maksi i cili jo më larg se të nesërmen ngordhi diku rrugës. Paketoi pjatat dhe takëmet, fotografitë në kornizë që tregonin mërrolat e të ndjerëve. Në vitet e para të luftës vdiq edhe gjyshi, qetë dhe pa u vërejtur, dhe shumëkush edhe sot e kësaj dite mendon se është gjallë. Për të më së shumti vuajti ajo, sepse në shtëpinë e madhe përdhesë me katër dhoma jetonte vetëm me Maksin, i cili qëkur vdiq gjyshi përnjëherë u plak, dhe shpeshherë vetëm rrinte i kthyer nga muri, me veshët lart e me gjuhën jashtë, dhe ua ngulte sytë insekteve të padukshme që përpara syrit të tij qorr shkruanin porosi të fshehta. Stela besonte se Maksi e shikonte gjyshin – shpirti i të cilit, mbase, zvarritej përgjatë murit të jashtëm të shtëpisë – dhe prandaj që atëherë Maksin e llastonte në veçanti, por qenit plak e të lodhur kryesisht s’i bënte përshtypje dhe priste që invazioni i milingonave të padukshme t’ia pushtonte trupin dhe t’ia hiqte reumën dhe jetën. „Kthehemi shpejt“, thoshte e ëma derisa gjinjtë nën këmishën e hollë i dridheshin si të ishin në ethe. Zgjedhte librat që do t’i merrte me vete, por e vërteta është se përpara syve i shfaqej vetëm tmerri i pasigurisë dhe se në kopertina në vend të imazheve e titujve shihte vegime të turbullta e të errëta të së ardhmes. E unë, duke qëndruar te dera, shikoja perdet e trasha dhe të rënda të dritares dykrahëshe dhe diku thellë në vete isha i lumtur që ato po mbesin vetëm në atë shtëpi.

Viteve të fundit Stela jetonte në një qendër në bregun tjetër të lumit, në një shtëpi të madhe, e cila ishte pak më e re se ajo. Ne e vizitonim me ndërrime, të gjithë pos babait, e dukej thuajse kurrë aq sa duhet. Sa herë që kthehej nga Stela, nëna ishte e lodhur dhe e heshtur. Mund ta ndiente afrimin e fundit të saj, për të cilin nuk ishte gati. Ulej pranë tavolinës së kuzhinës, dhe qëronte patate për darkë derisa të mjaftonin për ta ngopur gjysmën e soliterit. Pastaj ofshante duke e fshirë ballin me shuplakën e përbaltur dhe askush nuk guxonte t’i afrohej ta ngushëllonte, sepse kjo në shtëpinë tonë nuk bëhej. Heshturazi besonim në efektin shërues të lotëve edhe pse me kalimin e viteve bëheshim rezistentë ndaj atij bari. Dhe megjithëse nuk e kishim krejt të qartë arsyen e dhimbjes së nënës, e dinim se ngushëllim nuk ka, e mbase me kohë edhe ajo arrinte në këtë përfundim dhe kështu deri në ditën e vdekjes së Stelës nuk qau më. Në varrimin e gjyshes sime nëna madje këndoi.

Babai murmuronte pse po shpenzohen paratë për luksin e Stelës, por kjo gjë kurrë nuk u vë në pyetje. „Le të kthehet atje. Beogradi s’është i juaj!“ thoshte babai dhe frynte hundët mbi çajin e tij. „Le të shkojë atje, dhe atje le të plasë. S’jam unë Rokfeler.“

Edhe unë e vizitoja Stelën: kur nuk gjeja asnjë arsye tjetër të vlefshme për t’i ikur kthimit në shtëpi, vendosja me zemërgjerësi ta vizitoja dhe të kaloja edhe ca orë larg kullës sime dhe portierit të saj fatkeq. Në oborrin e shpupurishur të qendrës në të cilën ishin grumbulluar njerëzit sikur guralecë, si të dridhurat e fundit që paralajmërojnë se së shpejti vjen vdekja, seç kishte diçka solemne. Stela, e cila gjatë gjithë jetës së saj kishte zhvilluar betejën kundër territ të perdeve të saj të drunjta, u gjend në shtëpinë më të ndritur në botë. Por Stelën terri përsëri e mashtroi disi sepse pak kohe pasi kishte ardhur në qendër gati e humbi të pamurit. Sytë e saj të hirtë, të lagur u bënë të verbër; zakonisht shikonte në një pikë të padukshme e cila i përmbledhte kujtimet si fotografi dhe ajo, mbase, atëherë edhe i shihte, diku brenda, nga ana e fshehtë. Unë në shikimin e saj shihja atë që mbase as nuk ekzistonte: apo gjithçka ekzistonte brenda Stelës, por ne më nuk e pamë në momentin që u larguam nga vendlindja. Kur u zhvendos nga skenografia e saj natyrore, kur u zhdukën dritaret e mëdha të errëta, përparëset me lule dhe tavolina e përmiellur e kuzhinës, mbase atëherë humbi edhe Stela, apo ajo për ne mbeti e varrosur, e ngujuar brenda themeleve të shtëpisë së saj, e groposur poshtë dudës në kopsht, dhe në vend të gjinjve të saj kalemi që nxjerr kokën nga i cili ca fëmijë të tjerë do t’i hanë frutat.

Nuk kam menduar shumë për të, për takimet tona dhe për atë që pason, por krejt këto imazhe shfaqeshin më vonë dhe rishkruheshin, dhe këmbenin letra, ndër të tjera; mendja me ëndje përpunonte kujtesën dhe falsifikonte gjithçka që duhej. Tash më duket, atë herën e fundit, njëfarë drithërime më kaploi poshtë kurrizit dhe me gjysmë zëri cijata. Apo vetëm m’u duk po cijat! derisa bagllamët e palyer e mbyllnin portën pas meje dhe e kryenin punën në vend timin.

Do të kthehemi nga një portë tjetër – nëna dhe unë. „Më mirë do të ishte sikur të mos ktheheshit më. Beogradi nuk është i juaj!“ Më shumë se sëmundja e cila po i merrte shumë e më shumë, babanë e mundonte fakti se kurrë më nuk do ta shihte vendin në të cilin u bë babai im, ushtar, oficer. Për mua, qyteti në të cilin u linda është veç një prej shumë qyteteve, kurrfarë kujtese, kurrfarë ndjesie e njohur; një fije pasigurie dhe dëshire për ta parë sërish shtëpinë e Stelës, nervoza e mjegullt e cila m’i përshkon eshtrat dhe kurrizin dhe ma dridh këmbën e majtë derisa i kryqëzoj këmbët. I panjohuri që shkon nga një pikë te tjetra, nga jo-shtëpia te jo-shtëpia. Nëse s’ke vendlindje, s’ka vend në botë që mund të të lidhë.

Njeriu i panjohur ujit lulet poshtë dritareve – ato janë të bardha, prej alumini, dhe dielli reflektohet mbi to. „Nuk është Beogradi i yni!“ jehon në kokë zëri i babait dhe një duq më i mblidhet në kraharor drejt fytit e unë e përfytyroj babanë, hardhucën e gjelbër teksa ma përkëdhel trurin. I huaji përkulet mbi lulet plot aromë, me dorëza fine mbledh insekte kopshti dhe fort i kërset edhe për Beogradin edhe për ne, dhe është njeri i bukur, i lëmuar dhe ka ardhur këtu ta krijojë shtëpinë e vet. Për disa, ne ishim gjithmonë të huaj, dhe kjo është historia e botës. „Nuk është Beogradi i yni!“ e ne i kthehemi me trenin e parë. Atje është babai, në kullën e tij nga e cila nuk zbret. Beogradi nuk është i tij dhe ai është hardhuca e madhe e gjelbër e cila do të vdesë pa diell. I shikoj dritaret dhe nuk po i njoh më. Roletat e rënda prej druri s’janë më dhe, përnjëherë, gjithçka është thjesht bardhë dhe pastër. Shikoj shtëpinë pa dritare dhe mendoj, sigurisht edhe ato kanë shkuar bashkë me Stelën. S’ka gjë më të natyrshme se kjo, pëshpëris derisa shikoj se si dridhen gjinjtë e lëshuar të nënës.

 

**

„Zbrit nga televizori oj lopë e gjallë!“ i ulërin babai ekranit të rrafshtë e pa ndjenja. Çudia teknologjike nga e cila zgërdhihen ata që dikur na dëbuan. Babai i u bë tetëdhjetë vjeç dhe gjithçka është e hirtë dhe e qetë. Unë i mbusha sa gjysma e tij dhe shpesh rri pranë tij, sepse nuk ka vend tjetër ku do të kisha shkuar. Tetëdhjetëvjeçarët janë si fëmijë, e katërdhjetëvjeçarët – e kjo është një hiç, njerëzit në mes – përpara s’na ka mbetur shumë, e mbrapa terr. Babait çdo mbrëmje para gjumit i përgatis çaj, siç bënte nëna, një filxhan për qetësim, i cili e tërbon. Lopët e gjalla sillen lart e poshtë në televizion, nxjerin duart nga ekrani dhe rrëmbejnë ç’të munden. Një dorë ndërpret rrymën, tjetra e ndal ujin, e treta më kap për fyti dhe më shtrëngon. Pastaj ngritem nga kolltuku, pasi më kishte kapluar dhe rraskapitur gjumi i parë, dhe kaloj në dhomën time. Deri atje më del gjumi dhe me forcë i shtrëngoj sytë dhe mendoj, ndoshta ashtu edhe do të vdes, por përpara syve si në kaleidoskop më ndërrohen shikimet të cilat depërtojnë nga roletat e rënda prej druri dhe shpesh s’më merr gjumi deri në agim.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Srgjan Gagiq

u lind më 1988 në Bosanski Novi, BeH. Jeton në Beograd ku vijon studimet e doktoratës në fushën e letërsisë. Ka botuar libra me poezi Deca u izlogu (2015), për të cilën ka fituar çmimin Brankova nagrada si dhe librin Prelazno doba (2016). Është redaktor i panoramës Meko tkivo: izbor iz nove poezije regiona (Klub A-302, Fakulteti filozofik, Zagreb, 2015). Boton edhe kritikë letrare dhe tregime të shkurtra. Aktualisht është i angazhuar në projektin e përzgjedhjes së prozës së luftës, dhe si redaktor bashkëpunon me Treći Trg nga Beogradi. Është anëtar i Shoqatës Letrare të Serbisë.
Kontakt: srdjangagic@gmail.com

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.