Luiza Bouharaoua

 

 

I

 

Leksioni i parë i rrëzimit: Duart nuk të shpëtojnë.

 

Zilja e metaltë e shkollës u drodh dhe e dërrmoi qetësinë. Ajri mbushet me zhurmën e fëmijëve të cilët dalin nga shkolla, ulërimat e tyre ngrihen në qiell dhe gërshetohen me thyerjen e xhamave sipër meje. Mbi fikun e madh në kopshtin fqinj me një shpejtësi rrufeje rrëzohet një zog me pamje njeriu dhe bie poshtë pemës. Krahët e hapur nuk mund ta ndalin, e si do ta ndalin kur nuk janë krahë por duar. Duart thyejnë degë, degët thyejnë duar, bijnë frytet e papjekura, qumështi i tyre rrjedh nga maja e murit prej betoni që na ndan. Toka e thith goditjen e fundit në qetësi.

– Hiqu nga rruga – vrapon nëna te unë, më fut në shtëpi, në dhomën e gjumit, pas vetes i mbyll të gjitha dyert.

 

Ngjitem për dritare, nga ajo së pari e dëgjoj atë duke pyetur kush dhe pse e pastaj një murmuritje të pakuptueshme nga e cila së shpejti dalin fjali të plota. Nuk i njoh zërat, por ajo që thonë fishkëllon në ajër, depërton në dhomë, përplaset për mure. Çdo fjalë në fund ngulitet drejt e në mua. Duart prej tyre nuk më mbrojnë dot.

– Dikush ra prej katit t’pestë.

– E ka lypë!

– Hiqju pederëve.

Kjo e fundit, të cilën e thotë babi im, më godet drejt e në bark.

 

Atë pasdite Joke dhe unë rrijmë mbi murin e vogël matanë hyrjes kryesore të ndërtesës. Dy policë trupmëdhenj dalin nga vetura e policisë, njëri tund fascikllën, të dytë ndalen te hyrja e parë. Joke kafshon kumbullën e gjelbër sikur të ishte mollë në miniaturë, goja i tkurret nga thartësia.

– Joke, kush janë pederët? – e pyes pasi e qëron deri në bërthamë.

– Ku e di unë. Garant serbë, pasanikë.

 

Nëna e Dejanit mbin nga errësira, në dorën e majtë mban çantën prej kashte, me të djathtën tërheq Dejanin. Fustanin e bardhë prej pambuku e ka krejt të lagur te gjoksi, nëpër të shihen petalet e mëdha të kuqe të kostumit të saj të larjes. I përshëndet policët dhe nis të hallakat nëpër çantë, por nuk mund të gjejë atë që kërkon. Struket, mbështet çantën në tokë dhe nga maja nxjerr maskën e zhytjes, dy peshqirë të larmë për plazh dhe një libër kopertinat e të cilit janë përvjelë nga lagështia. Të gjitha këto ia lë Dejanit në duar, por ai çdo send e kap disi ngathët thuajse duart nuk janë të tij. Kur nëna më në fund ia gjen çelësat, kurrsesi me to nuk mund ta qëllojë bravën. Në përpjekjen e katërt, çelësat i bien në tokë, polici i ri i ngrit dhe thotë:

– Ma jepni mua zonjë.

Nëna e Dejanit i kthen gjërat në çantë dhe futet me policët në ndërtesë, atë e lë para hyrjes.

 

 

Joke e pështyn bërthamën e qëruar, ajo pa u dëgjuar i bie Dejanit në shpinë. Ai nuk ia heq sytë derës nga e cila i kishte hyrë nëna. Joke e fut në gojë krejt kumbullën, merr hov dhe me krejt forcën e pështyn. Kur e godet në supe, Dejani kthen kokën. Sytë e tij janë dy vrima të thella të zeza.

– Çka u ba, peder?! – zgërdhihet Joke.

Nëna e Dejanit dhe policët ngjiten deri në maje të ndërtesës, ndalen vetëm kur mbërrijnë te banesa e tyre në katin e pestë. Dejo na i ngul sytë, e unë nuk mund ta shoh me sy.

 

II

 

Leksioni i dytë i rrëzimit: Ndryshe nga trupi, objektet shkërmoqen zëshëm, dhe të lënë të shikosh.

 

Kur e hedh nga kati i pestë objekti bie gati njëjtë si njeriu, dallimi i vetëm është se trupi mund të shkërmoqet në heshtje. Objektet prodhojnë zhurmë, por nuk janë krejt të njëjtë: tavolina, ta zëmë, bën më shumë zhurmë se karrigia, por shumë më pak se dollapi të cilin duart e padukshme të dikujt përpiqen ta nxjerrin nga dritarja. Dritarja dhe dyshemeja, ato janë neutrale. Gjithçka që shtyhet nga dritarja bie, gjithçka që bie në tokë shkërmoqet. Kështu së paku e kam kuptuar unë.

 

Fqinjët grumbullohen nga të dyja anët e murit i cili e ndan oborrin e ndërtesës së Dejanit nga rruga. Nga njëra anë rendi i kokave të ngjitura për muri prej betoni, nga ana tjetër një grup trupash të tërë që zmbrapsen hap pas hapi derisa copëzat e xhamit dhe të drurit stolisin fikun. Në vend të fryteve të ëmbla, ai sivjet do të lindë vetëm vdekje.

 

– Prite! – bërtet zëri i pakokë nga dritarja, por askush nuk i zgjat duart.

Ajri është i shtangur nga nxehtësia dhe pritja. Diçka e rrumbullakët del nga dritarja, kërcen përpara nesh së pari lart, pastaj pak më poshtë dhe pastaj përfundon drejt e te volleji i ulët i Jokës. Ai për një kohë driblon me veten dhe pastaj ma gjuan topin mua. Kthehem dhe shkoj në shtëpi.

 

Në mbrëmje në shtëpinë tonë hyjnë Gorani dhe Damiri dhe në mes të dhomës së ditës e vendosin një televizor të zi. Syri i tij i zi më shikon kërcënueshëm.

– Mare, ma jep nji gotë ujë pash Zotin! Po vdes prej këtij t’nxehti n’këtë uniformë – thotë Gorani dhe ulet në tavolinë. Derisa heq xhaketën ushtarake, Damiri i ndihmon babait tim ta vëjë televizorin në regall.

Pasi pijnë, na përshëndesin dhe në dalje të dytë ia rrahin supet babait.

– Na ke ndihmu sot – i thotë Gorani.

Babai murmuron diçka, kurrë nuk flet aq ngadalë.

– I kemi përhapë fjalët. Kush merret me pederin n’mes t’luftës? Kurrkush, – thotë Gorani.

Ata të dy dalin, e unë ende s’ia heq sytë televizorit të fikur, kam frikë se ky terr do të më përpijë. Në mëngjes gjithçka fluturoi nga dritarja e Dejanit, pos televizorit.

 

Kur nënën dhe babain i merr gjumi, përvidhem nga dhoma, e ndez dhe e ndal volumin deri në fund. Ulem në dysheme dhe e lë të ma ngjyrosë fytyrën me ngjyra ylberi derisa bij në gjumë para mëngjesit, në vrimën e zezë të cilën e ka hapur ai televizor në mua, në dy sytë e lagur të zi të Dejanit si copë e dheut në oborrin i cili e thithi thyerjen e kockave të babait të tij. I lodhur dhe i rraskapitur në mëngjes vrapoj në shkollë. Gjysmën e natës e kam kaluar pa gjumë, e ende nuk e di a do të fluturonte edhe Dejani sikur ta hidhnin nga ajo dritare?

 

III

 

Leksioni i tretë i rrëzimit: Fëmijët nganjëherë mund të fluturojnë.

 

Megjithëse aq i ngathët, Dejani arriti t’i kalonte fluturimthi vetëm dhjetë shkallët në hyrje para se të zhytej me fytyrë në asfaltin para shkollës.

– Bir pederi i babës peder! – ulërin Joke.

Dejani ngritet me bërryla, i shqyer dhe me qurra, gjysmën e faqes së djathtë e ka të shkërmoqur.

– Lëshomë, po m’ik autobusi – thotë.

 

Nëna e Jokës dje i tregoi nënës sime se Dejani dhe nëna e tij tani jetojnë në një dhomë të vetme, se ai në shkollë shkon me dy autobusë dhe se që javën e ardhshme do ta ndërrojë edhe qytetin edhe shkollën. Nuk kanë ç’kërkojnë aty, në banesën e tyre tani jeton Gorani, kështu tha.

 

Me një shkelm me këmbë të djathtë në bri Joke e rrëzon Dejanin prapë në tokë.

– Babi im s’është peder – nis të qajë dhe i ngrit sytë drejt meje e unë qëndroj si i ngrirë në maje të shkallëve.

 

Dejo qëndron në tokë dhe qan, e unë po e shoh se si në ditëlindjen e tij ma jep në dorë dirigjuesin e televizorit të tij të ri dhe më thotë shtype sustën e kuqe dhe pastaj me numra ndërroi programet. Çka do të shikojmë Dejo, e pyet, e ai qesh dhe thotë zgjedh ti. Nëna e tij, asgjë nga dora nuk i bie, na sjell përpara dy pjata me tortë çokollate. Babai i tij hap dritaren e tij dykrahëshe në dhomën e ndejës që nga ai të nxjerrë ngrohtësinë e pasditës dhe asgjë, asgjë tjetër.

 

– Çka po e rriihni?! – bërtas derisa i kapërcej shkallët, më duket se jam ende në ajër derisa i ndihmoj Dejanit të ngritet.

– Se është rrenc! – ma kthen Joke, e djemtë e klasës pas tij formojnë rreshta.

– Babi im s’është peder – murmuron Dejani derisa unë e çoj të ulet te muri.

Joke dhe të tjerët i bëjnë gati grushtat, i zgjon aroma e pluhurit dhe e gjakut.

– Merr – them dhe i jap Dejanit një paketë me peceta. Sytë i ka si dy televizorë të fikur.

Joke dhe ekipi na e drejtojnë gishtin, nuk mërziten fort që mësuesit nxitojnë poshtë shkallëve. Diçka i kishte çliruar derisa ulërinin me sa zë që kishin:

– Pederë! Pederë!

E nxjerr pecetën nga paketa dhe ia fshij Dejanit pluhurin, gjakun dhe lotët nga faqet.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Luiza Bouharaoua

Luiza Bouharaoua lindi në vitin në Split, sot jeton në Zagreb, ku punon si punëtore e kulturës, përkthyese dhe shkrimtare. Është themeluese e Shoqatës për Promovimin e Letërsisë dhe Kulturës Skribonauti. Tregimet e saj janë publikuar në përmbledhjen rajonale Izvan koridora – tregimi më i mirë i shkurtër, dhe në antologjinë e prozës së re kroate Bez vrata, bez kucanja. Është fituese e çmimit Ulaznica si dhe e çmimit Prozak për dorëshkrimin më të mirë të pabotuar të autorëve deri në 35 vjeç. Në vitin 2019 ajo botoi librin e saj të parë me tregime "Jesmo li to bili mi" (Jesenski&Turk).
Kontakti: instagram.com/luizabou/

 

 

ažurirano: 04/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.