Anushka Minovska

 

Më mungojnë mëngjeset e ngrohta verore kur në vend të rrezeve të diellit, të cilat me këmbëngulje përpiqen të më depërtojnë nëpër qerpikë, më zgjonte zëri i ëmbël i xhaxhit Aki, megjithatë zhbirues dhe tingëllues? „Zgjohuni, pazar, pazar, shkoj në pazar! I duhet gjë kujt?“.

Nuk mundesha të mos qeshi me atë përzemërsi, ngrohtësi, çiltërsi, çfarë kurrë nuk pashë në jetë. I veshur me një sarëk të gjatë deri në dysheme, si sheiku i Katarit, zdrukthëtari dhe aktori autodidakt në jetën e vet dhe tonën, në Teatrin e Pakicave, ëndërruesi i ëndrrave më të bukura nga mëngjeset e hershme na e planifikonte dhe na e lehtësonte jetën. Ishte një zotëri i vërtetë dhe i guximshëm, me një mjekër të bardhë të shkurtër, aq e guximshme saqë as të rinjtë nuk ia lejonin vetes ta mbajnë. Por, ai, me pesë-gjashtëdhjetë vitet e veta ishte më i ri se të gjithë. Me shpirtin, kuptohet. Sa ishte kokëlartë, aq ishte i thjeshtë, modest dhe hatërxhi. Dhe, vërtet ndodhte të sjellë torba të plota nga pazari. Ishte burrë. Shtëpiaket e përgjumura, cila e mbuluar, cila e hapur, teta Lençe, Marika – balerina, Muradia apo Remzia, vetëm ia hidhnin paratë me kapëse dhe një letër me atë ç’u duhet për fillim… dhe, mëngjesi mund të fillonte.

Unë e desha më së shumti në botë, sepse më quante „kukull italiane“, ndërsa unë kënaqesha si një „mbretëreshë egjiptiane“! Sikur vetëm mua më ka pritur të vij në këtë botë. Unë gjithmonë mbetesha për të diçka e veçantë, e vetme, dhe e bëri që të ndjehem ashtu deri në ditë të sotme. Ndërsa, i veçanti ishte ai.

Në ndërtesën tonë të Kombeve të Bashkuara, siç e quante nëna ime, ai ishte Ban ki Muni ynë. Kokëlartë dhe autoritar, por, megjithatë, i butë, pajtues dhe i matur. Ai nuk ndante, nuk gjykonte. Ai bashkonte.

Siç fillonin bukur, aq më bukur përfundonin netët verore të xhaxhi Akit. Me shpirt e prisnim të vijë nga çajtorja apo kohë pas kohe nga shfaqja teatrore për të na rrëfyer përjetime, muhabete, temat aktuale të çarshisë, të qytetit.

A e di dikush nga ajo anë e Vardarit se Çairi ka një mikroklimë dhe një botë të vet të jetesës?

Me ardhjen e xhaxhit Aki gjithçka gjallëronte para ndërtese. Ai ishte iniciator. Xhaxhi Sveto, i vetmi serb në ndërtesë, kishte një pozitë të çuditshme hierarkike, Bislimi dhe Rade bënin një tavolinë druri dhe dy banka për t’u mbledhur burrat natën dhe për të debatuar deri në orët e hershme të mëngjesit. Dihet, nga Lutfiu në përdhesë zbritej rakia dhe sallata shope, halla ime, balerina, e bënte taratorin dhe nëpërmjet babait tim i dërgonte gotat e bukura për raki nga Rusia, ndërsa xhaxhi Aki ishte mjeshtri i specialiteteve. Mendoj se formula e koka-kolës nuk ruhej aq në sekret sa sekreti i pulës së pjekur pa asnjë asht në të, të cilën ia trashëgoi djalit të mesëm, aktorit shumë më të afirmuar dhe të suksesshëm se ai, Tamerit. Në ato net të muhabeteve mashkullore dëgjohej gjithçka. Kuptohet, tema më e shpeshtë ishte politika, ajo vendore, por edhe ajo ndërkombëtare. Këtu zgjidheshin çështjet më të rënda ekonomike, ndërtoheshin strategji dhe politika për të varfrit, të dëmtuarit dhe të pazhvilluarit, projekte të cilave mund t’ua kishte zili edhe Banka Botërore. Pikërisht si në kuvendin e përgjithshëm të OKB-së.

Dhe, dihej renditja: Palestinezët gjithmonë kanë të drejtë, nafta është arsyeja e vetme për të gjitha luftërat, amerikanët përgatisin një rend të ri botëror, rusët janë budallenj që heshtin, por një ditë do të vetëdijesohet populli dhe e drejta do të fitojë. Kuptohet, të gjithë besonin në komunizmin, se vetëm ai e bart „shoqërinë ideale“. Jo se ndonjëherë nuk kishte gaca dhe të thuhej ndonjë fjalë mospajtimi, por gjithçka kalonte… Kjo zakonisht ndodhte pas orës një të natës, kur muhabetet dhe politikat ishin mjaft të pirë. Ai që ishte kapadai apo i ofenduar, dy-tri ditët e ardhshme nuk dukej në „klubin debatues“ natën, por këtu përsëri hynin në fuqi „taktikat ushqyese“ dhe shkathtësitë e xhaxhit Aki dhe në mënyrë magjike harroheshin të gjitha çastet e këqija. Ndoshta edhe nuk ishte gjithçka aq magjike?! Ndoshta kishte falje, mirëkuptim, tolerancë. Disi ishim më njerëzor se tani. Në fund të fundit, punë e madhe nëse dikush ta ka zënë vendin e parkimit apo ta ka mbyllur garazhin me motorin keq të parkuar, me të cilin bënte zhurmë në kohë pa kohë. „Aman, bre, komshi, mbrëmë e teprove!“. „Lëre, punë rakie, por makinën s’mund ta gjej, ku ta dish ku e kam parkuar dhe si kam ardhur deri në shtëpi…“

Ja, kështu kalonin muajt e verës, deri në shtatorin edhe më të bukur, kur bëhej mobilizimi i vërtetë. Fillonte sezoni i ajvarit, i larjes së tepihëve, „përgatitja e madhe vjeshtore“. Renditjen e shporeteve e bën xhaxhi Aki. Sot bën Ramizja, nesër Marika, pasnesër Baria, pastaj Mirjami, pastaj Hanëm Inge, pastaj Sveto, dhe kështu me radhë. Edhe për ajvarin edhe për tepihët punonin të gjithë, problem bënin vetëm karriget e vogla, ndërsa gjithçka shkonte me shpejtësi të madhe. Ndonjëherë pyes veten a mos ishim vërtet një familje. Prej te ne u martuan së paku tri vajzat e Lutfiut, të gjithë mysafirët në dasmë që ishin të tepërt i dërgonim te fqinjët, festat ortodokse dhe myslimane i prisnim me të njëjtin gëzim. Te ne që herët në mëngjes shqiptarët dhe turqit e vegjël prisnin vezë të kuqe për t’i cakërruar, ndërsa neve një ditë para Bajramit na shkonte lëng nga goja pas bakllavasë dhe sheqerpares. Mezi prisnim të zbardhte dhe të fillojmë të shkojmë nëpër fqinj…

Kështu përafërsisht rridhnin ditët e verës, vitet, derisa nuk e kuptuam se xhaxhi Aki është në spital, se ka ndonjë mundim me lukthin. Për fat, u kthye shpejt, por, gjithashtu, edhe shpejt shkoj përsëri. Shkoi disi qetë, në mënyrë misterioze, si në film. Ndërsa, ishte shumë „filmaxhi“. Por, nuk vdiq kurrë. Aq është gjallë në zemrën time, në kujtimet e mia… Pas tij, kurrë nuk ishte njëjtë më.

Pastaj erdhën të 2000-tat, disa kohëra të çuditshme, nga të ardhurit dëgjohej këngë për Kosovën Republikë, filluan edhe nacionalistët maqedonas të forcohen, filluam të shikohemi disi nën sy, duke hetuar, duke qenë të kujdesshëm. Megjithatë, lufta na gjeti të papërgatitur, të hutuar, të trembur. Erdhën shumë të shpërngulur nga fshatrat fqinj, natën nuk rrinim më në bankë para ndërtesës, por me rënien e natës iknim në shtëpi. Vetëm një herë Mejremja kur kthehej nga babai i saj nga Bojana, derisa qëndroja në ballkon, ashtu sinqerisht, e frikësuar më pyeti: „Ç’do të bëjmë nëse vijnë ushtritë?“. Dhe, menjëherë më dha përgjigje: „E di ti, nëse vijnë tanët, ju do të vini te ne, nëse vijnë tuajt, ne te ju. Pajtohesh?“. „Pajtohem“, thashë me një shikim të zbrazët. Nuk e dija kush janë tuajt, kush tanët. Por, e dija, Çairi nuk u bë më kurrë i njëjtë.

I mungon xhaxhi Aki.

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

 

  Anushka Minovska

, e lindur në vitin 1986 në Çair të Shkupit. Është ekonomiste e diplomuar e marketingut. Magjistre në fushën e burimeve njerëzore në veprimtaritë shoqërore. Fjala e bukur, ajri i pastër, kopshtet me lule dhe librat, dashuria dhe dashuria e kthyer, këto gjëra bëjnë erën e saj të përshtatshme. Inspirimin nga natyra dhe njerëzit në rrethanat e tyre më të thjeshta i përkthen në art, ndërsa nga të gjitha format e artit, fjala e shkruar dhe loja klasike e baletit janë Anushka e vërtetë. Çdo mirënjohje dhe çmim ia dedikon bashkëshortit dhe shokut të saj më të ngushtë, motrës më të vogël dhe prindërve.
Kontakti: аnuska.cvet@yahoo.com, anuska.cvet@gmail.com, https://www.linkedin.com/in/anushka-minovska-b49220a6

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.