Anela Ilijash

 

Duke pirë kafen dhe njëkohësisht duke ecur me nxitim, Fahimja erdhi deri te ai kiosk, deri te i vetmi kiosk në këtë qytet të madh ku shiteshin gazetat në gjuhën e saj amtare. Me ta blerë gazetën, shëtiti deri te kafja më e afërt dhe hyri brenda. Duke u takuar me shikimin e kamarierit, qeshi disi me marrëzi, ndërsa kamarieri e pyeti me gjakftohtësi: „As always?“ dhe ajo shpejt nisi të pohonte me kokë. Zgjodhi tavolinën pranë dritares, u rehatua dhe i hapi gazetat. Kamarieri ia solli një filxhan të madh me kafe të zezë. Bëri një lëvizje të paqartë me dorë në shenjë falënderimi. Rrëkëlleu një gllënjkë të madhe kafe dhe, duke u mbështetur me bërrylë mbi tavolinë, u zhyt në leximin e gazetës. Por, pa ia lëshuar sytë gazetës, e ndiente se si kapakët e syve po i mbylleshin dhe sido që mundohej ta lexonte të paktën një artikull, nuk mund të përqendrohej. Sigurisht se do ta kishte marrë gjumi duke shikuar në ata grumbuj të pakuptimtë shkronjash sikur përnjëherë mbi kokën e saj të mos e ndiente zërin e njomë i cili recitonte vargjet:

Retë e çelikta rrëmbejnë agimin,
Largohem nga ky ishull.

Fahima ngriti kokën. Përballë saj qëndronte një vajzë e re. Kishte flokë të drejta me ngjyrë të kuqe deri te supet, fytyrë të lezetshme, gati fëmijërore dhe Fahimja e pickoi veten të sigurohej se nuk ishte në gjumë, sytë me ngjyrë të ndyrshme: një sy i kaltër, e tjetri – i gjelbër. Fahimja piu edhe një gllënjkë.

„Më falni që u ula kështu në tavolinën tuaj pa ju pyetur. Vetëm pashë se po lexonit gazeta, gazeta në gjuhën ti… në gjuhën tu… në gjuhën to… Ju jeni nga ish-Jugosllavia, apo jo?“

„Po“, ia ktheu Fahimja dhe piu edhe pak kafe.

„Unë jam Asja. A-sja. Unë jam poete“, u prezentua plot hare vajza flokëkuqe me një sy të kaltër dhe një të gjelbër.

„Fahima. The se shkruan poezi?“, u përgjigj Fahimja dhe, duke e hapur çantën, nxori një kuti me tableta. Në kuti shkruante „KOFEIN: të konsumohen më së shumti dy tableta në ditë“.

„Po, poezi. Mami im gjithmonë përsëriste se njerëzit luftojnë vetëm sepse nuk lexojnë mjaft poezi.“

Fahimja piu dy tableta me kafe.

„Nga cili qytet jeni, Fahime?“

„Nga Sarajeva“, tha Fahimja dhe nxori edhe dy tableta dhe i piu me kafe.

„Nga Sarajeva? Kurrë s’kam qenë në Sarajevë. E unë jam gjysmë kroate, gjysmë serbe. Dhe plus jam poete. A-sja.“

Fahimja bëri një lëvizje të paqartë me dorë drejt kamarierit dhe ai solli edhe një filxhan me kafe të zezë për Fahimen.

„Gjysmë kroate, gjysmë serbe. E syri i gjelbër është serb apo kroat?“

Asja vetëm buzëqeshi dhe pëshpëriti edhe disa vargje:

Të tjerët të trishtë mbesin
Për ta fajësuar fshehtësinë.

Fahimja piu edhe pak kafe dhe disa tableta të tjera. E shikoi Asjën dhe tha:

„Kam lexuar se një plak nga Vietnami nuk fle tash e katërdhjetë vjet! Ah, sikur ta dija fshehtësinë e tij!“

Asja e shikoi me syrin e saj të gjelbër dhe të kaltër.

„Pse dëshironi të mos flini kurrë? Pse konsumoni aq shumë kafeinë?“

„Më recito të lutem, edhe disa vargje të tua.“

E mori etja oqeanin tmerrësisht
Pret oazën.

Pse konsumoni aq shumë kafeinë?“

„Kur nisi Lufta, sapo e kisha mbaruar shkollën e mjekësisë. Për motër medicinale, e ke parasysh? Dhe vendosa të bëhesha vullnetare. Të jem motër medicinale në spitalin ushtarak. Kujdeseshim për ushtarët: pavarësisht përkatësisë kombëtare. Atje çdo ditë shihja gjithçka: trupa të djegur, trupa pa gjymturë, trupa pa kokë, kutërbim, kalbje, qelb… Dhe erë gjaku të thartë… Ishte aq e tmerrshme… E tmerrshme, e tmerrshme… Mendoja se nuk do të mbijetoja. Se në një çast do të vdisja: nga ethet. Por mbijetova. Dhe pastaj u shpërngula në pjesën tjetër të botës: sa më larg, sa më larg… Por tmerret e luftës nuk më lënë rehat as këtu. Sa herë më merr gjumi, i shoh në ëndërr ata trupa të djegur, trupa pa gjymturë, trupa pa kokë, kutërbim, kalbje, qelb… dhe atë erë gjaku të thartë…“

Fahimja piu edhe pak kafe dhe shtoi:

„Kam frikë nga gjumi. Më kupton? Nëse fle, përsëri do t’i shoh… Kam frikë nga gjumi!“

Asja dëgjonte e përhumbur duke ia ngulur sytë gazetave dhe me gisht vizatonte rrathë mbi to.

„Kam frikë nga gjumi“, përsëriti Fahimja dhe piu edhe një tabletë.

Duke mos u ndalur së vizatuari rrathë në gazeta, Asja rrëfeu qetë-qetë, më shumë për vete se për Fahimen:

„Kur nisi Lufta, unë isha ende e vogël. Jetoja me prindërit në Kroaci, në një fshat të vogël kroat. Atje të gjithë ishin kroatë, vetëm mami im ishte serbe. Kur nisi lufta, të gjithë kroatët në fshatin tim filluan t’i urrenin serbët. U çmendën në mënyrë masive. Erdhën te ne dhe e vranë mamin tim. Mua dhe babin na lidhën fort për karrige dhe na detyruan të shikonim se si po e vrasin mamin… E torturuan gjatë… Më vonë dikur babin tim e vranë çetnikët serbë në fushëbetejë… Një me një.“

„E tmerrshme…“

Oqeani u ftoh
Kujdesshëm, rrezikshëm, helmueshëm… Kur po e vrisnin nënën time, ajo bërtiste. Bërtiste: „O-O-O-O!“, por njerëzit zakonisht nuk bërtasin ashtu. Njerëzit bërtasin „A-A-A-A!“, e ajo bërtiste „O-O-O-O!“ Kurrë s’kam për ta kuptuar përse bërtiste O… Merreni me mend, bërtiste O!“

Përnjëherë Asja filloi të qeshte. Dhe në buzëqeshjen e lehtë fëmijërore Fahimja dallonte jehonën e të qeshurës së sëmurë. Edhe Fahimes iu bë e qartë: vajzës i kishte ikur truri pas tragjedisë së përjetuar. Plot trishtim pëshpëriti:

„Fëmijë i gjorë!…“

Asja pushoi së qeshuri dhe u bë shumë e vrenjtur.

„Nuk jam e gjorë. Unë jam A-sja. Unë jam poete. Mami im gjithmonë përsëriste se njerëzit luftojnë vetëm sepse nuk lexojnë mjaft poezi.“

U ngrit:

„Më duhet të shkoj.“

Fahimja bëri një lëvizje të paqartë me dorë për ta ndalur.

„Prit! M’u bë shumë qejfi që nuk fola anglisht me ty në këtë qytet! Ma shkruaj numrin e telefonit që të mund të shihemi përsëri.“

Nxori stilolapsin nga çanta dhe ia zgjati Asjës së bashku me një facoletë. Asja shpejt e shpejt shkruajti diçka dhe ia ktheu Fahimes. Fahimja e mori facoletën në dorë. Në të shkruante:

Retë e çelikta rrëmbejnë agimin,
Largohem nga ky ishull.
Të tjerët të trishtë mbesin
Për ta fajësuar fshehtësinë.
E mori etja oqeanin tmerrësisht
Pret oazën.
Oqeani u ftoh
Kujdesshëm, rrezikshëm, helmueshëm.

Kur e ngriti kokën, Asja tashmë ishte larguar.

Atë natë Fahimen, më në fund, pas një kohe të gjatë, e mori gjumi dhe ëndërroi njerëz të të gjitha përkatësive etnike: kroatë, serbë, boshnjakë, francezë, japonezë, amerikanë dhe të të gjitha përkatësive etnike të ulur në dysheme në një rreth, pra në formën e shkronjës O, e në mes të shkronjës O poeten flokëkuqe sylarushe duke lexuar poezitë e saj.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Anela Ilijash

autore e re gjysmëkroate dhe gjysmëruse e lindur në Moskë, ku e kaloi gjysmën e jetës, dhe pastaj u vendos në Kroaci. Momentalisht është studente e japanologjisë. Filloi të shkruante në rusisht dhe kroatisht që kur ishte 10 vjeçare, e që nga mosha 12-vjeçare në mënyrë aktive merr pjesë në shumë festivale letrare. Është fituese e shumë shpërblimeve ruse dhe kroate për punën e vet, por edhe për përkthimin e romaneve dhe të përmbledhjeve të poezive të autorëve kroatë në rusisht.
Kontakt: anelchyili@gmail.com

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.