Petar Babiq

 

 

Rreshteri i pensionuar Jozo nga gepeku nxjerr grepat për peshkim. Djali i tij Matani i vendos mbi mbështetës, nxjerr tripodë dhe hap çadrën.

„Bal, bal, kqyrr n’anën tjetër, prapë shkijet kanë ardhë me peshku.“

Babai Jozo, luftëtar me njëmijë ditë të kaluara në sektorin luftarak, shikon me dylbi përtej ishullit. Njerëzit shikohen si në pasqyrë, zjarri gulçon, gjashtë copa grepë për peshkim, çadra dielli, Opel 2010 dhe Opel 1993. Matani i kthen shtalbat në zgarë, të mos digjen, i shikon ata matanë, e zemra rrah, gjëmon.

„Edhe shkijet janë njerëz, bir“, murmuron Joza, dhe me dhëmbë e hap shishen e birrës, „po mbaje mend, po t’mos kish luftu bali yt n’vitin nëntëdhjetenji kundër q’atyne, na Kroaci s’kishim me pasë.“

„Auu, bal?!“, shtanget djaloshi, „e çka ish ba t’mos kishe shku n’luftë?“

Rreshteri Jozo qëndron në cekëtinë, e hap patentin, urinon drejt dy personave në bregun tjetër. Urina me avull stërpik sipërfaqen, tremb peshqit.

„Kur ia përshkruejta psikiatrit ditën e fundit në Vukovar, u çu prej karriges dhe kanarinës që e mban n’ordinancë ia gjujti nji grusht fara n’kafaz. Ato muaj zogj n’Vukovar s’ke gjetë kund. Ban vaki nga granatimi i pandërpremë, thjesht, s’ka pasë, o unë s’i kam pa. Në nji sh’pi në rrugën Preradoviçeva, gjatë bastisjes pas s’di sa sulmeve t’kthyeme mbrapsht, e gjeta nji papagall n’kafaz. Hyna me Brdarin n’atë shtëpi për shkak të shkijeve që kishin mbetë, dhe n’qosh e pashë papagallin lara-lara. Ishte jeshil me bisht mavi, me vija t’zeza n’krah dhe me kokë sari, i braktisun në një kuti prej thupre. Dera ish çelë, dritaret e thyeme, e ai nuk fluturoi. U ktheva n’atë dhomë mbasi i pastruam rrugët, u ula n’kauç dhe s’ia hoqa sytë. Ambullanca e tyne nxjerrte arkanca t’mbytun nga sulmi i dështuem i artilerisë, e unë në resho e zieva nji kafe, u shtriva dhe e piva kadalë dalë, tue mos besu çka po shoh para vetes. Djelli i tetorit mshefej mbrapa arës së kollomoqit të pakorrun, dhe ky, doktor, ish zogu i vetëm që e kam pa atë kohë, i vetmi në krejt Vukovarin. Ndejta ashtu nja gjysë ore dhe e kqyrrsha papagallin i shtangun si me e kqyrë vetë Zotin. Banesa ish e ndrequn si me e pasë pritë nikoqirin në çdo çast, si me pasë dalë familja me shëtitë deri n’Danub. Armën e lashë te komodina dhe i pritsha anëtarët e familjes, me erën e barit që sapo ish kositë, me zapullinën e ambël t’sanës mbi t’cilën k’cejnë harabelat dhe bëjnë kërdi minjtë e fushës. Kujtime t’kahmotshme, pamje t’fëmijënisë, ishin atë kohë e vetmja oazë e qetësisë. Qetësisë që m’duhej aq shumë, e nuk e kisha. Për nji kohë t’gjatë. Atë mbramje papagallin nuk e l’shova, ma mur mendja se ish ma i sigurtë aty n’kafaz se jashtë, n’qytetin e rrethuem. I lashë do fara edhe ujë për do ditë. Ato momente t’qetësisë n’kauçin me pluhun nuk zgatën shumë, por m’kanë mjaftue me e kuptu se sa e vlefshme asht’ liria, pushimi i mbasditës me nji filxhan kafe, papagalli n’krahun e piratit.“

Rreshtiri i vë duart n’ijë dhe i kthehet djalit:

„Çka me thanë, ma s’pari, t’mos e kish thirrë Tuxhmani popullin me u mbrojtë, e t’kish thanë ashtu palidhje, kroatë dhe kroate, hajde ta presim armatën jugosllave me kunorë n’dorë, tash ishe kryque me tri gishta.“ Jozo e shkund gjatë dhe cekët, muajve të fundit po e mundon prostata.

„Auu, bal, po s’ka qenë k’shtu, a po? Tuxhmani s’ka qenë hajvan.“

„Eh, de, edhe q’ashtu çetniku hyn n’Osijek, Zarë, Sisak, Dubrovnik, k’cen vallcer me nanën edhe me motrën tande, e kroati n’kishë i pret buritë. Si katolik’t e parë t’kohës s’Neronit ulurijnë për mos me i ly me mjaltë e me i kepë n’barkun e magarit e me i tubue bletat.“

Mati flokëshprishur tmerrohet nga brutaliteti i romakëve paganë:

„Bal, a e ki marrë terapinë ti sot? Nana e ka pru dje dozën e re prej barnatores.“

„Kqyrre punën tande, s’t’kisha marrë me vete t’mos kisha pi terapi.“

Rreshteri i pensionuar me panikë kontrollon xhepat e pantollonave. Që nga fundjava e kaluar gjendja i ishte përkeqësuar mjaft shumë, kështu ndodh çdo vjeshtë kur kopshtet marrin erë plumbi, e domatet kalben si gjaku i mpiksur. Seç u thye diçka gjatë pagëzimit te vëllau në Zagreb kur pas meshës filloi muhabeti për Titon, kalifatin dhe pederët, e si kulminacion i gjithë kësaj, morën t’i shfletonin libërleximet për shkollë fillore. Pyet Jozo nipërit rreth trampolinës a e dinë se ç’është Lufta Atdhetare, kush kundër kujt luftoi, e fëmija i hapën sytë e asnjë fjalë s’e thanë, vetëm zeirekja Lara, hasretja nga martesa e parë e motrës, reciton se si osjekasit luftuan kundër vukavarasve në vitin shtatëdhjetenjë.

Reshteri Jozo s’ia lëshon sytë dyshit matanë bregut. Uji i qetë bart çdo fjalë e jehona i forcon, valët sjellin përmendjen e car Dushanit, Betejës së Kosovës, tabelave çirilike, Obiliqit, Jasenovacit…

„Tanë bota i uron shokut Sllobodan, fituesit të Nobelit për paqe, që i ka reformue fiset e Jugosllavisë në nji komb modern europian. Mbas çlirimit nga ustashët gjakatarë, së pari u hoqën tjegullat nga kisha e Shën Markut dhe pastaj u gdhendën katër S-jat në ballë të Orlandos së Dubrovnikut.“

„Bal, krapi po tërhjek!“, bërtet Matani, hallka kërcen dhe fundoset, „të mirë këta peshq karremi!“ Rreshteri Jozo nuk reagon, është i ngathtë, tabletën pembe e shplan me birrën e zezë.

Matani e nxjerr krapin trekilesh dhe e fut në rrjetën e rrëshqitshme.

„N’televizor k’non serbi Oliver Dragojeviq, e Mljetin dhe Korçulën i kanë riemëruar Qosiq dhe Karaxhiq.“

„Bal, mirë është, ma ngadalë, po na ndin Spasoje.“

„Le t’na ndin, mut muti.“

Dhe ndërsa terapia shkrihet nën gjuhë, rreshteri Jozo bëhet flakë, mendon se ndoshta ai nuk ka plasur po ka plasur shteti në të cilin jeton. Kjo ide e mrekullueshme njëkohësisht e fascinon dhe e tmerron. Po a nuk thoshte vetë pastori i shenjtë bash këtë javën e kalueme, se qe tre vjet po importohet mish lope i ngrimë nga Brazili, tambli vendor po derdhet përtokë, të s’mutit po i ngacmojnë fëmijët e vegjël, burrat po martohen me burra, Antarktiku po shkrihet, dreqi dhe i biri.

Sytë e Jozës shkëlqejnë si xhami:

„Jugosllavia u pranue n’Bashkimin Europian n’vitin 1993 dhe shumë lotë g’zimi u derdhën kur president Milloshi me amerikanë e qiti nënshkrimin për programin e famshëm n’hapësinë, për projektin e investimeve të përbashkëta në zbulimin e hapësirave kozmike dhe shfrytëzimin e mineraleve nga planetet përreth. Dhe për nder t’Jugosllavisë së tretë në Maksimirin e stërmbushur i bënte muzikë ajo, ajo Azra jote, që s’e don pasaportën kroate.“

„Bal, mos, unë n’shtëpi e dëgjoj Xhonin!“

Jozo e humb drejtpeshimin.

„Mos, bal, leje Xhonin…“

„Çka leje?! Ta qifshin ty nanën çetnike, ty dhe Xhonit! A kam unë drejt me folë çka t’due dhe kur t’due?! A asht’ ky shtet kroat? A jetojmë n’demokraci a n’Jugosllavi?“

Mjegullimi i kaltër shtrihet mbi lumë, freski e mbrëmjes. Danubi flakë në pasqyrë ndërsa dy hije vallëzojnë rreth zgarës. Rreshteri Jozo kapet për kokë, veç edhe ta dëgjojë atë ulërimë shpëtimtare në spiralet e veshit. E kujt t’i ankohet më, kujt? Ndoshta atyre mijërave në gostinë në Çavogllavë, e gjysma e tyre kurrë s’kanë parë kufomë, e të mos flasim për pushkë. Nuk e dinë ata se qysh kutërbon kufoma e djegur në tank, dhe se qysh është kur me snajper përzgjedhet viktima, qysh llogaritet kush nuk ka fëmijë në shtëpi, dhe mos është i joni, mos është ushtri e rregullt që shërben si mish për top. Nuk e dinë ata se në luftë nuk ka urrejtje dhe famë, se pas hesapit të parë me të vdekur lufta bëhet si orar pune. Çohesh n’ora pesë, fut diçka n’gojë shpejt e shpejt, e merr pozicionin dhe pret. Pastaj vret nja pesë a gjashtë çetnikë dhe bëhet terr. Pak hajgare, pak vajtim për t’vdekurit dhe në gjumë. Nuk dinë ata se si merr frymë iriqi natën. Keni dëgjuar ndonjëherë? Jo? Anjile si njeriu. Njëherë Jozo u fut në hendek mbrapa linjave të armikut dhe mendoi se e kishin gjetur. E dëgjoi shkaun se si po merrte frymë mbi të, u bë si i vdekur për një kohë, si të ishte kufomë e hedhur. Një muaj pa u larë ashtu edhe kutërbonte. Pas dhjetë minutash i plasi, çka po merr frymë, gjuaj t’qifsha nanën, e ngrit kokën dhe e sheh iriqin duke vrapuar nëpër livadh. Jozo në regall në dhomën e ditës e mban Shtëpizën e iriqit të Qopiqit, megjithëse copë e grimë, dhe gjithmonë i kujtohet ky moment kur u lexon vajzave para gjumit.

Po, s’ka pse t’i tregojë gjithçka psikiatrit, ai i ka kërkuar njëmijë euro për t’ia lëshuar vërtetimin për pëtësëpë, e veç shikon në laptop dhe kotet. S’mërzitet ai që Jozo e bën qishën në krevat si fëmijë i vogël. Dhe mos dhashtë Zotë ta marrë vesh e shoqja, qysh me i thanë gruas që e ke të butë për shkak të terapisë së fortë, prandaj edhe nuk e merr, se nuk i çohet qysh duhet. E shikon Jozo i thinjur krapin në të thatë, se si e hap gojën gjerë e gjatë, llapërçitet, lufton për çdo frymëmarrje. Hallin e kanë të njëjtë, në kësi ardheu edhe ai merr frymë si ta kishte gushën.

Kur pas llogorit në Stajiçevo mbërriti në qendër të Zagrebit, u shtri në asfalt kur topi nga kodrina shkrepi në mesditë. Si në film, mendonte se po fillonte sulmi minahedhës. Pastaj të fejuarën e çoi në koncertin e grupit Jure Stubliç i Film. Iku si pa kokë derisa ajo shkoi në nevojtore. Zhurma e shkatërronte.

Në qiellin e kthjellët të natës u shfaqën me miliona yje të mëdha. Qetësinë qiellore e prish vetëm shkëlqimi i satelitëve të ngadalshëm dhe avionëve udhëtarësh. Terapia fillon të ketë efekt.

Rreshteri Jozo e thërret atë dyshin matanë bregut:

„Spasoje, hajde me t’voglin të hamë krap zgare!“

Heshtje.

„Hajde, Spasoje, pash Zotin, le t’lujnë f’mija!“

Dëgjohet tërheqja e barkës nga shkorret, vringëllima e lopatëzave në lumin e trazuar, mavi. Matani përlas shuplakat dhe fluturimthi vrapon t’i marrë letrat për pishpirik.

„Qe, Jozo, po, aman, mos t’jetë birra e vak’t si herën e kalueme!“

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Petar Babiq

Petar Babiq (Koprivnica, 1974) shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Krizhevc, dhe diplomoi në Zagreb, në degën e kroatishtes. Ka botuar romanin Abecedarij dhe roman-gazetën Babylondon. Është përfshirë në antologjinë e prozës kroate të viteve të nëntëdhjeta 22 u hladu. Është bashkëautor i përmbledhjes me prozë Pet autora traži naslov. Mori shumë çmime në konkurset për tregimin e shkurtër (Priçigin, Vjeshtat e Galloviqit – Koprivnica, Çmimi Sllavko Kollar, Çmimi Zllatko Tomiçiq, Çmimi Stjepan Kranjçiq). Është anëtar i Degës së SHSHK dhe të AK së Podravinës dhe të Billogorës. Jeton dhe punon në Krizhevc, ku është moderator i takimeve letrare Poluvrijeme poezije.

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.