Dushan Radakoviq

 

0.

“A je ti shofer kamioni?”, më pyeti vajza ime, vogëlushja me këmbë të shtrembra, e cila është nëntë vjeç. Në fakt, ato këmbë të shtrembra i ka trashëguar nga unë. Të miat janë edhe më të shtrembra. Asnjëherë nuk më kishte pyetur se me çka merresha. M’u afrua, duke mbajtur një fletore me kopertina të pastra të bardha ku nuk shkruante asgjë, ma tregoi titullin që ua kishte dhënë mësuesja dhe më pyeti. A jam? Duhet ta shkruante një hartim për profesionin tim. Për profesionin e babait të saj.

Isha i shtrirë pa shumë vullnet në divanin e vjetër ngjyrë drapi i cili nuk mund të hapej tash e sa vite. Pas zhvendosjes së katërmbëdhjetë dhe të fundit mjaftonte që mund të shtriheshe në të. Atë banesë bashkëshortja ime e trashëgoi nga halla e saj që kurrë s’ishte martuar, e cila kaloi në amshim më katërmbëdhjetë shkurt. Nuk është çudi që i Madhërishmi e kishte ftuar bash atëherë – thoshte se tërë jetën ishte e dashuruar me dikë. Ph, e dashuruar. Dashuria është për kalamaj, dhe jo për njerëz seriozë të zënë me punë siç jam unë. Tridhjetë e katër metra katrorë banesë për ne të tre ishin mjaftueshëm. Secilit pak më shumë se njëmbëdhjetë metra.

Nxora edhe kokrrën e fundit të vullnetit nga truri im i mpirë dhe me krenari iu përgjigja se jam shofer kamioni. Dhe jo të ndonjë kamioni të thjeshtë, por të maunës skani. Vajza ime dëgjoi “avion” dhe jo kamion. Kroi veshin; kruarja zgjati disa sekonda, duke lënë një nishan të kuq mbi atë vend. Ishte e sapoqethur shkurt sepse në shkollë ishin shfaqur morrat dhe nëna e saj, bashkëshortja ime, ishte kapur për një fjalë të vetme: preventivë.

Shqiptova disa fjali në lidhje me punën time dhe i thashë vajzës se kjo i mjaftonte për të shkruar një hartim të mirë. U krua përsëri, u ul pranë divanit ngjyrë drapi, hapi fletoren në tepih dhe filloi të shkruante. E befasoi informata se në agjendë unë e shkruaja çdo kilometër të kaluar qëkur ngas kamionë. Në atë agjendë nuk shkruheshin të dhënat për ngasjen e automobilit.

Çdo mbrëmje, bashkëshortja ia kontrollonte flokët. Edhe mua m’i kontrollonte flokët, duke kërkuar morra e thërija, duke këmbëngulur që të qethem. Nuk mund të hiqja dorë nga bisteku im, të cilin e kisha që nga shkolla e mesme. Më duket se asnjë qime nuk më ka rënë që atëherë.

 

1.

Unë kam mbaruar shkollën trevjeçare të trafikut. Me të përfunduar shkollën, babai më punësoi te miku i tij Marko Çoloviqi, i cili ishte pronar i disa mishtoreve. Asnjë mishtore nuk dallonte nga yrneku i mishtoreve të tij të tjera të cilat kutërbonin fort në mish të prishur. Në fillim nuk ma rrokte se si arrinte t’i shiste produktet e tij. Përditë, me kamionin volvo, me frigorifer, i furnizoja me mall ato mishtore të mbuluara me kutërbim. Si arrinte shefi Marko t’i shiste produktet e veta? Gjithmonë ishte së paku njëzet për qind më i lirë se konkurrentët, që rriste dukshëm qarkullimin në mishtoret e tij. Kjo ishte arsyeja e parë. Ndoshta edhe e mjaftueshme për një vend të varfrish. Arsyeja e dytë ishte se shumicën e kafshëve të sëmura apo të ngordhura të cilat përdoren për ushqim të njerëzve, në territorin e krejt shtetit, e blinte ai. Për transportin e atyre kafshëve kujdesej Oskari. Ky Oskari ishte fjalëpak, shkurtabiq, fytyrëtullë, mjekërthinjur përkundër moshës rinore. Më duket se nuk ishte më shumë se tridhjetë e pesë vjeç. Oskari ishte përgjegjës për transport deri në çastin kur mori lejen për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Atje i jetonte motra dhe dhëndri. Ato kafshë të sëmura a të ngordhura shefi Marko Çoloviq i kategorizonte dhe i përpunonte në thertoren e tij.

“Nga nesër, je në pozitën e veçantë, të përgjegjshme”, më thirri Çoloviqi dhe më tha. “Personi që e mbajti atë pozitë po shkon jashtë vendit. A e di pse po shkon? Sepse te Çoloviqi mori dijen dhe përvojën të cilën jashtë vendit e çmojnë gjithsesi. Prandaj, hapi sytë”, më tha babai im.

 

Pozitë të veçantë? Më shkoi mendja tek Oskari i cili nga kutërbimi i kafshëve të ngordhura të futur në qeskën e flokëve të kokës së tij nuk u çlirua as atje, në Amerikë.

Më pas, ndoshta një muaj e gjysmë pasi shkoi Oskari, fillova të bëj edhe udhëtime tejkufitare. Shkoja për mallra të cilave u kishte dalë afati apo ishin mallra të cilat ata, gjermanët, austriakët ose zvicranët nuk e përdornin në ushqimin e tyre. Sytë. Zorrët. Veshkat. Trutë. Njëherë kam transportuar edhe gjysma. Mbi njëqind gjysma valëviteshin në frigoriferin e volvos.

 

2.

Për më shumë se dy vjet po punoja për shefin Marko. Edhe pse paga ishte e mjerë, unë isha i kënaqur. Shkoja shpesh jashtë vendit, kontrabandoja cigare dhe alkool, gjatë udhëtimeve takoja vajza të pranueshme koha e të cilave nuk ishte e shtrenjtë. Kontrabanda e mbulonte lehtë shoqërimin me to. Në atë kohë hiperinflacioni, në raport me shumicën e njerëzve, jetoja për merak.

Pastaj më trokitën te dera. Ata të dy, të dytë me buzëqeshjen prej veshit në vesh. Dhëmbët i kishin më të bardhë se rripat. Disa orë më parë kisha mbërritur nga Baseli.

“Po e shoh se je në formë të mirë të ngasjes. Nuk dukesh i lodhur. Zvicra nuk është afër”, tha njëri nga dy policët ushtarakë.

Më çuan drejt e në front. Më lanë para Ilokut. Atje më dhanë të ngisja kamion civil, FAP kiper. Mora pozicion të veçantë në njësit, me vulën Sekret ushtarak në librezë.

Nëntë muajt të cilat i kalova në ato detyra speciale kaluan relativisht shpejt. Kurrë askujt nuk ia kam thënë as edhe një fjalë për atë që kam bërë atje. Askush kurrë nuk më ka pyetur.

Tash, kohë pas kohe kam makthe, nuk është se nuk kam. Shpesh ëndërroj trupa grumbull, të cilat janë lënë prapa kabinës në të cilën gjithmonë kam qenë vetë. Kurrë nuk kam pasur kopilot. Kisha ndjenjën se po transportoja kunguj apo bostanë sepse këtë e kisha bërë disa herë kur po mësoja në shkollë për t’u bërë shofer kamioni. Kur mbërrija te lokacioni për të cilin kisha urdhër me shkrim, dilja nga kabina pas shkarkimit të trupave dhe qëndroja anash ndërsa dy ekskavatorë i shtynin ata trupa në gropa tashmë të hapura me madhësi terreni volejbolli. Të gjitha gropat ishin nga ana jonë e Danubit. Nganjëherë dëgjoja britma, burrash, grash dhe fëmijësh, të cilat dukeshin sikur cijatje për shkak të zhurmës që prodhonin ekskavatorët. Zëri i bilbilit të eprorit shënonte fundin e gjysmës apo të çerekut të parë, shenjë se duhet të kthehesha mbrapa. Në territorin armik. Për turin e radhës.

Babai im ishte krenar me mua kur u ktheva. Hapi tendën jeshile në oborrin tonë dhe ftoi mbi njëqind mysafirë. Fëmijët e grumbulluar në mua panë ushtarin, luftëtarin. Ndoshta edhe heroin.

 

3.

“Tre, katër, pesë, gjashtë…”, tha ushtari i pispillosur, duke hedhur cigaren gjysmë të djegur në asfalt. As që kishte filluar t’i dalë mjekra. Tek-tuk ndonjë qime mbi buzë dhe në mjekër ia mashkullonte fytyrën femërore.

“Uh, si qenkan bërë duq këtu? Çfarë kutërbimi! Emigrantët e dreqit!”, bërtiti duke u larguar mënjanë, pa fshehur prej atyre njerëzve shtytjen për të vjellë. Volli vetëm disa metra larg maunës sime skani, duke iu afruar kanalit buzë rrugës në të cilin gërshetohej lëngu i errët i cili më shumë i ngjante naftës së papërpunuar se ujërave të zeza. Edhe në atë leng mund ta shihte fytyrën e tij të pispillosur.

Provoi të nxirrte faculetën nga xhepi për ta fshirë gojën, por edhe një valë tjetër nga lukthi iu derdh në kanal. Ndjeva aromën e djathit të tymosur, aromë të cilën sigurisht e ndjenë edhe njerëzit të cilët prapa shpinës së tij dilnin njëri pas tjetrit. Dilnin ngadalë, butësisht, si kur leopardi i afrohet presë. Së pari u shfaqeshin shputat. Shumica në ato shputa kishin atlete të cilat ishin kopje të dukshme të nikeve. Më pas u shfaqeshin ijet, gjokset që pastaj kokat t’u dilnin në fund. Të marrshme, të kërrusura drejt asfaltit. Dukej sikur kokat po ua tërhiqte teposhtë ndonjë peshë e padukshme. E ndjeva marren e tyre, megjithëse në çastin e parë mendova se ishte frikë. Dilnin nga ajo hapësirë e ngushtë, nga bunkeri i ndërtuar më vonë në pjesën e përparme të rimorkios, i cili gjendej mu te kabina e skanit.

“Shtatë, tetë, nëntë…”, numëronte pispilluqi. Burri tjetër, doganieri, rrinte çuç pranë dyerve të kopilotit duke mbajtur kapelën në dorë. “Ndoshta duhet të thërrasim ndihmën e shpejtë? Shikoji si duken! Shiko, secili i zbehtë si lecka. A thua kanë pasur mjaft ajër në atë bunker?”, tha.

“Dymbëdhjetë, trembëdhjetë…”, më depërtonte nëpër llapën e veshit. Përnjëherë u ndal numërimi.

Tashmë doganieri i ishte afruar pispilluqit kur pa një djalosh zeshkan me bermude të kuqe, i cili nuk ishte më i madh se shtatë vjeç. Tuta e bardhë i varej mbi trup, as që i shiheshin pëllëmbat. Ishte i qethur shkurt, ndoshta në “tresh”. Ma kujtoi vajzën time, dhe mendova se edhe në klasën e tij ndoshta ka pasur morra. Pas tij dolën edhe dy djem moshe dhe frizurash të ngjashme, ndoshta edhe ata me morra në flokë. Të tretë kishin lëkurë më të errët se këta që kishin dalë më herët.

“Pesëmbëdhjetë!”, bërtiti pispilluqi. “Sa paskan qenë, dreqi e marrtë? Si i paske futë këtu?”, m’u kthye mua.

“Shtatëmbëdhjetë”, i thashë qetas.

Më pas nën kamion, nga bunkeri i poshtëm, nxori kryet gruaja me trup zogu, me ngjyrë lëkure sikur tre djemtë e mëparshëm. Pastaj u shfaq edhe burri, i cili doli shumë më shpejt se gruaja. Thatanik, fytyrëzbehur, gati sa fluturoi te këta katër. Polici dhe doganieri i shikuan djemtë, gruan dhe burrin të cilët bënë qarkun në të cilin u përqafuan fort.

“Kjo duhet të jetë nëna. E ky, babai i thinjur. Familja, or burrë”, tha doganieri.

Nga xhepi i pasëm nxori një duq me para.

“Ka pesë e dhjetë? Të mos i numëroj? Treqind euro për kokë?”, tha.

“Aq”.

Kroi mjekrrën me para dhe, duke lëvizur kapelën majtas-djathtas nëpër kokë, tha: “Ktheji në ato bunkerë dhe vazhdo. Më nuk do të të kontrollojë askush deri te destinacioni”.

Gjithë kohën teksa ngisja maunën e ndieja se si lëviznin në ato tetë metra katrorë. E dija saktë edhe kur urinonin në shishe plastike. E dija edhe kur i merrte gjumi, dhe trupat u rehatohen dhe u përplasen për muret e bunkerit.

I çova deri në Gjermani pa pauza të panevojshme. Deri te paralagjet e Munchenit, ku i lashë në një garazh. Katërmbëdhjetë prej tyre dolën, tre të tjerë mbetën në bunkerin e maunës. Djali me bermude të kuqe dhe me tutë të bardhë, si dhe dy gra, jo më të mëdha se tridhjetë vjeç, nuk dolën. Edhe kësaj radhe dështoi ventilimi.

Edhe për ata të tre, pavarësisht vdekjes, vlente i njëjti çmim – një mijë euro për kokë.

 

*

Isha shumë afër të blija një banesë të re, shumë më të madhe, një dupleks me paradhënie prej shtetëdhjetë metrash katrorë në Novo Naselje. Tridhjetë e katër katrorë për ne të tre, pak më shumë se njëmbëdhjetë për person, është nën minimumim e çdo dinjiteti njerëzor.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Dushan Radakoviq

Dushan Radakoviq ka lindur në vitin 1968 në Zrenjanin. Shkruan tregime.

 

 

ažurirano: 13/02/23

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.