Verçe Karafiloska

 

 

„Babi, i thuaj të ndalojë!“, bija ime Sara bërtet derisa vrapon pas vëllait të vet, i cili me gjuhën e nxjerr jashtë, vrapon përreth shtëpisë.

„Dino, mjaft e nevrikose motrën“, i bërtas, por ai vazhdon të ikën, duke tundur kurorën me lule, të cilën Sara tërë ditën u mundua ta bënte. „Dino!“, bërtas edhe një herë, e ai përsëri shtyhet sikur nuk më dëgjon.

„Lëre, në fund vetë do t’ia kthejë“, më thotë gruaja ime Ermira dhe me filxhanin me kafe në dorë ulet pranë meje.

I buzëqesh dhe vazhdoj t’i shikoj fëmijët tanë se si vrapojnë në udhën me pluhur që çon drejt livadheve.

„Mos shkoni larg“, nëpër mjegull e dëgjoj Ermirën se si u thotë, përderisa tanimë jam diku tjetër, diku në të kaluarën, ku e dëgjoj nënën time se si, njëjtë kështu, më bërtet të mos shkoj larg, ndërsa unë duke vrapuar drejt livadheve i buzëqeshur iki prej Merimës.

Merima me flokë me ngjyrë të natës me yje, me kapëza të larme. Merima me dhëmbë të rritur përgjysmë, të cilët dalin nga mishrat si gjethe trëndafili me borë. Merima me hundë të ngritur të mbuluar me pika të cilat përhapen përgjatë plazheve të faqeve të saj. Merima me sytë e mëdhenj, të cilat gjithmonë fshihen nën hijen e qerpikëve, të dendura si fijet e pishave.

Merima jetonte në shtëpinë e vjetër në fund të rrugës, së bashku me nënën dhe dy vëllezërit. Ata ishin më të vjetër se ne dhe duhej të punonin, kështu që shoqëria e vetme për Merimën isha unë dhe kokët e qeshura të aguliçeve në oborrin e nënës. Nuk më kujtohet se si e njoha Merimën. Ajo ishte njëra nga ata persona të cilët njeriu i njeh që kur e njeh vetveten – thjesht ekzistonte që kur ekzistojnë kujtimet e mia.

E ndjej se si Ermira e mbështet kokën në supin tim. E dëgjoj se si filxhani me kafe cingëllon mes gishtave të saj. Ajo më flet diçka, më rrëfen diçka, e unë e luaj kokën pa vetëdije për realitetin, i robëruar diku në ato ditë të largëta. Merima vjen me vrap dhe e prek murin në të cilin numërojmë kur luajmë kukufshehti. Merima me gulçim merr frymë derisa ngjitet duke më kërkuar mes kashtës së katit të sipërm të stallës deri te shtëpia e saj. Qëndroj në fund të rrugës përpara shtëpisë së Merimës dhe e shikoj hijen e cila pasqyrohet në perden tej dritares së dhomës së saj, kur e ëma, me flokët e fshehura prapa shamisë gri, e përgatit për të fjetur. Hija e Merimës për një çast nguroset dhe më duket se edhe ajo më hedh shikim nëpër perde, se e di se jam këtu.

E shikoj se si Merima e hap fustanin me dantellë në skaje dhe në përparësen i mbledh macet të cilat i gjetëm të fshehura prapa stallës, të braktisura nga nëna e tyre.

Me Merimën jemi shtrirë mes aguliçeve në oborrin e nënës sime, duke shikuar në qiellin e mbuluar me re, të shkumëzuara si pambuk sheqeri, i rrëfejmë ëndrrat. Merima dëshiron të jetë yll. Më pyet çfarë dua unë të bëhem.

„Pilot“, them.

„Pilot?“, thotë Merima.

„Po“, përgjigjem e ajo më pyet pse. I ngre supet dhe e kthej kokën anash që ajo të mos mi sheh faqet e skuqura. Nuk i them se do të bëhesha gjithçka, vetëm të jem pranë saj. E ndjej pëllëmbën e dorës së saj pranë simes, e ndjej gishtin e vogël të saj se si lëviz. E dëgjoj se si më rreh zemra në kraharor, derisa mendohem a ta prek. Nuk më kujtohet a ia mbulova pëllëmbën Merimës, por e di se pas kësaj shpeshherë shëtisnim me duart e lidhura në premtimet fëmijërore. E fshehur diku në kujtimet e mëvonshme është edhe puthja e saj e parë, që në mënyrë jo të ngathët ma lëshoi në faqen e djathtë, para se të ikën diku, duke e fshehur turpin mes hapave të hedhura në vrap. Faqja më digjej një kohë të gjatë pas kësaj, më kujtohet, derisa i fusnim duart në kavanozin me biskota me kapak të thyer dhe i ngjyenim në qumështin e nxehtë, ndërsa me këmbët e shtrira në barin e dallgëzuar jemi ulur në livadhet dhe e dëgjonim tingullin e bulkthave dhe kur na takoheshin shikimet diku mes lojërave, diku mes fijeve të barit, diku mes aguliçeve.

Në mendime më shumëzohen pjesë kujtimesh, të cilat assesi të krijonin një pamje të përfunduar. Dhe, sado që të përpiqem, kurrë s’do të jetë e mundur të krijojnë një pamje të përfunduar. Sepse të gjitha takimet tona, bisedat tona, shikimet me turp, puthjet e fshehura prapa trungjeve të trashë në pyjet mbi livadhet, dora e Merimës në dorën time, flokët e saj të dallgëzuara sipër kraharorit tim, beli i saj në përqafimin tim, fëmijëria jonë, miqësia jonë, dashuria jonë, ëndrrat për të ardhmen që na pret, fëmijët e palindur të cilët duhej t’i kenë sytë e saj kureshtarë dhe flokët e mia kaçurrela, e tërë ajo lumturi e kaluar, e tërë ajo lumturi e jona u ndërpre nga jehona e madhe e çizmeve ushtarake dhe plumbave të metalta. Për një çast mes nesh filloi të rrjedhë një lumë me gjak – unë mbeta në njërën anë të bregut, si ushtar i „tanëve“, Merima në anën tjetër, së bashku me të „tyreve“. Pambuku i sheqertë që krijohej në qiell u shkri dhe në vend të tij u përhapën rrathë të tymosur, të cilat na i vranë të gjitha buzëqeshjet.

Ajo që pasonte, ajo nga e cila ndonjëherë e pyes veten se a jam i lumtur apo i mallkuar që dola gjallë, dua të mendoj se i takon një të kaluare të dikujt tjetër, të një njeriu tjetër. Por, sado që përpiqem të harroj, sado që përpiqem t’i largoj pamjet e luftës nga mendja, edhe pas tërë kësaj kohe të kaluar, ata e lëshojnë britmën e vet në ëndrrat e mia dhe si një film i prishur rrotullohen në to natë pas nate. Shpeshherë zgjohem me ballin e skuqur nga dhembja, shpeshherë lëkundem duke qarë në përqafimin e gruas sime, duke dashur që me lotët t’i derdh nga vetja edhe të gjitha kujtimet e erës së barotit, simfonisë së të shtënave, të prerat dhe plagët e mbushura me tym dhe pluhur. Ermira vazhdimisht ma përsërit se nuk nuk morën fund para kohe të gjitha ato jetë për shkak të fajit tim, por unë i ndjej shpirtrat e atyre që shkuan të rënduar mbi supet e mia. Ermira në çdo natë të tillë më puth dhe më qetëson, e unë me dhembje në kraharor heshti se mes të gjitha ato fantazmave që i bart me vete janë edhe vëllezërit e Merimës, për të cilët dëgjova se i kanë marrë bashkëluftëtarët e mi dhe i kanë vrarë me mijëra të tjerë, me shpresën e mbetur të Merimës, me shikimin tonë të fundit dhe me kokrrën e fundit të mundësisë sonë për lumturi.

Gjatë luftës vazhdimisht lutesha të më gjejë ndonjë plumb apo dikush të ma çajë barkun dhe të më lirojë nga të gjitha mëkatet. Derisa zgjaste errësira dëshiroja të zhdukem që të mos e kem patjetër t’i shikoj në sy të gjithë ata njerëz me të cilët së bashku e ndërtonim qytetin, të mos e nxij sofrën e prindërve të mi, të mos e mbush me mllef kavanozin për biskota me kapakun e thyer të tetës Fatime, as ta zë shikimin e Merimës.

Kur u gjuajt plumbi i fundit dhe drita doli në qiell, nga jeta ime dhe nga familja ime deri atëherë kishin mbetur vetëm gërmadha. U ktheva në shtëpinë familjare me mure të qëruar dhe gjeta vetëm zbrazëti. Zbrita, më kujtohet, poshtë nëpër udhën me pluhur dhe u ndala jo larg shtëpisë së Merimës. Qeramidhet në kulm ishin thërrmuar, muret ishin ronitur, xhamat e dritareve të thyer dhe të verbër. Desha të trokas në derë me tërë fuqinë që më kishte mbetur, të ulem në gjunjë dhe të lus që dikush të ma hapte derën. Edhe sikur të më pështynte, të më mallkonte, vetëm desha dikush të ma hapte derën. Por, në vend të kësaj, u ktheva në anën tjetër dhe me një dhimbje të padurueshme në kraharor u nisa prapa, tatëpjetë, deri te shtëpia ime. Një kohë të gjatë pas kësaj shkoja deri në fund të rrugës së fshatit dhe e kërkoja hijen e Merimës, të pasqyruar në perdet e dhomës së saj. Por, ajo kurrë më nuk u duk.

Koha kaloi dhe nga dhembja mbetën vetëm kujtimet. Kur për herë të parë e pashë Ermirën, diçka më tërhoqi në sytë e saj të shkëlqyer si gogla qelqi. Më vonë, një natë vere, kur rinim në tremen e shtëpisë sonë, Ermira ma hapi zemrën dhe në të më tregoi plagë të luftës, plagë në vendet tani të zbrazëta në të cilat dikur jetonin babai dhe vëllezërit e saj. Atëherë më shikoi me të njëjtin shikim me të cilin më shikoi herën e parë – shikim i gërshetuar me ndjesë, ndërsa unë e vendosa dorën në barkun e saj të rritur dhe i premtova kohëra më të mira për fëmijët tanë. Ajo buzëqeshi dhe e vendosi dorën mbi dorën time.

Që atëherë e dija se dashuria e kësaj gruaje do të më ndihmojë të ringjallem.

Sara vrapoi te unë dhe e tëra në gëzim ma dha kurorën me lule. Pas saj erdhi im bir, me ballin e rrudhur nga humbja.

„Eja të hamë drekë“, tha Ermira dhe i shtyu fëmijët përpara nesh.

Hynë në shtëpi, kurse unë u ndala në prag me kurorën e të bijës sime, të shtrënguar në dorë. Kthehem prapa dhe i shikoj pemët që ngrihen mbi livadhe. Merima, e mbështetur në drurin tonë, në atë në të cilën i gdhendëm emrat që dashuria të rritet me të, më lejon t’ia heq shaminë. I fus gishtat në flokët e saj të zinj dhe i zbukuroj me një kurorë me aguliçe. Merima fillon të qajë dhe unë, duke i fshehur lotët e mi, e tërheq në përqafimin e fundit.

I dëgjoj Sarën dhe Dinon se si stërpiken duke i larë duart.

Edhe një herë shikoj prapa. Marr frymë thellë dhe e lë derën të mbyllet, duke i lënë kujtimet për Merimën dhe për ushtarët duke qarë, të cilët kurrë s’do t’u kthehen familjeve të veta, të rrokullisen nëpër livadhet, të luajnë mes aguliçeve, të fshihen nëpër pyjet dhe diku, kudo qoftë, ta gjejnë paqen.

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

 

  Verçe Karafiloska

Vera Kalinn (Verçe Karafiloska, 1994) është tregimtare dhe romanciere maqedonase. Është fituese e dy çmimeve kombëtare për tregime të shkurtra „Мукавени звезди“ (Yjet e kartonit), Nova Makedonija 2013, dhe „Коси од розова волница“ (Flokë nga leshi rozë) Zhivko Çingo, 2014. Tregimet e saj deri më tani janë përkthyer në shqip dhe anglisht dhe janë përfshirë në përmbledhje kombëtare dhe revista letrare. Në vitin 2015 doli nga shtypi romani i saj i parë „Бездомникот со златен часовник” (I pastrehu me orën e artë), i cili së shpejti do të përkthehet edhe në bullgarisht. Kontakt: verakalinn@gmail.com

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.