Jasna Raduloviq

 

për turpin mëkatin bicikletën lajthitë e mia ai është përgjegjës nuk më dëgjonte qeshte nuk besonte bombat binin si shiu bien në ditar bien në dubrovnik në vukovar nuk besoj se lufta do të vazhdojë vetëm po bëjnë shaka budallenjtë thotë i thashë mos u bëj e marrë kur nuk je e marrë di gjithçka sheh gjithçka duhet të shkosh vazhdoji studimet jashtë mua më ngritën duhet të shkoj në luftë të mbroj edhe sonte e di rrugën djemtë më thanë t’i kam incizuar këngët e azrës merri fytyrën hëna ia ndrit e kujtoj të gjithë mbarimin tonë përqafimin e fundit mendimi im i fundit është ajo është kanceri im m’i bluan zorrët njëzetegjashtë vjet pas ende varrin e ka të fshehur në majet e minuara të pemëve në kaçube i janë gërshetuar eshtrat me rrënjët e lajthisë kur bie lajthia dëgjoj ekspodimin kur bie lajthia më kërset poshtë këmbëve poshtë dhëmbit në çokollatë më kërsasin copëzat e minës pyes veten a janë këto lajthitë mbi të cilat ka rënë ajo dhe gjaku i saj i ka shplarë në agim me vesë gjaku i përzier me gërsheta truri toka dielli përcëllon lajthitë e ngjitura gjaku si shi më rrahin e hedhur tutje thonë fluturoi si kur me çekan godet lajthinë mishi copëtohet e lëvozhga fluturon të qëllon në sy në zemër në fytyrë në duar copëza e mprehtë bie gjatë lajthia fluturon ai bie si çekan bie shkel dhembjen minën urrejtjen njerëzore si çekani në mes të ballit urrejtjen predha në shpirt është ai rri shtrirë e hedhur tutje nuk marr guxim ta përmbledh me mendime kurrë me duar po thyej lajthitë gruaja pjek tortën ditëlindja e pestë e të birit fryj qirinjtë fotografoj me celular vallëzojmë këndojmë përqafohemi familja bashkë oh a është e mundur apo dikush po mungon mbaj të birin në duar gruaja fotografon të birin cicërron ketri im i vogël më puth e puth fytyrën ia ndrit hëna nga dritarja në televizion lufta në siri refugjatët të vdekurit të plagosurit kroacia i urren serbia i rrah europa nuk i do djaloshi nga gërmadhat rri i heshtur në veturën e ndihmës së shpejtë nuk qan i hirtë nga pluhuri gjurin copa-copa gjaku i rrjedh nga balli ndërtesën granata e ka prerë si thika tortën deri në fund dhe përgjysmë e mbyti ndërtesa vëllain nënën qenin fqinjët dalin këmbët nën trarë betoni si stiropor gjigant dhe i palëvizshëm njerëzit vrapojnë thërrasin dridhen dritat nga balli në vend të hënës natën e këpusin nuk ndiej nuk kam dhembshuri jam keq them ndërroni programin prit të dëgjojmë ç’po tregojnë tjetër shih djaloshin sa i bukur do edhe pak tortë gazetari analizon a janë të hirtë njerëzit djaloshi i vogël gjakos kufomat për asadin apo kundër kamera përsëri xhiron djaloshin mbyllen dyert e ndihmës së shpejtë paralajmërohen lajmet nga vendi të mitë ndërrojnë programin e shikoj të birin po e fotografojnë ha tortë vallëzon me nënën hap dhuratat nget bicikletën dhuratën e dajës oh jo bicikleta e marrtë djalli pse s’më pyete i urrej bicikletat të lumtë ç’ja paske qëlluar dhuratës bash është e bukur bir po ai është freni ajo është drita ajo është zilja gjithmonë duhet t’u japësh pedaljeve t’i heq rrotat ndihmëse pas një tre pesë tetë muajsh do të hipim në breg të premtoj në breg do të shkojmë të dytë dhe do të lëshohemi poshtë së bashku patjetër se do të rrëzohesh unë do të të mbroj përherë do të të mbroj djaloshi i hirtë është përsëri në ekran janë të moshës së njëjtë shoh flokët e saj të lagur nga gjaku u marr erë flokëve të të birit e puth të birin atë nuk mund të ha tortë lajthi them kanceri sëmundja zorrët kanë mirëkuptim u vjen keq për mua për të ma ndien fort që u vjen keq nuk u kam thënë as asaj se kam plasur si lajthia para njëzetegjashtë vjetësh u hodha në erë kur dëgjova buum pera udhëhiqte isha vet i dyti ajo pas meje më thanë se rruga është e pastër rruga po e pylli jo u nis drejt lajthisë më prisni më duhet ta bëj urinën na hodhi në tokë dhe mbase edhe na plagosi nuk ndieja nuk dëgjoja nuk shihja vetëm vrapoja drejt saj pas meje nuk mërzitesha ku do të ndalesha pera bërtiste kujdes vraponte pas meje ramë të dytë në gjunjë si para Zojës ramë me ta parë trupin e saj të shkapërderdhur pse ajo e jo unë e pyeta Atë pyete pse bash ajo nën hënë rri shtrirë me fytyrën e mbuluar me flokë sikur po fle këmbën nuk e ka nuk e mora guximin ta shohë këtë pera po e tërhoqa për dore ta nxjerr ta afroj ta mbroj ta marr me vete ta varros ta puth çkadoqoftë vetëm ta dijë se jam aty pranë saj dora vetëm dorën e majtë e tërhoqa e përqafoja e puthja ende të gjakosur me gishtërinj të ftohtë përqafoj dorën e përqafoj atë nga gjethet pikon gjaku ngadalë dhe papritmas si kur lajthia bie përnjëherë e piqet gjatë pera qan më shtyn shkojmë duhet të kthehemi e sheh se ka mina lëshoje je çmendur them kurrë nuk do ta lëshoj kurrë nuk më tha përse e kishte marrë gjithë këto vite e pyes ai hesht pështyj gjak me muaj është i ëmbël e di përse gufon si vullkan nga brendia ima ai tërbim pikëllim dhembje kur merr hov lëshoj ngërç në fytyrë e gjakosur më shikon nga pasqyrja diku ranë supeve të mia nuk jam unë është ajo ende më shikon nga pasqyrja ata sy dikur ajo ishte fytyra ime fytyra e saj nishan kishte mbi vetullën e majtë rënia nga bicikleta kur ishte nëntë vjeç tri qepje babi shkoi me të për qepje mami dridhej si thupra ishte krejt e përgjakur ulërinte dhe gjunjtë i kishte shqyer çorapet e reja të verdha nga shtëpia e mallrave tani janë të kuqe fundjava e fundit para fillimit të shkollës palltoja e re e kaltër me fluturën e qëndisur në jakë rri varur në dollap dhe çanta e re me bletën e vizatuar dhe kutia trekatëshe me ngjyra vizore llupë mprehëse dhe librat e mbështjelur me letër dekoruese me arinj të vegjël me letrën ngjitëse zana 3b unë isha 3a më pa se si lëshohesha poshtë bregut me poni shiko unë mundem edhe më mirë se ti gjithmonë donte të ishte më e mirë u thye krejt mendoja se unë kisha faj edhe herën e dytë se unë kisha faj për gjakun e saj edhe herën e tretë se unë kisha faj për gjakun e saj atë natë e di se kisha ai hesht kur e pyes ai hesht pra unë kam faj kur e tërhoqa për dore në pyll e ketrat cicërruan si shtojzovalle të liga gjethet shushuritën si stiropori lajthitë riguan si shiu i kobshëm asgjë nga kjo nuk dëgjova vetëm dëshirën time ta shpëtoj u besova njerëzve dhe asaj që më kishin thënë por buum dy javë rresht nuk e hoqa këmishën me gjakun e saj e mbaja gjithmonë me vete edhe kur isha i rrethuar edhe kur e ruajta plumbin e fundit për vete ajo ishte aty i thashë gruas më varros me atë këmishë e jo me flamur nën lëkurë lakuriqe ma vesh edhe në funeral sikur ti dhe unë nga azra edhe pëllumbin e kaltër edhe linda lanen ma lësho edhe pranverën në dhjetor edhe gracian gjithsesi ma lësho atë dhe i thashë pyete perën çfarëdo që dëshiron të dish për ne ai të tregon më ka premtuar nën uniformë gjatë gjithë luftës buzëqeshja puthja e saj flokët truri nën thonj i saj në duar i saj i gjithi i saj marr në shenjë gjuaj qëlloj shënjestra e gjallë pëllumbi prej argjili nuk mërzitem nuk numëroj nuk u fal njerëzve vetes atij askujt i përgjakur nga brenda shpërbëhem i stolisur nga jashtë krenaria e atdheut familjes më vjen turp kush jam hedh në erë lajthinë e prishur e pyes përse hesht pajtohu me të thonë para vdekjes do ta kesh më lehtë s’dua s’dua kurrë vetëm dua të garoj përsëri me të dhe ta lë të fitojë bir

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Jasna Raduloviq

(1970.) – Një ditë u lodha duke ndrequr gabimet në tekstet e huaja dhe nisa të krijoja tekste të mia, si dhe gabime. Shkruaj me vëshirësi, pa rregull, pak për shkak se jam e rreptë. Me profesion jam profesoreshë e gjuhës kroate dhe letërsisë jugosllave, me përvojë 22-vjeçare si lektore dhe redaktore, momentalisht punoj si e pavarur. Teksti është bota ime, më interesante dhe më e rëndësishme se kjo për të cilën shkruaj. Marrëdhënia ndërmjet gjuhës, mendimeve dhe realitetit është fusha e kureshtjes sime. Në horoskop jam introverte e hareshme, me nënshenjë optimiste e trishtë.
Kontakt: jasnarus@yahoo.com

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.