Dinko Teleqan

 

 

Jeleku nga jashtë është i zi, përpara nga pëlhura e ashpër, kadife, mbrapa nga pëlhura e butë, e shkëlqyer. Brenda në sfondin e hirtë, mbase dikur të bardhë, vija vertikale të holla, hiri të errët, të zeza dhe të kuqe pothuajse të zverdhura. Ka nga dy xhepa të vegjël në të majtë dhe të djathtë, nja dhjetë pulla. Nga ana e brendshme disa njolla të mëdha, thuajse në ato pjesë është derdhur uji. Kjo ishte me gjasë djersa e derdhur gjatë kalërimit; në dyqanin e pastrimit kimik thanë se njollave të tilla s’kanë ç’t’u bënin. Jeleku ka së paku tetëdhjetë vjet. Ma dhuroi dikur moti tezja ime e dashur, motra e nënës, si një nga gjërat e rralla të mbetura nga daja Zvonko, kur i pata thënë se më pëlqente jeleku. E vishja në raste të veçanta: në disa dasma, recitale, në diplomim. Ndër ato pak gjëra të mbetura ishte edhe fotografia në kornizë e pelës së pashembullt të Zvonkos të quajtur Marta, e cila rrinte varur në banesën e gjyshes dhe pastaj ndërroi edhe ca adresa. Portreti në sepia i kafshës besnike nga afër, patkojsh të shkëlqyer, me korniza në sy. Dashamir i kuajve, daja Zvonko ishte vëllai i gjyshes.

Në vitin 1943, gjyshi im, babai i nënës, pra i shoqi i po asaj gjysheje, iku nga Zagrebi në Romë, pastaj në Amerikë. Ishte pra kjo, me gjasë, në çastet e fundit. Gjyshi, në fakt, ishte ortodoks, i ardhur nga Vojvodina nga Beçkereku i Madh, sot Zrenjanin. Ikja e tij dhe jeta e mëpasme dhe vdekja në New York janë tregime në vetvete, të rrëfyera në ndonjë vend tjetër, e mbase do të vazhdohen të rrëfehen. Atëherë daja Zvonko u shpërngul në banesën e gjyshes në qendër të qytetit dhe për ato dy vite ishte babai zëvendësues i nënës, dora e mashkullit. E ajo dorë ishte mjaft e fuqishme: nënës i kujtohet se si në tavolinë kur ishte tri vjeç për ta mësuar mirësjelljen, Kinderstube, daja gjithmonë ia vënte nga një libër nën sqetull. Nëse në ato raste njëri a të dy librat i binin në dysheme, nxirrte rripin nga pantollonat (imagjinoj se ato ishin pantollona kalërimi, të holluara nga samari mbi kurrizin e Martës) dhe me të e godiste vogëlushen mbi kurriz, sikur pelën me kamxhik. Gjyshes për këtë nuk i vinte mirë, por heshtte. Në bark ishte tezja ime, e cila nuk do ta kujtonte dajën dhe e cila, gjashtëdhjetë vjet më vonë, do të më dhuronte jelekun e tij.

Në rrëfimin zyrtar familjar, atë të cilin e tregonte gjyshja dhe të cilin me disa hollësi të shtuara e rrëfenin vajzat e saj, pra nëna dhe tezja ime, daja Zvonkos së pari ia kishin konfiskuar pelën, dhe nuk vonoi derisa erdhën partizanët dhe e pushkatuan, edhe pse i gjori s’kishte bërë gjë të keqe përveç që, sipas inercisë së atëbotshme, kishte përfunduar në ushtrinë e rregullt të mbrojtjes së atdheut, mu sikur të gjithë ata djem të mirë zagrebas të cilët donin ta merrnin malin, të shkonin partizanë, e nuk ishin as ustashë të mbrapshtë. Mu në fund të luftës një i njohur i erdhi dajës dhe gjyshes te dera dhe me zë të brengosur, të qetë, i tha se do të ishte më mirë të fshihej, të ikte. Gjyshja provoi t’i fuste dajës ca dukatë në dorë, e shtynte të largohej, të ikte së paku përkohësisht, në fshat, te kushërinjtë, mbase disi jashtë vendit, se kishte lidhje dhe njohje. Daja Zvonko thoshte se s’kishte pse të ikte nga ndokush, se ndërgjegjen e kishte të pastër dhe se nuk do të luante vendit. Dhe pastaj nja dy banditë erdhën ta marrin, e gjyshja mbeti vetëm me dy vajza të vogla, pa bashkëshort, pa vëlla dhe pa varr ku mund të shkonte e të lutej. Kështu thoshte rrëfimi.

 

Gjyshja dhe vëllai i saj kishin një kushëri, Vlladën. Për të nuk kishte dilema: gjyshja thoshte, jo aq zëshëm dorën në zemër, gati në vetvete, se Vlladeku ishte delja e zeze dhe se e kishin varur, dhe atë për këmbësh, në Maksimir. Por Zvonkeci i saj, ai jo, ai nuk ishte i tillë, ai ish-djalosh i mbarë zagrebas, student i Pragës, ju lutem shumë, i sjellshëm dhe i edukuar, kurrfarë ustashi.

Shumë vjet më vonë, erdhi epoka e internetit. Epokë kur në makinën Google kërkojmë nocione dhe emra që për ndonjë arsye kanë rëndësi për ne, por edhe ato që nuk kanë fort rëndësi, siç është emri dhe mbiemri i dikujt nga bankat e shkollës. Kështu edhe mua më erdhi të shohë në shkruante diçka për stër(dajën) Zvonko.

Dhe po, shkruan çmos. Ka dokumente, ka dëshmi.

Ta zëmë, për krijimin e shtetit të “pavarur” nazist të Kroacisë, për përgatitjen e Reichut të Tretë, një nga ngjarjet kyç ishte e ashtuquajtura Kryengritja e Bjelovarit që u zhvillua në vigjilie të shpalljes së asaj krijese, shpalljes që në fund ndodhi mu në atë qytet. Në fillim të prillit të vitit 1941: në Bjelovar mbërriti, ndër të tjerash, kapedani Zvonimir Sirovatka, në ballë të kryengritësve të regjimentit  të këmbësorisë 105 – “shefi i shtabit të kryengritësve”, kështu e quanin. Vlladko Maçek, atëbotë nënkryetar i qeverisë federale (i njohur bash për deklaratën se “lajbeku ishte zbërthyer”), shkruan tutje “kishte thirrë kryengritësit të ktheheshin në pozicionet e tyre dhe se ai u garantonte se nuk do t’u ndodhte asgjë”, por këta menjëherë refuzuan. Një nga ato ditë, Zvonimir Sirovatka e kishte thirrë Maçekun dhe e kishte njoftuar se “kërkesat e tij” nuk mund të përmbusheshin, ngaqë “çdo ushtar deklaronte se nuk do të luftonte për qeverinë serbe kundër popullit dhe ushtrisë mike gjermane”. Dhe ushtria gjermane, pra, konsideronte daja Zvonko, ishte mike. Dhe atë në prill të vitit 1941 në valën e pushtimit të Jugosllavisë dhe Greqisë nga Hitleri. Të nesërmen – ndër të tjerash edhe falë përkushtimit të Zvonkos – u shpall shteti satelit nazist. Në dokumentin e NDH-së së saposhpallur thuhet se “rrethina e Bjelovarit është e shqetësuar nga serbët të cilët ushtrojnë dhunë”. Për të ndalë atë “dhunë”, atje u nis Zvonimir Sirovatka tani “kapedan kalorësie” i mbrojtjes së atdheut me tridhjetë e pesë gardianë ndërsa “u kërkua mbrojtja e ushtrisë gjermane”.

Më pak se dy javë më pas, u dha urdhër ku thuhej se “të gjithë oficerët, nënoficerët, oficerët ushtarakë dhe xhandarët e besimit ortodoks serb duhen më së largu deri më 30 prill të lirojnë të gjitha banesat në ndërtesat ushtarake. Komandantët kompetentë do të më japin një listë të të gjithë banorëve serbë në ndërtesat ushtarake, duke treguar se kur u lirua banesa”. Nënshkruhet “Kapedani Zvonimir Sirovatka, Komanda Plotësuese Bjelovar”.

E atë promovim e kishte nënshkruar vetë Shefi.

Në atë kohë, motra e Zvonimirit ishte me bashkëshortin serb në Zagreb, ku ky do të qëndronte edhe dy vjet, derisa të mbështetej për muri.

E sa i përket atij rrëmbimi misterioz, edhe për këtë ekziston një e dhënë e saktë, e ftohtë: në “Dënimet me vdekje të Gjykatës Ushtarake të Komandës së Rajonit të Zagrebit” thuhet: Sirovatka Zvonimir, Zagreb 1902, Aktgjykimi i Gjykatës Ushtarake 121/26 nga V. 1945, mënyra e ekzekutimit të vendimit: pushkatim”.

Dhe është e vërtetë, nuk ka diskutim, kushëriri i Zvonkos dhe i gjyshes, Vllado Sirovatka ishte edhe më i keq.  Shumë më i keq.

Përkatësisht, “Vllado Sirovatka, agjent i policisë ustashe, oficer që njëkohësisht punonte për gjermanët”, kështu thotë një burim.

Mira Paut, anëtare e këshillit kryesor të Aleancës së Bashkuar të Rinisë Antifashiste, përpara komisionit për krime lufte në Topusko dëshmon se në tetor të vitit 1941 u arrestua dhe u dërgua në rr. Zvonimirova 2, në polici ustashe në katin e dytë, ku tashmë e priste agjenti ustash Vllado Sirovatka, më vonë falë “meritave” të tij u vendos në Gestapo. Po e përshkruaj: “Në uniformë, i gjatë, me sy të pangjyrë, por shikimi i depërtonte sikur gjilpërë”, tregon se si e përplasnin për dysheme, e shqelmonin, se si në disa vende i kishte pëlcitur lëkura, se si Sirovatka ishte ulur mbi të dhe mu në ato varra kishte fikur cigaren; se si pastaj i kishin derdhur në fyt vaj ricini dhe kripë, dhe se si për çdo përgjigje të saj “nuk e di” Sirovatka ia niste një kënge, diçka si “Nuk e di ku është e dashura ime”, se ishte shumë vonë kur e çuan në qeli dhe se si shtëpia ku ishte “Sing-Sing” gjendej jo larg kishës së Sh. Ksaverit, afër stacionit të atëhershëm të tramvajit në Mihaljevac.

Sot aty është një shtëpi e bukur private e mbuluar me kaçube, në pjesën e bukur e të zbutur të Zagrebit.

Gati gjashtëdhjetë vjet më vonë, në azilin e pleqve buzë stacionit të fundit të tramvajit vdiq kushërira e Vlladekut, gjyshja ime, mbase duke mos marrë kurrë vesh asgjë për Sing-Singun. Mbase duke mos dashur të dijë asgjë as për Sing-Singun as për gjithçka që i bënte kushëriri, as për rolin e vëllait Zvonko në atë luftë të tmerrshme, një nga tri luftërat që ia kryqëzuan jetën. Gjyshja ime shpirtmirë, e çiltër dhe vetëmohuese, e cila në stacionarin e Ksaverit, pothuajse e verbër dhe me demencë të thellë, me zë krejt të plogësht e të mbytur këndonte aria operash e operetash, dhe në shkëndija kujtimesh të largëta kujtonte dashuri të parealizuara me kapedanin e ri në uniformën e shkëlqyer me pulla brilante.

Kur po flasim për burrat me dekorata – Vlladeku, ta zëmë, me sa dihet, nuk e kishte rrahur mbesën e vet me rrip. Nuk e kishte rrahur as skojevkën e re, vetëm ia mbyllte varrat me cigare dhe i kriposte aty-këtu, duke kënduar plot ngazëllim. As nuk kishte dëbuar serbë nga banesat e tyre në Bjelovar.

Po e përfytyroj se si me duar të lidhura, me disa ustashë të tjerë më me famë, po e çojnë në Maksimirin pranveror plot behar, për ta takuar të ardhmen në të cilën asnjëri nga pasardhësit e tij kurrë nuk do të tregojë se si ishte djalosh i këndshëm, i sjellshëm, djalosh i edukuar zagrebas, i dashuri i dikujt, dajë i mirë, se si atje në atë Maksimir plot behar po e priste nyja e gatshme në të cilën në çast të fundit vendosin t’ia lidhin këmbët, dhe jo qafën, dhe se si do të vuajë edhe shumë gjatë në atë pozitë të mbrapshtë derisa sytë të pangjyrë i rrotullohen dhe i dalin nga vendi.

Dikur në po ato muaj pranvere, për daja Zvonkon i cili kalbet në ndonjë shpellë të paemër derdhen lotë. Madje edhe për pelën Marta nganjëherë pikon ndonjë lot.

 

Përsëri hap dollapin, marr lajbekun, e heq nga varësja, e shikoj, e rrotulloj. Më kujtohen të gjitha ato vaki të zgjedhura kur e vishja, duke i ndier bash disi i rëndësishëm që kam të veshur një jelek njëqindvjeçar – pa shihe një herë, kush ka të tillë?

Ç’të bëj me të? T’ia fus flakën?

Së paku do të di se si: me majën e portokalltë të gacës së cigares mu në mes të njollës së djersës së stërdajës. Do të shikoj se si po përhapet vendi i djegur, se si tymi i dendur e gërryes po përhapet, ndërsa pëlhura në flakë tkurret, zvogëlohet, zhduket.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Dinko Teleqan

Dinko Teleqan lindi në vitin 1974 në Zagreb. Ka botuar përmbledhje me poezi "Kreševa" (1997), "Vrtovi & Crvena mijena" (2003), "Iza" (2005), "Plast igala" (2011), "Dok ti oči ne dogore" (2017) i "Dovoljni razlozi" (2021), librin "Sloboda i vrijeme" (2003), analet "Lotos, prah i mak" (2008) dhe "Azijska suita" (2015), librin "Pustinja i drugi ne-vremeni ogledi" (2009) dhe romanin "Dezerter" (2013), për të cilin mori çmimin "Krunoslav Sukić" për librin e vitit që i ndihmon mirëkuptimit, paqes, mosdhunës dhe të drejtave të njeriut. Përkthen nga anglishtja dhe spanjishtja.
Kontakt: dinko2612@yahoo.com

 

 

ažurirano: 23/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.