Andrea Popov Miletiq

 

Mirë thotë autori i librit Jugoslavija, moja dežela, kush nuk ka qenë atje gjatë luftës, le të heshtë, le të mos hajë mut. Mirë, pra, s’po flas. Isha arushë e bardhë. Apo do të flas vetëm për atë që di, vetëm ajo që më kujtohet.

Dajën e morën buzë mbrëmjes. Ishte bërë krejt jeshil. Mami ishte tërbuar me gjyshen se e kishte hapur derën. Gjyshja e puthi tri herë (hera e parë që po shihja diçka të tillë) dhe qau (hera e parë që unë di për këtë). Sa herë dilte jashtë, thoshte: „Po shkoj në jetë“. M’u duk se kësaj radhe ishte ndryshe. Kur nga Oroliku e zhvendosën në Shid, i shkrova letër.

Vizatimi: daja dhe shoku i tij mbi tank, zemra, lule, flamur dhe një mbishkrim i madh Shidlend.

**

Gjithçka tashmë kishte mbaruar dhe gjithçka ishte normale. Shkonim matanë, gjithçka ishte njëjtë. Fshati i Vojvodinës nga ajo anë e pasqyrës. Shtëpi me veranda të gjata, pllaka, fasada dhe oborre të mëdha, mbrapa hambarë dhe bagëti. Kalon nëpër secilën dhomë për të shkuar në banjo, aroma e naftalinës dhe jastëkë të mëdhenj në dhoma. Jorgani i ftohtë kur zë vend mbi ty si një kufomë trupmadhe. Gjithçka ishte normale, vetëm se diçka fshihej mrapa buzëqeshjeve. Më kujtohet mirë gjyshja me xhamin e majtë të avulluar të syzeve. Njeriu pa një dorë teksa pi birrë përpara dyqanit. Vogëlushja që mblidhte letra aromatike dhe këndonte këngët e Dragana Mirkoviqit, me çorape të gjata. Derisa luanim me llastik, tha: „Dhunim është kur të lidhin, dhe pastaj të japin të pish verë e raki”. Mami që dëgjonte këngën „Njeriu me shkëlqimin e hënës në sy” dhe qante fshehurazi. Gjithçka ishte normale, shtëpi me lule e jastëkë të qëndisur. Ishin boshe si syri mbrapa syzeve të mjegulluara. Buzëqeshjen, për tjetrin, e kishin varur siç varen lulet. Ishin boshë sikur shtëpitë e zhbiruara. Arushën e bardhë e kishin liruar nga kafazi. Unë dita-ditës jam çdoherë e më e shqetësuar.

**

Derisa Nëna ia kapte lulen për jake, e shikonte në sy si një kopil dhe ia fali rininë e shthurur.

Në një çast, e kuptoi tmerrin apo, siç i kishte thënë trajneri i body language, shikoi anash, gojëmbyllur në ngërç se mos i dridhen buzët.

Dhimbja e saj është abstrakte, përtej kapshmërisë sonë. Turpi i tij u materializua dhe nisi të kundërmonte kur e kuptoi se ku e kishin hedhur. Në po të njëjtin vend.

Në atë çast ajo u shndërrua në qenie madhështore, e ai në atë në të cilën nuk shikohet.

E ndala televizorin. Kërkojmë falje që nuk ju kemi dërguar ndonjë më të mirë.

Ajo e shikonte drejt në sy ashtu siç di vetëm Nëna.

Unë dita-ditës jam çdoherë e më e shqetësuar…

**

Nga stërgjyshi kam trashëguar besimin në zana dhe ndjenjën e keqe për kohën. Fliste për frymën e cila nis të fryjë në livadh dhe bari përkulet, dhe se si atë vetë e kishin zënë në valle vashat këmbëzbathura me flokë të gjatë, sepse kishte mbetur shumë gjatë në një vend të magjepsur. U zgjua poshtë një peme dhe më kurrë nuk lejoi që ta zë nata buzë kroit të Ujit të Zanave. Nga Jasenovaci një ditë i nxorën në kolonë dhe i futën në tren. Tek e fundit, mendoi: sigurisht nuk po na çojnë në ndonjë vend të bukur. Duke e ndjekur ndjenjën e tij për tajming, kërceu nga vagoni diku në Srem dhe u fsheh te një kushërirë në tavan, e natën flinte mbi sanë. Gjumi i mirë, i cili në mes të atyre maktheve ngulfatëse stërgjyshit as që mund t’i shkonte në ndërdije, tingëllonte kështu: kroatët e Sremski Karlovcit me nënshkrimet e tyre i shpëtuan bashkatdhetarët e tyre nga kampet e vdekjes dhe lutja e tyre i çliroi të gjithë dhe i dërgoi nëpër shtëpitë e tyre. Kjo ishte zhgjëndrra. Kur treni mbërriti në Sremski Karlovci, stërgjyshja qau sepse të gjithë fqinjët e saj kishin ardhur, vetëm ai nuk ishte kthyer në shtëpi. Erdhi vetëm pas disa javësh, dukej ashtu që fëmijët frikësoheshin të shikonin në dhomën ku ai lëngonte. Stërgjyshja e shiti shtëpinë për ta shëruar, morën shtëpi me qira, i gatuante supa e llojlloj ushqimesh, e për fëmijët ç’të tepronte.

Unë dita-ditës jam çdoherë e më e shqetësuar.

**

Ivana Brliq Mazhuraniq (ishte kjo qe njëqind vjet) më rrëfente me zërin e nënës sime për atë banesë të vogël (ishte kjo qe njëqind jetë), e cila ishte një dhomë e ndarë me komodinë. Atëherë isha arushë e bardhë. Më pëlqente ajo gjuhë, ishte imja gjithashtu. Ajo gjuhë më mungon si pjesë e humbur imja, gjuha e filmave të vizatuar, e kuizeve dhe e librave me vizatime. Jetoja atëherë në Bibliotekën ,,Ketri“, e dhomën ma ndriçonte „Drita“ e Sarajevës. Vetëm në bregdet ishin të lumtur. Edhe detin e humbëm. Më kujtohet shprehja e fytyrës së mamit kur futet në ujin e ftohtë. Ende më kujtohet lumturia në fytyrën e mamit: ti paske mësuar not.

**

Komentet në Youtube poshtë filmiit të vizatuar Peppa pig/Derrkuci Pepa – kroatisht

Edhe pse është në kroatisht, unë e dua pepën

Kroatin me e vra, që serbi mos me pasë vëlla

Jam 9 vjeç dhe e adhuroj pepën

**

E shikoj vogëlushin teksa loz, dhe mendoj kjo është jetë, pa pikë halli në një çast shkatërron gjithçka që ka ndërtuar shumë gjatë dhe me kujdes. Nga dritarja e kerrit kishë pas kishe, gjilpëra në bar. Nga lart kisha është gjilpërë në mullarin e sanës. E për ne, poshtë, kisha është gjilpërë. Kisha është gjilpërë që t’i shpon sytë. Laseri mbron Sarajevën nga dioptria, shkruan në një reklamë të një optike. Mund të ishe ti ajo grua e cila me nostalgji shikon drejt autobusit dhe pastaj vazhdon të çajë dru, e ajo të jetë ti që udhëton. Fëmijët flenë me pipëzën e kuqe poshtë jastëkut. Demi është daltonist, e kuqja është këtu për ju.

**

Programi për fëmijë Juhuhu

Televizioni HRT

Prisavlje 3

10000 Zagreb, Republika e Kroacisë

 

Të dashur juhuhu,

Quhem Danica dhe jam gjashtë vjeç. Mami më ka ndihmuar ta shkruaj këtë letër. E shikoj emisionin tuaj çdo mëngjes para se të shkoj në çerdhe. Edhe të shtunave dhe të dielave. Më duhet t’ju them se programi është i mrekullueshëm dhe më i miri prej tyre është filmi i vizatuar (të cilin ju e quani i animuar). Edhe TV çerdhja gjithashtu është super, sidomos Urithi dhe vajza me flokë ngjyrë portokalli dhe rrëfimet për vajzën e cila quhet Danica si unë. Unë jetoj në Novi Sad dhe ne nuk kemi program aq të mirë, por unë e shikoj televizionin tuaj dhe kuptoj gjithçka. Më së shumti më pëlqen kur në filmin e vizatuar nuk thonë derrkuc, por gic, dhe kur kënga për Tomasin thotë: hekurudhat e Tomkës janë plot hare, dhe kur dëgjoj rrotullimë në vend të ringeshpilit. Dy herë kam qenë në Kroaci në bregdet dhe teta e cila na lëshonte dhomën me qira na la të loznim në kopsht ku rriteshin portokallët dhe kivit (më duket se teta tha kështu: portokalla dhe kivi). Çdo ditë shkonim në një dyqan i cili është i njëjtë si Idea te ne, por quhet Konzum.

Vizatimi: Danica dhe vëllai i saj në Kalanë e Petrovaradinit, JU DUAM (A-ja shkon në anën e gabuar), në kënd një zanë e vogël.

**

Kam një vajzë me emrin Danica dhe një djalë me emrin Zoran, besoj në zana dhe vuaj për detin. Ish-bashkëshorti ka shkuar të punojë në Sllovaki. Thotë se është më i moshuari atje. Krejt të rinj nga shtëpitë e mira. Kohën ia masin me shiritin lëvizës. Askush s’më ka vdekur në luftë. Më anashkaluan predhat, varrezat masive, dhunimet, çmenduria, ndihma humanitare dhe që dikush të më quajë magjupe/çetnike/ustashe/balicë. Nëna më vdiq menjëherë pas lufte si njëra prej viktimave të heshtura, të padukshme të krejt asaj që kishte ndodhur. Daja u kthye nga fronti dhe kurrë më nuk e tha asnjë fjalë për këtë. Ne nuk e ka më kuptimin e njëjtë, as për mua as për të.

Vatrat e luftës tani na janë bërë si tavolinat e shkrimtarëve nëpër dhoma-muze, nuk mund ta marrim me mend që dikush ka qëlluar apo ka shkruar mbi to. Si gjuha e cila me ngulm shkon në vendin ku dikur ishte dhëmbi, mendimet shkojnë në vendin bosh të cilin e ka shkretuar vdekja. Deti më nuk na duket njëjtë, as mjaft i kaltër, fute nëpër filtra, shtoji ngjyra. E ke provuar ndonjëherë se ç’do të thotë të jesh njeri para se ta vrisje një njeri të lig, apo ta shpëtoje një të mirë? Nuk kemi mikroskop aq të fuqishëm i cili do të na tregonte se në çka shndërrohemi pas vdekjes, i shpjegoj fëmijës. Por me sy shohim kush mbjell vdekje dhe nuk bëjmë asgjë, këtë pjesë nuk e thashë. Ka ditë kur jetojmë në kampin e përqendrimit të quajtur Tokë. E nganjëherë ka ditë kur gjithandej depërtojnë „shkëndijat e normalitetit“ dhe jeta vazhdon me hitet e verës dhe me këmbë të zbathura të cilat varen nga karrocat që kalojnë pranë, shoqet ngushëllojnë njëra-tjetrën në bankina të pendës, e retë në shkoptha janë në duart tona. Drunjtë e urtë heshturazi hedhin farën që me këmbët e pantallonave ta çojmë më tej, të udhëtojë me ne dhe të lindë përsëri. Është mëngjes dhe fëmijët pshurren në përrenj duke krijuar imazhin e rrjedhës dhe të rrjedhshmërisë së natyrës. Pëllumbi me zërin grykor e përsërit gjithë monotoninë e kësaj planete. Në qytet i cili nuk është në bregdet mund ta lyejmë lëkurën me krem për rrezitje, t’i marrim erë supit dhe ta puthim si një foshnje e sapolindur.

Me perden e kaltër mbretërore në kokë marrim kthesën Jergoviqi dhe unë e mbaj fort në duar. Derisa autobusi merr kthesa, lexoj se si fëmijës për shkak të vozitjes zorrët duan t’i dalin jashtë. Përpara qendrës së pritjes e cila dikur ishte therrtore, në rrugën ndërmjet stacionit hekurudhor dhe stacionit të autobusit Shid, fëmijët e emigrantëve lozin me gjita. Banorët vendas ankohen se emigrantët po vjedhin në dyqane dhe po i frikësojnë fëmijët. Mbeturinat digjen, janë këto mbeturina të ayre që jetojnë në shtëpitë e tyre, Shidlend.

„E dimë se si sillen të huajt (…) Ç’do të bëjnë në kohë të lirë pa kontroll? Te ne edhe gjashtëvjeçaarët janë mësuar të kthehen vetë në shtëpi nga kopshti, nënat do të frikësohen për ta“, thotë iniciatorja e peticionit kundër punëtorëve serbë në Sllovaki.

Mbrëmë kam parë ëndërr sikur po shëtisnim në errësirë buzë detit, e njerëzit ia behin nga rrënojat dhe na përzënë me fshisa. Frika në errësirë, jo nga kafshët, por nga njerëzit, nga qëllimet e tyre të këqija. Njeriu ka më shumë qëllime të këqija se kafsha, derisa qëllimi i saj i vetëm i keq mund të jetë të të hajë. Qe, doktor, po e mbaroj, ky është fundi. Në errësirë i kemi të gjitha ato rrugë në të cilat do të na plaçkisin, të na dhunojnë, të na vrasin. Shumë gjatë? Ju më thatë të shkruaja gjithçka që më sillet nëpër kokë. Krejt kjo është veç projeksioni Juaj, shikoni, pasojë e krejt pakënaqësisë Suaj… më thotë psikoterapeuti të cilin e shoh në ëndërr, sepse ai i vërteti kushton shumë, e dihet që te privati është më së miri.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Andrea Popov Miletiq

Novi Sad, 1985. Fituese e konkursit të tregimit të shkurtër të edicionit të XIV të WH fest-it (Široki brijeg 2016). Shpërblimi i rrethi të XII Prvenac, SKC Kragujevc, 2013 (autor deri në 35 vjet), për librin Bezazlene crtice. Rrethi i ngushtë Devidé Haiku Award - IAFOR, Osaka, Japoni 2012. Finale 14. FEKP (Zagreb, Rijeka 2015), Presing 2013, Karlo Bijelicki 2016. Prozë, ese, kritikë: Rukopisi 36 (Pančevo), O malim i velikim stvarima (Beograd 2011), kARTon (Subotica), Afirmator, Republika, PULSE, konkursiregiona, knjizevnost.org, Sveske, Balkan express, strane.ba.
Kontakt: andrea.popov.miletic@gmail.com, http://andreapopovmiletic.blogspot.rs

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.