Hoja Ogrizoviq

 

 

Dhoma e tij gjendet në pjesën e shtëpisë që shikon drejt oborrit tjetër.

Kjo është pjesa më e largët e shtëpisë dhe kjo është mirë. Kalojnë ditë e net pa e dëgjuar. Atëherë në paqe mund të shikoj TV ose të fle. TV-së, për çdo rast, ia ngre volumin. Mbrëmjeve nganjëherë marr gjysmën e tabletës së tij për gjumë. Atij i jap dy. Nganjëherë as kjo nuk i mjafton.

Filloi nga prostata. Meshkujt në atë moshë shpesh kanë prostatë të zmadhuar. Nuk e dija që shumica e tyre në fakt kanë kancer. Edhe babai im ka kancer. Nisi nga poshtë, u zgjerua lart. Ajo që tani nuk po e lë rehat është lukthi. Komisioni i onkologjisë më tha se sëmundja avancon ngadalë në ato vite. Një pjesë të barkut ia kanë nxjerrë. Ajo që ka mbetur po pret. Me ato mbetje po pres edhe unë. E imagjinoj ditën kur nuk do të jetë më, e me të edhe gjërat që m’i ka futur në jetë.

Nga fundi i të tetëdhjetave isha në shkollë fillore. Babai dhe nëna ndërtuan shtëpinë nga fundi i të shtatëdhjetave, një vit para lindjes sime. Përdhesa ishte gati, e kati priti një të ardhme më të mirë. Edhe sot e kësaj dite nga rruga shikon tarraca e papërfunduar dhe dyert dhe dritaret shtërbane.

Nga fundi i të tetëdhjetave babai me bashkëfshatarët shkon në demonstrata për një të ardhme më të mirë të popullit tonë. Në murin e kuzhinës var ikonën e Shën Jovanit, ajo është festa jonë e pagëzimit, e pranë saj politikanin të cilit ato vite, por edhe më vonë, i beson si Zotit. Ato vite gjithnjë e më shumë përmend turqit. Thotë, nëse i kemi hequr një herë qafe turqit, mundemi edhe tash. Nëna ato vite është e qetë. Mendoj se brenda saj tashmë kishte një dromcë sëmundjeje e cila pastaj do të shpërthente kur babai me vullnetin e tij shkon në luftë. Më kujtohet teksa rri pranë tavolinës dhe pi duhan. Dhe as që më shikon, por veç thotë – shko në dhomë.

Një dimër, nga fundi i gjysmëvjetorit të parë, ajo vdes si mos më keq. Ajo dromcë i ishte përhapur në krejt trupin. Në spital veç e hapën dhe e mbyllën. Kur vdiq, babain nuk arritën ta njoftonin menjëherë dhe në varrim buzë arkivolit të saj, nga shtëpia jonë, qëndroj veç unë. Qiriu dhe llamba në dhomë digjen me ditë të tëra. Një kushërirë menjëherë erdhi të rrinte me mua. Ajo tërë ditën rri në kuzhinë dhe pi duhan. Ato ditë çdo mëngjes shkoj në hangar për qymyr.

Menjëherë pas pushim dimëror vazhdova të shkoj në shkollë. Një ditë ndërsa kushërira dhe unë po hanim drekë, te dera u shfaq ai. Babai. Unë menjëherë qava, e ai veç më kapi fort për supesh dhe më tha të pushoj. Dhe se ky ishte vullneti i Zotit. Dhe se askush s’e kishte lehtë.

Babai qëndroi në shtëpi për disa ditë. Ai qiri dhe ajo llambë nuk pushonin së djeguri. Ditën shtëpia na mbushet plot me të afërm dhe komshinj, të gjithë donin të dinin si ishte atje, e ai, duke u shtirë si i përmbajtur si kurrë më parë, thoshte se këtë luftë, si të gjitha të mëparshmet, do ta fitonim, dhe se krejt kopilët që ishin shumuar këto dekada – duhen vrarë. Pastaj një mëngjes me nxitim u kthye mbrapa. Para se të shkonte m’u afrua, më kapi fort për nofulle dhe më tha ta ruaja shtëpinë. Nuk më përqafoi. As atëherë, as kurrë. Andaj, kur dëgjoj rënkimet e tij nga dhoma as unë atë nuk dua ta përqafoj. Nga vdekja e nënës kanë kaluar gati tridhjetë vjet. Gati tridhjetë vjet pres që edhe ai të vdesë.

Asaj kushërire që kishte ardhur për të mos më lënë vetëm për disa javë iu desh të kthehej te të sajët. Këtu jemi për krejt çka të duhet – tha dhe shkoi.

Kur mbaroi lufta, babai u kthye në shtëpi si fitimtar. I kemi mbytur si lepujt, tash krejt është pastër – atë fjali ia thotë secilit. Dikur mbrëmjeve dehet dhe më thërret të më tregojë se ku ka shkuar dhe ç’ka bërë. Unë vij dhe ulem pranë tij sepse nëse filloj të kundërshtoj, do të çartet. Njëherë ashtu i çartur më goditi dhe ma përgjaku buzën e poshtme. Pastaj tha se ishte faji im dhe përtej krejt këtyre gjërave, edhe unë kam gjetur të bëj shaka me të. Kur dehet flet për katundet në të cilat kishin qenë. Të gjitha ato katunde unë i përfytyroj si katundin tim, por nuk di nëse guxoj t’ia them këtë. Kur mbaron me rrëfimin, shikon Shën Jovanin dhe bën kryqin. Mendoj se me kalimin e viteve jam mësuar të harroj detaje të cilat m’i kishte treguar. Krejt çka kishte bërë ishte për të ardhmen më të mirë të popullit tonë – dhe për mua. Vitet më të mira të jetës ai i dha për ne, për popullin tonë dhe për mua – këtë e përsërit pa pushim dhe shton – s’i vjen keq. Zoti për këtë e kishte caktuar.

Kur u kthye nga lufta nuk u martua më. Për këtë kurrë nuk biseduam, vetëm kushërinjtë dhe komshinjtë shpesh më thoshin – do të ishte mirë të gjente ndonjë grua, se jeta nuk mund të kalohet në vetmi si qen. Pas luftës babai iu kthye punës së tij, ndreqte bojlerë dhe lavatriçe nëpër katund. Njerëzit e thërrisnin dhe shpesh paguanin më shumë se ç’duhej. Pas shkollës së mesme provova të gjej punë, por pa sukses. Pastaj nisa të ndihmoj me ngarkimin e rrënojave dhe mbetjeve të tjera. Njerëzit shpesh më thërrisnin dhe më paguanin sikur atij, më shumë se që duhej.

Një pranverë babai gjithnjë e më shumë nuk kthehej në shtëpi. Kur kthehej të nesërmen, kurrë nuk e thoshte asnjë fjalë se ku kishte qenë. Mua kjo nuk më bezdiste, madje shpresoja që një ditë mbase do të mbetej atje ku kishte shkuar. E pastaj një natë kur ishte dehur fort, më tha se po shkonte te nëna e shokut tim të shkollës, e cila ishte e ve tash e një kohë. Nuk mundet mashkulli vetë krejt jetën – më tha. Të duhet femra në jetë – shtoi. Edhe ty të duhet – më shikoi. Unë nuk thashë gjë. Mbase do të gjesh grua, në do Zoti, më mirë se të mos e gjesh e të vras veten, mos e bëj Zot – tha dhe heshti. Nuk i tregova se kisha pasur dashnore, por më kishte lënë.

Ndërsa rënkon nga dhoma, e shoh se nuk më kujtohet dot asnjë situatë e lumtur me të. Ishin, o fatkeqe, o aq të zbehta saqë i kisha harruar. Më shkon mendja se si jam te pragu i të katërdhjetave, kaq kishte ai kur shkoi në luftë. Me vullnetin e tij – këtë e thekson edhe sot e kësaj dite. Ai tani është mbi shtatëdhjetë vjeç. A do të jetoj edhe unë aq? Më shkon mendja se si do të jetë gjithçka mirë kur ai të vdesë.

Kanceri përhapet ngadalë nëpër trupin e tij. Edhe pse sëmundja po avancon ngadalë, ndonjë ditë shoh se shikimi i është venitur dhe lëkura i është zverdhur. Dhoma ka marrë aromën e tij. Nganjëherë nuk hyj tërë ditën, pastaj në mbrëmje ia ndërroj pelenën. E shoh ashtu të pshurrur dhe të dhjerë dhe më dhimbset. TV-ja në dhomën e tij nuk ndalet kurrë. Ndërsa ia ndërroj pelenën ose i sjell ilaçe, e çel gojën për të thënë se nuk do të mbesim gjallë nga ata kopilë që s’i mbyllin sytë, se krejt ata duhen mbytur me kohë, dhe se ata nuk janë migrantë, po kopilë. Ndërsa i thotë këto, shtrëngon grushtat. Mendoj se është mirë që rri kështu i dhjerë sepse po të ishte shëndoshë, ndoshta do të shkonte te kufiri t’i mbyste të gjithë. Nuk mund të mbetesh gjallë nga turku – thotë.

Vjeshta ngadalë futet në rrugë dhe shtëpi. Ndez shporetin smederevac i cili arrin të ngrohë vetëm kuzhinën dhe dhomën e ndenjjes. Te ai ndez ngrohësen. Nuk e di si do të paguaj rrymën, sepse ai vazhdimisht ankohet dhe kërkon t’ia rris nxehtësinë, thotë se po vdes nga acari. Komshikja më tha se mbase do të ishte më mirë ta sillja në kuzhinë, dhe që në mbrëmje të mbyll derën. I thashë se kjo as që diskutohet dhe se kuzhina dhe dhoma janë vetëm për të dhe për mua. Kur të vdesë ai, komshikja dhe unë do të martohemi. Tash gati përnatë çojmë dashuri. Do të martohemi dhe të kemi tre fëmijë. Kur ia them këtë ajo buzëqesh ëmbël dhe thotë – Zoti na faltë – dhe shikon ikonën e Shën Jovanit dhe bën kryqin.

Vjeshta kaloi në dimër. Ulërimat nga dhoma janë rralluar. Ka mbetur vetëm aroma.

Disa ditë pas festës së pagëzimit babai vdiq. Në varrim erdhi gjysma e katundit. Të gjithë më thoshin se ai ishte njeri i ndershëm, hero dhe se është dëm që edhe sot nuk ka njerëz të tillë. Unë në arkivol, te këmbët, ia vura ikonën dhe kokën e atij politikani, i gjinden.

Kur të kalojnë të katërdhjetat, do t’i lyejmë krejt dhomat, e në mur do të varim një ikonë të re. Më shkon mendja te jeta para nesh dhe shih se për herë të parë pas kaq vitesh – nuk e dua vdekjen.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Hoja Ogrizoviq

Hoja Ogrizoviq (Novi Sad, 1984), prof. e biologjisë. Shkruan tregime të shkurta. E ka qenin më të mirë në botë. Jeton në Srem.

 

 

ažurirano: 25/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.