Damjan Kërstanoviq

 

Çka mund të përfaqësojë një topth i vogël, shumëngjyrësh, i qelqtë? Dekor? Dhuratë? Rruzull? Këto pyetje më sillen në mendje derisa si udhëtar kalimtar sillem rrugëve të Beogradit. Shoh dy fëmijë nën hijen e një peme shkurtabiqe ndërsa luajnë me plot gëzim me rruzuj mbi sipërfaqen e pluhurosur të parkut. Duket qartë se vijnë nga rrethet e ndryshme kulturore, por s’mërziten ata për këtë punë. Shikimet e tyre të hareshme dhe zërat plot ngazëllim mua më ngjallin kujtime, ndërsa një „klik“ i zëshëm më kthen në të kaluarën time.

Ishte viti i nëntë i jetës sime, ndërsa i ’93 në Osijek. Kisha ndjesinë sikur t’i kisha shfrytëzuar disa nga ato vite si macet.  Rrija mbi sipërfaqen e pluhurosur nën hijen e drurit të panjës, i cili ishte mbërthyer nga dielli përcëllitës veror dhe luaja me rruzuj. Përkundër nxehtësisë dhe lagështisë, jashtë kishte shumë njerëz. Kënaqeshin me rrezet e diellit si të ishin hardhuca, ndërsa buzëqeshja sa vinte e u kthehej në fytyrë.

Nuk isha aq i shoqërueshëm, andaj luaja me vetveten. Ditët e fundit të shkollës duheshin shfrytëzuar për kënaqësi dhe kalim kohe. Rregullat e lojës me rruzuj nuk i dija, por luaja ashtu si më shkonte mua për shtati. Topthat e vegjël i mblidhja në një grumbull, pastaj i qëlloja me rruzullin më të madh apo i rreshtoja në formacionin zig-zag dhe pastaj provoja ta fusja njërin prej tyre në mes të asaj kaçubeje, pa i prekur të tjerët.

„A mund të luaj me ty?“

Pyetja më zuri si kafshën e druajtur. Nuk ma mori mendja se e kisha dikë pranë, e aq më pak se dikush dëshironte të lozte me mua. Vështrimi ma zbuloi një djalosh zeshkan, gati ngjyrë floriri, mbase ishte bërë ashtu nga dielli veror. Në këmbë kishte atlete nga pëlhura, pantollona të shkurtra të cilat dikur kishin qenë ngjyrë vjollce, dhe një bluzë të gjelbër poashtu të stërlarë. Fytyrën e kishte të ngushtë dhe të hareshme, ndërsa flokët ashtu siç i vizatojnë gjithë fëmijët.

„Po.“

„Si luan ti, me gropë?“, më pyeti hareshëm, teksa u ul pranë meje në tokë.

„S’e di.“

„S’prish punë, të tregoj unë.“

Nuk më përqeshi që nuk i dija rregullat, por më tregoi se çfarë duhet të bëja, ashtu siç e mëson qeni i madh të voglin se si duhet nuhatur. E vizatuam fushën, e hapëm një gropë në tokë, dhe kaluam orë të tëra duke e goditur njërin rruzull me tjetrin. Meqë unë nuk ia dola të qëlloja gati asnjëherë, ai më mësoi si ta mbaja rruzullin, dhe çfarë metode përdor ai për të qenë më saktë. Në atë kohë isha tmerrësisht xheloz në të, se loja po i ecte aq mirë. Pas shumë vjetësh do ta kuptoja se kjo ishte zili e jo xhelozi.

Njëjtë siç u paraqit papritur ashtu edhe më tregoi përnjëherë se duhej të shkonte. Ia fala një rruzull, i cili më pëlqente më së paku. Isha i sigurt se edhe atij nuk do t’i pëlqente, por sytë e tij të gjelbër shndritën plot gëzim. Në atë çast ai rruzulli më i shëmtuar m’u bë më afër zemrës dhe doja ta ktheja prapë, por nuk ia kërkova.

„T’falemnderit“, më tha me një buzëqeshje shumë të madhe dhe pastaj vrapoi për në shtëpi.

Atë verë nuk e pashë më.

„Deani ka ikur në Serbi, atje ku e ka vendin“, deklaroi me kënaqësi mësuesja jonë me shikim idhnak dhe hundë të shtypur në ditën e parë të shkollës. Kur e tha këtë shikimin e drejtoi tek unë dhe shoku im Josipi. Ne ishim të vetmit që nuk shkonim në lëndën e edukimit fetar. Për ta mbushur kupën e kënaqësisë, na e tregonte rrëfimin se si kroatët në këto troje ishin që nga shekulli i shtatë. Dhe pastaj ndodhi mrekullia. Apo, të themi më mirë, ndodhi jeta e cila ka qejf të luajë me njeriun. Kësaj radhe fati luajti me mësuesen tonë, kur drejtori e solli një nxënës të ri që në orën e dytë të mësimit. Nxënësin të cilin veç unë e njihja dhe për këtë arsye u bëra kryesori atë ditë në shkollë. Ai ishte Ibrahimi nga rrethi i Dobojit. Djaloshi nga loja me rruzuj.

Për shkak të karakterit të tij të hareshëm dhe prirjes së tij për të bërë sherre dhe të mbijetonte, gati të gjithëve u pëlqeu sa hap e mbyll sytë, e kjo më habiti. Kujtova se do ta damkosnin si „i tyre“ dhe jo yni, për shkak të asaj që mësuesja kishte thënë më herët. Më vonë do ta kuptoja se fëmijët bëjnë dallime sipas parimit majmuni sheh, majmuni bën. Për këtë arsye ata nuk bën të gjykohen sepse përpiqen me gjithë forcën e kokave të tyre të vogla të vlerësojnë se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe. E kur vertikalja morale, sikur puna e mësueses sonë, me kënaqësi e bën të ditur mendimin e vet, ç’mund të bëjnë kokat e vogla pos të pajtohen.

Ibro u bë shoku im më i mirë pa e zgjatur shumë, e meqë mbiemrin e kishte Mujanoviq, ndonjëherë e thërrisja edhe Mujo. Pasi ishte mysliman, as ai nuk shkonte në edukim fetar, por i përlqente të bënte shaka me mësuesin e tyre, ashtu që ulej përpara derës së klasës dhe vajtonte me zë: „Unë dua të vijoj edukimin fetear.“ Kur mësuesi e hapte derën, Ibro fillonte të falej, që shkaktonte të qeshura të mëdha nga të dyja anët. Mu për shkak të këtyre gjërave të gjithë kishin simpati ndaj tij, por përpos meje ai rrallë shoqërohej me ndonjërin prej tyre jashtë shkollës. Viti shkollor kaloi shumë shpejt, dhe kur filluan pushimet Ibro dhe unë u gjetëm nën atë dru të njëjtë panje.

„Të marrtë dreqi, Mujo, lahu“, i tha pa pikë turpi njëri prej fëmijëve më të cilët luanim me rruzuj, duke ia shikuar njollën e madhe në qafë.

„Budalla, atë e ka nga lindja, dhe mos i thuaj Mujo“, ia ktheva me guxim.

„Ti mundesh e unë jo, a? Serb dyfytyrësh!“

Pas kësaj, situata u përkeqësuar edhe më shum. Filluam t’i gjuanim fjalë njëri-tjetrit dhe nuk kaloi shumë kohë dhe të gjithë përfunduam duke u rrokullisur mbi sipërfaqen e pluhurosur. Për shkak të pluhurit në sy, dhe sigurisht pa ndonjë arsye tjetër, të gjithë ikëm në drejtime të ndryshme.

„Duhet të shkoj në kuzhinë për drekë“, tregoi Ibro, pasi i lamë fytyrat në oborrin e dikujt ku përfunduam pasi ikëm nga përleshja.

Më shkoi mendja se kishte ardhur koha për lamtumirë dhe gati u ktheva të nisesha për në shtëpi, kur shtoi: „Do t’vish me mua? Sot është e premte, ndoshta ka ëmbëlsira.“

„Po“, ia ktheva pa menduar dy herë.

Vrapuam të ngazëlluar nëpër disa rrugë dhe gati pa frymë arritëm te kuzhina popullore. Ibro hyri brenda me kartonin e tij për ushqim, ndërsa unë e prita jashtë. Pas disa minutash doli me hare dhe menjëherë i futi duart në qesen me ushqim.

„Të shohim nëse ka ëmbëlsira.“

Brenda kishte ushqim të ngrohtë për tre persona, nëpër tenxhere të metalta. Në njërën ishte çorba e ftohtë, në tjetrën patate të cilat dukeshin sikur t’i kishte përtypur dikush paraprakisht, ndërsa në të tretën tri bërxolla vjeneze me koren e shpërbërë nga lagështia. Në një thes të ndarë ishte sallata me lakra dhe tri mollë, nga të cilat njëra ishte e krimbur. Asgjë nga këto nuk ishte tërheqëse.

„Nuk ka ëmbëlsira“, tha Ibro i trishtuar, pasi e kontrolloi mirë e mirë përmbajtjen e qeses.

„Nuk prish punë, edhe ashtu nuk jam i uritur“, ia ktheva i përmbajtur. Shpresoja se nuk do ta vërente se edhe unë isha i dëshpëruar për shkak të mungesës së ëmbëlsirave.

Duke u kthyer në shtëpi, prapë u ndeshëm me Ivanin. Ai ishte në anën e kundërt të rrugës me shoqëri, e cila e shikonte me adhurim.

„Hej, pederë! Kthehuni nga keni ardhur“, na u drejtua dhe na gjuajti me gur.

Kësaj radhe nuk e vramë shumë mendjen, por e shpejtuam hapin drejt shtëpisë. Nuk vrapuam, se kështu do të tregonim se kishim frikë.

„Dhe lahu, Fëlliqësirë!“, u dëgjua nga largësia.

I kaluam edhe dy rrugë pa e thënë asnjë fjalë, ndërsa Ibrahimi shikonte tokën me trishtim.

„Çfarë ke?“

„Eh. Këtë nuk e kam nga lindja“, thotë me trishtim, ndërsa me dorë tregon njollën në qafë.

Mbeta pa fjalë, sepse kurrë nuk e kisha parë Ibrahimin ashtu të trishtuar. Vetëm isha i sigurt se e urreja atë Ivanin e poshtër. Vite më vonë e kuptova se urrejtja prodhon vetëm urrejtje dhe se nuk duhet urryer as ata që nuk na duan për shkak se jemi më ndryshe.

„Ndoshta vërtet jam i ndotur“, shtoi ai, pas një kohë dhe po me atë trishtim.

„Mos ia fut, ti je për mrekulli.“

Ajo ngjarje na afroi edhe më shumë. Ditët e ngrohta të verës i kaluam me lojëra të ndryshme, me not, peshkim, „luftime“ me balona të ujit me Ivanin dhe grupin e tij. Kur situata u bë sa s’kishte më mirë dhe dukej se u bëmë të pandashëm, ndodhi ajo çfarë ndodh në jetë. U grindëm nën hijen e drurit të panjës për një topth të qelqtë. Për një budallallëk fëmijëror. Ibrahimi me trishtim e hodhi rruzullin përtokë dhe shkoi në shtëpi. Menjëherë e kuptova që unë isha fajtor, por nuk kisha fuqi ta pranoja.

Të nesërmen shkova me familjen në vilën e pushimeve. Atje mbeta deri në fillimin e vitit të ri shkollor. Rrugës për në shkollë, mendoja për Ibron. Vendosa t’i tregoja krejt sapo që ta takoj, por nuk e pashë më. Siç erdhi në jetën time, ashtu edhe u largua. Nën hijen e drurit të vjetër të panjës, të mbërthyer nga dielli përcëllitës veror si një kometë e cila kalon pranë tokës në një interval prej disa shekujsh. Rrugët e jetës piqen ashtu papritur dhe pastaj përsëri shpërbëhen, si lidhëset e këpucëve. Dhe pavarësisht se sa kohë kishim kaluar bashkë, unë nuk u tregova hiç më i mirë se ata të cilët na përndiqnin. E vetmja gjë që mbeti është kujtimi për kohën e kaluar bashkë dhe një rruzull i gjelbërt. Një topth i vogël i qelqtë mbi të cilin bie hija e formës njerëzore. Ndërsa unë rri mendueshëm mbi sipërfaqen e zjarrtë dhe e pyes veten se çfarë mund të nënkuptojë kjo. Miqësinë? Dashurinë?

„Xhaxhi!“, një zë afër meje më zgjoi nga kllapia. Është i djaloshit të vogël bjond. Djaloshi tjetër, zeshkan me kaçurrela, qëndron parpara meje me dorën e zgjatur. Sytë i ka ngjyrë topthi të qelqtë.

„A mund të ma jepni rruzullin?“

Me buzëqeshje ua dhashë rruzullin, ndërsa ata me plot gëzim u kthyen nën hijen e drurit.

Çka mund të përfaqësojë një rruzull?

Ndonjëherë gjithë botën.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Damjan Kërstanoviq

Damjan Kërstanoviq u lind më 1984 në Osijek, ku si pasojë e rrethanave mbaroi studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë. Pasi nuk është shumë i dhënë pas ekonomisë, në moshën 30 vjeçare fillon të shkruajë në mënyrë aktive. Ka botuar tregimet e shkurtra “More” (revista për art dhe kulturë RE nga Rijeka), “Prikaze” (çmimi Vranac për tregimin e shkurtër më të mirë në vitin 2015), “2184” (finalisti i konkursit Sea of Words në Barcelonë më 2015), “Pjesma mrtvog dečaka” dhe “Prikaze” (Revista Letrare, Dega e Amëzës Kroate në Osijek). Aktualisht punon si ekspert ndihmës në Qendrën për Paqe, derisa në kohën e lirë përpiqet ta përfundojë romanin e tij të parë.

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.