Milana Gajoviq

 

 

Vitin e kaluar shkova ta shohë ekspozitën e pajisjeve të torturës në Kalamegdan. Vizitorët e ekspozitës me një kënaqësi e lezet morbit që vetëm neve na shkon për shtati, shikonin pajisjet të cilat kishin për qëllim që me to njeriu të poshtërohej, të sakatosej, të torturohej e të vritej. Ato gjithë kohën i fotografonin eksponatet sikur të bëhej fjalë për ndonjë trillim e jo realitet.

Mbase vëzhguesve u hyra në hak. Mbase edhe në çastin e fotografimit disa prej tyre ndienin po atë tmerr ngulfatës i cili më përshkon mua vetëm kur mendoj se dikush (mundësisht unë) ka kaluar orë të tëra pune duke menduar për veglat të cilat duhet të shkatërrojnë gjithçka njerëzore te tjetri (kështu „Virgjëresha e Nyrmbergut“ është arkivol-sakrofag në të cilin gjenden gjembat e metaltë të cilët duhen shpuar viktimën pa ia prekur organet e saj vitale). Ajo kënaqësi morbite në gjermanisht shprehet me fjalën e cila nënkupton kënaqësinë që ne e përjetojmë me vuajtjen e tjetrit  – schadenfreude.

Korridorët e ftohtë e të errët të kalasë së Kalamegdanit të mbushur me muzikë drithëruese, zgjonin në mua dëshirën e madhe t’i mbyll sytë, veshët dhe të shkoj sa më larg nga ky vend – plagët e gjalla të vetëdijes sime, por qëndrova, si e gozhduar me ndonjë magji sadomazokiste. Kisha ndjesinë se në atë rast do të ikja nga vetë jeta.

Muret nëntokësore e ndanin si greminë botën e jashtme nga viset tektonike ku ligësia njerëzore nuk kishte kufij. Kur të dal, do t’i shikoj kalimtarët plot lumturi sipërfaqësore dhe mjerim, marre e turp të ndrydhur. Kështu të qetë në vete dhe me veten, të dehur me besimin në viset qiellore, në virtytet burrërore të gabimeve dhe ligësive të tyre të vogla; të tmerruar nga pasqyrja dhe nga çdo gjë që tregon së paku një copëz të pasqyrimit të njëmendtë.

Përvojat e shtresuara të personazheve imagjinare për të cilat kam lexuar ma zgjuan fantazinë. U bëra viktimë për një çast në vetëdijen time (oh, më së lehti është të identifikohesh me viktimën, sepse çdo viktimë është e madhe). Më dukej se po e ndieja tehun e gozhdës duke ma shpuar mendimin e ngrirë dhe se muret rreth meje në fakt janë barku i ndonjë përbindëshi të madh i cili plot epsh thith dhe përthith ajrin e ftohtë nga i cili lëkura më tkurret dhe më bëhet e hollë dhe e brishtë. Më përshkoi ndjenja e plogështisë në vena dhe në gjakun që më prishej. Mendimet m’u mavijosën nga lakuriqësia përpara vetes dhe përpara idesë se çka do të kisha bërë nëse disi do të gjendesha në rrethana të cilat do të më tregonin se në çka mund të shndërrohesha.

Besoj se unë nuk do të mund të bëja ashtu siç bënin ata që ngulfatnin, mbysnin, derdhnin gëlqere, bënin abazhurë nga lëkurat njerëzore me tatuazh të bukur, e nga kockat pulla e sapunë; jo më larg se dje – në ditët e para të jetës sime – në viset e mia i hapnin plagë të gjalla tokës dhe në të hidhnin copa të paemra mishi.  Dhe e di, meqë kësaj i besova – do ta bëja. Vetëm nuk m’u dha rasti të mësohesha me aromën dehëse të gjakut, me kalbjen e mishit në duar; me mjerimin dhe dobësinë e tjetrit (oh sa bukur dhe sa dehëse është të kesh pushtet mbi tjetrin).

Kur dola nga nëntoka, i shikoja njerëzit – aq të lumtur e të hareshëm me varrezat e ndërgjegjes së tyre, të pandjeshëm ndaj dhimbjes, zotër të plotfuqishëm të pranisë së pamendtë, dhe u mora lakmi, sepse në labirintët paralelë të vetëdijes sime ndjeva lakmi gjakatare. Nuk u ktheva në realitet me lehtësi, ama u lehtësova.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

  Milana Gajoviq

Milana Gajoviq ka mbaruar studimet themelore në Degën e Gjuhës Serbe dhe Letërsisë Jugosllave në Nikshiq, ndërsa studimet e magjistraturës në Fakultetin Filologjik në Beograd, ku është doktorante. Është bursiste e Matica srpska – Shoqatë e anëtarëve në Mal të Zi. Poezitë e saj janë botuar në Vesna, revistë e Fakultetit Filologjik në Beograd.

 

 

ažurirano: 04/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.