Danilo Luçiq

 

Urosh? Ku është Uroshi im? Nuk e di ku është. As ti ku je nuk e di. As unë ku jam. Dikur moti e kisha përshtypjen se një njohuri e tillë s’është gjë, pos frymëmarrje, shikim, jetesë. Kjo njohuri shumë lehtë do të mund të ishte ajo kohë kur unë, duke qenë i fundit i zgjuar, shikoja nëpër shtëpi për të parë se a janë fikur të gjitha dritat e pajisjet dhe a është mbuluar Uroshi. A merr frymë. E kur hyja në dhomën tonë të gjumit, ti nuk dukeshe sikur po flije, por sikur të kishe bërë diçka, sikur të ishe duke menduar, duke u përpëlitur në shtrat, e gjumi të kishte kërcyer nga koka e shtratit, si hajdut. Ku është e gjithë kjo, ku u fsheh? Me aq ngulm ia ndaloj vetes ta quaj atë jetë, ngase ajo do të nënkuptonte se kjo tash nuk është jetë. E është, ia qafsha nënën. Edhe kjo është jetë, dreqi e marrtë.

E ç’mund të dija unë, teksa qëndroja atje me pushkën e zhbllokuar, mu në mes të atij livadhi, krejt vetëm, sa i tërbuar aq edhe i frikësuar? Mbrapa meje e ndieja freskinë e kaçubes plot hije që shtrihej mbi krahërorin tim, dhe i jepte fllad supeve të mia me djersë, më laritej, më premtonte, më këndonte… E përballë meje e shoh Sreqko Vukovljakun dhe shokët e mi të njësitit mbrapa shpinës së tij. Edhe pushkët e tyre janë të zhbllokuara. Edhe ata janë po aq të tërbuar dhe të frikësuar. Më shikojnë, të tendosur dhe buzë çmendurisë, pyesin veten se ç’po ndodh me mua, ku po shkoj, ani pse e dinë ata mirë. Bëj atë që do të bënin edhe ata. Ik. Ik, sepse bëhen gati të na përshkojnë me një tmerr i cili, me lemerinë e tij, do të na rrëzojë poshtë në mesin e të vdekurve, që ashtu, të gjallë, të përpëlitemi me ta. Disa orë më parë, nga shtabi kishte ardhur urdhri për të cilin dihej shumë mirë se ç’nënkuptonte dhe ç’pritej – sa më parë të niseshim në drejtim të lokacioneve Kravica dhe Sandiqi.

Ai përshkon korridorin e banesës së tij. Fëmijët me vrap i kalojnë pranë, të gjithë të veshur ngjyra-ngjyra. Qeshin, bërtasin dhe shtyhen. Duken si piratë, motra medicinale, ushtarë, këngëtare, avokatë… Në dorë mban një thikë shumë të madhe, tehu i së cilës është i mbuluar me shllag të ftohtë. Nga cepi i dritareve qetësia e zbehur e ditës ngjyrë portokalli dhe fryma e parë e freskët e ajrit. Thikën e ngriti lart, mbi kokën e tij dhe i shikon fëmijët, kërkon fytyrën e të birit. Prapa tij hapen dyert e dhomës së ditës, dëgjohet e qeshura e të rriturve, përhapet tymi i duhanit dhe dëgjohen shkrepëtimat e fotoaparateve. Derisa fëmija i fundit hyn në dhomë, dëgjohet jehona e zërave të ngazëllyer me revinë e njerëzve të vegjël, e dikush hap një shishe shampanjë dhe i fton të pranishmit të provojnë tortën dhe ëmbëlsirat. Pastaj mbyllet dera dhe Milivoji është i vetëm në korridor.

Sreqko Vukovljaku i afrohet me hapa të ngadaltë. Kërcejtë, të hirtë e të blertë, shushurisin ndërsa përkulen nën çizmet e tij të rënda. Shpesh edhe i shkul. Milivoji pyet veten se a e shtrëngon edhe Sreqko pushkën ashtu fort, si ai. Mendoj për ty dhe Uroshin, nuk di si t’ju mbroj me vdekjen time. Me dezertorët në atë kohë puna kryhej shpejt. Djemtë e njësitit janë çdoherë e më të tendosur në pritje të rezultatit. Edhe ata edhe unë e pyesim veten çka nëse oficeri Vukovljak jep urdhrin për të gjuajtur. Rreth Milivojit zhduket zhurma, gjithçka tërhiqet dhe qetësohet, drita do të largohet nga ai, se vdiset, siç lindet, gjithmonë në vetmi. Me mëngë dua ta mbledh djersën rreth syve, kam frikë se do të dridhem. Të ishe ti pranë meje, apo ndërmjet neve të dyve, dhe të më pyesje përse po e bëj këtë, përse do të lejoj që një grua dhe një fëmijë të mbesin të vetëm, do të të përgjigjesha në fund, jo pa mundim, por i thyer në masë të madhe, se veç kështu ka shpresë që nesër, pasnesër apo kurdo dikush mbase to t’ia dalë të shpëtojë, andej nga ajo anë, sepse atë nuk do ta ndjekin plumbat e mi.

Me drojë hyri në dhomë, e mbylli derën me qetësi dhe e la gjithë zhurmën jashtë. Llambat pa ndonjë interesim pushonin rreth e rrotull, të pandezura, pa u brengosur për terrin i cili po përhapej në dhomë. Nëpër dysheme, nga lloj-lloj lodrash, kukullash e copëzash të hedhura kostumesh, duhej ecur plot kujdes, si në një fushë të minuar. Ngadalë i afrohej divanit në cep të të cilit ishte Uroshi, i cili po rënkonte në heshtje. Kishte të veshur një fund shumëngjyrësh, një xhemper të vjetër i cili pa shije i varej mbi supe, një shami me pika të lidhura rreth kokës, e në prehër e shtrëngonte një kukull të zezë, të madhe, me kaçurrela të shndritshme artificale dhe me buzë të kuqe, të trasha. Dhe qante ashtu me dënesë dhe rënkim. Milivoji kurrë nuk kishte parë një fëmijë të qante ashtu, mendonte se vetëm të rriturit mund të duken ashtu kur i rrëmben vaji (thuajse vetëm aka kanë të drejtë t’ia parashtrojnë fatit pyetjet e të pikëlluarve). Por, ja, i biri i tij qan ashtu, pa e mbuluar fytyrën me duar, duke e shtrënguar figurën e fëmijës së zi buzagaz, vetëm në një dhomë gjithnjë e më të errët.

A thua ç’është ajo në fytyrën e Vukovljakut? Neveri? Urrejtje? Ç’mendon saktë se qëndron përpara tij? Unë jam dezertor i mjerë, qyqar, dhe nuk dua t’i shërbej ushtrisë sime e cila e mbron popullin, e cila e çliron këtë vend. Unë po e kthej kokën dhe po heq dorë nga shokët dhe nga ai. Nga e gjithë ajo për të cilën shpesh bisedonim Vukovljaku dhe unë, natën, duke ia dhënë njëri-tjetrit ndonjë cigare. Zor është të thuhet, dhe gjithmonë ka qenë, se çka fsheh mbrapa shikimit të tij të ngurtë eprori im, Sreqko Vukovljaku. Mund të jetë edhe: „Pse, o mik?“, dhe: „Pse, o dushman?“ Dhe unë e uli shikimin. Jo nga turpi dhe jo nga frika. E uli shikimin sepse kam humbur, më ka mposhtur lufta dhe tash jam veç i moshuar dhe i lodhur. Ajo gjithmonë fiton, e tillë është. Një ushtar ka lëvizur anash, e shikon Vukovljakun dhe mua, duket qartë se nuk di nga është nisur. Ndoshta dëshiron të na shikojë nga një perspektivë tjetër. Mbi ballin tim i ndiej sytë e Vukovljakut, pastaj i ndiej duart e tij mbi mua. M’u afrua, ashpër, si ushtar, më rrëmbeu për supe. Ma tërheq trupin, ma shkul unifromën, e shikimin nuk e largon nga fytyra ime. Papritmas, kthehet dhe largohet, në shpinë mban pushkën time, e në dorë dekoratat e mia. Djemtë kthehen në vetura, Vukovljaku jep shenjë e unë mbetem i vetëm, më duket si njeriu më i vetmuar në botë. Më nuk di asgjë, më nuk mërzitem, më shumë se kaq nuk mundem, dhe nuk di nëse dikund ekziston dikush që është imi.

Kur u futa në malin që e kisha pas shpine, atë tashmë e kishte kapluar terri.

Pa e lëshuar thikën nga dora, e përqafoi të birin. Fytyra e djaloshit sa herë që qan duket aq e plakur, thuajse përnjëherë e shtypin dhe e rrudhin dekadat. Dikush e kishte veshur si lypëse, ia kishte dhënë kukullën e zezakut e cila do të duhej të përfaqësonte të birin e tij të gjorë e roli i tij ishte të shkonte prej mysafirit te mysafiri dhe të kërkonte lëmoshë. Sot, në ditëlindjen e tij. Që nga shokët dhe të afërmit e tij të kërkonte para për vete dhe për fëmijën e tij prej gome. Fëmijët e tjerë kënaqen me mysafirtët të cilët i përkëdhelin dhe i lajkatojnë, i marrin në prehër, vallëzojnë me valltaret, i cakërrojnë gotat me avokatët, dorëzohen dhe gjunjëzohen përpara kusarëve… Por Uroshi nuk kupton, si ndodhi që ai të jetë lypëse me fytyrë të nxirë, me të birin në prehër, në vend që ai të ishte në prehër të dikujt i cili e do. Mbase për këtë qan me aq dënesë, aq bindshëm, por me një pajtim të paparë, sepse në ato lotë mbase është njëfarë pranimi i kësaj barre e cila tani po e mban dhe nën të cilën qan i vetëm. Babai në atë çast e largoi kukullën e tij dhe ia hoqi shaminë nga koka. Me kujdes dhe ngadalë, me vetëbesim të plotë, e afroi thikën te buzët e djaloshit, duke e kthyer nga ana jo e mprehtë, e Uroshi, paksa i befasuar, e kapi thikën dhe me gjuhë nisi ta hiqte shllagun nga tehu i ftohtë dhe i ëmbël. Më nuk qante, ishte krenar, sepse e ndiente se tash edhe ai edhe babai e ndanin një sekret, derisa në dhomën tjetër fëmijëve ua fusnin tortën në gojë me lugë prej plastike.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Danilo Luçiq

(1984) i lindur në Beograd, ka mbaruar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në Fakultetin Filologjik në Beograd, në katedrën e letërsisë serbe. Ka botuar përmbledhjen e poezive Beleške o mekom tkivu (SKC Kragujevac, 2013), për të cilën ka marrë çmimin Brankova nagrada për vitin 2014 si dhe Šrapneli (Arete, 2017). Është redaktor i shtëpisë botuese Kontrast izdavaštvo, si dhe i portalit për letërsi dhe kulturë glif.rs. Shkruan për portalin Before After, për revistën kroate Prosvjeta dhe për revistën serbe Harper's Bazaar. Jeton dhe punon në Beograd.

 

 

ažurirano: 29/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.