Korana Serdareviq
Kur më në fund doli, askush nuk tha asgjë, vetëm një dorë fshehurazi e kapi për gishta. Shpejt i tërhoqi dhe i futi në xhep. Disa minuta më parë ai ia kishte larë nga duart gjithë butësinë. E hoqi nga shuplakat dhe gishtat, duke e fërkuar lëkurën me lëng për dezinfektim, në detaje dhe shpejt. Si të ishte papastërti ose madje edhe sëmundje, si të ishte sëmundje e cila nuk bën t’i ngjitet askujt tjetër. Djali i saj ishte i fundit i cili e ndjeu, ndërsa ia lidhte fashën rreth krahërorit nga i cili plaga digjej si dielli i muzgut. Edhe pak dhe do ta mbërthejë të tërin.
Kur përfundoi, e puthi në faqe dhe mendoi se ishte mirë që ishte pa vetëdije. Ai djalosh, fëmijë, jeta e saj, fle siç flinte kur e çoi për herë të parë në atë shtëpi në mes të rrugës. Shtëpia nuk është më. Jeta është ndryshe. Në rrugë përpara saj prisnin me dhjetëra të plagosur të panjohur: i shihte se si lëngonin shtrirë mbi krevatë prej dërrasash dhe nuk u ndalej gjaku, pandërprerë. Kuq, Gjithçka kuq. Nën këmbët e saj pandalshëm mbushej liqeni i gjakut të kuq, të ngrohtë, dhe ajo ishte në gjendje të ndjente se si ai lëng i ëmbël po i vinte deri te goja, te hunda, te balli, te lëkura e kokës. Mezi arrin të marrë frymë. Gjithmonë dhe gjithkund ai gjak i zjarrtë, i ngjitshëm. I duhej të shkonte dhe prandaj i lau duart. I lau mirë. Djali i saj mbeti në atë vend, duke vdekur.
Kurrë nuk i kishte shkuar mendja të hiqte dorë nga puna e saj, sidomos në kohën kur i dukej se kjo ishte e vetmja gjë që i duhej botës. Të vinte fashë, të qepte, të ndalte gjakderdhjen, të ndërprente ngulfatjen, të ngriste kokën, të lante, të shpëlante, të mbështillte në të pastër. Ishte e shpejtë, e shkathët dhe gjithmonë e gatshme për lëvizje. Punonte me aq shumë përkushtim saqë emri i saj personal ndër vite u venit nën hijen e atij misioni, thelbi të tij. E quanin Motër.
„Prapë është i dehur“, i tha fqinjes ndërsa i varte rrobat e lara në litar. Gruaja në oborrin e rrethuar me gardh të parregulluar bëri një grimasë të trishtueshme dhe ofshau.
„Përderisa këndon, mirë është.“
„Mirë është“, përsëriti Motra dhe e hodhi shikimin te vogëlushja e cila rrinte vetë në rrugë. Në dorë mbante bishtin e hardhucës. Përdridhej dhe tundej sikur të ishte ende pjesë e botës së gjallë, si të mos ishte veç një copë e hedhur tutje, një imitim i jetës. Motra rrënqethet nga mendimi i cili ia pren imazhin e vogëlushes me fustanin lara-lara me lule. Në atë çast në telin e rrymës mbi kokat e tyre ndalet dallëndyshja e parë dhe i hap krahët. Është pranverë. Vogëlushja shtrëngon pëllëmbën dhe seç pëshpërit brenda gishtave të vegjël.
Mëngjesi po largohej. Rrobat e Motrës luhateshin me erën pranverore, të pastra dhe plot aromë. Po e hapte këmishën e fundit dhe po e varte me kapësen për jakë. Muzika e zhurmshme nga oborri në anën tjetër të rrugës po ia vrante timpanët dhe mezi priti të hynte në shtëpi, t’i mbyllte dyert, ta hidhte rreth qafës përparësen e vjetër dhe ta përziente çorbën e portokolltë në tenxhere. Edhe pse jeton vetë, çdo ditë gatuan. Kujdeset për veten, është e zellshme dhe e pastër. Askush nuk i vjen dhe askujt nuk i futet në jetë. Po të mos vinte atë vit në shtëpinë përballë ai burrë i gjatë me zë të lartë, nuk do të kishte pasur arsye të largohej nga qetësia e saj të cilën e kishte kërkuar sa kohë, të cilën e arriti duke i refuzuar me ngulm fjalët e huaja dhe disa mendime të veta të vështira. Gjithë sikletin të cilin po e ndjente në dy vitet e fundit ia shkaktoi ai burrë, duke u martuar me vajzën shtatgjatë, hasreten e fqinjit. U vendos aty, e shkeli rrugën me hapin e tij të madh, sytë e tij ngjyrë deti ia nguli secilit fqinj, vështrimin e hodhi mbi secilin oborr. Në përdhesë të shtëpisë së pasuvatosur çifti i ri kishte vendosur ca orendi të lira dhe iu dha një jete në dukje të thjeshtë, e cila shumë shpejt u dhuroi një vogëlushe me flokë të verdhë. Ajo rritej, ndërsa babai i saj çdo ditë u shkonte fqinjëve në shtëpi, ulej sa për një gotë verë, përshëndetej nga rruga, gjithmonë duke bërtitur, gjithmonë duke treguar se ishte aty, se duhet ta shihnin, ta dëgjonin. Se ekzistonte dhe se ishte i rëndësishëm.
Si e pa për herë të parë, Motra për një çast e humbi ritmin. Frymëmarrja iu ndërpre, para syve iu bë terr ndërsa gjunjët dukshëm iu dorëzuan. Dy fqinjet e morën për krahu, që të mos rrëzohej. Ai burrë, ai njeri u panjohur i cili kushedi se nga erdhi, dukej tamam si djali i saj i vdekur, hasreti i saj i plagosur të cilin e la atë mëngjes për t’ua ndalur gjakderdhjen djemve të huaj.
Rrinte larg. Ai jetonte si të ishte duke përmbushur detyra. Mblidhte rrëfime për njerëzit, ushqehej me fatin e tyre si ushujzë. Komentonte dhe gjykonte, afrohej dhe përparonte. Asaj i erdhi një pasdite, trokiti në xhamin e dritares dhe e thirri në emër. Motra u ngrit nga shtrati dhe e shikoi forografinë e djalit në dollapin me libra. Gati është.
„Njerëzit më thonë se edhe ti ishe“, filloi pasi i kishte pirë disa ngërqe të kafesë së nxehtë dhe të zezë, nga e cila ende dilte avulli. Ajo heshtte. „Sa gjatë?“
„Mjaftueshëm.“
„Edhe? Të vjen keq?“
Ai e shikonte me sytë gjysmë të shtrënguar. Gishtat e gjatë ledhatonin veshin e filxhanit të qeramikës. Motra e kuptonte shikimin e atij njeriu dhe e dinte: ai është tjetri. Spazma në fytyrën e këtij burri asnjëherë nuk hiqet, ai pret në pritë, i tendosur dhe i nxehtë, me atë plagë që përhapet, që është ngjitëse dhe dhimbja e së cilës ndjehet në krahërorin e secilit i cili e merr guximin t’i afrohet. Shumë shpesh ka pasur raste t’i shohë të pashëruarit, ata i shmangte dhe vështirë i harronte. Disa sëmundjeve u duhet kohë e gjatë për t’u shëruar dhe dhimbja e tyre kalon te të gjithë të plogështit, të paaftit e të vetmuarit. E dinte ç’duhej të bënte.
„Mos u hidhëroni, por më duhet të marr autobusin për qytet.“
„Patjetër, patjetër. Ka ditë, Motër“, e nguli atë fjalën e fundit ndërsa ajo e ndjeu si damkë të përgjakur.
Kurrë më nuk hyri në oborrin e saj. Motra e mbajti mend diagnozën e vet, dhe nuk foli për të. Ajo vuante më shumë nga ngjashmëria e trishtë që shfaqte trupi i këtij jabanxhiu. E ktheu shpinën ashtu siç kthehen njerëzit nga ngjarjet të cilat nuk i kuptojnë dhe mbi të cilat nuk mund të kenë ndikim. Megjithatë, shpesh e shikonte vogëlushen e cila luante në rrugë. Flokët e saj, piklat në hundë dhe duart çapkëne Motrës ia zgjonin atë butësi që ka kohë që ishte shpëlarë. Kur kalonte pranë vajzës, dora vetvetiu i fluturonte që t’ia përkëdhelte flokët, që në dorë t’i fuste një bombon, që t’ia ndreqte fustanin të cilin vetë e kishte veshur mbrapshtë.
Dita e pranverës e kishte arritur pikun, ndërsa burri ende lëshonte muzikë, këndonte me zë të lartë, dhe thoshte fjali të ashpra. Era bëhej gjithmonë dhe më e fortë ndërsa qielli po mbulohej nga perdet e errëta. Motra i mbylli të gjitha dritaret. Edhe pak dhe do të fillonte stuhia.
Rrebeshi i shiut godet portat dhe derdhet poshtë olluqeve. Rrokullis guralecë, çon pluhurin nga kopshtet, përkul përtoke pemët e njoma dhe spërkat gjethet e reja mbi degë.
„Motër! Motër, shpejt!“, në derë të shtëpisë përplasen pëllëmbat e lagura të burrave. Derisa i mbathte këpucët nuk mendonte për asgjë. Veç të mbërrinte me kohë.
Era i largon nga rruga, i shtyn dhe i rrotullon, nuk heq dorë.
„Ambulanca është rrugës“, tha njëri prej fqinjëve derisa nxitonin përtej rrugës e shiu ua ngjiste flokët për balli. Dera e shtëpisë është e hapur. Gruaja e re rri shtrirë mbi kauç, e gjaku ia mbulonte gjithë fytyrën. Njërin sy e ka të errët dhe të mbyllur. Mbi qilim xhami i thyer, gjaku dhe dhëmbët. Motra ulet pranë saj. Gjaku nga goja duhet të ndalet. Gruaja nuk guxon të lëvizë.
„Veç le ta prekë ajo, në krevatin tim më nuk do të shtrihet“, tha burri dhe u ngrit nga tavolina ku e kishin ulur, të qetësohet, të harrojë. Ende ishte i djersitur dhe i përlyer nga tërbimi. Njerëzit u tërhoqën nëpër skuta. Askush nuk tha asgjë. Me rëndësi ishte që të mos mbeteshin vetë.
„Ti je njëra prej tyre, Motër, nënën ta qifsha. Njerëzit e tyre i shpëtoje derisa ne vdisnin, kurvë e përdalë! Preke dhe të vrava, ty dhe atë.“
Motra heshtte. Mbi supet e burrit u lëshuan duart. Njerëzit e qetësonin dhe e siguronin. Motra është këtu për të ndihmuar, ajo duhet ta bëjë punën e saj, kjo i shkon më së miri për dore, vetëm kjo mund të bëhet që të përmirësohet gjendja. Mbase nuk do të lejonte që gruaja t’i mbetej pa gjak. Nuk është tash koha për sqarime. Veç ngadalë. Veç qetë. Gjithçka do të bëhet mirë. Gjithçka do të jetë në vendin e vet.
Në shtëpi gufoi frika, pasiguria dhe gjaku. Jashtë shiu, era dhe retë.
Ndihma e parë e mori gruan dhe e lajmëroi policinë. Motra i fshiu duart dhe u nis drejt derës. Derisa po e kërkonte dorezën një dorë ia kapi gishtat. „Vetëm vdekja s’ka shërim“, tha një gojë. Dera e dhomës fishkëlleu dhe nga errësira u shfaq fytyra e vogëlushes.
Stuhia pushoi dhe Motra tani mund ta kalonte rrugën bashkë me vogëlushen.
Një nga një, njerëzit nisën t’i hapin krahët e dritareve. Shikonin qiellin. Retë ende shtypeshin mbi pullaze, por atje në largësi, poshtë buzë detit, u hap një boshllëk i gjatë duke lëshuar mbi tokë rreze drite të bardhë.
Është festë dhe Motra niset drejt varrezave të vogla në cep të qytetit. Ndërsa afrohet, e ndjen diellin në shpinë dhe nxiton të mbërrijë të kthehet përpara drekës. Vera e ka ngrohur mermerin dhe i ka tharë lulet. Në pjesën e mesme të varrezave është vetëm lëndinë. Aty varret janë pa pllaka, në nivel të tokës. Të gjitha varret janë me ngjyrë e madhësi të njëjtë, ndërsa emrat mbi to janë me shkronja të vogla. Krejt në cep, buzë murit, një varr është i mbuluar i tëri me një qilim të kuq. Motra ndalet përpara tij, ndërsa vogëlushja i ikën nga duart, struket dhe fillon të fusë në gojë dredhëza të egra të cilat tashmë ishin pjekur. Kishte me qindra.
Përkthim: Qerim Ondozi
Korana Serdareviq
Korana Serdareviq (Zara, 1982) diplomoi në degën e gjuhës dhe letërsisë kroate dhe letërsisë krahasuese. Punoi si gazetare për kulturë të Večernji list dhe Forum, dhe ishte bashkëpunëtore e një numri të madh revistash dhe portalesh, si dhe e Programit të Tretë të Radios së Kroacisë. Më 2013 mori dy çmime të para për tregimet e shkurtra (Ranko Marinkoviq dhe Zllatko Tomiçiq), dhe më 2014 ishte në listën e shkurtër për çmimin Vranac. Më 2015 në botimin e Frakturës u botua koleksioni i tregimeve të saj Nema se što učiniti. Jeton në Zagreb, ku punon si mësuese në gjimnaz dhe përkthyese nga anglishtja. Mund ta kontaktoni në korana.serdarevic@gmail.com ose www.facebook.com/korana.neverin
ažurirano: 01/02/20