Nikolla Nikoliq

 

 

Tash Shlomo është vetëm dhe pret në terr.

Në fillim ishin dhjetë. Erdhën në kolonë nga tubi i zbrazët i kanalizimit. Në fund të rrugës u doli kapaku prej plastike. E kafshuan me ndërrime, derisa nuk u dorëzua dhe me shpërthim kërceu në barkun e errët të bodrumit. Nxituan verbërisht, njëri pas tjetrit, duke gërryer me kthetra copën e aluminit që ishte podiumi për vallen e tyre triumfale. Atëherë i dëgjoi për herë të parë.

Niste vonë në mbrëmbje, kur pushonte ushtima e rrugës poshtë dritares. Rrinte në errësirë dhe dëgjonte. Nga poshtë diku depërtonte shushurima që ngjitej nëpër mure. Thuajse xunkthi i robëruar në gardh kishte fituar zë. Përhapej gjithandej rreth saj, duke thurrë rrjetin e padukshëm. Të ngrirë, të mbuluar deri në mjekër, Hanifes i dukej se shtëpia po i pëshpëriste diçka.

Disa ditë më vonë vendosi të zbriste. Hapat mbi shkallët prej dërrase linin zhurmë kërcitëse. E kishin lajmëruar dhe u kishin mundësuar të iknin me kohë. Kur hapi derën, nga terri depërtoi kutërbimi. E kishte lënë pas diçka që sapo ishte zmbrapsur. Iu desh të tërhiqej ca hapa për t’i mos rënë të fikët. Duke u mbajtur për kornizën e derës, mori frymë disa herë dhe shpejt shtypi prizën.

Poçi mezi çau terrin, por mjaftueshëm për të parë atë që donte: gjërat ishin shkapërderdhur në dysheme që ishte zbardhur nga mielli i derdhur. Gjithandej shiheshin gjurmët e brejtësve. Gjurmët e imëta mbi bardhësinë që vizatojnë shtigje, sillen, bashkohen, ndahen. Dukej thuajse mielli po sitej nëpër ndonjë sitë të shpërthyer gjigante, jolineare. Sytë e mësuar me terrin mund të spikatnin edhe qindra kokrra të jashtëqitjeve të përhapura gjithandej. Shtoheshin sa më shumë që futeshin në errësirë. I ndoqi me shikim derisa nuk pa një tufë pikash të ndriçuara. Hidhnin drejt saj shkëndija dritash. Nuk dinte në ishin vërtet aq të imëta apo tejet të largëta: vetëm ishte e sigurtë se ato janë sy, të gjallë, të frikësuar, të tërbuar.

Ditën dhe netët iu sollën në një spirale pa fund. Mbrapa nuk mundnin, sepse në vend të kapakut tani ishte diçka shumë më e ngurtë. Pastaj nga askund u shfaq kafazi dhe brenda tij një copë e madhe mishi. E rrethuan si në ndonjë ceremoni, duke u frikësuar ta preknin brendësinë e tij të shenjtë. Pas një kohë më nuk kishin zgjedhje. Kishin mbetur pa ushqim dhe më i guximshmi prej tyre vendosi të futej brenda. Me kujdes bëri hapin përtej pragut prej teli, iu afrua mishit, e nuhati. Me të dëgjuar kafshatën e parë, pas tij u futën dy të tjerë. Të tjerët prisnin para hyrjes sepse hapësirën e kishin të vogël për të pranuar së paku edhe një këmbëz të uritur.

Rreze drite, ikje si pa kokë: prej atyre që gostiteshin papritmas i ndau një gardh metali. Tre prej tyre mbetën të ngujuar. Të strukur, të mpirë nga ngopja, pa lëvizur shikonin dy sytë e mëdhenj nga ana tjetër e grilave. Nuk kishin fuqi as për frikë as për tërbim. Atëherë e takuan Hanifen. Atëherë ajo në ta pa tri forca speciale të cilat një natë iu futën në shtëpi dhe ia morën të birin, nën akuzat se po përgatiste kryengritje. Pa sërish ato fytyra të ngushta, të fshehura dhe sytë e ligë.

Jehuda, Uri, Shlomo, pëshpëriti, duke treguar me gisht secilin prej tyre, dhe pastaj shkoi.

Që atëherë, të tjerët nuk iu afruan kafazit. U kënaqën me begatitë që u sillte përditshmëria. Hanifja mbeti vetëm, asaj nuk i duhej shumë. Një herë në ditë, zakonisht pas darke, vinte te fundi i shkallëve nga ku u hidhte mbetje ushqimi. Më nuk iknin nga zëri i derës: e mirëprisnin me fërshëllima mirënjohëse. U mësuan me dozën ditore, pushuan së hallakaturi nëpër gjëra. Një kënaqësi i hapte udhë tjetrës. Hanifen e përgjumte fërshëllima e tyre e ëmbël, e cila nëpër akustikën e xunkthit udhëtonte nga bodrumi te dhoma e gjumit.

E në kafaz gjatë asaj kohe po thurej fati i tyre. Tri robër me ditë të tëra jetonin nga ushqimi i tretur. Rrinin njëri bri tjetrit, duke i prekur ijet. Uri ishte në mes. Ishte plogështuar nga uria, nuk mund të lëvizte. I mungonte forca të shtynte trupat që e shtypnin nga të dyja anët. Bishti i ishte mbështjellë pafuqishëm rreth telit të kafazit. Turitë i pulsonin në përpjekje për të nuhatur diçka përtej kutërbimit të bashkëvuajtësve që po ngordhnin nga uria. Në fund iu dorëzua. Ishte ky lehtësim, dhe jo dhimbje. Erdhi shpëtimi kur Shlomo me përpëlitjet e fundit ia futi kthetrat në qafë.

Për të dhe Jehudën nisi epoka e artë. Ushqimi mjaftoi aq sa duhej, por kur u shfaqën kockat e zhveshura, në shikimet që binin mbi mbetjet e Urit u shfaq një pamje më ndryshe. Për betejën vendimtare duhej mjaft forcë, ndërsa Shlomo vendosi të nisej i pari. Kësaj radhe pa ndihmën e askujt. Ndihej mjaft i fuqishëm që me disa lëvizje t’i jepte fund armikut të tij fatkeq. Tash është i madh, i fortë dhe i furnizuar. Brenda tij janë dy të tjerë, e rreth tij hapësirë edhe për dy. Ishte rritur, i kishte mprehur shqisat. Mund të nuhaste çdo lëvizje që e rrethonin me plogështi. Për ta ai më nuk ekzistonte. Të dehur nga bollëku, shpejt u futën në harresë.

Kur Hanifja të hapë sërish kafazin, minjtë e zbutur kanë për ta njohur xhelatin e tyre. Ka për t’i asgjësuar një nga një, njërin pas tjetrit, për të mos i bërë vetes ndonjë armik. Tash i duhet diçka më e madhe. Tash Shlomo është vetëm, plot mish vëllazaror dhe i gatshëm.

Hanifja merr pushkën dhe niset për në bodrum, në terrin grirës.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Nikolla Nikoliq

Nikolla Nikoliq lindi në 1989 në Podgoricë. Ka mbaruar fakultetin e shkencave politike dhe ka mbrojtur temën e masterit për regjimet kuislinge. Ka botuar romanet „Čvor“ (2011), „Meandar“ (2014), dhe „Sirene za uzbunu“ (2019), si dhe përmbledhjen me tregime „Atakama“ (2016). Tregimet i boton në revistat malazeze dhe rajonale. Shkruan kritikë letrare. Është fituesi i çmimit “Bihorska Venus” për tregime të shkurta. Tregimet e tij janë përkthyer në shqipe, gjermanishte dhe anglishte. Është drejtori artistik i Panairit Ndërkombëtar të Librit dhe Edukimit në Podgoricë.
Kontakt: nikolic.gianni@gmail.com

 

 

ažurirano: 15/09/21

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.