Thuajse lidhja jonë ndërkombëtare nuk është mundim në vetvete, por tash ai dëshiron që ajo të jetë edhe e hapur. Thuhet open relationship. Me fjalë të tjera, unë duhet të shikoj anash ndërsa ai bën dashuri me tjetërkënd – më të ri, apo më pak të bardhë. Holandezëve u pëlqejnë gratë dhe burrat ekzotikë. Nuk dua të hesht e të besoj se tërheqja vjen nga kompleksi i fuqisë i cili tradicionalisht lehtë gjen rrugën e vet deri te shtrati martesor, nga ndjenja e superioritetit dhe fuqisë financiare të racës evropiane.
U pajtova. Me dy kushte.
Njëri prej tyre ishte që më në fund të fillojë të mësojë serbisht. Të paktën pak.
Nuk pres ta lexojë Pekiqin në origjinal.
Vetëm sa për t’u gjindur.
Profesori i serbishtes në Amsterdam nuk ekzistonte, por i kroatishtes po. Profesoresha. Neda Pintariq. Sllaviste dhe përkthyese. Jetonte me bashkëshortin e saj në lagjen Perëndimi i Ri, ishte shumë e sëmurë dhe këmbëngulte për gjuhën me konsideratë gjinore.
Duke shkruar këtë rresht, përpiqem ta gjej në Google dhe e gjej nekrologjinë. Te ne thuhet përkujtim. Zot, shpresoj të mos jetë ajo. Fotografia është nga rinia, nuk e njoh dot.
Mbase ende është mirë.
Kam marrë pjesë në orët e tyre.
Kam theksuar se Rutherit nuk i duhet ta lexojë Kërlezhën në origjinal.
Vetëm sa për t’u gjindur.
Së paku të më thotë se më do, në kroatishte. Por, dashuria jonë e humbi fuqinë e të folurit. As veçoria frankolinguistike e gjuhëve jugosllave nuk ia doli të nxjerrë asnjë germë nga ajo. E dija se mbase kurrë më nuk do të dëgjojë shprehjen të dua. Gjithsesi, këmbëngulja t’i ndiqte orët e kroatishtes. Vetëm kështu unë mund të vazhdoja të shoqërohesha me Nedën gjatë orëve, në pauza të shkurtra të cilat Rutheri i bënte kur telefononte dhe kur vazhdonte të punonte edhe pas orarit të punës.
Njëherë Nada më dha përmbledhjen me tregime Bunari në pyllin e errët, të mikut të saj Filip Davidit. Në faqen e parë ishte e shkruar një dedikim i ëmbël, personal. E pyeta nëse ishte e sigurtë se dëshironte të ma falte, e ajo tha se kurrë nuk kishte qenë më e sigurtë. Fliste me lavdata për versionin e punës së romanit tim të parë të cilin e kishte marrë për ta lexuar. Më pyeti nëse bën t’ia jepte për lexim përkthyeses holandisht-kroatisht Rajna Dohlerit. Në fakt, Neda më kishte bërë njërin nga komplimentet më të mëdha, duke thënë se rreshtat e mi ia kujtonin me ëndje dhe dhimbje leximin e dikurshëm të Ivana Bërliq-Mazhuraniqit.
Thotë se do t’i pëlqente ta kujtoja ndonjëherë, në tregimet e mia nga e ardhmja e largët.
– Tung! – i tha Rutheri gjyshit tim i cili në tarracën e shtëpisë sonë të Shumadijës e priti me raki.
Vizita në familjen time pas pesë vitesh lidhjeje ishte kushti i dytë për një lidhje të hapur.
Open relationship.
– Tung edhe ty! – iu përgjigj gjyshi me lot në sy.
Disa ditë më vonë, kur u nisëm për në Beograd, e thirra gjyshin ta pyes se si ishte dhe ta përgëzoja për sjelljen e shkëlqyer. Ai qau sërish.
– Shumë po kërkon ti nga ne – tha me lot në sy – Shumë. Por, nuk prish punë. Jetoje ti jetën.
Më vjen mirë që kam mundur të flas me të.
– Gjysh, ai të tha vetëm tung, nuk diti si të gjindej.
– Ani, edhe tung. Mjafton për fillim.
Por, vazhdime nuk pati sepse gjyshi vdiq nga fundi i verës. Nuk arrita në varrim dhe tash po mësohem të jetoj me këtë. Jeta ime në një pikë u kthye në marrjen e vazhdueshme të lajmeve të këqija dhe në një cikël pamundësish për t’ua thënë lamtumirën njerëzve të dashur.
– Kjo do të më gjejë edhe mua. Kur të arrij të vij sërish në Split. Do të më buzëqeshë Lovrinaci.
– Nuk dëshironi t’ju varrosin këtu?
Mu në atë çast e dija përgjigjen. Neda më shikoi lodhshëm. Bashkëshortja e saj punonte në dhomën tjetër. Rutheri qëndronte pranë dritares dhe bisedonte në telefon. Neda dëshiron që trupi i saj i ftoftë, i larë, të kthehet në dheun e ngrohtë të gurtë të cilin e plasarit Adriatiku.
– I plotësova të dy kushtet – më tha Rutheri me shikimin plot pritje – Ç’do të bëjmë tash? Në orën e ardhshme Neda ma fal librin Fjalët. Jean-Paul Sartre. Thotë se me Fjalët i ka shkuar mendja tek unë. Më pas ma dha librin Bodrumet e Vatikanit të Gedeit. Pastaj Teutën të Dimitrija Demetrit.
– Do të doja që ju të ndaheni – tha me zërin e gruas që po vdes e cila nuk ka kohë të jetë politikisht korrekte, në orën e cila do të jetë e fundit.
Rutherit i pengoi kjo, por unë e dija se po na e thoshte këtë pikërisht nga dashuria për të dytë. Më këshilloi të mos jem si ajo, të mos i pres vitet e fundit të jetës për t’u kthyer në Jug. Besonte se do t’ia kaloja mirë edhe në Beograd edhe në Splitin e saj. Ishte e bindur se në Split do të më pranonin sepse isha djalosh me mirësjellje.
– Do të jesh i dashur edhe në Beograd edhe në Split. Holandezët s’kanë shije.
Rutherit i vinte keq që tha se nuk do të vinte më në orë, por nuk donte të hiqte dorë nga vendimi i vet. E ndiente se Neda në mënyrë të pashpjegueshme orët po m’i mbante mua.
– Kush është Ivana Bërliq-Mazhuraniq? – më pyeti më pas, edhe pse ajo e mësonte që në vend të cilli të thotë kush sepse e kishte më lehtë pa grupin e bashkëtingëlloreve.
Gjuhën ia qepte sipas masës së tij.
– Lexova se Ivana Bërliq-Mazhuraniq ishte depresive dhe kishte bërë vetëvrasje – zbuloi pak më vonë – Mendoja se ishte ndonjë kod i juaji.
Atë verë Nedës ia dërgova një kartolinë nga Makarska. Më kujtohet se kishte një koleksion.
Rutheri nuk donte që rent-a-carin serb ta linim në mes të rrugës kryesore, por parking privat nuk kishim. Thotë se kroatët e shikonin me dyshim, nuk arrinte të rehatohej.
Unë e bindja se gjithçka do të jetë për merak, dhe e kisha mirë.
Javën tjetër kartolinën e dërguam nga Sarajeva e cila m’i ledhatonte shqisat. As aty nuk u ndje rehat. Thotë se e shikonin me gjykim sepse është gej.
Në fund e përshëndeta Nedën nga Beogradi, ku i pengonin turmat. Thotë se kishte turma të mëdha në trafikun e dendur e të paorganizuar.
Vdekja e dallimeve tona etnike ballkanase të cilat ai i spikaste dikur vetëm i parapriu vdekjes së dashurisë. Më la kur u kthyem në Holandë.
Nuk e di nëse i kishte parë kartolinat. Nuk m’u lajmërua më. E pyesja veten në ishte ende gjallë ndërsa merrja kokainë nga kopertinat e Fjalëve të saj.
Do të merrja çkado, veç të më ndalet dhimbja. I dëgjova fjalët e Rutherit se gjyshi im ia kujtonte Nadën, sepse, siç thoshte ai, të dytë ishin të mbuluar me një vello trishtimi. Besonte se më duhej ndihmë profesionale. Sikur Ivana Bërliq-Mazhuraniqit. Sikur mua.
Nuk ishte ky trishtim, ishte mallëngjim. Nuk e kupton dot ai këtë.
Ciklonët oqeanikë që lagin Holandën sjellin pragmaticitet.
Djaloshët rrugorë tajlandezë dhe të tjerë kanë shtytje të madhe mbijetese për të humbur kohë në melankoli. E kanë këtë nga monsunet.
Gjyshi e përshëndeti me mallëngjim te porta, duke qarë për fëmijërinë time të humbur dhe vitet kur si fëmijë më çonte nëpër panaire të Shumadijës, duke mos ditur se unë e ëndërroja Amsterdamin e lirive të njeriut.
Shoqëria ime Nedës në fund i dha jetësimin e njërës prej dëshirave të fundit – t’i ngjallë nostalgjikisht fjalët e rinisë së shkuar socialiste.
Ne këtë e kemi nga jugu vjeshtor.
Nuk e di në është ende gjallë. Lidhja ime e hapur gjithsesi nuk është më. Gjyshi ka kohë që është ftohur. Do të doja të tregonin se Neda nuk është në Lovrinac. E pres këtë. E di se kancerin e ka luftuar me letërsi.
kushtuar Neda Pintariqit të dashur
Përkthim: Qerim Ondozi







