Ante Storiq

 

„N’fetën e tostit e lyn një shtresë t’hollë me senf, ia hedh përsipër një fetë gauda, edhe dy fetë suxhuku – që secila me përfundu n’trekëndëshin e vet kur e ndan përgjysmë mbas tostimit, i qet majonez sa t’duash edhe e mshel“. Kështu shkon recepti i barba Jarkos për tostin më të mirë në botë. „Senfi është baba“, vazhdon ta zbulojë recetën e provuar. Të dehur, të urritur si ujqër i përpijmë pështymat dhe s’ia heqim sytë tosterit duke pritur fundin e tostimit. Buveli dhe unë. Ishim të pandashëm atë verë, e cila për shkak të maturës nisi nga mesi i majit. Na zgjojnë kafet mesditore në Pomidore, na freskojnë larjet pasditore poshtë urës së Morinjit, natën bredhim pa destinacion nëpër Doc; dhe prapë nga e para. Deri para gjumit, rrijmë para kisokut të metaltë të Jarkos, dhe të kapluar nga djerrsët reflektojmë dritëne kaltër të reklamës së fast food-it nga neoni, flasim kot derisa i marrim erë manganit që depërton nga fabrika aty pranë. Nganjëherë Buveli pa fije turpi i kërkonte lëmoshë ndonjë kalimtari, nga një tost dhe nga një kanaçe birrë për secilin. E kur nuk kishim para, Jarko shpesh na qeraste. „Qe, për djelmoshat e mi“, na thotë dhe na i ofron tostët. Bukën e thekur e hajmë me shumë zhurmë, përtypim zëshëm çdo kafshatë.

 

Edhe mua edhe Buvelit na pëlqente Ana e klasës së tretë nga lagjja. Mendonim se gjasa nuk kishim sepse ajo i kishte simpati yjet e filmave aksion të viteve ’80, nga Dolph Lundgreni e deri te Eric Robertsi. Buveli kishte përparësi se deri diku i ngjante Michael Dudikoffit nga ninxha amerikane, por ishte shumë i ngathët ta bënte hapin e parë. As unë nuk isha shumë më i mirë. Njërherë për pak ia vura dorën në supe. Ma merr mendja se i ndiente dëshirat tona dhe e lexonte ngathtësinë tonë. Për shkak të saj e krijuam një bend, e ftuam të vinte në garazhin e Buvelit dhe të na bëhej vokal. Dhe erdhi. Një kovë të jupolit Buveli e mbuloi me lëkurë deleje dhe e përforcoi me një tel, mbi tjetrën ngjiti seloteip, kapakët e tenxhereve u bënë cimbale, unë e solla kitarën akustike të dajës, Ana e mbushi Cedevitën e zbrazët me zall, me të shushuriste dhe këndonte. Nuk ishim aq keq, më dukej. Shkarkova partitura nga bendet si Ramones, Pixies, Clash dhe ushtronim deri sa na mbante fuqia. Buveli e solli kamerën VHS të babait, dhe zgërdhiheshim para objektivit, bënim muzikë, bënim marrëzira e vdisnim së qeshuri. Derisa rrinim në kolltukun e thyer mbi të cilin ishte mbështetur biçikleta e pluhurosur, ia vura Anës dorën në kofshë. Nuk kundërshtoi. Atë mbrëmje, e çova deri te vendi ku ndaheshin rrugët tona. U puthëm gjatë, nofullat m’u mpinë.

Çdo ditë kishim prova deri në drekë, pastaj shkonim në not. Nganjëherë Ana dhe unë vetmoheshim, iknim në pyllin e pishave mbrapa kasolleve prej druri. Aty me rrëshirë i prisha kostumet e vetme që i kisha, megjithëse në të njëjtën kohë, siç do të thuhej në filma amerikanë, arrita te baza e dytë. Në mbrëmje të tretë rrinim para kioskut të Jarkos.

 

E dija se poshtë cilit gur ishte fshehur çelësi i garazhit. kështu Kështu, Ana dhe unë shkonim më herët në prova, që të ishim vetëm. Buvali na ndërpret duke hapur derën e madhe të rëndë të çeliktë të garazhit. Ana ngritet nga unë dhe mbështetet për mur. Me fletoren e notave dhe të teksteve të këngëve e mbuloj ereksionin. Buveli ulet mbi daullen e improvizuar dhe duke kruar barkun me shkop, propozon: “Hajde ndonjë atdhetare”.

„Çfarë atdhetare, ne jemi pank rok“, ia kthej.

„Hajde ta bëjmë atë, ustani bane, versionin pank.“

„Por ajo bie n’kundërshtim me filozofinë e pankut“, thotë Ana. Pajtohem.

„Hajde pra, ku ta di, versionin rok.“ I godet kovet dhe ulërin me zë tifozësh: „uuu-sta-niii baaa-neee hr-va-tska te zoo-vee zoo-veee…“ Ana dhe unë shikohemi të habitur. Buveli nis të improvizojë tekstin dhe melodinë, përmend prerjen e çetnikëve dhe të serbëve. Ana bëhet serioze. „Shkova unë në shtëpi… nëna më thirri për drekë“, thotë dhe shkon. E shikoj Buvelin, hesht dhe e kalon me shikop nëpër seloteipin e tendosur.

„Pleqtë e Anës janë nga Pançeva“, them.

„Nuk më han palla. Mbeturina trifazëshe”.

„Kur u bëre ti kaq kroat i madh?“

„Kur u bëre ti kaq shka?“

„Çka karin do?“

„Ik qiju, ti dhe çetnikja jote“.

Nisem drejt tij. E shtyj te muri. E humb barazpeshën, pengohet te bicikleta dhe bie në tokë. Dal jashtë.

„A ke me u tregu trim kur të t’vijnë mjekroshët te dera?“ e dëgjova teksa dilja.

 

Nuk arrita te baza e tretë: Ana shkoi te të afërmit në Pançevë. Në vjeshtë unë shkova në Zagreb për studime. Arritëm të mbanim kontakt për një kohë me letra. Më shkruante se po flinte me dy kushërira në një dhomë, se njëra i kërciste dhëmbët, se do të dilte mendsh, se i mungonte shtrati i saj në rrugën e Njegoshit, se po mendonte të regjistronte fakultetin e biologjisë në Beograd, por se të sajët nuk kanë tash para për këtë, se i punonte vetëm babai, se dikush me sprej në xhamin e përparmë të veturës u kishte shkruar në qirilicë ustashë.

I kam shkruar se nuk e kam kaluar kolokuiumin, se nuk e di nëse do t’i vazhdoj studimet, se në menzë blej jogurt dhe puding, dhe kur nuk më shkohet në menzë ha vetëm bukë e jogurt dhe puding për desert, se si cimeri nuk e ngre ujin në banjo, se si pasi tymosëm bari shikuam në televizor skena të Shibenikut të shkatërruar, se si ndërsa shikoj ekranin kam përshtypjen se lufta po zhvillohet ku ta di unë. I kam shkruar se më mungonte. Letrën e saj të ardhshme nuk e mora. Me kohë, kujtimet për Anën u zbehën deri në harresë. Si shumë simpati të tjera në adoleshencë, u mbulua me përvoja të tjera dashurie.

 

Për pushimet dimërore nën strehën e natës rrugëve me autobus arrita në Shibenik. Ishte natë, e të mitë më pritën të zgjuar, më përqafuan të dytë. Ishte ky një prej çasteve të rralla të më përqafonte babai. Në mur në korridor, bashkë me goblenë dhe pjata me lule, pashë një tapiceri të re me simbole nacionale. Derisa mbi shporetin e drurit i fuste vezët dhe suxhukun në ujin valë, nëna tha: „Marijani të ka kërku. Po pyet kur po vjen“.

Pas darkës, ia mëshoj nja dy herë gardhit me pëllëmbë. Buveli e hap gardhin dhe shikon, më jep shenjë me dorë të hyj. I veshur me uniformë ushtarake, ishte jashtëzakonisht llafazan, e bebëzat në sy gati nuk i shiheshin. Thotë se i ka të ngushta çizmet, kur çorapet i vesh dyfish bëhet ok; thotë se si me markerë mbi predha kanë shkruar emrat e gjeneralëve të APJ-së; se ka vjellë pranë një gjysmë lope kutërbuese…

„Hajde te Jarko ta çojmë nga një“, i them.

„Është mshelë.“

„Qe sa?“

„Boll na ka helmu me atë mut t’çetnikëve.“

„Ç’ka u bë, o budallë?“

„Çka u bë Gandi? Atje gjoja po studion, e s’e ke idenë se çka po bëhet“.

„E çfarë pune ka Jarko n’këtë muhabet?“

„Të tijët e kanë bë lëmshin“.

 

Barba Jarko në fakt ishte Rajko, burrë në moshë i cili gjithmonë jetonte përballë nesh. Buveli si fëmijë ia thoshte gabimisht emrin, dhe kështu në përdorimin tonë të brendshëm gjithmonë mbeti Jarko. Gjithmonë i këndshëm për bisedë, i sjellshëm edhe përtej kioskut të tij të metaltë. Kur isha në shkollë fillore, nënën dhe mua me veturën e tij të vogël na çoi deri te stacioni i autobusëve; me një rast tjetër më bleu një Dvojni C dhe më tha „Duhet të pish vitamina, dhe të na bëhesh shembull!“

 

Buveli sjell verë të shtëpisë, pimë. Thotë se edhe nesër është aty, dhe do të kthehet në linjën e parë. Në mur poshtë dritares rri i mbështetur kallashnikovi. E kap pushkën, më tregon si e repeton, se si e fut sharzherin, si gjuhet. Jam mjaft qejfli, i trimëruar për të bërë pyetje direkte.

„A ke gjuajtë?“

„Po.“

„A ke qëllu?“

„Po.“

„A ke vra?“

„Mos pyet.“

 

Nga mesi i janarit u ktheva në fakultet në Zagreb dhe gjatë muajve vijues jetova një version të jetës studentore: zgjuarja e vonshme, shumë pak mësim, shumë alkool, shumë vizita në vende të errëta, të mjegullta dhe shurdhuese… Kaloi gati një vit.

Në mëngjes më zgjon telefoni. Nëna.

„A?“ pres të më thotë diçka.

„Marijani… ka vdekë.“

Këmbët m’u këputën. E shikoja kalendarin mbi telefon dhe me gjysmë vetëdije i numëroja para-mbrapa ditët e atij dhjetori. Shkova te kuzhina, e mora shishen e rakisë së tmerrshme të cimerit dhe nisa të pi me shpejtësi. „Debill, more debill“, thosha i përlotur.

 

Në mbrëmje pas funeralit, në dhomë mbi tavolinë shoh një qese. E shikoj: kaseta VHS. Me shkrimin e Buvelit shkruan „vera“.

E mbylli derën e dhomës, e fus në player, shtypi play. Në ekran shfaqen xhirimet nga prova jonë e parë: një ditë vere, sia heqim sytë kamerës, bëjmë muzikë, qeshim të disponuar. Buveli, Ana dhe unë. Në një çast, mbi xhirimin e rastësishëm, pas tranzicionit standard të VHS-së, shfaqet një xhirim nate, gjithashtu i bërë në garazh.

Jarko. I lidhur për karrige.

Me fytyrë të përgjakur thotë: „Mosni o burra, çka keni.“

Babai i Buvelit i thotë „Pi, o trim!“ Në gojë ia fut lëngun nga akumulatori.

Jarko përpin me dhimbje. „Mosni o burra“, thotë.

E ndali kasetën.

Përsëri e lëshoj.

Në kuadër hyn Buveli. Ia fut një të goditur Jarkos me kallashnikov.

Koka i lëkundet pastaj me krejt trupin bie në tokë.

Buveli e prek me këmbë, pyet nëse ka vdekur, e shikon babain, pastaj e shqelmon në pjesën e shpretkës.

Jarko nis të qajë me zë.

Buveli ia fut rafall.

„Ndale! Ndale kamer…“

Shikoj në xixat e pjesës së zbrazët të kasetës.

 

Në reflektimin e ekranit, e shoh babain se si shikon nga dera e hapur. Kthehem nga ai. „Hidhe n’zjarr“, thotë.

E shtyj. I thyej pjatat me lule në murin e korridorit, e shkuli tapicerinë dhe e rrëzoj në tokë, e shqelmoj. E shtyj nënën, dal vrap nga shtëpia.

Nuk dija ku të shkoja.

Duke ecur nëpër terr, vij deri te kiosku, ulem duke marrë frymë thellë dhe e ndezi një cigare.

Nuk më kujtohet saktë për çka mendoja, as nëse isha i vetëdijshëm se si asnjë shije e ardhshme e senfit nuk do të më kalonte pa kujtime të hidhura.

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

  Ante Storiq

Ante Storiq lindi në Shibenik, ku jeton dhe vepron. Diplomoi në Akademinë e Arteve të Dramës në Zagreb. Është autor i dhjetëra spoteve muzikore, filmave të shkurtër dhe një filmi dokumentar. Një tregim i tij të shkurtër u përfshi në përmbledhjen "Priča se (p)o gradu".
Kontakti: ante.storic@gmail.com.

 

 

ažurirano: 04/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.