Dalip Xh. Gashi

 

 

 

Para shpërbërjeve të mëdha, ndodhnin vetëvrasje masive megjithëse të paorganizuara. Secila pikë e jetës kishte humbur kuptimin! Njerëzit flisnin me vetveten dhe ishin të mbyllur në vetvete bashkë me hesapet e veta. Vetëm një pjesë e vogël revolucionarësh e disidentësh e mbanin vitalitetin dhe mundoheshin të dëshmonin se jeta e ka ruajtur kuptimin e vet dhe edhe ashtu mund të vazhdohej me bindjen që kurdoherë njerëzit do t’i kthehen shoqërisë. Gjithçka kishte marrë flakë të brendshme, dhe pritej që të dilte në sipërfaqe me shpërthime shpirtërore. Inteligjenca ishte në kulmin e shkëlqimit, megjithëse edhe ato foshnje që lindnin, me kohë stërkeqeshin dhe izoloheshin si paraardhësit! Nuk është dashur edhe shumë kohë dhe filluan kërcënimet e mëdha nga Regjionet në rrezik. Kurrë nuk u vërtetua se kush e hodhi bombën e parë, por një gjë dihej që nga zanafilla: ajo bombë u hodh me dëshirën e Babagjyshit, edhe pse rrezikonte jetën e miliarda bijve nëpër kornizat e ekzistencës, një ndër ato jetë në rrezik ishte edhe ajo e Babait, jetë pastë, por Babagjyshi ishte i vendosur! Kur shpërtheu bomba e parë ua qëroi muret dhe të gjithë që ndodheshin në Regjionin e Fundit i rrafshoi me nivelin e detit. Regjionet përreth dhe një pjesë e Regjionit të Fundit që nuk u rrafshuan u prekën keq nga radioaktiviteti dhe vala e nxehtë e shpërthimit të madh që më vonë rezultoi edhe me rreze gama. Një pjesë e madhe vdiqën vetëm nga detonimi, një pjesë tjetër nga nxehtësia e plazmave atomike dhe pjesa më e përvuajtur ishte ajo e atyre që mbijetuan dhe përjetuan gjysmë përvëlimin që shkaktonte efekte të thella anësore! Zona e Fundit, atë ditë, ishte thellë në monotoninë e përditshme dhe efekti i parë që i bëri të merrnin vesh që diçka po ndodhte me ato qenie të trasha ishte shkatërrimi i teknologjisë dhe i radarëve automatikë vetëmbrojtës nga një valë elektromagnetike me një fuqi të panjohur deri atëherë! Pas shumë muajsh izolimi nëpër ato qoshe të ftohta e të ngarkuara me monitor të teknologjisë së avancuar, ato qenie të trasha, kishin dalë në mënyrë demonstrative rrugëve duke i zvarritur rëndë këmbët e lodhura dhe të pamësuara me terrene reale ku i kishte pritur e papritura! Nga vala e nxehtë e shpërthimit të parë atomik shumica prej tyre ishin shkrirë në vend! Një dritë e madhe dhe një valë përvëluese ishte përhapur vrullshëm duke marrë gjithçka me vete dhe duke shkrirë edhe një pjesë dheu nën betonin e trashë që ishte shtresuar me vite! Regjioni i Fundit ishte rrafshuar. Menjëherë pas shpërthimit të parë, të gjitha Regjionet ishin alarmuar dhe kishin bërë thirrje për një mbledhje të menjëhershme! Duhej të gjendej arsyeja dhe fajtori për shkaktimin e asaj katrahure që rrënoi gjithçka që ishte ndërtuar me vite! Dikush pa dashje e kishte përmendur Babagjyshin dhe gjithçka kishte dalë nga kontrolli! Të gjitha Regjionet ishin larguar nga mbledhja duke kërcënuar njëra-tjetrën dhe pas një kohe të shkurtër, në vend të ngarkesave me ndihma emergjente për Regjionin e Fundit, nëpër rrugët e të të gjitha regjioneve kishin filluar planet e evakuimeve dhe kudo shiheshin përgatitjet e Forcave ushtarake për bombardime të rënda. Nuk u deshën më shumë se pak orë dhe të gjitha regjionet u bënë shkrumb e hi! Epiqendrat e shpërthimeve dhe vetëshpërthimeve të armëve nukleare nëpër Regjione krijonin format e kërpudhave gjigante dhe shkatërronin gjithçka brenda rrezeve të tyre! Pas një kohe, kishin mbetur fare pak njerëz dhe rreziku për shfarosje totale ishte më afër se kurrë! Gjithçka ishte shkatërruar dhe mbi të gjitha vërehej dukshëm mungesa e energjisë dhe zbulimeve të mëdha! Për pak kohë jeta kishte marrë krejt tjetër kuptim, nuk ekzistonin planet e mëdha, librat e shenjtë, dhe nuk vërehej aspak mungesa e atij farë fakti faqezi! Vetëm edhe pak kohë është dashur që edhe jeta filloi ta humbte kuptimin e deriatëhershëm! Filloi njëfarë lufte për ekzistencë dhe mbijetesë vetjake… Gjithçka ishte e pritshme. Kudo shiheshin viktima të sakatosura, të përgjysmuara dhe qenie në halle që përpëliteshin në momentet më kritike të ekzistencës së vet! Gjithçka përreth ishte e mbushur me radioaktivitet dhe gjithçka kundërmonte vdekje e shfarosje!

 

Pas një periudhe edhe pak më të gjatë, ato qenie në hall tuboheshin me dëshirë që ta ndjenin për herë të fundit ngrohtësinë e shoqërimit me llojin e tyre dhe vdisnin duke pasur frikën se dita ditës po shkonin drejt shfarosjes dhe nuk do ketë një të nesërme! Ajo e nesërme që ishte bërë aq e rëndësishme nuk dukej edhe fizikisht, kurrë nuk dallohej kur ishte ditë e kur natë! Reshjet e egra radioaktive fëlliqnin gjithçka dhe ua bënin edhe më të rënda ditët e fundit të ekzistencës edhe atyre pak qenieve që i kishin mbijetuar shfarosjes së madhe! Nëpër secilin Regjion të bombarduar, kishte ngapak të mbijetuar! Megjithëse ishin bërë përgatitje paraprake për ditë të atilla, bombardimet atomike kishin dalë larg parashikimeve! Drita pengohej nga reshjet e zeza dhe reshjet e zeza acidike vrisnin edhe ato pak bimë që kishin mbetur në errësirë. Prej të gjitha regjioneve kishin shpëtuar vetëm tri vargmale pa u infektuar nga radioaktiviteti! Vargmalet e Shpresës, kryesisht shkëmb graniti, ngrinin kokë mbi renë e zezë radioaktive dhe luftonin vazhdimisht me shtresën e holluar të ozonit dhe u shtroheshin natyrshëm proceseve natyrore. Sapo ishte përhapur lajmi që ato qenie në hall, kishin filluar udhëtimet drejt Vargmaleve të Shpresës. Shihej dhimbshëm shpresa e njerëzve për t’i mbijetuar asaj katrahure. Shumica prej të cilëve ishin të djegur e të shkrumbuar në pjesën më të madhe të trupit. Dukeshin trishtueshëm plagët që rridhnin qelb dhe kundërmimi përhapej shpejt! Për herë të parë kishte filluar të shfrytëzohej inteligjenca gjeniale që gjendej e heshtur prej kohësh në mesin e njerëzve dhe me kombinatorikë, nga nevoja për jetë, filluan kurat popullore dhe dita ditës po viheshin në rrezik edhe Vargmalet e Shpresës! Kështu kishin vendosur; ata që ishin pa shpresë për shërim, duhej të vetëflijoheshin dhe të zbrisnin nën re të zeza radioaktive e ta zhvillonin burrërisht luftën me vdekjen! Një pjesë e madhe mori rrugën menjëherë, ndërsa një pjesë tjetër refuzoi kërkesën e njëanshme të atyre që ishin prekur më pak nga radioaktiviteti. Habitshëm kishte filluar një luftë e tmerrshme; edhe ata pak trupa të mbijetuar kishin filluar të luftonin duke vrarë e përgjakur njëri-tjetrin me thonj e dhëmb! Përgjakeshin e qelbeshin erë Vargmalet e Shpresës që edhe shiu radioaktiv ishte më i pranueshëm se ajo erë e ai gjak që kishte sjellë sëmundje të pashërueshme. Një re e bardhë mbi Vargmalet e Shpresës kishte filluar reshjet dhe po pastronte gjakun e qelbin që ishte zbrazur gjithandej! Njerëz të lodhur me shpirt kishin parë çuditshëm nga qielli dhe kishin shfaqur hapur shenjat e një çmendurie masive nga era e atij gjaku e atij qelbi të përzier me shi dhe ishin lutur që të binin shira edhe më të mëdha! Pasi që kishin pushuar reshjet ishin shfaqur ato Vargmalet e vjetra të Shpresës me të gjitha proceset e përditshme dhe të natyrshme dhe ishte shfaqur një pikë shprese se dikush do t’i mbijetonte atij tmerri!

 

Është dashur një kohë shumë e gjatë dhe e mbushur me tmerr e frikë e erë qelbi e gjaku që të tejkalohej ajo kohë e padashur për të gjithë! Erdhi koha e zanafillës dhe të ftohtit kur u shfaq nevoja për vetëdijësim dhe ekzistencë! Problemet ishin pothuajse të njëjtat! Gjenerata të tëra kishin kaluar dhe deformimet s’kishin të mbaruar! Lloj-lloj qeniesh gjendeshin shportave të mëdha nëpër furrnaltat industriale që ishin ndërtuar pas Luftës Atomike! Ajo kohë e padashur e Luftës Atomike ishte shlyer nga kujtesa dhe askush s’e dinte me saktësi pse po ndodhnin ato deformime, nga e kishim prejardhjen dhe si kishte filluar gjithçka! Kishin ndodhur stërkeqje psikike dhe nga nevoja për të jetuar dhe për të filluar nga e para kishte humbur filli dhe nuk kishte dëshmi tjetër për Luftën Atomike përveç kratereve që kishin mbetur mbi sipërfaqet e ish- regjioneve të dikurshme. Prej kohës së luftës e shumë vite më vonë nuk ishte hartuar asnjë Plan i Madh dhe nuk ishte shfaqur asnjëherë një nevojë aq absurde! Personazhet ishin zhdukur sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Shtresat mbrojtëse të atmosferës ishin tëholluar tej mase dhe herë pas here ndodhnin përplasje që tmerronin të gjithë banoret e regjioneve të reja. Rrezet Gama depërtonin thellë nëpër zonat e ekzistencës dhe shkaktonin tumore nëpër trutë e sëmura të asaj ekzistence! Është dashur një kohë e gjatë, shumë e gjatë që të fillonte shërimi nga ai farë mjerimi që nuk e dinte askush nga e kishte zanafillën! Një nevojë e tillë i bëri të gjithë bashkë edhe një herë!

 

 

  Dalip Xh. Gashi

Dalip Xh. Gashi u lind në Kryshec të Skenderajt. Fakultetin e Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare e përfundoi në Universitetin e Prishtinës. Vazhdon studimet postdiplomike. Është themelues dhe udhëheqës i Shtëpisë Botuese neoKULTURA. Shkruan prozë dhe ky tregim është botimi i tij i parë.

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.