Suzana Gjorgjievska

 

 

Ujku i ngriti sytë lartë. Në ta vazhdonte të jetonte xixëllima e disa yjeve aty-këtu të hedhura në hark, kur me qentë u hedh mbi kthetrën e kapur në kurth. Shpërtheu gjaku në borë, nëpër të cilën zvarritej fryma e mbrëmjes së dhjetorit dhe shthuri fije të holla avulli mbi dollamën e bardhë, ku e kuqja e mbulonte të bardhën, nxehtësia – të ftohtin. Ata, ende të shtangur nga shikimi gjakpirës thuajse thika në bark u ka hyrë, qëndronin të mbuluar me borë më të zbehët se hëna dhe e shikonin se si i çliruar dhe i gjakosur humbet mes pemëve, si një gardë e ngritur para tyre. Të heshtur, si një i lëshuan pushkët dhe si një e hodhën drejt bishtit, i cili hidhej si një flamur në mes të betejës, të këputurën nga rropama e damarëve: „Ç’do të thotë jeta!“

 

**

I ngriti sytë lart dhe jo, s’kërkonte miza dhe mushkonja, s’kërkonte erë mes direkëve, as se nga vijnë ato kundërmime të rënda, kërkonte vetëm një rreze të dritës së diellit, sa për ta ndjerë se dielli atë e shikon, edhe pse ai qiell nuk sheh. Disa ditë ishin të mbyllur në shkollë, në sallën e vjetër të fiskulturës, e ai që nga dita e parë mendonte për ujkun, për kthetrën e këputur, për rrjedhën që shpërtheu në borë dhe për mua se si e përtyp emrin e tij. E përtyp dhe mbytem. Nga shumë emra që atë ditë i çoja nëpër gojë, u pengova vetëm te emri i tij. „Omer Omeragiq“, thashë qetë, duke shikuar në tokë për të mos i parë sytë e verdhë të ujkut, në gropat nën vetullat e tij të vrenjtura.

E ngriti fytyrën drejt qiellit dhe jo, nuk pa zogj dhe re, nuk pa erë në degët e pemëve, as nga vijnë ato kundërmime të rënda, pa vetëm një rreze të dritës së diellit nëpër pëlhurën e zezë me të cilën ia kishin lidhur sytë dhe nën mustaqe, të dallueshme vetëm për syrin tim, shpalosi një buzëqeshje të bardhë. Me duart e lidhura prapa shpine me një tel që kafshon lëkurën dhe hap plagë nën lëkurë, buzëqeshi, sepse duarlidhur dhe symbyllur mundej vetëm me mund të madh ta kafshojë pëlhurën pak të hapur.

Duarlidhur dhe symbyllur, i pari nga radhën e dhjetë vetave për pushkatim i vendosur, pa fjalë ma kthen shpinën. I lidhur dhe i heshtur ma kthen shpinën, ndërsa zemra i klith:

„Nëse të kam vëlla, siç më thoshe shpeshherë, hiqma pëlhurën dhe më shiko drejt në sy. Në ta nëna ime ende ia fshin lotët nënës sate në peron në stacionin e trenit pranë lokomotivës që ulërin, e në njërin nga vagonët – unë dhe ti, ushtarë të APJ-së.[1] Hiqma pëlhurën dhe më shiko drejt në sy! Mos u frikëso nëse im atë e sheh në ta, ai që nga krisma e parë i mbron pyjet e Allahut dhe nuk e di se nuk hapim gropë vetëm për një kufomë. Hiqma pëlhurën dhe më shiko drejt në sy! Në ta ende vuan motra jote pas djalit tim të parë të shkoqur nga duart e saj dhe të hedhur në lumë nga dora shtazarake. Ai ishte yni! Imi, yti.“

„Pra kuçedra në duart e mia, ai hesht, e unë vazhdoj të dëgjoj:

„Ai ishte yni, yni si gjithçka tjetër. Emri yt atë ishte edhe emri i tij! Emër i cili ndalet në fyt dhe ngulfat njëjtë si imi… E di, dridhet kuçedra në duart e tua, zemrën s’ta nxë në kraharor. Hiqma pëlhurën dhe më shiko drejt në sy! Hajde! Unë dhe ti, si dikur sy më sy, ta këndojmë Mos kërcit me nallane,[2] dhe le të këndojë hekuri mes nesh.“

Ulërin zemra dhe unë, Sreten Svetisllavov, Zotin e kam dëshmitar se e bardha e zezë më duket ngaqë dua t’ia themi njëri-tjetrit atë që moti s’ia kemi thënë këtu, në këtë livadh, në të cilin zemra më doli nga vendi. Kërcen zemra, kapërcen kufomë pas kufome të shënuar me gjakun e të gjithë symbyllurit, kërcen si bishti i rëndë i ujkut dhe humbet matanë çizmeve të ushtarëve, matanë kapelave dhe epoletave të ushtarëve, duke u ndalur para tufës së fluturave të bardha.

Ushtarët shajnë. Sipër pushkëve u renditën fluturat e bardha. Ushtarët shajnë. Grihen bëhen pluhur mes nofullave të shtrënguara krahët e bardhë, përcëllojnë vemjet e shtypura, hidhet plumb e gurë mbi farën e zanës… Nuk i shoh fluturat. I shoh vetëm sytë e verdhë të ujkut dhe në ta shpirtrat tona. Për një kohë të gjatë ai ishte ujku ynë, nëpër rrugën tonë, nëpër kalldrëmin tonë, nëpër kalldrëmet e të gjitha rrugëve.

Shajnë të gjithë ushtarët. Thërrmohen deri në pluhur mes nofullave të shtrënguara eshtrat e të gjithë të vdekurve, thartohet deri te gllënjka e fundit qumështi i nënës, hidhet plumbi dhe thika, drapri dhe çekiçi mbi farën stërgjyshore… Nuk i shoh ushtarët. Edhe ai nuk i sheh ushtarët. I sheh sytë e verdhë të ujkut dhe mua në ta se si e hedh pushkën në barin e shtypur dhe ngjitës dhe ndalem në rresht pranë tij. „Vëlla, s’je në listë!“, më thotë dhe para se të gurgullojë, si një e hedhim mes fyteve të zëshëm dhe të nxehtë plumbin nga të gjithë të tjerët më të nxehtë: „Ç’na qenka jeta!“

 

**

S’jam në listë, ia kthej pas shumë netëve, të cilat as dushmanit nuk ia dëshiroj. Përsëri është korrik, janë hapur të gjitha gonxhet. Dhe, unë? Unë erdha për t’ia thënë njëri-tjetrit atë që moti s’ia kemi thënë këtu, në këtë livadh, ku para shumë ditëve, në barin ngjitës, si një u ngjitën, njëjtë të kuq dhe njëjtë jetëdhënës, gjaku i Krishtit dhe gjaku i Allahut. S’jam në listë, por unë erdha për t’i thënë njëri-tjetrit, vëlla, unë ty, ti mua, dhe ta themi, si dikur kur verë ishte e kuqja në ne Mos trokit me nallane, ndërsa murmurit korriku si gjithmonë.

I ngrita sytë lartë dhe jo, s’pashë zogj dhe re, s’pashë erë nëpër degë, dhe as nga vijnë ato erëra marramendëse, pashë kemtarin me dritë hyjnore të vendosur në dorën e tij. Sepse fillova të qaj, ky është një rrëfim tjetër.

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

 

[1]   Armata Popullore e Jugosllavisë.

 

[2]   Ne klepeći nanulama, një këngë boshnjake shumë e njohur, nga koha e ish-Jugosllavisë.

 

 

  Suzana Gjorgjievska

Suzana Gjorgjievska (Prilep, 1961), është autore e përmbledhjes me poezi „Сенки” (Hije) 1997 dhe „Срна” (Drenusha) 2005, romanit për fëmijë „Мегдан” (Mejdani) 2003. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në qytetin e lindjes, ku sot punon si infermiere. Suzana Gjorgjievska është fituese e një numri çmimesh, siç janë: Çmimi i Parë për Tregim i Shoqatës së Punëtorëve të Arsimit – Krijuesve Letrarë të R. së Maqedonisë me tregimin „Под старата јаболкница“ (Nën mollën e vjetër) 2008, Çmimi i Parë për Ese i revistës Корени Kumanovë me romanin „Мегдан” (Mejdani) 2008, Çmimi Zhivko Çingo për tregimin „Влегување во песната“ (Hyrja në këngë) 2011, Çmimi Zhivko Çingo për tregimin „Богу верен, в брани силен“ (Besnik Zotit, në mbrojtje i fuqishëm) dhe të tjerë. Kontakt: suzanadostum@gmail.com

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.