Bllagica Gjorgjievska

 

Tak, tak, tak, trokitnin nallanet e drurit. Shpejt, shpejt, më shpejt. Tak, tak, nëpër rrugën me gurë tatëpjetë deri te shtëpia e tyre. Tak, tak, troket zemra më fort se nallanet. Ja, atje, edhe pak, e shikoj murin e lartë të gardhit dhe portën e drurit. Edhe një hap ose, ndoshta, edhe një mijë. S’ishte e sigurt Milana edhe sa hapa duhet t’i bënte deri te porta. Tak – nallanet, tak – zemra.

„Vetëm edhe pak, të arrij dhe gjithçka do të… tregoj… do… të them… çfarë do të them? Nermina, shpirti im!“

U ndal Milana një hap para portës prapa së cilës jetonin njerëzit të cilët ishin familja e saj e dytë. Xhaxhi Adem, teta Alma, Nermina dhe kush tjetër? Ua, edhe Saidi i cili s’është më. Saidi me balluken bionde në ballë, me të cilën krenohej Milana sikur ta kishte vëlla më të madh.

Babi Milosh, kur ishim të vegjël, nënës Ela i tha, po, kështu i tha: „Ela, Ademin e kam si vëlla, ta thërrasim në festën familjare.“ Nëna Ela u gëzua. Ajo dhe teta Alma ishin si motra. Dhe unë, hasreti i mamit dhe babit, unë i kisha Saidin dhe Nerminën si vëlla e motër.

Por, si, si të them: „Nermina, shpirti im, më fal! Më fal!“

Babi Miloshi tha se Saidi është djalë i mirë dhe se ka marrë rrugën e drejtë.

Tak, tak, kraharori do të pëlcasë! Trokitja me nallanet e drurit u ndal. Milena rrinte për tokë një hap para shtëpisë. Por, trokitja e zemrës s’pushonte.

Babai tha se është vështirë në qytet: „Kini kujdes se ku shkoni dhe ç’bëni, me kë shoqëroheni.“ Edhe xhaxhi Adem tha: „Njerëz të këqij po na i prishin foletë.“

Foletë tona: Babi dhe xhaxhi Adem rrinin, pinin kafe, dëgjonin lajme në televizor dhe bisedonin. Të mërzitur. Të frikësuar. Të shqetësuar.

Saidi kohë pas kohe zbriste në qytet. Ishte  i frikësuar, gjithnjë e më pak fliste. Babi dhe mami pëshpëritnin, i dëgjova duke thënë: „Saidin ta fshehin diku, ta strehojnë.“ Pse?

Humbiste fuqinë. U shtri nën pemën para portës. I zbathi nallanet e drurit të cilat ia gdhendi xhaxhi Adem. Për herë të parë në jetë ishin të rënda. I zbathi dhe i vendosi pranë vetes. U shtri nën pemën para portës. S’mund të kujtohej se çfarë peme ishte ajo, edhe pse në raste të panumërta i lëkundnin këmbët të ulur në ndonjë degë të saj me Nerminën dhe Saidin. Ndoshta ishte mollë? Ndoshta.

Babi tha se e kanë vrarë një njeri. Mysliman. Nuk e di saktë se ç’ka ndodhur. Pastaj dikush pëshpëriti se kanë vrarë dikë nga tanët. Nga tanët? Cilët janë tanët? Nermina dhe Ademi s’janë tanët? Tak, tak, tak, zemra deshi të dalë dhe të shtrihet pranë saj nën pemë.

Saidi vinte njëjtë si më parë. Por, nuk qeshej më. Ishte serioz dhe me babin bisedonin seriozisht. Vetëm një herë një fjalë e qetë i ra në vesh. Tha: „Do t’ju mbroj sa të mundem.“ Saidi të na mbrojë? Nga kush, nga çfarë? Babai e përqafoi, desha edhe unë ta përqafoj, por babi do ta shihte se jam fshehur prapa fuçisë së lartë në oborr.

Tak, tak, tak, do të dalë zemra jashtë. Gati, s’mund të duroj më, vetëm ta shoh Nerminën, t’i them: „Më fal, Nermina, shpirti im.“

Babi solli pushkë. E pash kur e solli. E mbështolli, e fshehu, por unë e pashë, sepse edhe unë isha fshehur.

Hijet rreth shtëpisë, silleshin rreth oborrit, babi përgjonte dhe s’guxonim të dilnim jashtë. Edhe xhaxhi Adem vinte më rrallë. Vetëm Saidi vinte fshehurazi dhe hynte nga dera e prapme e oborrit. Bisedonin me babin dhe në fund përqafoheshin dhe Saidi qetë largohej. Edhe unë desha ta përqafoj Saidin, por unë gjithmonë isha diku e fshehur nga sytë e babit.

Saidi tha, po, ashtu tha, të kemi kujdes gjatë disa ditëve të ardhshme dhe përsëri tha se do të kujdeset për ne. Babi e përqafoi dhe Saidi shkoi.

Disa ditë hije të heshtura silleshin rreth oborrit. Saidi nuk vinte. Ne vetëm heshtnim. E shtënë, një e shtënë e fuqishme na e këputi shpirtin. Babi doli me vrap, e mori pushkën, doli jashtë. Përsëri dëgjoheshin të shtëna. A gjuante edhe babi?

Me duar i mbylla veshët nën dritare. Dridhej toka.

Babi vrullshëm hyri në dhomë, tha se ka gjuajtur drejt hijeve rreth oborrit. Por, hija është e njeriut, s’ka hije pa njeri, babi ka shtënë ndaj ndokujt. U qetësua. U qetësua fare. Qetësia ishte më e rëndë se të shtënat. Koha ngadalë kalonte. Rrinim dhe pritnim. Dikush trokiti në portë dhe babi doli jashtë. Xhaxhi Adem me duart e hapura në oborr. Babi doli ta priste. E përqafoi, por ai ra në gjunjë në oborr dhe bërtiste: „Saidi, Saidi, biri im!“ Babi me mëdyshje e shikonte. Babi gjuante në hijet, nuk gjuante në Saidin. Saidi ishte këtu për t’i mbrojtur, pse edhe ai duhej të jetë hije!

Rrahja e zemrës u qetësua, sikur u hamend, sikur i ankohej Milanës. Qetë, qetë e mbante në jetë trupin e dobët të Milanës të shtrirë nën pemën pranë portës me mur të lartë. Ndoshta tepër qetë për të mundur të jetojë. Goja ishte gjysmë e hapur dhe në të ishte formësuar fjala „Më falni. Më falni, Nermina, shpirti im, shoqja ime më e dashur, motra ime më e çmuar!“

Dielli perëndonte, një erë e qetë frynte nga pak, gjethet e pemës, e cila ndoshta ishte mollë, fërfëllimë. Gjithçka ishte e heshtur, e qetë dhe e përgjumur. Kërciti porta, dikush e futi kokën nëpër vrimën e vogël. Një ulërimë e fuqishme, një ulërime depërtuese e theu heshtjen e shpërndarë gjithandej.

„Babi“, bërtiste Nermina. „Babi, Babiiiiiiiiiiiiiiiiiii!“

Ademi me një hap të ngadaltë doli nëpër portë. Para këmbëve ishte shtrirë bija e dashur, bija e tij e dytë, Milana. U përkul para trupit të pajetë të vajzës së dashur dhe filloi të qante me zë, me pikëllim dhe me zë. Nga qarja e këtij njeri, i cili nuk kishte përfunduar së qari për vdekjen e Saidit të tij, dridheshin malet, nga rrënja shkuleshin pemët, ulërinte qeni nga brendia e tij. Me këndin e syrit shikoi nga vajza e shtrirë para portës së tij. Në buzët e saj shkruante ndonjë fjalë. U ul për të lexuar më mirë. Shkruante – më falni.

Me duart e veta të fuqishme e ngriti vajzën, e afroi në kraharor dhe u nis drejt shtëpisë të cilën e konsideronte si shtëpi të dytë. Pas tij, si një shoqëri solemne u nis gruaja e tij Alma dhe Nermina. Nermina e ndiqte pa fjalë. Sikur të gjitha ndjenjat e lëshuan, as nuk mund të qante as të pikëllohej. Vetëm nëpër buzë silleshin disa fjalë të cilat nuk mund t’i bashkonte në një fjali. Diçka si: „Milana, shpirti im.“

Para derës së Miloshit dhe Elës ishin mbledhur shumë njerëz. Nga erdhën të gjithë këta njerëz? Si e morën vesh? Ademi ende s’mund të vendoste ta dorëzonte trupin në duart e hapura të Miloshit. E shtrëngonte Milanën pranë zemrës. Populli ngadalë afrohej. U bë një rreth, rrethi i njerëzve ngushtohej gjithnjë e më shumë. Afroheshin ngadalë me një disponim të papërcaktuar në fytyrat e tyre. Ademi dhe Miloshi u shikuan. I gërshetuan duart dhe bënë një shtrat me duar për Milanën. Të shqetësuar shikonin përreth. Njerëzit afroheshin gjithnjë e më shumë. Askush nuk e dinte se ç’do të ndodhte.

Ademi dhe Miloshi u afruan shumë pranë njëri-tjetrit. Në mes e mbanin trupin e Milanës. Alma, Ela dhe Nermina krijuan një rreth me duart e hapura rreth tyre. E përqafuan rrethin e dy familjeve, bënë një rreth të madh, një familje të re të madhe. Si një zemër e madhe e fuqishme me ritëm të rregullt, me dashuri të drejtë. Milana, shpirti im!

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

 

  Bllagica Gjorgjievska

Bllagica Gjorgjievska (Prilep, 1960) është ekonomiste-komercialiste e diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Prilep. Punon si kontabiliste në një zyrë për kontabilitet në Prilep. Është bashkëshorte dhe nënë. Shkruan poezi dhe tregime të shkurtra dhe është duke shkruar një roman. Deri më tani nuk ka botuar libër, por ka botuar poezi në Stremezh, revistë për kulturë e Prilepit. Si pjesëmarrëse e rregullt në Markukule Poetike në Prilep poezitë e saj janë botuar në botimin e këtij manifestimi. Dy herë ka fituar vendin e parë në konkursin e RTM Shkupit, në nivel të Maqedonisë. Kontakt: bgjorgievska@yahoo.com

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.