Sllagjana Lubiçiq

 

Dielli atë mëngjes vere ishte papërshtatshmërisht i fortë, saqë dukej se grafiti i ngathët „Anti-antifa“ do të shkrihej e të zhdukej nga shtylla e betonit të stacionit hekurudhor Novi Sad. Sidomos duke marrë parasysh se u shkrua me ngurrim, me shkronja shumë të ndrojtura, të vogla. U shkrua të dështojë që në çastin kur gdhiu në atë anë të shtyllës me diell.

Si çdo fantazmë tjetër, siç i pëlqen ta quajë veten, Mona nuk arriti ta ndjente atë fuqi të ajrit të ngrohtë për shkak të të cilit qeniet e gjalla sot i ngjanin shumë asaj –  të vdekur. Kushtet e motit nuk ndikonin në të, për dallim nga trupat e paqetë udhëtarësh të cilët, duke kaluar nëpër të, e prenin unversumin e saj me forcën e hanxharit, me universumet e tyre të djersitura, të vogla. U ngjit për shtylle, që t’u ikte të gjithëve, kështu që shkronjat i erdhën rrafsh te lartësia e supeve. Nuk i pengonin të gjallët, por patetika e tyre. Pikërisht ky mbishkrim bënte pjesë aty, mendonte ajo – me u tranu, sa bajat. Shpirtrat bredhës të shumtën e kohës mërziten, si në dhomën e pritjes. Dhe derisa pret që të kalosh nga njëra botë në tjetrën, përpiqesh të zbavitesh disi. Frikat e të gjallëve nuk ishin as në listën e kalimit të kohës, e lëre më në atë të argëtimit. Nuk është aq interesante si në tregime horori (të cilat prapëseprapë i shkruajnë të gjallët).

Të mos ishin të vdekur, Denisi dhe Danillo sigurisht do të vonoheshin. Në rrethana të këtilla kjo ishte e pamundur. Nuk mund t’i marrë gjumi të dehur, sepse as nuk mund të dehen e as nuk mund t’i marrë gjumi. Fati, pohojnë të dytë. Nuk kanë nevojë të paketohen, sepse s’kanë asgjë pos rreckave me të cilat morën fund. Meqë nuk mund të sëmuren, dhe as të lëndohen në ndonjë rrahje në rrugë, do të thotë – as në emergjencë nuk kanë përfunduar.

Athua ku janë ata të marrë, pyetej Mona, duke shpresuar se nuk kishin vendosur ta përcillnin Lemi Kilmisterin deri në shtëpi, të bindur se ai shumë shpejt do t’u bashkëngjitej. Iu kujtua koncerti i mbrëmshëm i Motorheadëve, dhe për një çast u tremb se kjo do të mund të ishte e vërtetë, sepse ai burrë plak mezi kishte zbritur nga bina. Marrëveshja ishte të takoheshin ditën e tretë të Exit-it te vendi i vjetër. Nuk e dinte pse po e ndërronin planin dhe po largoheshin nga qyteti kur kishin mbetur vetëm edhe dy ditë të festivalit. Nëse nuk shfaqen, do të shkoj te parku hekurudhor aty afër, të mos i dëgjoj njerëzit se si qahen për shkak të nxehtësisë, të cilës po përpiqen t’ia lënë fajin për krejt dështimet e tyre në këtë ditë.

E bindte veten se ishte cool, në përpjekje për ta luajtur rolin e e personave të durueshëm. Thuajse dikush mund ta shihte. Mendonte se si do t’u hidhërohej këtyre dyve në këtë ditë të zjarrtë të njëmbëdhjetë korrikut, sikur të ishte gjallë. Iu kujtua se si nuk e duronte nxehtësinë, dhe se vera në Sllavoni ishte koha më e mërzitshme e vitit. Zgjonte kujtimet dhe i shikonte kukullat e gjalla rreth vetes. Me naivitet i prisnin trenat të cilët do t’u ndihmojnë që t’i jetojnë jetët më shpejt, pa e vërejtur privilegjin e plakjes së vet. Po të ishte vrarë, rastësisht, në moshën e thyer, mbase edhe nuk do t’i lakmonte aq shumë. Kështu, e urrente çdo vit që e ka jetuar, e gjithsej i ka dyzet, ndërsa pjesën e madhe të tyre i fajësonte për vdekjen e vet. Nuk ka pre më të mirë se gruaja e armikut të luftës, apo jo? Pak pastrim të gjakut të saj nga uniforma dhe pëllëmbët nuk është gjë në krahasim me një kënaqësi që të japin kofshët e majme, me të cilat do të gostitemi si pushtuesit romakë me verë të ëmbël.

Dhe tamam kur u fundos në dëshprim, që gjithmonë e mbërthen që nga mendimi i parë për vdekjen e vet, u shfaqën Denisi dhe Danillo. Më të çoroditur e më të zbehtë se të vdekurit e rëndomtë.

„Zotërinj bashkëudhëtarë, mund të themi se ju për bonton kurrë në jetë s’keni dëgjuar, meqë edhe të vdekur po vonoheni aq shumë. Çfarë ndodhi? Pse po shkojmë papritur? E keni kidnapuar Lemin? Mos jemi në rrezik?“, bëri shaka Mona me të vërejtur se roli i të durueshmes nuk po i shkonte për dore.

„Çfarë Lemi, je në vete? Larg qoftë!“, u zmbraps Danillo.

Në atë çast shpejt e shpejt i bashkoi të tre gishtat dhe bëri kryq. I kishim mbetur disa lëvizje të pakontrolluara nga jeta, ashtu disi. Nuk është se ai besonte në Zot. Nuk beson Danillo qëkur plumbi ia preu barkun. Derisa i shkonte gjaku, shante me gjithë forcën, i dëshpëruar me karakterin e tij të paparashikueshëm. Dhe pastaj të sharat, bashkë me trupin e këtij absolventi të ri të pylltarisë, i përpiu lumi Bosna.

„Lemi është gjallë, nuk ka vdekur, të paktën ti mos bëj shaka me këtë punë. Kërkojmë falje që u vonuam, prej mëngjesit jemi pak të paorganizuar“, Denisi me ngathtësi përpiqej ta verbalizonte dhembjen e tij.

I ngujuar në pubertet, nuk e kontrollonte dot as veten as emocionet e veta, e lëre më t’u shërbente të tjerëve.

„Fol, Denis, si është puna! Fol, e të shkojmë. Dhe ku po shkojmë? Kemi ndonjë plan apo prapë do të më ngrehni nëpër vatanet tuaja? Nuk mundem më nëpër kafene të fshatit e nëpër festa familjare që ju t’i spiunoni familjet tuaja. Shikojini këta të rinj përreth nesh! Turistë pa brenga. Shkojmë pas tyre, veç të ikim pak nga ky popull yni. Ju premtoj se do të kthehemi“, ankohej Mona.

„Tani edhe po të donim, nuk mundemi“, murmuroi më shumë si në vete Danillo.

Denisi ngurronte, sepse e dinte se ajo që do t’i thotë do ta trishtonte. Pas njëzet vitesh bredhjeje të përbashkët nëpër lugore të Ballkanit gunga-gunga, erdhi koha e ndarjes. Megjithatë, ishte legjitime të pritej që ajo të gëzohej. Qoftë edhe në mënyrë bizare, ashtu siç kërkon bizariteti i gjithë këtij kosmosi paralel. Si e gjallë, ashtu edhe e vdekur, Mona, person cinik, ua zinte për të madhe të gjitha fantazmave pikërisht për shkak të atij pranimi të lumturisë vetëm derisa ta varrosin dikë, duke e përcjellë përgjithmonë nga limboja. Djemtë e dinin se ishte e tillë, sepse moti e kishte braktisur idenë e varrimit të vet solemn. Meqë nuk kishte familje dhe miq në mesin e të gjallëve, ka dhjetë vjet që trupin e saj as që e kërkon dikush. Kur e braktisi shpresa se do të gjente paqe, me hidhërim e përzuri edhe solidaritetin me shpirtrat tjerë të humbur të viktimave.

„Sot po më varrosin… E di se jemi marrë vesh që këtë verë nuk do të shkojmë në Potoçare, por askujt nuk i ka shkuar mendja që pikërisht këtë vit do ta gjenin trupin tim. E dini edhe vetë se do të doja të ishit të pranishëm në xhenazën time. Sa e sa herë e kemi bluar këtë punë se si do të dukej e gjithë kjo. Ndoshta edhe nuk do të jetë shumë e trishtueshme. Të gjithë do të jenë atje, por ju e dini se për mua askush nuk është më i rëndësishëm se sa ju të dy. Ja, kësaj radhe nuk do të dëgjojmë fjalime. Ju kujtohet se si vitin e kaluar vallëzonim rreth politikanëve dhe ua nxirrnim gjuhën derisa ishin në binë? Ah sa kënaqësi ishte, i shpëtoi Denisit nga buzët fëmijërore, të cilat kurrë nuk do ta puthin gjoksin e gruas.

Danillo përpëlitej rreth shtyllës dhe bëhej sikur nuk dëgjonte. Sapo e kishte vërejtur grafitin dhe vlerësoi se do t’i duhej një përjetësi e tërë për t’i lexuar ato dy fjalë. E dinte se Mona, aq e zgjuar dhe e arsyeshme, ata i shikonte pikërisht si dy mediokritete të marra e të pajetë. Përpiqej në të gjitha mënyrat ta shmangte shikimin. Saherë që ishte i tendosur, vrima në barkun e tij fillonte të zgjerohej. Rrobat e lagura në trupin e tij bëheshin më të rënda. Nëse nuk e merr veten shumë shpejt, do ta tradhtojë kutërbimi i lumit i cili fle i qetë në mushkëritë e tij, dhe pret situata të këtilla që të përzihet. Që nga nesër, tre musketarët bëhen dy. Duhet të mos jesh egoist që t’i gëzohesh shpëtimit të tjetrit.

Ky lajm për gjetjen e trupit të Denisit nuk e befasoi Monën. Por as nuk e ngazëlleu.

Pa folur zbritën poshtë hekurudhës. Së shpejti do të takohen me shpirtrat e të tjerëve, dhe ky është çasti i fundit për ndarje. U përqafuan. Kushedi edhe sa kohë do të qëndronin ashtu të puthitur sikur të mos e ndjenin një lëvizje në krahëror. Treni nga Beogradi as nuk e kishte kaluar Sremski Karlovcin kur këta tre bredhës e nuhatën ardhjen e tij. Hekurudhat përçonin energji të bishës së ftohtë prej çeliku të cilën, në një largësi të tillë, mund ta vërejnë vetëm krijesat që gjithashtu janë të ftohta.

„Do të jemi pranë teje kur ta lëshojnë tabutin tënd në dhe. Hiç mos u mërzit, djalo, tha Mona me qetësi, duke e vënë dorën mbi supet e Denisit.

„Na vjen mirë që të paktën njëri nga ne do ta përfundojë bredhjen e vet“, shtoi Danillo.

„Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Veç për nënën brengosem. Kam përshtypjen se do të bëhet ndonjë hallakamë. Mezi pres të perëndojë dielli dhe e gjithë kjo të marrë fund“, i befasoi Denisi me brengën e tij.

„Ti gjithsesi nuk mund të ndikosh në këtë punë. Mos e vraj kokën tënde të bukur. Relaksohu dhe jepju tokës së zezë“, e ngushëllonte Mona, megjithëse as ajo nuk u besonte fjalëve të saj. Optimizmin e konsideronte të tejvlerësuar.

Ktheheshin rrotull. Njerëzit mbaheshin për valixhe dhe valviteshin. Në çdo çast pritej që treni të hynte në stacion.

„Çka mendoni, sa të zhdukur, të vrarë, e të varrosur fshehurazi mund t’i zërë një kompozicion? Sa trena duhen për të gjithë ne?“, pyeste Danillo.

„Nuk u dihet numri, ashtu si neve“, Mona ka gjithmonë një përgjigje të gatshme. „Sinqerisht, brengosem për këta njerëz. Fakti që nuk dinë për udhëtimin e fantazmave, i mban në pëllëmbë të dorës. Nuk e dinë të gjallët se nuk do të jetojnë të qetë përderisa trenat për të cilët e ke fjalën nuk zbrazen, përderisa çdo shpirt nuk zbret në stacionin e vet. Jemi shumë rreth tyre, e kjo ua prish aurën. Pa paqen e shpirtrave tanë, nuk ka as paqe në mesin e tyre.“

Është mesditë. Shkrep shkëlqimi nga teli me të cilin ishin lidhur duart e Denisit. Kjo ishte shenjë se ishte koha për nisje.

Edhe pse e ngadalësonte hapin duke iu afruar peronit, treni ende e kishte atë fuqi që të na bënte neve tre miqve copë e grimë, duke depërtuar përtej nesh.

„Shkojmë të të varrosim.“

 

Përkthim: Qerim Ondozi

 

 

  Sllagjana Lubiçiq

Sllagjana Lubiçiq (1979) jeton në Novi Sad. Ka studiuar psikologjinë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Novi Sadit. U mor me gazetari dhe me këshillim psikologjik të veteranëve të luftës dhe të familjeve të tyre. Është aktiviste dhe aventuriere. Nëna e një djali me sy të mëdhenj. Shkrimet e saj mund t’i lexoni në www.pismasinu.wordpress.com, ndërsa mund t’i shkruani asaj nëpërmjet sladjana021@gmail.com

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.