Petre Dimovski

 

 

Ky rrëfim është i vërtetë,
emrat e personazheve janë ndryshuar.

Një valë drite ia përzeu hapësirën dhe e hutoi. Në vend që të dalë në horizont, Lucia u fsheh prapa monitorit. Ajo që e pa ia dridhi zemrën dhe drita shkëlqeu me një nxehtësi të butë në shpirt. U përgatit për një klithmë. Të njëjtin çast një frikë instiktive e paralizoi.

Në horizont hyri Milosava…

Milosava e lëshoi shportën për t’u drejtuar dhe, duke parë përpara, iu ngurua shikimi. Dëshiroi të shmangej nga takimi. Por, s’bëri asgjë.

Të dyja gratë pashmangshëm u kapën në shikim nga skajet e rrugicës së fabrikës për kompjuterë Franklin Elektronik në Uest Raid, në Sidnej. Shikonin njëra-tjetrën pa fjalë, të kthyera në plasat e kohës. Ishin të hutuara dhe të pavendosura, sikur e kërkonin rrugën për prapa. Qetë iu drejtuan njëra-tjetrës. E shpejtuan hapin. Filluan të vraponin. Para se të arrinin të përqafoheshen, i ndaloi një përçarje e brendshme. U shikuan të pavendosura. Nëpërmjet dritës së syve hynin në shpirtrat. Dhe, përnjëherë u përqafuan. Fuqishëm, duke ndjerë frikën nga ndarja. Filluan të qanin. Me një shqetësim të thellë të brendshëm nëpërmjet të cilit i zbrazin të gjitha hallet që janë grumbulluar.

Rrufeshëm kalonte shiriti i jetës.

 

Rrinin në bufenë e fabrikës së Bardës dhe bënin shaka. Ato të triat. Të pandashme qëkur kanë filluar të ecin. Kishin rrëfyer kujtime nga qëndrimi në kopsht, të cilat tani u janë dukur ngacmueshëm të sinqerta. Panorama e larme e qytetit i ka mbushur sytë. Nga mali Igman frynte erë e freskët jug-perëndimore. Lucia e pa orën dhe u çua. „Erdhi koha të kthehemi në sallë.“

Para hyrjes takuan njerëz me mjekra të cilët qëndronin të dehur dhe bërtisnin. Të armatosur me pushkë, bartnin një kërcënim i cili i përziente mendimet. Pamja e hapësirës ua kishte ngarkuar tërë peshën e kohës, e cila papritmas u egërsua. Dëgjoheshin krisma nëpër Sarajevë. Filluan ndarjet. Federata filloi të kërcasë. Dalja e njerëzve të armatosur, me sy në të cilët shpërthente zjarri i urrejtjes, bartte humbjen e qetësisë, aq të nevojshme për të mbetur njeri, në një kohë kur pikon stuhia.

„A ka serbe mes jush?“

Kërcënimi u fut në ajër dhe e përzjeu atë.

„Ti eja me ne“, duke i rënë me pushkë, e shtyri njëri që ishte afër Lucisë. Në zemër e godet një panik. „Ajo është serbe“, shpejt tregoi Lucia drejt Milosavës, e humbur në frikën e vet. Dhe, deri sa ta kuptojë se ç’ka thënë, Milosava u rrethua nga gypat e ftohtë të armëve, e detyruar të vraponte para tyre. Derisa Lucia e habitur e shikonte Milosavën, duke mbetur pa fjalë, ajo ia drejtoi shikimin në sy. Kishte një lutje të frikshme, e cila dërgohet në ngërçin e frikës së skajshme. Zbehja mortore e fytyrës së Milosavës u këput nga kjo pamje dhe u ngjit në shpirtin e Lucisë. „Ç’bëra?!“, e pyeti veten, pa pasur mundësi të hynte në realitet. E habitur dhe e trembur hyri në sallën e fabrikës. Pse nuk ia doli të tregonte se ajo ishte shoqja e saj më e ngushtë? Si motër. Mundohej pa mundur të gjente ngushëllim në zërin i cili kundërshtonte se asgjë nuk mund të bënte. Djalli ka hyrë në njerëz dhe e ka marrë fatin në duart e veta. Nga makina përballë shikonte Mirzeta, ndërsa një re e zezë i ngjitej në fytyrë. I ftohti ka hyrë në hapësirë. Prej kujt të trembesh, ku të mbështetesh?! Pse miqësia bëhet tradhtare dhe asgjë s’mund të bëhet për mbrojtje?

Pas disa ditëve, njerëz të armatosur me dhunë e rrëmbyen një grup. Lucia është zhytur me shikimin në ngjarjet, duke e zgjatur dorën drejt Mirzetës.

E kanë shikuar njëra-tjetrën për shkurt.

„Mirzetë, shpirt! Edhe ty kam për tët’ humbur?!“

„Kush më spiunoi?“

E habitur dhe e trembur, Lucia s’mundej t’i qetësonte mendimet. Më tregoi se çfarë i kishte ndodhur të nesërmen.

Kur trokitën në derën e banesës, e prisja Stanojkun me fëmijët për ta ndarë brengën që po na shtypte. Por, hynë njerëzit me mjekra dhe futën brenda kërcënim vdekjeprurës. E dëgjova se burri im, besnik i veprës së tyre, më kishte spiunuar si të huaj, ndërsa ai me fëmijët kishte ikur në Beograd.

Nuk u mbrojta. Fuqi e tillë në ligësi! Ai që u hodh mbi mua sapo më kapi m’i zhveshi pantallonat. Depërtoi në mua me një goditje të ashpër në shpirt. Qielli hapej e mbyllej. Zhytesha dhe dilja nga errësira e vetëdijes.

Kur më mbyllën në kamp, e njoha një shok klase. Më tërhoqi prapa barakës me kërcënimin se edhe ai do të më dhunonte si hakmarrje që kam qenë një kokonë e lazdruar. Të tjerët zgërdhiheshin të dehur. S’kisha fuqi të kundërvihesha, as të lutesha. „Bërtit“, tha qetë duke më hedhur në tokë. „Bërtit, klith, ulërit… Nëse mendojnë se po improvizoj, do të na pushkatojnë të dy. Asgjë s’mund të bëhet kundër çmendurisë. E keqja është një anije e ndezur që lundron në detin e trazuar me peshkaqenë.“ Ma tregoi rrugën. Nga këpucët nxora një mijë marka për t’ia dhënë tjetrit për të më blerë dhe për të ma dhënë lirinë.

Por, fatin s’e kisha në anën time. Nga një gropë rashë në një gropë tjetër. Në një kamp myslimanësh. A mundesha të duroja vuajtje të tjera? Thahesha, shkrihesha, shuhesha. Nuk isha fantazmë e jetës, por fantazmë e vdekjes, pasi u zvarrita deri te gardhi pa të shtëna. Nëpër një vrimë nëpër të cilën s’mund të kalonte njeri, kalova. Së paku, do të vdes me dëshirën time. Vdekjen e përmenda sepse vetëm atë e takova. Malin e bardhë, të mbyllur me borë, s’do ta kaloja edhe sikur të isha e ngopur dhe e plotësuar, jo e uritur dhe e tharë. Por, rrëmbeja nëpër borë për të ikur më larg nga vdekja e dhunshme që ma kërkon gjurmën, duke e ndjerë këtë si më të ndershme.

E ngrirë, por e gjallë qëndroja e shtrirë në krevat. Helikopteri i UNPROFOR-it e vërejti njollën e zezë në borën e bardhë. Dy vjet isha në kamp në Spanjë. Stanojku më kërkonte nëpër kontinente. Kur arrita në Australi, ishte nisur që të m’i sillte fëmijët.

Milosava më tregonte për ëndrrën me makth të cilin e shtypte përpara realitetit.

Me të rrëmbyer të tjerë na futën në një ambient të rrethuar. Rojtarët ishin të dehur dhe vazhdonin të pinin. Më hodhën në një dhomë të vogël dhe m’i zhveshën rrobat. Zgurdulloheshin. Njëri dëshironte të bënte dashuri. Tjetri e shtyri me thikën në dorë. I mbylla sytë për të mos e parë hovin e dorës, por e dëgjova kanosjen: „Jo kënaqësi, për të është kjo!“ Ma kapi gjirin dhe mori hov me dorë. Një dhembje e thellë ma mori vetëdijen, rashë në një thellësi të errët. U krijua një tollovi, britma, të shtëna. Me shkëndijën e fundit të mendimit e kuptova se janë duke u vrarë njëri me tjetrin.

Na hodhën në kamion në një grumbull. Kur e kuptuam se jemi të gjallë, ishim duke udhëtuar. Më trajtonin në spitalin e UNPROFOR-it. Me ndihmë të humanitarëve arrita në Holandë. Pastaj këtu.“

Mirzeta vazhdonte ta zhvillonte shiritin i cili pandërprerë kalonte para saj.

Ishim të rreshtuar sipër një hendeku të thellë. Pushkët i kishin drejtuar në drejtimin tonë. E shikoja vetëm vdekjen. E ndjeja se si zhytem, humbem. Rrokullisesha. E prekja tokën kur filluan të gjuajnë. Rashë në hendek. Kur erdha në vete, të ftohtit ma kthelloi vetëdijen. E kuptova se jam shtrirë përtokë dhe ashtu duhet të qëndroj deri në mbrëmje. E mora jetën dhe dola nga hendeku. Fëmijën ma kishin dërguar në Norvegji. Gjatë kohë e dëshmoja amësinë. Kur ma propozuan Australinë, thashë, më mirë më larg kujtimeve. Por, pastaj e kuptova se kujtimet i bart në shpirt.

 

**

„Këtu është edhe Mirzeta“, Milosava i tha Lucisë, „në kamp në Paramata. Pret punë. Mua më gjeti Cvetani nga Shkupi, mbante një qoshk në këndin e rrugës Igman, te xhamia e Vogoshit. Ka nisur biznes pastrimi dhe më ofroi punë. Është nostalgjik për anën tonë. I thashë të të kërkojë edhe ty, e dija disi se të njëjtën udhë jemi duke e bërë. Kur të pashë, e kuptova se të ka gjetur.“

„Më gjeti“, me shikim u falënderua Lucia. „Ta thërrasim edhe Mirzetën.“

Tri gratë rrinin në anën perëndimore të fabrikës. Mes eukalipteve të degëzuara fërfëllinte uji i lumit Lein Kov, duke e përzier fërfëllimën me klithmën e kakaduve që erdhën duke fluturuar si një re e bardhë. Bisedonin për kujtimet e vjetra e të mira dhe për planet e reja. Luftën nuk e përmendnin. Atë që nuk mund të fshihet nga kujtimi e shtypnin në vete.

„Stanojku do të vijë këtu“, u tha Lucia dy shoqeve.

„Do të dëshironte të na shihte me ty?“

„Do të jetë i lumtur. Mundohet të vijë në vete pas kaosit që e rrëmbeu. Nuk ia kthej kujtimet e këqija. Ka menduar se si t’i shpëtojë fëmijët. Dhe, i frikësuar nga dashuria, njeriu gabon në jetë.“

Nga Lain Kov Roud para Takuel Park, pranë këndit të Magdonaldit, u shfaq Stanojku. E pa Lucia dhe e ngazëllyer e ndiqte kur u ndal pranë një hardhuce të plotë, dukshëm duke qetësuar një nerv të ngrehur. Pastaj e shpejtoi hapin dhe u ngjit te ato. U përshëndet me Milosavën dhe Mirzetën dhe si i hutuar i preku flokët e Lucisë. Vështirë hynte në bisedë. Por, temat ishin të gjalla, hapnin horizonte të lumtura dhe së shpejti edhe ai filloi të bënte shaka.

Milosava propozoi që me taksi të kthehen nëpër kampe, por ndërhyri Stanojku:

„Do t’ju çoj unë me makinë.“

„Jemi në anë të kundërta“, tha Mirzeta.

„Sikur të ishit edhe në anë të kundërta të botës, do t’ju çoja. Do ta çoj Lucinë. S’dëshiron të ndahet nga ju.“

„Kampi s’është aq tërheqës që të mos dëshironte të largohej“, tha duke qeshur Milosava.

„S’është, por do të mbetem atje deri sa t’i fitoj dokumentet. Kur do të kthehem te Stanojku dhe fëmijët, do t’ju thërras të jetojmë në shtëpinë e përbashkët. Nuk mund ta përballoj që të jemi të ndara. Duhet tërësisht t’i kthehemi jetës.“

Muajin tjetër u strehuan në një shtëpi në Redferen, pranë parkut te Rojall Hospitëll. Ishte afër për terapinë e Lucisë. Nga ngrirja, thonjtë e këmbës i hynin në mish, duke e çarë atë me dhembje të mëdha, dhe e operuan.

„Por, s’ka operacion për shpirt“, kur përsëri ishin së bashku të tri shoqet, u ankua Lucia.

„Operacion s’ka, por ilaç është miqësia“, me vetëbesim tha Mirzeta.

 

Përkthim: Kreshnik Ajdini

 

 

  Petre Dimovski

Petre Dimovski (1946) ka kryer fakultetin filologjik në Shkup. Ka punuar si gazetar dhe profesor dhe katër vjet ka qëndruar në Australi. Tani është kryeredaktor i revistës letrare Stozher i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë. Debuton me përmbledhjen me tregime „Преломи” (Thyerje) në vitin 1973, me të cilin u nominua për çmimin Mladost të Beogradit. Deri më tani ka botuar 14 romane, 11 përmbledhje me tregime dhe 6 monodrama, për të cilat ka fituar mbi 40 çmime dhe mirënjohje. Kontakt: petdimo@yahoo.com

 

 

ažurirano: 01/02/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.