Mehmet Elezi

 

Dy vjet pasi mbaroi lufta fillova punën në Gjakovë, në një shoqëri sigurimesh me  qendër në Tiranë. Ende nuk njihesha me të gjithë kolegët, kur e gjeta mbi tryezë një ftesë. Një shok i zyrës – s’e kisha takuar, më thanë është me pushime –  paskësh pesëvjetorin e djalit.

Rastësi e këndshme, festa do të bëhej pikërisht në hotelin ku rrija ato ditë, në kërkim të një banese private më të lirë. U bëftë 100 vjeç, thashë, duke parë nga kolegia e zyrës. Ajo çoi vetullën përpjetë. Perdja e trishtë, që i rrëzohej fytyrës, u dridh nga një erë e fshehtë. Ka të drejtë. Burri i saj është një nga qindra të zhdukurit e qytetit gjatë luftës. Sapo më kishin kallëzuar emrin e tij afër hotel Pashtrikut, në një mur tullash, që kishin ngritur qytetarët me emrat e të humburve, çdo tullë një emër. Gruaja vinte në punë e veshur me do ngjyra të përhimta, të ftohta akull.

Çfarë mund të çoj si dhuratë, i thashë, më shumë për të dalë nga ajo heshtje gati e përzishme. Ajo u step një hop. Nxori shaminë dhe doli me kryet ulur, duke tërhequr derën pas. Dona, dëgjova një zë femre diku nga fundi i mesores, ku ishin tualetet. Dona e thërrisnin shkurt. E quanin Liridona.

Njeriu është përherë i varfër në parashikime. Kur drejtori i personelit më kërkoi mendimin që të punoja në degën e Gjakovës, më kaloi çdo gjë nëpër kokë. Larg nga Tirana, dymbëdhjetë orë rraka-zhdak nëpër gurë e gropa, autostrada s’qe në planet e qeverisë së atëhershme. Jeta e beqarit, bëj një orë derisa i hekuros një palë pantallona dhe i nxjerr me dy viza. Dimër i ashpër.  Ana tjetër më ngrohte. Do të punoja në Kosovë, në Kosovën e çliruar. E kishim parë vetëm nëpër ëndrra.

Nuk paskësha llogaritur diçka të rëndësishme. Kosova është lehonë, ka lindur me prerje cesariane. Ka lindur një gjeni, Lirinë. Shtati i saj mbushur me varrë e varre. Mund t’i gëzohesh pa fund, por nuk mund të festosh duke u përqafuar e shkrirë me të.

Ditëlindje fëmije në hotel, përsiatesha në dhomë, shtrirë me fytyrë nga qiellzana.  Në tërë atë sallë, që përdoret për dasma. Ju kuptoj, gjatë luftës u vranë edhe foshnja, djalin tuaj e ruajti Zoti. Sonte i mbush pesë vjet. Njëqind e pesë u bëfsh, bukurosh! Dhe mos pafsh kurrë gjë të keqe.

Hm, mund të ndodhë që të mos shoh keq njëqind e pesë vjet? Gjithsesi disa drama që tronditin shoq e popujt, çka dëshiron. Gjithsesi d pia2 et, tjetri Bajramin; ëritë e popujt, mund të shmangen. Evropa mund t’ia ndalë, jemi në mijëvjeçarin e tretë. Bosnja qe mësim. Kosova qe mësim. Po Lufta e Dytë nuk qe mësim? Blej një kostum popullor për djalin, më tha ime shoqe në telefon. Me siguri kostume do t’i çojnë edhe të tjerët, moj grua. Ti bëj tëndën, e di si? Merrja një numër më të madh, djali rritet me orë, ta ketë kur të bëhet shtatë-tetë vjeçar, qoftë edhe dhjetë. Mirë, po e pyes dikë që të më tregojë ku janë shitoret. Zgjidhja të bukur, në Gjakovë e në Prizren janë mjeshtër për këto punë.

Jo vetëm për këto punë, thashë, duke këqyrur nga dritarja e ballkonit, përmes degëve të një jargavani. Një oborr i madh zbriste butë kodrinës përkundrejt. Dy-tre hektarë vend. Rrethuar me mure të bukura, zbukuruar me hekura të përdredhur. Pemë të sapombjella. Katër shtëpi të reja kapur dorë për dore formonin këndet e një katrori. E pesta, pak më larg, qe shkretëtirë. Rrënuar e nxirë prej flakëve, s’kish vënë kush dorë në të. „Janë të katër vllazënve. Ua kalli shkau, por qe, për nji vit i mbaruen prapë. Në ato themele. I banë ma të bukura, kanë ma shumë dritë e hijeshi“. Po ajo njëkatëshja, pse është lënë ashtu? „Tash i vjen rendi edhe asaj. Ka qenë për barin e gjasë e për dimnishtat. Të parës ia vënë flakën asaj, bari i thatë merr si barut“.

Shtëpi dritë të reja mbi të djegurat. Gjithandej. A thua i prunë me vete, paluar nëpër çanta si pizhama, ato ditë që mbaroi lufta? Njerëzit ktheheshin, vetëm ktheheshin. Me vetura, me traktorë, me aeroplanë, në këmbë. Edhe në shpinë, të vegjëlit e të pamundurit. Liria. Kthehemi në dheun tonë. Pamjet dridhnin ekranet e botës. Në dyer shkruante minirana kuća, shtëpi e minuar. Nuk frikësoheshin, është mashtrim.

Kullosja sytë, duke shtypur mes gishtave një cigare të tharë, e kishte lënë kush e di kur në një qoshe të komodinës. Kot nuk mora një shishe raki në shtëpi, do të më shërbente si aperitiv. Sa është ora? Duhen edhe dyzet minuta që të fillojë darka. Po zbres te holi. Më mirë lëviz, takohu me dikë, se sa rri e trashu në dhomë. Të dua shumë, por tash s’kam kohë për ty, i thashë romanit të hapur mbi komodinë. Mario Vargas Llosa, Festa e Cjapit.

Të ftuarit kishin nisur  të vinin. Kuvendonin në grupe të vogla, dy-tre ose katër vetë. Burrat me kostum e kravatë, me gjasë pas gjithë atyre që hoqën i vlerësojnë më shumë gëzimet e jetës. Ja ku mbërrin edhe Dona. Para kohe, si me porosi. Veshur me të njëjtat ngjyra, më pëlqen t’i quaj të ftohta. Për ironi, i shkojnë shumë, me gjasë disa gra dhimbja i zbukuron më shumë. Apo asaj i shkon çdo lloj veshjeje? Sytë e zinj, me ëmbëlsi të rrallë, më kujtojnë sytë e Bekim Fehmiut te filmi Uliksi, variant femëror i tyre (desh e pyeta kur erdha, mos je ndonjë mbesë e artistit të madh?). Bukur e mbushur, por i ka hije. Dona i lëshon një sy holit, çelet kur më sheh. Ma kthen buzëqeshjen në mënyrë të përmbajtur, plot hijeshi. Grua e sojshme, e ndjen se kemi ardhur për gëzim, në këso rastesh ndaç eja ndaç mos eja, ç’kusur kanë të tjerët që t’i bombardosh tërë kohës me fatkeqësinë tënde. Më prek bërrylin me majat e gishtave, afrohu pak.

-Ti s’e di.

Sytë e mi ngulen në sytë e saj pushtues e të trishtë.

-Të tërë lëvizim me nga një gur të rëndë në parzëm. Te dikush vërehen më fort, te dikush më pak.

Hapet dera e holit, dhjetë-dymbëdhjetë fëmijë turren brenda si gulsh ere. Afërsisht të një moshe, pesë a gjashtëvjeçarë. Djemtë me kostum e kollare, si burra të mëdhenj. Me gjasë shoqëria e kopshtit të djalit. Mundohem të gjej cili është i zoti i gazmendit, ai që do të nusërojë sonte. Dona e kupton dhe bën një lëvizje të prerë dore, jo. I ka rënë ai buzëgazi me dritë, që përcjell valët e një energjie turbulluese. Herë-herë dritës në fytyrën e saj i ndodh si flokëzave, atyre luleve të egra me thekë në formë topthi, që të fryhet pak, thekët shpërndahen në ajër. Sa i zdritin sytë, vjen një re e përhime dhe e hijon. E kuptoj. Ia kanë vrarë dashurinë e jetës.

-Një shoku tonë të punës iu hap një plagë, nuk ia mbyll gjë në botë. Veç kur ta mbulojë dheu.

-Lufta?

-Lufta.

I ndodhi në shtëpi. Kish qëlluar vetëm e ëma e moshuar me djalin e vogël, tre vjeç. Domethënë gjyshja me nipin tre vjeç.  Goditje shkallmuese në kat të parë, thyhet dera me rrapëllimë. Hapa të trenuar, zëra të çartur. Paramilitarët serbë, milicia mbase. I vogli trembet. Shë-shë-t, thotë nënëgjyshja, po vijnë dajat, bëjmë sikur nuk jemi në shtëpi, a do të dijnë të na gjejnë. Ti fshihu këtu, në ballkon. Qe, pas vazos së madhe me luleshqiponjë. Aty nuk të shohin. Të mbulon lulja. Palohu shpejt, shpejt. Ashtu, hë, mos luaj.

Del e përpiqet që t’i pështjellojë dajat. Që t’i ngatërrojë, që të mos e gjejnë djalin. Dajat mbarojnë punë me gruan, fët e fët. Ka njeri tjetër këtu?, thotë një vështrim i përgjakur. Nuk paska. Del në ballkon. Bajonetën nëpër fletët e lules. Djali tmerrohet, i thërret gjyshes. Bajoneta zbardhëllon. Bajoneta ndërron ngjyrë. Bëhet e kuqe.

Dona kapërdihet. Sytë e lëngët i rrëmbushen.

Djali ishte tre vjeç. Aty u ndal, s’arriti  ta bënte një ditë më shumë. Megjithatë, sonte. Sonte na ftuan prindërit e tij. Dëshirojnë t’ia festojnë pesëvjetorin. Do t’i festojmë çdo ditëlindje, thonë. Edhe dhjetëvjetorin, edhe njëzetvjetorin, edhe.

Ajri çahet, nga fundi i sallës veton një klithmë gruaje. Zëra që mundohen të qetësohen. Ujë, ujë me akull. Doktorin shpejt. Një burrë vrapon te sporteli, i bien syzet nga xhepi, për pak i shkel. Alo, urgjenca? Është rast shumë delikat, ju lutem. Shqipton emrin e hotelit.  Njerëzit e sallonit afrohen, duke ngushtuar hyrjen e sallës. Gruan që humbi ndjenjat e shtrijnë në një kënd. Një burrë afro dyzet vjeçar se ç’bisedon me dy të rinj, të tjerët dëgjojnë përreth. I prerë edhe ai, fytyra e terur, dru. Më kap veshi do fjalë, pa tjetër, je i mirëpritur. I thashë atij shoqëruesit mos e ço, pëshpërit sportelisti. Është shpejt, plaga e ngrohtë, fort e thellë. Çfarë i the të mos çojë? Për atë i thashë. E sheh atë burrin e gjatë, flet me dy djem? Ai është i ati, domethënë babai i djalit që sot do të mbushte pesë vjet. Sportelisti thotë më fal, i thotë diçka dikujt, kthehet prapë nga unë. Dy të tjerët, që po kuvendojnë me burrin e gjatë, njëri është serb, fle këtu, në kat me ty, s’të ka rënë në sy? Serb ai?! Po, serb. Shkrimtar a poet, diçka kësisoj. Paska ardhur, e kanë ftuar në një konkurs poezie. Sportelisti shqipton një tjetër më fal dhe i përgjigjet dikujt në telefon. Po pastaj? Pastaj, qe. Ky poeti serb merr vesh për ditëlindjen dhe pakujtimas thotë a mund të marr pjesë. E dëgjove të ëmën e djalit? Ajo që piskati. Sapo i treguan, i ra të fikët. I shoqi tha mirë se të vijë, jemi shqiptarë, te ne s’ndodh kurrë që mos t’ia hapim derën atij që troket si mik.

Mbamë pak, tha Dona, duke u mbështetur me kujdes te krahu im.

Te këndi i orkestrës dënes një baladë. Një muzikant po provon violinën.

 

 

  Mehmet Elezi

publicist, shkrimtar, gjuhëtar, diplomat. Lindi në Tropojë (1949), diplomoi në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe; studimet pasuniversitare i mbaroi në filozofi. Vepra të botuara: 11 romane; 6 libra, ese dhe publicistikë; 4 përmbledhje me poezi; 4 libra për çështje të shqipes së sotme; Fjalori i gjuhës shqipe, rreth 41000 fjalë që nuk janë në fjalorët e akademisë, me shtjellime etimologjike; Fjalor me emra njerëzish - 31000 emra iliro-shqiptarë. Jeton në Tiranë.
Kontakt: m.elezi@bluewin.ch, mehmetelezi@gmail.com, https://www.facebook.com/elezimehmet/

 

 

ažurirano: 31/01/20

This site is registered on wpml.org as a development site. Switch to a production site key to remove this banner.